Kur del prej librit “Fryma” duket se ke dalë në bregun tjetër të diçkaje që të ka mrekulluar. Je mbushur me gjuhë dhe imazhe, aventura të lehta dhe subjekte interesante, je mbushur me një frymë të përndritur nga shenjtëria e letërsisë. Duke thënë se të gjithë autorët e kësaj antologjie janë nga Shkodra, nuk ke përmendur thjeshtë një nocion gjeografik, por ke thënë shumë më tepër. Ke treguar se këto shkrimtarë vijnë nga njëri prej arealeve më interesantë të letërsisë, prej njërit nga habitateve më brilant të leksikut dhe më të harlisur të gjuhës shqipe, të njërit prej domeneve më të sigurt të mendimit filozofik shqiptar. Stili i të menduarit, sintaksa e çuditshme, sociolinguistika dhe psikolinguistika e shoqërisë shkodrane, janë ndoshta terreni më i fortë për të prodhuar e konsumuar vetëm letërsi të mrekullueshme.
Patjetër që ne e dimë se letërsia dhe mendimi rrinë në gjuhë, (në leksikun dhe sintaksën e saj). Jashtë gjuhe nuk gjen as njërën dhe as tjetrën. Duke lexuar “Fryma”-n, mbushesh me fjalë, aty ka një lulëzim të jashtëzakonshëm të gjuhës, kupton se qindra e qindra fjalë janë zgjuar nga gjumi i gjatë, kanë dalë nga pluhuri i harresës dhe kanë ardhur në fondin tonë të përditshëm. Kësaj antologjie i bien kryq e tërthorë pjesa më brilante e leksikut, pikërisht leksiku i fjalëve më me energji dhe valencë Është pikërisht gjuha një nga përndritjet që mbulon dhe shndrit Shkodrën. Ndjehen në këto tregime edhe jehona fjalësh që kanë tunduar dikur edhe fantazinë dhe letërsinë e Fishtës, Mjedës, Migjenit, Shirokës, Camës, Koliqit, Zorbës, Rreshpjes. Ka shumë melodi në këtë leksik, sikur fjalët janë krijuar enkas për të shkruar letërsi të bukur, tamam ashtu si gajtanat që janë prodhuar për të stiluar petkat e mrekullueshme.
Janë 33 shkrimtarë, mistik numri, të magjishëm tekstet, interesantë e të papërngjashëm autorët. Patjetër që dhe shija e lartë letrare e Rozafa Shpuzës, edhe regjistri i saj i leximit (që përzgjodhi dhe seleksionoi këto tekste dhe autorë) është një dimension i suksesit të kësaj antologjie.
Në prozën e autores Abigela Shorja lexon një ndjesi mes dëshirave të ëmbla dhe dhimbjes, vendosur në raport me natyrën, shkruar me kujdes e dashuri. Albana Fani na ka dhënë të shkruar një dramë të thellë nëpërmjet mjetesh shumë delikate, të thëna me shumë finesë, pa zhurmë e britma. Ajo jep dimensionin e dramës me ndjesi njerëzore. Prozatori interesant e i veçantë Albert Vataj na sjell harlisjen e një leksiku të mrekullueshëm, aktivizimi i fjalëve që dalëngadalë po dalin prej jetës sonë dhe po shteren. Një përshkrim brilant i raporteve të unit letrar me një lypës, është stiluar me filigramin e fjalëve të rralla, që Vataj thërret nga kujtesa e gjuhës. Është autor që me një vokacion të brendshëm për t’u admiruar, me një stil revolte krejt të veçantë, ka shkruar me kujdesin e së bukurës. Aleksandër Pali bien për lexuesin një kronikë jete, shkruar në një mënyrë të veçantë e shumë interesante, me mjete sa filozofike e racionale, aq dhe letrare e të stiluara bukur.
Shkrimtari i njohur Aleksandër Shallvari me prozën e tij i jep letërsisë gjendje mes mjeteve reale, absurdit dhe gjendjeve sureale. Substancë ndjesish, fjalë që vijnë nga pjesa cerebrale, zgjime ndërgjegjes të fshehta, vegime kujtesash. Shallvari luan me mjete të forta të logjikës dhe mendimit, me këto dy strukturat solide ku ky autor mbështet letërsinë e prozës së vet. Krejt e veçante Alba Bazhdari Naraçi që sjell një rrëfenjë gjithë koncepte, me një logjikë të thellë, futur analizash e dilemash, shpjegimesh e dijesh, e megjithatë shkruar me shumë art dhe estetikë, me një harmoni të jashtëzakonshme mes këtyre dy regjistrave. Amazona Hajdaraj na bien në këtë antologji një subjekt shumë delikat, si filigram, si një tis mjegulle, si i vendosur pas avullit të xhamit. E shkruar me shumë kujdes siç mbahet në dorë një vazo delikate qelqi. Ka një harmoni të menduar shumë mirë mes lëvizjes, dinamikës dhe energjisë së ngjarjes, ndërthurur me vargje poetike e postulate dashurie. Andreas Dushi ndjehet si zë i ndryshëm letrar duke na ofruar me tekstin e tij një letërsi imazhiniste. Çdo fjalë, çdo shprehje në këtë skicë është tamam në vendin e vet, dhe që s’mundet assesi diku tjetër. Një pazëll i mrekullueshëm i një njohësi leksiku. Prej një detaji aq të vogël (të një busti varresh), autori ndërton një univers të tërë. Tregimi i Arian Shporit është një nokturrn, një ëndërr dhe një natë e ftohtë. Vetëm kaq material ka në dorë autori, dhe me kaq pak ai ka zotësinë të ngrejë një shtjellë të madhe pyetjesh e ndjesish, gjendjesh e fantazish, që rrinë aq bukur në një “dorë” rreshtash.
Proza e Arjanit Balcës ka në fokus groteskun, ironinë, humori fin, në lojë brenda një subjekti interesant e të veçantë, shkruar me mjaft masë dhe kujdes. Sarkazma është e shtrirë në tërë realitetin e tregimit, duke i dhënë këtij rrëfimi magjinë shpotitëse, që vetëm ironia dhe humori i zi ta japin. Arjola Zadrima vjen me një dhimbje të thellë e përshkruar me shumë realizëm, përbën zanafillën e ngjarjes së këtij tregimi. Por jeta e personazhit është akoma më përtej asaj që na thotë autorja. Ka ngjarje po kaq të ndjeshme, të dhimbshme, sentimentale, që e kthejnë tërë udhëtimin e saj drejt lumit në një realitet po aq të dhimbshëm.
Krejt i çuditshëm Artur Baku. Brenda një rrëfimi linear, me një kulturologji për t’u admiruar, shohim simbolikën e raportit fëmijë-dije, gjejmë metaforën e shuarjes së diellit, lexojmë kuptimshmërinë e kotësive reale të tokës. Në fare pak gjë, mbajtur në detajin e një emisioni, autori ndërton universin e logjikave dhe gjykimeve të veta, hamendësimeve dhe fantazive, të cilat i shkruan mjaft bukur, me artin e saktë e racional. Astrit Fani ka në qendër vetëm një send, është stoli. Autori e mbush me shumë sendiment. Dhe pikërisht i vendosur në gjendje sentimentale, ku ndërthuren realiteti dhe kujtimet, jehona të të shkuarës dhe dhimbje të së sotmes, mall e brenga, të shkruara me një kujdes elegant. Blendi Ismaili krijon terrenin e mitifikimit të dashurisë, dimensionet e saj reale e joreale, të vendosura në gjendje e përmasa të ndryshme. Prozë alternative për nga stili i të shkruarit. Autori ia del me sukses të na përcjellë këtë ciklon logjikash, ndjesish, kuptimesh e dhembjesh të vëna në raport me dashurinë.
Skica letrare e Desantila Qerimajt ka shumë muzikë brenda ndërgjegjes. Finesë marrëdhëniesh e ndjesi amësie krejt brilante, përcjellë nëpërmjet një gjuhe të zhdërvjelltë. Fjalët ndjesore dimensionalizohen e marrin shumë energji në pendën e kësaj autoreje. Elisa Çesaj ka një prozë të përshkuar nga ndjesia e gjykimit të butë, që dalëngadalë shkrihet në rrëfim, ashtu si përrenjtë e ngrirë që (sapo bëhen ujë) nisin e shtegtojnë, nis harlisja e lehtë, rrëfyer me shumë sens e maturi. Ermira Omari sjellë për lexuesin një tekst të shkruar me një frymë përvuajtërie, shenjtërie e përkorje, prozë e tejdukshme si vetë fryma, e përshkuar nga raportet vertikale me të epërmin, si dhe me substancën më ekzistenciale të vetes së vet. Fatbardha Behri Kaçi ka një letërsi gati danteske, e errët, shkruar me një kujdes brilant. Gjendje nokturrni, imazhesh të errëta, deri atëherë sa subjekti merr trajta reale, e mbyllet me një dhimbje të butë për Fishtën. Gjergj Kolgjokaj na sjell shumë dhimbje, mall, letërsi distance, e shkruar si një kronikë e kujdesshme, mbushur me detaje që flasin shumë, ku vibron shpirti i ndjeshëm e delikat.
Prozatorja Irena Balca na sjell një intensitet të madh figurash dhe gjendjesh, imazhesh e ndjesish, të shkruara me një leksik të pasur. Autorja thërret në artin e të shkruarit fjalët që vezullojnë shumë ndjesi. Përshkruese e jashtëzakonshme, që na e transmeton qartë subjektin e ndodhisë (vendosur në një ngjarje tronditëse). Tregimi i Marjo Markut mbahet në një arsenal të tërë fjalësh shprehëse. Pikërisht kombinimi i mizanskenave (që rafinohen me këto ngjyra fjalësh të mrekullueshme të gegërishtes), na japin universin e vogël të këtij subjekti. Dhimbja, e shkruar me shumë art, e tejshkuar me muzikën funebër të vdekjes, na e krijon të qartë imazhin e gjendjes. Megi Bashi na jep një prozë poetike të mrekullueshme, të shkruar në stilin e “përroit psikik”, ku vezullojnë fjalë brilante të vjetra, plot nur e hijeshi. Ka ritmin e dhimbjes që të jep ikja, që të jep lamtumira, malli dhe kujtesa. Melita Vjerdha është autorja që ngre një ciklon gjendjesh e ndjesish, figurash filozofike dhe tërë këto i stilon për mrekulli. Ajo e tërheq lexuesin dhe e përfshinë në mënyrë magjike në syrin e këtij cikloni. Duke lexuar këtë tekst brilant shkrimtarja e tundon lexuesin, e prek, e bën të lumtur. Merita Berdica stilon me tekstin që na ofron vetminë me gjithë dimensionin e saj universal, shkruar me shumë dhimbje, mall, art, kurim të kujdesshëm, stil dhe imazhe. Autorja duket se e zotëron filozofinë e ekzistencializmit, mbasi ajo merret me kujdes me atë që është substanciale, zanafillore dhe bazike tek njeriu. Ka diçka magjike tek kjo autore në raportin që ka uni i saj letrar me lojën e sendeve.
Jetmira Rranxa luan në mënyrë shumë filozofike me dimensionin e kohës dhe është për t’u admiruar percepsioni i saj, Ka një raport harmonik e të shkruar saktë dhe në mënyrë racionale, mes kohës së unit të autores, dhe kohës universale e fizike. Nikolin Lukaj ka punuar bukur dramën e teatrit të detajeve, rrethuar me një tis të mrekullueshëm artistik. Ka një dhimbje elegante për atin, të mbështjellë nga histori të vogla, nga sende dhe kujtime. Këto e bëjnë këtë dhimbje aq ndjesore sa dhe të lehtë e të tejdukshme, delikate e vezullitëse. Skica e Ridvana Laçej është e shkruar gati në mënyrë telegrafike, kujtime të shprehura në stil racionale, që gati gati të kujton letërsinë epistolare, sikur i shkruan bash letër vetes, apo shkëput një fletë nga ditari i saj, (si letërsi memuaristike), duke e shkruar me kujdes linear.
Rozafa Shpuza ka një prozë brilante, një “mea culpa” elegante, e kuruar bukur, rafinuar me një stil magjik. Uni krijues i Rozafës është i vendosur mes realitetit të ndodhur, arsyes, si dhe ndërgjegjes së lënduar, (e që prapë pendohet pa ja da). Duke lexuar këtë prozë autorja na ka kujtuar, në nëntekst, një të vërtetë të madhe dhe universal se, jeta nuk është gjë tjetër, veçse një kronikë pendimesh. Kjo prozë është poema universal e vetvetes, është matrica e jetës së çdokujt, kronike e gjërave që bëjmë dhe atyre që i mungojmë, është tundimi mes ndodhive dhe ndërgjegjes. Dhe tek e fundit është loja gjithë ojna e ngjarjeve të të gjitha moshave nëpër të cilat kalojmë. Ndrysh vjen Sajmira Halili. Kjo autore ka zgjedhur ta zhvillojë lojën e saj artistike pikërisht në një pikë magjike, mes urrejtjes dhe dashurisë, mes vetes dhe vetvetes. Tekst i shkruar në mënyrë mjaft filozofike, kaluar nëpër korrentet dhe korridoret e mistikës, si dhe gjendjeve egzistenciale. E gjitha kjo shkuar me shumë finesë dhe art, estetikisht e bukur. Senada Shpati vjen me një prozë, ku ndjehet loja e harlisjes dhe dinamika e lëvizjes, sillen tundime dhe gjendje, ndjesi dhe marrëdhënie me arsyen e ftohtë kolektive. Të gjitha këto janë alkimia artistike dhe estetike që Senada ka mbledhur në laboratorin e saj krijues. Stela Franja na mëson një marrëdhënie të çuditshme në mes reales dhe ireales, fizikes dhe magjikes, të vërtetës dhe imazhit. Tekst i shkruar gjithë nur, hijeshi e sharm. Loja e vetmisë, vetes, dhe njeriut që bije brenda vetes, është trajtuar në mënyrë mrekullore. Ky tekst brilant, i kthjelltë, i tejdukshëm, si vetë melodia e sendeve të rrugës. Në tërë tregimin sureal të Suada Halilajt vendosen gjendje, situata haluçinante, turbullime, gjykime dhe mizanskena, të shkruara nga autorja gati në një gjendje amorfe, që i ngjajnë dhe lëvizjes brovniane. Tërë këto kanë raporte shumë harmonike me idenë thelbësore të kësaj proze, madje dhe estetikisht të japin ndjesi krejt të mira. Befas mu kujtua piktori i famshëm Pollok, që duket se i hedh kuturu e pa asnjë ide ngjyrat në telajot apo në rrafshe të tjera. Por befas ne kuptojmë se pikturat e tij na japin shije të jashtëzakonshme harmonie dhe estetike.
Zef Naçej ka një regjistër tjetër, duke na rrëfyer një prozë të mbajtur në teatrin e botës urbane dhe gjendjes sociale të mjerimit. Subjekti është shkruar sa bukur aq dhe thjesht, si një film ku parakalojnë imazhet e qytetit dhe njerëzit e përvuajtur të tij. Rrëfimi është punuar pa ngarkesa figurash e nëntekstesh. Patjetër që ky ka qenë qëllimi i autorit, që dhimbja, (që na transmeton ky subjekt letrar), të vijë tek lexuesi krejt në mënyrë reale.