Në realitet, Amadeus Mozart kishte një emër shumë më të gjatë: ishte pagëzuar me emrin Johannes Chrysostomus Wolfgangus Theophilus Mozart. Katër emrat e Amadeus e kishin veçanërisht nga një arsye qenieje
Mozarti dhe koha e tij
Kompozitori, të cilin e njohim si Wolfgang Amadeus Mozart, lindi në Salyburg në orën 20 të 27 janarit 1756, nga Anna Maria Pertl dhe Leopold Mozart, dhe vdiq në Vjenë, pak më shumë se 35 vjeç, 5 dhjetorin e vitit 1791. Shkurtimisht do ta quajmë Wolfgang ose Amadeus Mozart. Qe fëmijë gjeni tipik që në moshën 4-vjeçare krijonte notat e para në pianon e të jatit, ndërsa në moshën 5-vjeçare kompozonte minuetin e parë të tij. Në janar të 1772 Amadeus ishte tashmë profesionist: vetëm 6 vjeç debutonte duke marrë pjesë në një koncert me motrën Nannerì (e cila ishte 11 vjeçe) në oborrin e Princit të Mynihut të Bavarisë.
Por ai koncert është vetëm fillimi i një karriere që është frenetike. Në shtator të po atij viti, të dy vëllezërit Mozart mbajnë një koncert tjetër shumë të duartrokitur përpara Perandores Maria Tereza të Austrisë. Pa u ndalur, në fund të po atij viti, me babain Leopold dhe motrën, niset për turin e tij të parë jashtë vendit. Është një seri koncertesh dhe triumfesh: nga Mynihu në Augusta, nga Ülm në Frankfurt, nga Shën Petërburgu në Paris. Këtu trioja bën një pauzë prej 3 muajsh. Nga ana tjetër, siç ndodh me një yll të muzikës, e gjithë jeta e Amadeusit do të jetë një seri turneshë.
Pse-ja e shumë emrave
Në realitet, Amadeus Mozart kishte një emër shumë më të gjatë: ishte pagëzuar me emrin Johannes Chrysostomus Wolfgangus Theophilus Mozart. Katër emrat e Amadeus e kishin veçanërisht nga një arsye qenieje: Johannes Chrysostomus i ishte dhënë në nderim të Shën Gjon Kristosomit, pasi festa e tij përkonte me atë të lindjes (27 janar). Wolfgangus në gjermanisht do të thotë ai që “ecën si ujk” dhe i ishte vënë në nderim të familjes mëmësore. Emri Theophilus ishte një nderim ndaj kumbarit, Johann Theophilus Pergmayr, tregtar me poste civile (këshilltar civil). Për shkurtim i jati e quante “Wolferl”, por familjarisht quhej thjesht Amadeus.
Vitet e para
Amadeus Mozart kishte lindur kështu në Salzburg, qytetin e lashtë në rrugën e kripës (Salzburg – Saltzburg – do të thotë pikërisht “qytet i kripës”) dhe qyteti ishte kryeqytet i arqidioqezës me të njëjtin emër të një territori sovran të perandorisë së Shenjtë Romake, në Qarkun Bavarez (aktualisht është territor i Austrisë së Sipërme). Sipas traditës, Wolfgang u pagëzua të nesërmen e lindjes në Katedralen e Shën Rupertit. Prindërit e Wolfgang kishin pothuajse të njëjtën moshë dhe qenë personazhe shumë aktivë në shoqërinë e tyre: babai Leopold ishte kompozitor, mësues muzike dhe zëvendës “kapellmeister” pranë oborrit të Arqipeshkëvit Anton Firmiane; e ëma Anna Maria Pertl (1720-1778) ishte bijë e një prefekti. Të dy bashkëshortët patën shumë fëmijë, por mbijetuan vetëm Wolfgang dhe motra e madhe Maria Anna (1751-1829), e quajtur Nannerl apo Nannette. Pothuajse e kotë të thuhet se në këtë shtëpi thithej muzikë. Të gjithë i binin më shumë se një instrumenti dhe Wolfgang nuk përbënte përjashtim. Qe menjëherë e qartë se ishte ai që sot do ta quanim një “énfant prodige”: qysh në moshën 3-vjeçare fuste duart në klaviçembalin e të jatit; në moshën 4-vjeçare luante me to dhe në moshën 5-vjeçare kompozonte. Ishte, veç të tjerash, i pajisur me një kujtesë të mrekullueshme, e cila u bë menjëherë proverbiale, së bashku me koncertin e kompozuar në moshën 5-vjeçare, në frikën e tij të parë nga tingulli i trombës, në veshin muzikor të tij që i mundësonte të kompozonte përmendësh. Në moshën 6-vjeçare, i ati e çoi atë dhe motrën e tij (edhe ajo instrumentiste e mirë) në Mynih ku, siç e kemi thënë tashmë, dhanë shfaqje për oborrin e Elektorit të Bavarisë; muaj më pas treshja u spostua në Vjenë, ku iu paraqitën oborrit perandorak. E kotë të thuhet se Leopoldi, babai, shumë shumë krenar për Wolfgang të cilin e quante “Mrekullia që Zoti e ka lindur në Salzburg” dhe ai ndjehej në detyrim që t’ia bënte të njohur të gjithë botës ndoshta duke fituar diçka. Aq është sa në mesin e vitit 1763 Leopoldi siguroi licencën e pezullimit të impenjimit të vet si zëvendës-Kapellmeister pranë Arqipeshkëvit të Salzburgut. Kjo licencë i mundësoi familjes Mozart që të udhëtonte nëpër Europë për më shumë se 3 vjet, gjatë të cilëve prekën ato që qenë qendrat kryesore muzikore të Europës perëndimore: nga Parisi në Mynih, por edhe në Augusta, në Stutgart, në Mannheim, në Magonza, në Frankfurt dhe në Bruxelles, pastaj Londra (ku qëndruan për 15 muaj). Kthimi ndoqi një itinerar nëpërmjet Hagës, Amsterdamit, Parisit, Lionit, Zvicrës. Natyrisht që Wolfgang dha shfaqje në pjesën më të madhe të këtyre qyteteve, nganjëherë vetëm, nganjëherë me të motrën; në një oborr, në publik apo në një kishë duke ngjallur admirim të pakushtëzuar dhe universal. Qe edhe një periudhë aktiviteti kompozues intensiv. Më së fundi, në nëntor të vitit 1766, qenë sërish në Salzburg. Nuk do të qëndrojnë gjatë: pas pak më shumë se 9 muajsh, në shtator të 1767, Mozart-ët u nisën për Vjenë, ku u ndalën për 15 muaj, përjashto një interval të shkurtër për një qëndrim në Brno (Brünn) e Olomuc (Olmütz) gjatë një epidemije lije dhensh. Në tetor të vitit 1767 Amadeus u bë “Konzertmeister” honorifik në oborrin arqipeshkvor të Salzburgut. Kjo nënkuptonte se Arqipeshkëv – Konti i njihte një Mozart-i pothuajse 13 vjeçar një familjaritet të konsiderueshëm me gjuhën muzikore të kohës së tij. Ndërsa sonatat e para (ato të Parisit dhe Londrës) qenë kompozuar me ndihmën e babait Leopold, simfonitë e mëpasme të Londrës dhe të Hagës verifikojnë fitimin e shpejtë dhe konkret nga ana e Mozart të muzikës që kishte hasur. Fitim i konfirmuar në simfonitë e kompozuara në Vjenë (vepra KV 43 dhe sidomos KV 48), të karakterizuara nga një teksturë më e pasur dhe nga një zhvillim më i thelluar. Veç të tjerash, vepra e tij e parë italiane tregon një kuptim të shpejtë të teknikave të stilit komik.
Periudha e Mannheim dhe e Parisit
Turneu i gjatë nëpër Europë pati meritën që t’i bëjë të vetëdijshëm të dy Mozart-ët për faktin se një oborr i vogël provincial si ai i Salzburgut nuk ishte bërë për të kënaqur aspiratat e gjeniut të vogël. Qe kështu që në vitin 1777, i shoqëruar nga e ëma, u nis në kërkim mundësish të reja. Në këtë periudhë Wolfgang mbajti një korrespondencë të dendur me të atin, korrespondencë që dokumenton një ndryshim të konsiderueshëm në marrëdhëniet midis babait Leopold dhe një Wolfgang, tashmë 21-vjeçar që ndjente gjithnjë e më shumë nevojën për t’u çliruar nga dominimi i prindit. Ndërsa babai Leopold, nga ana e tij, ishte gjithnjë i prekur nga preokupime me karakter ekonomik dhe kontingjente që morën përmasa patologjike. Është jashtë çdo dyshimi se aventura me të ëmën pati ulje-ngritjet e saj: me fjalë të tjera, nuk u bë ai shtrat me trëndafila e lule që priste, përveç intervalit erotik me kushërirën Maria Anna Thekla (i cili ka mbetur i dokumentuar në një epistolar sa plot me humorizëm, aq edhe alegro dhe i turpshëm). Në tetor Mozart dhe e ëma u spostuan në Mannheim, që ishte një qendër me rëndësi parësore e Europës muzikore. Kësaj radhe Wolfgang arriti që të futej në oborrin e Eleketorit të Palatinatit. Qëndrimi në Mannheim zgjati më shumë se katër muaj, pavarësisht faktit që Mozart e kuptonte se as aty nuk kishte vend për të. Megjithatë, Amadeus u bë mik me muzikantë të ndryshëm të Mannheim, gjeti mënyrën të mësojë muzikë e të luajë dhe, më së fundi, u dashurua me Aloysia Weber, soprano, e dyta e katër vajzave të një kopisti muzike. Kompozoi sonata të ndryshme për pianoforte, por edhe për pianoforte e violinë. Megjithatë, një projekt udhëtimi në Itali në shoqërinë e Weber-ëve u gjykua krejtësisht i papërgjegjshëm dhe u refuzua me neveri nga babai Leopold: “Ik në Paris! Dhe që shpejt të arrish të gjesh vendin tënd midis njerëzve të mëdhenj: aut Caesar aut nihil!”. Sigurisht që Leopold nuk ushqente shumë besim tek i biri dhe plani i tij parashikonte që edhe në kryeqytetin francez të shoqërohej nga e ëma. Në kompleks, gjërat në Paris ecën gjithsesi mirë: Wolfgang gjeti shumë shpejt të punojë dhe në mars të vitit 1778 debutoi me Simfoninë KV 297 në Re Minor me shije tipike parisiane. Por Parisi shënoi edhe fundin e së ëmës: e sëmurë në debutim, Anna Maria Pertl vdiq më 3 korrik të vitit 1778 dhe u varros në varrezën Saint Eustache; në funeralin e saj qenë të pranishëm vetëm i biri Wolfgang dhe miku Heina. Mozart u detyrua që të strehohej pranë Friedrich Melchior, Baron von Grimm; nga këtu, pak më vonë i shkroi babait Leopold një letër, në të cilën deklaronte se i shikonte në mënyrë pesimiste perspektivat e një pranie të mëtejshme në Paris. Leopold iu desh ta negocionte rimarrjen e të birit në oborrin e Salzburgut, pranë Arqipeshkëvit (Hyeronimus Colloredo). Kësaj radhe, nuk mund të siguronte më shumë se një post organisti të thjeshtë. Wolfgang nuk kishte se çfarë të bënte veçse të pranonte, megjithëse me zemër të thyer. Në janar të vitit 1780 ai ishte sërish në Salzburg. Prishja me Arqipeshkëvin tashmë ishte në ajër, pasi puna si organist ishte jashtëzakonisht reduktuese për një njeri që kishte shijuar triumfin në Paris. Për më tepër, në Salzburg organisti Mozart u gjend nën urdhrat e të atit që mbulonte rolin e zëvendësdrejtorit të Kapelës. Ndërsa i ati gëzonte një pozicion të rëndësishëm (ishte me rrogë fikse), Wolfgang kthehej të ishte një artist i pavarur që fitonte vetëm kur thirrej. Ky fakt përfundoi me thellimin e kontradiktave babë e bir të lindura në epokën e turneut të munguar në Itali, pa llogaritur se, për më tepër, Amadeus ishte pushtuar nga idetë e lirisë që do të çonin në Revolucionin Amerikan dhe në atë Francez. Kontradiktave me të atin i shtoheshin edhe ato me Arqipeshkëvin e Salzburgut, që nuk arriti asnjëherë të kuptojë se kishte në shërbimin e vet një gjeni. Është megjithatë e vërtetë se Mozart kërkonte gjithnjë e më shumë licenca të jashtëzakonshme, për më tepër gjithnjë e më të gjata, gjë që natyrisht Colloredo mezi e duronte. Ndoshta për gjithë këto motive Mozart u kushtua krejtësisht dhe me entuziazëm në kompozim. Në fund të 1780 ndodhej në Mynih, ku më 29 janar të vitit 1781 doli në skenë “Idomeneo” (që korri një sukses të madh). Pikërisht në atë periudhë vdiste Perandorja Maria Teresa dhe Arqipeshkëvi Colloredo iu desh që të shkonte në Vjenë për funeralin.
Kthesa: Mozart në Vjenë
Kjo seri evenimentesh çoi në një kthesë në kuptimin e vërtetë të fjalës në jetën e Wolfgang: Prania e Collaredo në Vjenë siguroi pretekstin (domethënë, e “shtrëngoi”) Wolfgang që të arrinte Arqipeshkëvin në Vjenë dhe të qëndronte ne kryeqytet më shumë sesa duhej. Zyrtarisht duhej të bashkohej me punëdhënësin e tij. Në realitet, ndoqi qëllimin që të punësohej nga Perandori i ri Jozefi II, nga i cili arriti që të njihej. I befasuar nga sjellja e tij, Arqipeshkëvi e flaku vërtet jashtë nga pallati nga shambelani i tij me një shkelm bythëve “historik”. Të kota lutjet e babait Leopold (që ndoshta kishte shpresa të tjera): i punësuar, i biri për momentin qëndronte në Vjenë për të jetuar si artist i lirë, domethënë pa impenjime fikse, megjithëse duke kompozuar muzikë për oborrin. Në fakt, Mozart qëndroi në kryeqytetin austriak, përjashto periudha të shkurtra, gjatë të gjithë jetës së tij, duke kompozuar muzikat e tij më të mira dhe duke vdekur i ri, pa e njohur suksesin e vërtetë. Vetëm në vitin 1787 u emërua kompozitor i oborrit, një post modest për sa i shpërblyer me 800 fiorina në vit (të kihet parasysh se Gluck kishte marrë 4000 fiorina me të njëjtin titull). Qe në Vjenë që Mozart takoi Salieri.
Mozart dhe vlerësuesit
Ka një refleksion që duhet bërë lidhur me pozicionin e Konzertmeister honorifik pranë oborrit të Salzburgut, të cilin Mozart e kishte mbuluar në fillimet e karrierës së tij. Në kohën e Mozart sukesi i një artisti i garantohej vetëm atij që gjente mecenatin e duhur dhe në këtë Leopold ishte as: jo rastësisht kish filluar nga Maria Teresa, mbi gjunjët e së cilës kishte lënë të shkonte (si të thuash) vogëlushin Amadeus. Shumë shpejt, Amadeus bën tri miq të mëdhenj dhe, sipas të gjitha gjasave, një armik të madh. I pari është mentori i parë zyrtar i tij, vlerësuesi i parë i gjeniut të vogël salzburgas: Sigizmund Schrattenbach, Princi – Peshkop i plakur i Salzburgut, i cili e merr në shërbimin e tij, e mbush me vëmendje dhe i fal çamarrokllëqet e shumta të pashmangshme. I dyti është Emanuel Schinkaneder, drejtor i një kompanie komikësh shëtitës. I treti mik i madh është Lorenzo Da Ponte, një venetas me origjinë herreje – i konvertuar në katolicizëm – libretin i thekur, libretisti zyrtar i Mozart operist. Për të shkruan libretet e veprave më të famshme: “Dasma e Figaros”, “Don Xhovani” (në italisht) dhe “Così fan tutte”. Në fakt, ai të cilit i takon ana e të “keqit” është Girolami Gerolamo (Hyeronimus) i Colleredo, i bërë në vitin 1772 Arqipeshkëv i Salzburgut, duke zënë vendin e Sigizmund Schrattenbach. Mozart është jashtëzakonisht antipatik, e urren dhe nuk bën asgjë për t’ia fshehur këtë antipati; e nënshtron në poshtërime të vazhdueshme deri në pikën sa ta detyrojë që të emigrojë – siç e kemi parë – në Vjenë. Lista e armiqve apo e të supozuarve të tillë nuk ka mbaruar. Në Vjenë, Amadeus takon Antonio Salieri, një muzikant venetas, Kapelmaestër në Oborrin e Vjenës. Po Salieri qe vërtet një armik i Amadeus? Lidhur me këtë raport është shfryrë fantazia e historianëve dhe e dashamirësve të gosipit. Për shembull, në “Amadeusin” e tij të vitit 984, Milosh Forman i ka rënduar anët karakteriale të të dy personazheve dhe e ka bërë Mozart një personazh kalama dhe të paqëndrueshëm (një lloj Peter Pan ante litteram), ndërsa i ka caktuar Salieri rolin e “shumë të keqit”, i paaftëm, hajdut potencial dhe kopjac i pakënqaur. Forman, i cili nuk harron aspektet gjeniale të kompozitorit austriak, jo rastësisht e vendos kornizën e filmit të tij në brendësi të atij që mund të konsiderohet ekuivalenti i një çmendine ku Salieri më së fundi ka mundësinë që të gjendet përballë vetvetes. Ajo që praktikisht na sjell gosipi historik është kontrasti midis një djaloshi, kapriçoz, por i guximshëm, i pajisur me një aftësi të pamat për të dhënë vepra gjeniale, me një të paaftë të supozuar që duhet të lodhet për çdo faqe që arrin të prodhojë. Çfarë ka të vërtetë në këtë kuadër prej romani apendiks? Sipas pikëpamjes tonë, të vërtetë ka vetëm në faktin që Mozart qe një fëmijë – gjeni i pajisur me një kujtesë të jashtëzakonshme, asnjëherë i rritur. Nga ana tjetër, një që fillon të kompozojë qysh 5 vjeç fare mirë mund të jetë pak krenar për veten dhe për suksesin që gëzon (që nuk qe asnjëherë shumë!). Për më tepër, Amadeus pati një baba – menaxher që e dinte punën e tij dhe ishte futur në oborret kryesore europiane ku mburrte me kujdes djalin – gjeni. Në fakt, nuk ekziston asnjë provë e urrejtjes së Salieri kundrejt Mozart, as nuk mund të ekzistojë prova e helmimit me art i rivalit të vetëquajtur. Nga ana tjetër, Salieri nuk mund të konsiderohet i paaftë. Bërja Maestro i kapelës në një oborr ku vetë Perandori ishte kultivues i muzikës dhe një instrumentist me vlera, nuk ishte një ndërmarrje e pakët. Kritika muzikore serioze i ka rivlerësuar gjerësisht veprat e Salieri, i cili qe një muzikant i shkëlqyer, edhe pse pa atë gjenialitet që në fakt dallonte Mozart.
Antonio Salieri
Antonio Salieri, italiani (u lind në Legnago më 18 gusht të vitit 1750 dhe vdiq në Vjenë më 7 maj të vitit 1825), pati një fat akoma më të habitshëm: atë që të bëhej i famshëm jo prej dhuntive muzikore të tij, por prej ndodhisë së raportit të stuhishëm me Mozart. Efektivisht kritikët seriozë e gjykuan dhe e gjykojnë një drejtor orkestre të aftë, kompozitorin më të famshëm dhe më të rëndësishëm të Europës të kohës së tij. E thënë në këto terma, Salieri qe një muzikant i pajisur me një talent të konsiderueshëm, i prirur për mësimdhënien, pavarësisht mënyrës sesi e ka përshkruar Milosh Forman, i cili e ka bërë pothuajse si vrasës (episodi i pa demonstruar ndonjëherë historikisht për sa paraqitet me ironi dhe forcë vizionare nga regjisori i “Amadeus”, 1984 prodhim i Warner Bros). I diskutueshëm është edhe rivaliteti artistik i tij. Faktikisht, në atë kohë veprat e Salieri ngjallnin vlerësim më të madh nga sa u rezervohej atyre të Mozart. Në karrierën e tij Salieri pati si nxënës muzikantë të ardhshëm të destinuar që të bëheshin të famshëm: nga Beethoven tek Schubert, nga Liszt tek Czerny dhe Hummel. Ironi e fatit, midis nxënësve të tij pati një një prej djemve të vetë Mozart, Franz Xaver Wolfgang. Me fjalë të tjera, Salieri ishte ai që sot do të përkufizohej si një njeri i “plotësuar”.
Gjeneza e një kundërshtie
Le të shikojmë tani nëse historia mund të na zbulojë ndonjë gjë që nuk na del nga arti muzikor dhe nga rivaliteti inekzistues. Kështu, historia na thotë se kundërshtia Salieri – Mozart nuk kishte arsye që të ekzistonte. Atëherë, është shpikur ditën për diell nga një regjisor në kërkim të përrallores artistike? Jo, sepse shkak i kundërshtisë qe pikërisht Mozart i cili rreth vitit 1790, megjithëse duke qenë në kulmin e famës, akuzoi Salieri – me që ra fjala, në rënie fame – për kopjim dhe atentat ndaj jetës së tij. Çfarë kishte të vërtetë në këtë akuzë? Alexander Wheelock Thayer, me profesion historiak, rreth 10 vjet përpara takimit Mozart – Salieri i kish hequr salzburgasit rolin e mësuesit të muzikës të Princeshës Württemberg. Për më tepër, as vitin e ardhshëm, Mozart nuk kishte arritur ta siguronte detyrën e mësuesit të pianos të princeshës. Këtyre mossukseseve “profesionale” i shtohet mossuksesi i njëkohshëm pranë publikut (dhe pranë Perandorit) që shënoi debutimin e “Dasmës së Figaros”: për njërin mossukses dhe tjetrin Mozart akuzoi Salieri që i kishte bojkotuar kandidaturën dhe ekzekutimin. Një shqyrtim serioz i mossuksesit të “Dasmës së Figaros: na zbulon se në atë kohë Salieri ishte në Francë për premierën e veprës së tij “Les Horaces”: do të kishte pasur goxha të vështirë që të përcaktonte në atë largësi suksesin apo mossuksesin e një vepre të Mozart. Ka shumë mundësi që nxitësi anti-Salieri qe poeti Giovanni Battista Casti, i cili ishte një rival i poetit të oborrit Lorenzo da Ponte, autor i libretit të “Figaro”. Në thelb, diatriba Mozart – Salieri nuk duhet të ketë qenë gjë tjetër veçse një aferë e montuar me art. Në fakt, kur në mënyrë të çuditshme – në vitin 1788 – Salieri mori detyrën e “Kapellmeister” të oborrit perandorak, ai nuk propozoi për rastin një opera të çfarëdoshme, por një ribërje të “Dasmës së Figaros” të Mozart (mik – armikut!?). Është fakt se me kalimin e kohës u përhap dhe u konsolidua legjenda e helmimit të supozuar të Mozart nga ana e një Salieri të tërbuar nga zilia. Legjendë e privuar nga çdo bazë, por që gjithsesi ka frymëzuar artistë të ndryshëm gjatë shekujve. Forman nuk ka qenë as i vetmi, as i pari: përpara tij, në ekuivok analog kishte rënë edhe poeti (dhe shkrimtari) rus Aleksàndr Sergejeviç Pushkin. Ky në vitin 1830 kishte shkruar “Mozart e Salieri” (në të kundërt e mbiquajtur në mënyrë simptomatike “Zilia”). Në dramën e tij shumë të shkurtër në vargje, Pushkin imagjinon që Salieri – i tërbuar nga xhelozia – do t’i komisiononte rivalin “Requiem” e zakonshëm, me synimin që t’ia vidhte pasi ta helmonte. Në linjë pastërtisht fakti, padyshim që “Requiem” ishte një vepër e kompozuar me komision; megjithatë, porositësi ishte i mirënjohur: bëhej fjalë për Kontin Fritz Von Walsegg dhe ishte ky që mund të kishte synimin që ta paraqiste si të vetin me rastin e ekzekutimit të funeralit të dhëndërit të vet. Nuk ka munguar kush e ka konsideruar të drejtë që të bëjë shaka lidhur me ndodhinë e treguar nga Pushkin, duke pohuar: “Nëqoftëse Salieri nuk e ka vrarë Mozart, me siguri Pushkin e ka vrarë Salieri”. Në vitin 1898, “Mozart e Salieri” u shfaq në versionin e kompozitorit Nikolaj Rimskij-Korsakov. Muzika është frymëzuar dhe i është kushtuar kompozitorit Aleksandr Dargomujzhiski, ndërsa libreti ishte i vetë Rimskij-Korsakov, që bazohej mbi dramën me të njëjtin emër të Pushkin dhe sesi kjo vepër u nda vetëm në dy skena. Muzika u ekzekutua nga pianisti dhe kompozitori Sergej Rahmaninov. Është i vitit 1978 një përshtatje e mëtejshme e ndodhisë mozartiane: në fakt, më “Amadeus” dramaturgu Peter Shaffer pushton teatrot e Londrës. Ndodhia merr bazat e veprës së Pushkin dhe ia zgjeron shtrirjen. Mbetet zilia e Salieri dhe “Requiem” i porositur nga një njeri i veshur me të zeza (Salieri i maskuar), por gjithçka thellohet dhe sidomos narrativa vjen nga vepra e vetë Salieri. Teksti pëson modifikime, deri në versionin definitiv të vitit 1981. Për të gjetur versionin e fundit, dramën e Shaffer, duhet të arrihet në vitin 1984 kur Milosh Forman sjell në sallat kinematografike “Amadeusin” e tij. Nuk do të donim që puna e tanishme të tingëllonte si një gjykim absolutisht negativ ndaj veprës së Forman. Praktikisht, nga njëra anë personazhi Mozart merr karakteristika lehtësisht karikatureske; nga ana tjetër janë zbutur anët negative të personazhit Salieri: Salieri kinematografik (i interpretuar nga F. Murray Abraham) është patjetër më pak “negativ” se ai i propozuar në dramën e Shaffer. Në thelb, karakteret e të dy personazheve janë zhveshur nga një sens ironie dhe zbutur nga një ndjenjë e madhe muzikore në skenën e famshme madhështore të kompozimit të “confutatis maledictis”. Nëqoftëse do të na duhej të bënim bilancin lidhur me atë që mund të ketë ndodhur në fakt midis Salieri dhe Mozart, do të detyroheshim të konkludonim se:
” Është shumë e mundur që Salieri të jetë nxitur nga ky rivalitet që dallon raportet midis artistëve të nivelit të lartë;
” Se kjo nuk nënkupton automatikisht që Salieri kishte mundësinë, rastin apo vullnetin për ta eliminuar fizikisht Mozart nga horizonti i tij;
” Në çdo rast, nuk do të kishte asnjë përfitim;
” Nga ana tjetër nuk ka dyshim se Mozart ishte gjeni, se ndjehej pothuajse totalisht i “pakuptueshëm” dhe se ishte një subjekt lehtësisht i influencueshëm dhe pafundësisht i brishtë.
Mozart dhe masoneria
Në epokën e Mozart të ishe mason ishte një stil jetese: ishte Mjeshtër i Madh Perandori i Prusisë, Frederiku II i Madh, vetë Perandori i Austrisë, Jozefi II; do të ishin Benjamin Franklin, George Washington dhe shumë mendje të tjera të shkëlqyera nga shekulli XVIII e këtej (për shembull, Voltaire, ndoshta Rousseau, Diderot dhe iluministë të tjerë). Mozart nuk i shpëtoi sharmit dhe prestigjit që në atë moment historik rrethonte masonerinë. U regjistrua menjëherë pas nisjes definitive për në Vjenë, në momentin në të cilin karriera e tij si muzikant ishte në kulmin e suksesit. U regjistrua si “stazhier” më 14 dhjetor të vitit 1784, në Lozhën “Bamirësia” të Vjenës, duke i djegur etapat (në mars të vitit 1785 kaloi në gradën e “Shokut” dhe muajin e ardhshëm – më 22 prill – u bë “Mjeshtër”). Ndërkohë, edhe babai i tij Leopold u bë pjesë e Muratorisë së Lirë. Është bërë pyetja nëse përkatësia në masoneri nga ana e Mozart ishte një fakt thjesht formaliteti apo, më keq, një fakt oportunist. Faktet duket se demonstrojnë të kundërtën: Mozart nxorri nga masoneria bindje të thella ezoterike dhe shpirtërore, të cilat i përktheu në frymëzim dhe vepra muzikore. Midis tyre padyshim vendin e parë e ka “Flauti magjik” me simbolizëm muzikor të paarritshëm: nuk është rastësi që ai e ripropozoi këtë simbolizëm edhe në teknikën kompozuese të terceve paralele që do të përdorë edhe në “confutatis” të Requiem monumental. Kjo teknikë është karakteristikë që dallon të gjithë pjesën finale të veprës K623, nga pikëpamja karakteristike masonike edhe në tonalitet ( mi – bemol), për përdorimin e timbreve, ku është dominuese prania e instrumenteve frymore dhe e zërave mashkullorë, për tercet paralele e sipërpërmendura dhe për shtatë septimat dishendente. Nga ana tjetër, universit të muzikës masonike duket se i përkasin, veç të tjerave, “Cantata K471” e vitit 1785, “L’Adagio” për 2 klarineta dhe 3 brirë K411 (edhe kjo e vitit 1785) dhe “Musica Funebre Massonica” K 477 (edhe kjo e vitit 1785), përveç “Piccola Cantata Massonica” K623 e vitit 1791.
Vdekja dhe varrosja e Mozart
Mozart vdiq 50 minuta pas mesnatës, më 5 dhjetor 1791. Ceremonitë mortore u mbajtën më 6 dhjetor, në orën 15. Arkivoli u çua përpara Kapelës së Kryqit të Dumos së Shën Stefanit (pranë të ashtuquajturit “altari i Capistran”). Pati një lloj funerali modest (i mbajtur në vend të hapur) dhe varrimi në një varr të përbashkët të varrezës së Shën Markut. Kufoma e tij nuk është gjetur asnjëherë. Megjithatë, është falls imazhi i një Mozart që vdes i varfër dhe i harruar nga të gjithë. Varrimi në një varr të përbashkët ishte tipik i statusit social, të cilit i përkiste: në thelb, nuk u përcaktua nga motive ekonomike. Le të themi se Mozart nuk u bë asnjëherë i pasur, as kur në vitet e fundit të jetës gëzonte një sukses të jashtëzakonshëm: mbeti gjithmonë një kompozitor oborri me rrogën prej vetëm 800 fiorinash në vit. E kotë të thuash se sëmundja dhe vdekja e Mozart kanë mbetur të mbështjella me një aureolë misteri, të errësuara nga legjenda romantike dhe grumbuj teorish kontradiktore dhe legjendash. Për shembull, studiuesit nuk kanë arritur kurrë një marrëveshje lidhur me arsyet e rënies së papritur të shëndetit të Mozart, as lidhur me momentin në të cilën Mozart u bë i vetëdijshëm për vdekjen e afërt, as nëse kjo vetëdije i ka influencuar apo jo veprat e fundit. Një vizion i caktuar romantik i problemit thekson se rënia e Mozart ishte graduale dhe se kompozimet e tij kanë ardhur duke rënë me të njëjtën masë. Ndonjë bashkëkohës nënvizoi sesi Mozart në vitin e fundit të jetës ishte në gjendje të mirë shpirtërore dhe se vdekja erdhi e papritur si për miqtë, ashtu dhe për familjen. Po çfarë të thuash për shkakun e vdekjes? Ai qe dhe ka mbetur në lëmin e hipotezave të pastra duke mos qenë për asnjë ndihmë çertifikata e tij e vdekjes që ka të shkruar “hitziges Frieselfieber” (“ethe e fortë akute” apo “kruarje febrile”, që në atë kohë konsiderohej infektuese): bëhet fjalë për një përkufizim që nuk identifikon një diagnozë korresponduese të përdorshme në mjekësinë e sotme. Është punuar akoma me fantazi dhe është folur për trikinozë (helmin nga zhiva), për ethe reumatike ose, ama vetëm kohët e fundit, për sifiliz. Ndaj tij u praktikua në me shumë seanca terapia e marrjes së gjakut, në atë kohë shumë e parhapur dhe nuk është e përjashtuar që edhe kjo të mund të ketë përfaqësuar një bashkëshkak të vdekjes. Përtej fantazive të Forman, Mozart nuk arriti që ta përfundojë “Requiem”. Ai iu besua nga e shoqja, Constanze Weber, muzikantit Joseph von Eybler, i cili shumë shpejt e braktisi ndërmarrjen e kompletimit. Pastaj u thirr kompozitori i ri Franz Xaver Süssmayr, nxënës dhe mik i Mozart, i cili e përfundoi punën, duke kompletuar pjesët jo të mbaruara dhe duke shkruar ex novo ato që nuk ekzistonin. Ludëig Kochel qe i pari që mblodhi dhe rregulloi veprën e plotë të Mozart. Kjo është domethënia e germës “K” që i paraprin numrit të kompozimeve të ndryshme. Në katalogun e tij figurojnë 626 kompozime, midis të cilave 24 vepra teatrore, 51 simfoni, 19 mesha. Partiturat e tij kërkuan 33 vëllime që të mund të botoheshin.
Përgatiti ARMIN TIRANA