Historia e muzikës shqiptare, sublimja e krijimit nuk janë të plota pa veprën dhe emrin e Tish Daijsë, një prej mjeshtrave që jetuan për muzikën dhe gjithçka kishin i’a dhanë muzikës. Tradita e muzikës shkodrane, galeria e përfaqësuesve të kësaj krenarie kombëtare përplotësohen me veprimtarinë krijuese të mjeshtrit Tish Daija. Arti në përgjithësi dhe muzika në veçanti kanë te ky personazh shembullin e përsosur të një përfaqësuesi vlerash dhe kontributesh në traditën muzikës shqiptare. Përvoja e tij e gjatë, pasioni dhe përkushtimi do të shndërroheshin në gjenerues të një energjie shtytëse vlerash. Me të muzika do të hyjë në arena sfidash konkuruese. Kjo hyjnore hov në një stadi të epërm të mishërimit të së bukurës, së harmonishmes dhe komunikueses së muzikës si kopulim ndjenjash dhe përjetimesh.
***
Tish Daija u lind më 30 janar 1926 në Shkodër nga një familje artizanësh të dëgjuar shkodranë. Babai dhe xhaxhai i Tishit janë ndër themeluesit dhe njëkohësisht pjestarë të orkestrës së shoqërisë “Rozafat”. I rritur në ambientin e këngëve e të melodive, pa hyrë në shkollë akoma Tishi bëhet pjestar i korit françeskan nën drejtimin e pader Martin Gjokës dhe pader Filip Mazreku.
Kur ishte nxënës i vitit të tretë i shkollës fillore bëhet edhe pjestar i bandës muzikore “Antoniane” të drejtuar nga i madhi, mjeshtëri dhe frymëzuesi i paharruar Prenkë Jakova. Këtu në këtë grup ai nisi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera. Të kësaj moshe janë edhe kompozimet e para të tij mbi motive të këngës popullore shkodrane nën influencën e muzikës orientale, të cilat mbajnë vlerat e moshës. Në 1939, kur ishte vetëm 13 vjeç ai krijoi disa këngë të bukura si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, Sylarushe”, etj, të cilat këndohen edhe sot në mjediset shkodrane e që ruajnë akoma freskinë e tyre, madje ato janë bërë aq popullore, saqë pothuajse e kanë humbur autorësinë e tyre. Këngët popullore të Tish Daisë janë më të hershme se ato të Prenkë Jakovës dhe të Gjon Simonit e të ndonjë tjetri. Gjatë kohës së luftës Tishi vazhdon studimet në gjimnazin françeskan dhe njëkohësisht merret edhe me krijime këngësh popullore. Dy vitet e fundit të shkollës në 1945-1946 i mbaron në gjimnazin e qytetit. Menjëherë pas mbarimit të shkollës në 1946 emërohet mësues muzike në Vlorë, qyteti që i fali aq gëzime rinore. Në vitin 1951 Tish Daija, pasi i kishin refuzuar një bursë në 1947 për në Izrael, kapërcen dyert e konservatorit të famshëm “Çajkovski” të Moskës. Diplomohet në 1956 për kompozicion. Gjatë kësaj kohe ka shkruar një sërë veprash plot frymëzim si: “Kuartet harqesh, suitën për fëmijë “Një ditë pikniku”, Uvertura e fitores, etj. Mbas studimeve emërohet për 6 vjet në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ku dha një ndihmë të çmuar në fushën e artit muzikor. Në 1962 emërohet në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore. Për afro dy dekada, si udhëheqës artistik i këtij Ansambli, dha një sërë koncertesh të suksesshme që e bënë të njohur në kudo në botë. Ai shoqëroi Ansamblin në shumë vende të botës duke bërë ballafaqimin e artit tonë me artin botëror. Mbas 1980 del në profesion të lirë deri sa del në pension. Që nga viti 1962 e deri më fund të viteve 90-të ishte pedagog i jashtëm i Akademisë së Arteve.
Krijimtaria e Tish Daisë është e madhe dhe e larmishme. Ai krijoi muzikë të të gjitha llojeve. Ai ka shkruar në të gjitha gjinitë muzikore si: opera, balete, simfoni, vepra instrumentale e vokale, poema, këngë popullore e të lehta, këngë për fëmijë, etj. Për të gjithë veprimtarinë e tij të madhe e të suksesshme ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” si dhe me titullin “Profesor”. U nda nga jeta 3 tetor 2004.
***
Daija hyn tek ai grup krijuesish që mund të cilësohet pjesë e kujtesës historike të Shqipërisë muzikore. Vitet 195156 do ta gjejnë Daijën me studime në konservatorin “Cajkovskij” të Moskës, që, bashkë me atë “Rimskij Korsakov” të Pjetërburgut, përfaqësonin dy kryeqendrat muzikore të BS dhe ndër më të rëndësishmet edhe në botë. Megjithatë, këto vite paraqisnin për atë vend edhe periudhën më të errët që po kalonte jeta shpirtërore në përgjithësi dhe arti muzikor në veçanti, krizën e prodhuar nga triumfi i teorisë estetike të realizmit socialit, pasojat e së cilës do të përhapeshin me shpejtësi dhe do të detyroheshin me dhunë, jo vetëm verbale, në të gjithë hapësirën që në zhargonin politik etiketohej si Lindje. Në këtë klimë ideologjikisht mbytëse u gjendën studentët shqiptarë që ëndërronin të bëheshin muzikantë. Vdekja e Stalinit (1953) ngjalli ndonjë iluzion, por e ashtuquajtura “shkrirja e akujve”, një përpjekje e vonuar në revokimin e masave represive ndaj artit, do të fillojë vetëm pas
Kongresit XX (1956), kohë kur muzikantët shqiptarë ishin kthyer në atdhe dhe jehonat e një çlirimi të imagjinatës krijuese do të bëheshin gjithnjë e më të pashpresa nën shkëlqimin verbues të Revolucionit Kulturor Kinez.
Vihet re se repertori, duke rrokur gjini të ndryshme, përmblidhte vepra të shkruara midis viteve 1954 dhe 1981, përfaqësuese këto të pesë profileve personale krijuese, e më konkretisht:
I. Daija student: Uvertura e fitores (1954) dhe suita “Një ditë pikniku” (1956);
II. Daija nismëtar i gjinive në muzikën shqiptare: pjesë nga baleti “Halili dhe Hajrija” (Daija Kanaçi, 1963);
III. Daija vokalist: “Aria e Vjosës” nga opera Vjosa (DaijaSiliqi, 1980):
IV. Daija orkestral: Valle simfonike nr. 2 (1971) dhe 3 (1976);
V. Daija instrumental: Fantazi – për violinë dhe orkestër (1975);
Rapsodi – për flaut dhe orkestër (1981); Koncert – për piano dhe orkestër (1981) Profili i parë, i realizuar tërësisht në Moskë, na shfaq një autor në kërkim të profesionalitetit me disa prurje artistike që ruajnë ende vlerën e tyre. Shfaqet në to një lehtësi në përpunimin e materialit dhe në organizimin e përmbajtjes, e cila synon drejt konkretizimit vizual, për të mundësuar një komunikim të menjëhershëm. Duhet thënë se thjeshtësia e shprehjes e vërejtur në këtë fazë, do të mbetet karakteristika përkufizuese e kompozitorit deri në fund të krijimtarisë.
Ai kërkon t’i transmetojë idetë e veta e për këtë u drejtohet jo vetëm titujve, por edhe programeve. Duke parë vijueshmërinë e veprës së Daijës lexohet qartë përpjekja e tij për t’iu larguar kanuneve të detyrueshme metodologjike lidhur me orientimin semantik. Kalohet kështu nga programet e mirëfillta muzikore të viteve ’50 (Një ditë pikniku) – që aq shumë i reklamonte politika e kohës si forma orientuese ideologjike të leximit të tekstit – tek emërtesat formale, por jo formaliste, si “koncert”, “fantazi” apo “valle”. Ndonjë shtesë e vendosur atykëtu (Në jug Devolliçe apo Bjeshkëve të Larta) dëshmojnë thjesht prejardhjen e materialeve tematike, pa asnjë synim për të orientuar referime të mundshme jashtëmuzikore.
* * *
Arsyetimet muzikologjike mbeten të paplota, nëse mënjanohet ndërmjetësia jetike midis krijuesit muzikor dhe dëgjuesit, pra nëse anashkalohen realizuesit realë të faktit tingullor. Me një tjetër dinamikë, e pse jo, edhe me një tjetër shpërthim emocional, na erdhi Koncerti për piano të cilin pulsimi perkusiv i prodhuar nga Nora Çashku, e afroi me burimin natyral të tij, pra me teknikat neoklasike.
Staccatot e theksuara të ndërprera nga akorde të papritura, thyerjet metrike të mbështetura nga zhvendosjet plot tension ritmik, toccot brilante edhe në kaskatat e notave, kontrasti emocional i zhvilluar përmes detajesh të imta, reduktimi i pedalit në më esencialen, pathosi pa retorikë agogjike, shmangia e çdo ridondance interpretative – të gjitha këto të shprehura me një energji të admirueshme ekzekutivembeten trajtat interpretative të individualitetit të Çashkut. Dialektika solistorkestër e kësaj vepre të Tish Daijës, pa dyshim nga faqet më të arrira të tij, u shfaq si pika më kulmore e veprimtarisë edhe për faktin e harmonizimit organik e të zgjidhjeve të sakta të raporteve midis
Çashkut dhe orkestrës, nën drejtimin e Eno Koços. Bashkëpunimi dhe omplimentariteti shprehës që u panë në Koncertin për piano ishin më të zbehura në veprat e tjera të kësaj tipologjie. Ndonëse në vetvete solistët dhe orkestra ishin të saktë, u krijua përshtypja e mungesës së elasticitetit në shkëmbyeshmërinë e roleve, duke shfaqur pozicionime në raporte disi të ngurta. Franc Shestani na dha një interpretim rigoroz të partit solist, me një ndjeshmëri të spikatur timbrike e me nuanca të gjetura të frazimit, duke nënvizuar me zhdërvjelltësi kalimet emocionale të Fantazisë për violinë dhe orkestër. Me një fond të pasur teknik ai demonstroi edhe një aftësi shprehëse që vihet në shërbim të nënvizimit të detajeve në tekstin muzikor. Edhe Jonela Golemi arriti ta individualizojë timbrin instrumental, për t’iu përgjigjur saktë motiveve dhe citimeve tematike të Rapsodisë për flaut.
Shkëlqimi i notave akute, rrjedhshmëria në pasazhet teknike, timbri i ngrohtë i regjistrit të ulët arritën të stilizojnë një prodhim të pasur me aftësi komunikuese. Tjetër pamje na shfaqi Eriona Gjyzeli në “Arien” e protagonistes së operës “Vjosa”, një pjesë repertori kjo me elemente teknike relativisht të ngjeshura. Zëri i plotë dhe qartësia e diksionit dëshmojnë për një kulturë këndimi që mbështetet nga një teknikë e konsiderueshme. Ndonëse në kushtet e sotme, seancat e provave ngushtohen gjithnjë e më shumë, Orkestra e RadioTelevizionit prezantoi një nivel të mirë interpretimi. Ajo paraqiti një rezultat timbrik të pasur, me raporte të rregullta midis planeve, duke iu përgjigjur me saktësi zhvillimeve muzikore, por çfarë mund të kërkohej më shumë, do të ishte menjëhershmëria e përgjigjeve në kontrastet emocionale. Nisur nga zgjedhja e repertorit, vërehet se Eno Koço e njeh mirë krijimtarinë e Daijës, duke paraqitur edhe hyrje të shkurtra për secilin titull. Aktiv dhe komunikues në drejtimin e tij, Koço na dha një pamje pothuajse komplete të kompozitorit, përmes nënvizimit të karakteristikave të secilës vepër. Toni i plotë i numrave orkestralë, por edhe dinamika e saktë në ato shoqërues, janë tregues të një polarizimi të kërkuar dhe të gjetur që synonin alternimin e shprehjes emocionale të koncertitmonografi.
Nga Daija, veç veprës, na ka mbetur në kujtesë edhe buzëqeshja apo alegria rrezatuese e tij, shpirti jopolemik dhe dashamirësia e tij e hapur.
Shfrytëzuar materiale nga Wikipedia dhe Edmond Buharaja