Fjalia e përbërë, me kuptimin “Dritëshkrim”-fotografi, më 1840-n, në vijueshmëri të punës së pararendësve, u lind nga W.F.Talbot në procesin negativo-pozitiv me stampim në letër. Fill pas këtij zbulimi, shoqëria franceze “PATHE” filloi të prodhojë “…kuti bosh, të errëta, me një vrimë në një anë dhe një fletë me material të ndjeshëm ndaj dritës në anën tjetër”. Produkti i këtij parimi u quajt aparat fotografik. Nga kjo kohë fillon fotografia në studio, çka duhet nënkuptuar si një ngjarje: parapërgatitje, stolisje me veshjen më të mirë, perde të rënda në sfond e dritë të bollshme në studio. Fotografi në studio duhej të ishte domosdoshmërish kimist. Kur më 1888-n firma amerikane nxjerr në treg aparatin fotografik “KODAK” me çmim 25$, i përparuar e me më pak kufij përdorimi, fotografia doli nga studio, nga vendi i saj i mbyllur dhe u bë gjithëpërfshirëse, me gjasa amatore. Duhej të vinte viti 1913, vit në të cilin gjermani Oskar Barnack shpiku dhe prodhoi aparatin fotografik “LEIKA”, i cili punonte me parimin “shtyp një buton-aparati bën të tjerat”, që t’i jepte të drejtë kujtdo amatori të shndërrohej në fotograf. Nga viti 1923, të bëje fotografi, nuk ishte më e domosdoshme të ishe profesionist.
Trojet e njerëzit shqiptarë, herë pas here përshkruheshin nga udhëtarë, historianë, filologë, gjeografë, poetë e antropologë. Kur Ami Boue më 1842-shin u jepte europianëve me “La Turquie d’Europe”, tiparet e bukura të racës shqiptare, nuk i kish mundësitë që t’i ilustronte. Me fillimin e epokës së fotografisë, do të niste ndërkohë zbulimi i plotë i Shqipërisë. Por, kur është bërë në Shqipëri shkrepja e parë e aparateve fotografike nga të huajt?
Një nga njohësit më të mirë të historisë së të huajve që fotografuan Shqipërinë, është albanologu, shkrimtari e përkthyesi Robert Elsie. Me autoritetin e një studiuesi serioz, ai këmbëngul se i pari fotograf ka qenë austriaku Jozef Szekely, i cili në vjeshtën e vitit 1863 ishte në shërbim të albanologut Johan Georg fon Han. Udhëtimi i tyre ishte programuar e financuar nga Akademia e Shkencave të Austro-Hungarisë. Kohëqëndrimi i tij në Shqipëri dha të parat shkrepje fotografike. Janë mbi 50 foto të bëra në Shkodër, Prizren, Ohër, Manastir dhe në luginat Drin e Vardar. Për kimistin e fotografin Jozef Szekely, J.Han shkruan: “…J.Szekely e përmbushi detyrën e tij me një zell të jashtëzakonshëm dhe bëri një sërë pamjesh, të cilat mund të vihen në një rang me gjërat më të bukura që ka mundur të realizojë arti i fotografisë”.
Brezi i shqiptarëve të tashëm janë mësuar që dinastinë e fotografëve Marubi ta quajnë vendas, por vetëm në brezin e dytë, me djemtë e Rrok Kodhelit që përshtatën mbiemrin Marubi, si pasues të studios, ata janë shqiptarë. I pari prej tyre ishte një italian nga Piaçenca. Themeluesi, 19 vjet pas shpikjes, i fotografisë në Shqipëri, Pjetër Marubi, i përndjekur në Itali nga austriakët, vjen e themelon në vitin 1858 në Shkodër të parën studio fotografike në Shqipëri e madje në Ballkan. Prej këtij autoriteti të madh të fotografisë, Shqipëria e historianët kanë pasur mundësi të trashëgojnë e të shqyrtojnë momente historike të Shqipërisë së kohës, si ngjarjen e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e ngjarje të tjera politike të kohës, të cilat ilustruan një pjesë të revistave të njohura europiane. Pamjet me veshjet e leckosura të luftëtarëve shqiptarë të fotografuara nga Pjetër Marubi, kur u futën në albume, befas u shndërruan në vepra arti. Në historinë e fotografëve të huaj në Shqipëri, për mungesë dokumentacioni apo kujdesi, ende nuk ka të dhëna nëse kanë pasur fotografë ekspeditat e kryera në Koman, në vendin e quajtur kalaja e Dalmacies, nga konsulli francez A.Degrand, në vitin 1892. Në kapërcyellin e shekullit XIX, po në Koman ka qenë ekspedita e arkeologut gjerman Trager. Për të dy këta zbulues, nuk bëhet fjalë për ndonjë fond fotografish, por në veprat e tyre gjenden plot ilustrime në foto nga ekspeditat që drejtuan në Shqipëri.
Ndër fondet më të rëndësishme fotografike që të huajt kanë lënë për Shqipërinë, është pa mëdyshje ajo e baronit Franc Nopça. Në vitet 1913-1916, ai udhëtoi në tërë trevat e veriut shqiptar dhe së bashku me sekretarin e fotografin e tij, Bajazit Elmaz Doda, ka fotografuar Shkodrën, banorët, luftëtarët, klerin, relievin, arkitekturën, malet e Munellës në Mirditë, Jezercën, Qafën e Pejës, veriun e Thethit, Cukalin, burra duke kaluar lumin, veten e tij me kostum shqiptar etj. Janë mbi 100 foto, origjinalet në xham të të cilave ndodhen në Muzeun hungarez të Historisë Natyrore të Budapestit. Jo të gjitha fotografitë e tij njihen në Shqipëri. Ka shumë prej tyre, me vlera të shumëfishta historike e kulturore që duhen nxjerrë nga muzeu i Budapestit, e pse jo të mos shumëfishohen apo të përmblidhen në një album. Ne njohim pos shumicën e fotografive që ilustrojnë 54 botimet e Franc Baron Nopçës, vepra e punime për Shqipërinë e Veriut e të kulturës shqiptare, si “Shqipëria e Veriut Katolike”, më 1907-n; “Gjeologjia e gjeografia e Shqipërisë së Veriut”, më 1929-n me 600 faqe; “Shtëpi dhe orendi në Shqipërinë e Veriut” më 1912-n; “Shqipëria: ndërtime, veshje, dhe vegla popullore në Shqipërinë e Veriut” më 1925-n; “Udhëtime në Ballkan: kujtimet e Franc Baron Nopçës”.
Për Shqipërinë e shqiptarët e fillimshekullit XX, një trashëgimi të pasur në fotografi kanë lënë vllaho-shqiptarët, vëllezërit Manakis. Nga fototeka e tyre, prej 17300 fotosh, një pjesë prej tyre u përkasin zonave të banuara nga shqiptarët, si Manastiri, Grevena, Konica, Janina. Prej tyre kanë mbërritur fotot historike të Kongresit të Manastirit dhe shtëpia ku u mbajt kongresi, banesa e Qirjazëve, vendi ku lindën e u rritën atdhetarët e shquar shqiptarë, Gjergj, Gerasim, Parashqevi e Sevasti Qirjazi. Në këtë periudhë, pragu i pavarësisë, shfaqen në tregun e kartave postare një mori objektesh me autor Purger, Bjelodinoviç-Mali i Zi, foto Brom-Vien, të cilat ruhen sot kryesisht në koleksionet e filatelistëve, por pa pasur tjetër informacion plotësues. Foto nga vende ku banonin shqiptarët, në vitin 1913 na ka sjellë edhe fotografi i njohur zviceran, Frederik Boissonnas, i cili së bashku me historianin e artit, Daniel Bo-Bovi, përshkoi Çamërinë e Kosovën. Fredi, siç njihet në botën e artit të fotografisë, nuk ishte fotograf amator. Ai ishte një fotograf profesionist nga Gjeneva, zanat të cilin e kish trashëguar nga i ati. Nga viti 1904, i pasionuar pas Greqisë, ai e fotografoi atë pareshtur dhe kur Çamëria e Kosova ndodhej në prag invadimi nga trupat pushtuese greke e serbe, fotografoi vende e banorë shqiptarë në Janinë, Pargë, Filat e Konicë; Kaçanik, Ferizaj, Gjilan e Prishtinë.
Një vend të dukshëm në historinë e të huajve për historinë e fotografisë në Shqipëri, zë i dërguari nga Komisioni për Ballkanin i Akademisë së Shkencave të Austrisë, Maximilian Lambertz. Më 1913-n, para Luftës I Botërore, Lambertz udhëtoi në Italinë e Jugut, për të studiuar të folmet e shqipes së përdorur në komunitetin e arbëreshëve. Bëri fotografi në vendbanimet e tyre në Abruci, Molise, Badhëza, Këmarini, Ruri etj. Diapozitivat origjinalë ndodhen në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës. Më 1916-n, Lambertz përshkon e fotografon gjithë Veriun dhe Shqipërinë e Mesme. Prej tij kemi trashëgim foto nga Gruda, Shkodra, Lezha, Kruja, Tirana, Durrësi, Shoshi, Shala, lugina e Drinit, Valbonës dhe Mirditës. Në një nga fotot na shfaqet vetë me kostum shqiptar.
Fotografitë e para me ngjyra për trevat shqiptare, shfaqen në fillim të vitit 1913. Ato vijnë nga fotografi August Leon dhe gjeografi Zhan Bryn, shef i katedrës së gjeografisë në “College de France”, të punësuar nga filantropi Albert Kahn, themelues më 1904-n i klubit intelektual në Paris. Fotografitë e bëra nga ky grup përfshijnë të gjitha trevat shqiptare. Udhëtimi i tyre filloi më 3 maj 1013 në Shkup, vijoi në Prishtinë, Lipjan, Prizren e më 17 maj ishin në Manastir. Në fazën e dytë, më 16 tetor 1913, udhëtimi filloi nga Durrësi, vazhdoi në Tiranë e Shkodër dhe më 22 tetor u larguan për Mal të Zi. Fotografitë e bëra prej tyre, 94 foto në Kosovë dhe 97 foto në Shqipëri, u ekspozuan në Sorbonë, në konferencën që u organizua për Shqipërinë. Fotografitë me ngjyra japin pamje e ngjarje të rëndësishme, që shoqëronin popullin shqiptar në vitin 1913.
Ardhja e princ Vidit në Shqipëri, me nismën për organizimin e mbretërisë, solli dhe Misionin holandez, me detyrën për themelimin e xhandarmërisë. Së bashku me armët, një pjesë prej ushtarakëve u pajisën edhe me aparate fotografike. Nga misionet ku ata ishin dislokuar na kanë mbërritur foto të Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Nuk ka deri tashmë ndonjë orvatje të organizuar për të mbledhur e sistemuar trashëgiminë e shkrepjeve që Misioni holandez bëri në Shqipëri. Do të ishte me interes përzgjedhja e tyre, posaçërisht për fotot e bëra në Shqipërinë e Jugut, krahinë e cila në fillimshekull është më pak e fotografuar nga të huajt. Nga ky Mision na kanë ardhur fotot historike të princ Vidit e familjes mbretërore, kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe rebelit turkoshak, Haxhi Qamilit. Një tjetër mision u shfaq në Shqipëri me fillimin e Luftës I Botërore, “Mission Française des orphelines de la guerre”. Në përbërje të tij, ky mision që u kujdes për jetimët e luftës, pati dhe një fotograf, prej të cilit kanë mbërritur shumë foto nga Lezha, Kruja, si dhe fotodokumente që tregojnë shkatërrimin e ushtrisë serbe dhe tërheqjen e saj drejt Durrësit në vitin 1914. Nga arkiva e këtij misioni, më se 10 foto të spikatura u përzgjodhën për t’u prodhuar si karta postare, të cilat u qarkulluan për shumë vite në shërbimin postar francez. Kësaj periudhe i përkasin edhe fotot e ushtarakut serb, R. Marianovitch. Në arratisjen e tyre drejt kufijve shqiptarë, pas thyerjes së trupave ushtarake serbe nga Austro-Hungaria, Marianovich ka dokumentuar tërheqjen në rrëmujë të trupave serbe dhe na ka sjellë shumë foto nga kjo lëvizje, ku në një prej tyre vërehet kalimi i urës së Vezirit mbi lumin Drin.
Nga studiuesit tanë të artit të fotografisë, nuk na ka ardhur ndonjë e dhënë e qëndrueshme, për shumë emra të tjerë, me e pa ndikim në historinë e Shqipërisë, si ekspeditat kërkimore e udhëtimet e Edit Durham. Gjëkundi nuk bëhet fjalë për ndonjë fond fotosh të saj në udhëtimet e shumta në Shqipëri. Tek-tuk, ndër tekste e botime tonat shfaqet ndonjë foto e saj, por deri tani nuk ka pasur ndonjë përpjekje për të zbuluar e arkivuar fondin e saj të fotografive, kur dihet se dokumente, dorëshkrime, fotografi e ilustrime të Edit Durham ndodhen e janë pronë e muzeve britanikë, si Muzeum of Mankind dhe Muzeum Bankfield. Po Robert Elsie na jep njoftimin se ka arritur të shikojë 50 diapozitiva të viteve 1903-1913 të ruajtura me titullin “Scutari and the Tribles northern Albania” dhe 50 fotografi të tjera nga Shqipëria me letër e dimensione të ndryshme. Po kështu, nuk njihet të ketë fonde fotosh për ekspeditat arkeologjike të Kamilo Prashniker, Shober e Leon Rei, të cilët qëndruan, gërmuan e zbuluan, për një kohë relativisht të gjatë, në Durrës, Apoloni e Bylis. Disa foto shumë të bukura të qytetit të Vlorës, në fillim të shekullit XX, viti 1902, na vijnë prej profesorit të Universitetit të Vjenës, Karl Paç. Nga Muzeu i Luvrit në Paris, në gjysmën e parë të shek. XX, u vunë në qarkullim karta postare, ku në disa prej tyre ishin foto të objekteve arkeologjike të ardhura (mund të themi të grabitura) nga Shqipëria, që kanë qenë e janë fond i këtij muzeu, si Dama Antike Shqiptare, bronz, e gjetur në Gur të Zi. Një tjetër kartë postare vjen nga viti i largët 1872, që paraqet një shpatë bronzi nga Shkodra, objekt i muzeut britanik.
Të paeksploruara plotësisht janë edhe fotografitë e Misionit Arkeologjik Francez, të cilin për më shumë se 10 vjet (deri më 1939-n) e drejtoi një nga profesorët më të shquar të universitetit francez, Leon Rey. Njihen vetëm foto të botuara si ilustrime, por jo të gjitha fotot që ekipi i tij shkrepi në kohën e qëndrimit të gjatë në Shqipëri. Sipas pohimeve të L.Rey në artikullin e botuar në “L’Europe Centrale” në vitin 1934, ai ka fotografuar dhe zotëron fond fotosh nga gërmimet për zbulimin e Apolonisë, si dhe shumë foto të vendeve që vizitoi, si kështjella të lashta e mesjetare, xhami, kisha e manastire.
Bajram Peçi G.shqip