Nevojat tradhtare janë thirrje të thekshme nga skutat më të errëta të brendisë sonë. Tundimet më të parezistueshme që e djegin në zjarr e hekur të skuqur vullnetin. Trandje dhe trazimi me të cilat njeriu i prirjeve të epërme të devocionit ndeshet si një gladiator çdo ditë.
Kjo thirrje, ky zë, kjo yshtje, buron si magma prej thellësisë së tokës, nga aq thellë ku gatuhen zjarret e emocioneve të forta, ku shpuzet nervi i përpjekjeve për të zbuluar tempin e rrezikut dhe kutin e heroit në kurmin e brishtë të epsheve.
Triumfet në tradhti, në shumë raste është sikur t'ia dalësh të kalosh nga një anë e një lumi në tjetrën duke kërcyer mbi kurrizin e krokodilëve, ose të përpiqesh të përdorësh copëza akulli si anije për të përshkuar detin…
fatkeqësisht jo gjithnjë mund t'ia dalësh.
Më shumë se gjithçka në këtë lojë zjarresh, në këtë sfidë rreziku, ajo që e pëson është zemra, të cilën nuk e shërojnë dot as pendimi as lotët.
Megjithatë ne vazhdojmë të jeni të dehur prej kësaj arome, të kapluar prej këtij zjarrmimi.
Ti që ke humbur zjarrin e një dashurie, dhe nuk mund ta rigjesh atë në atë vatër ku deri dje të ka ngrohur më dëshirim e përkujdesje, harroje se do ta gjesh në njëmijë zjarre që shpuzitin në udhën që përshkon harbimi. Ajo zemër ka vdekur.
Përvoja nuk mbamendet të ketë ruajtur në kujtesën e vet një tradhti, zjarri i apasionuar i së cilës i dha një zemre atë që vetja dhe fati i'a kishte ndaluar e mohuar me vargonj e pengim.
Mëshiruar qofshin prej Shën Valentinit gjithë ato kurme që lshohen dorzan një shpengimi tradhtar, jo dhe aq prej dëshirës për të mbushur një zemër të zbrazur, se sa për të ngërthyer në pelenat e egosa një shpirt që ka vendosur të zgjedh fatin dallgëve që përplasen me shkëmbinjt e vuajtjes dhe pendimit.