Nga Albert Vataj
“Unë jam vetëm një piketë, por të tjerë do të vijnë pas meje”, është kjo shprehja që la në eterin e shtjellave artistike, kjo është profecia e pararendjes së artit të shekullit XX.
Paul Cezanne (19 janar 1839 – 22 tetor 1906) ishte një piktor post-impresionist, puna e të cilit hodhi themelet e kalimit nga koncepti i shekullit të 19-të të përpjekjeve artistike në një botë të re dhe rrënjësisht të ndryshme të artit të shekullit 20. Sezanne mund të thuhet se formon urën midis impresionizmit të fundit të shekullit të 19-të dhe linjës së re të kërkimit artistik të fillimit të shekullit të 20-të, kubizmit. Linja që i atribuohet Matisse dhe Picasso-s, se Cezanne “është babai i të gjithëve ne” nuk mund të hidhet poshtë lehtë.
Puna e Cezanne demonstron një mjeshtëri të dizajnit, ngjyrës, përbërjes dhe kompozimit. Penelat e tij shpesh të përsëritura, të ndjeshme dhe eksploruese janë shumë karakteristike dhe qartësisht të dallueshme. Ai përdori plane me ngjyra dhe penelata të vogla që ndërtohen për të formuar fusha komplekse, njëkohësisht një shprehje e drejtpërdrejtë e ndjesive të syrit hulumtues dhe një abstragim nga natyra e vëzhguar. Pikturat përcjellin studimin intensiv të Cezanne-it për subjektet e tij, një vështrim kërkues dhe një luftë të ashpër për t’u marrë me kompleksitetin e perceptimit vizual të njeriut.
Paul Cezanne erdhi si një mjeshtër i trajtesës estetike, një hov i qenësishëm në shtigje të pashkelura të formave shprehëse në pikturë. Ai erdhi dhe mbeti deri në fund një piktor unik. Ndoshta nuk do të ishte aspak e lehtë t’i shpëtoje nënshtrimit të gjigandëve të penelit, apo t’i bëje ballë rrymave shtytëse dhe përpirëse. Koha e tij ishte një botë që në një farë mënyre kërkonte të të kthente në një aliazh kuptimor dhe kumtues estetik. Ishte një shekull që jetonte manifestimin e të gjithë vlerave dhe atributeve artthënëse dhe njëherash një ngrehinë shpirtërore që lëngonte nën trarët e kalbur të kohës dhe zvarritej si një hije mureve të mbuluara nga myshku. Yshtja e një tradite të jashtëzakonshme të pikturës që kishte mbërritur deri në portat e rënda të një nevoje për ndryshim, do ta kishte të pamundur të ngërthente në grackën e vet një zemër, zjarri i së cilës piqte përfytyrimin dëshmues dhe penelatën e veçtë të Paul Cezanne.
Paul Cezanne, sigurisht jo i vetëm, por gjithsesi i i pari ishte ai që vendosi t’i vërë shpatullat për ta zhvendosur më tej këtë shkëmb që e pengonte rrezet e diellit, diellit të një lindje që parashihte. Në betejën e ashpër të piktorit, penelata do të gjente vetëm tablo, të dëgjonte ligjërimin e tij, zë i cili ngjante më shumë një kushtrimi. Ai ishte nisur për të mbërritur aty ku nuk e prisnin. Megjithatë kjo vetëm sa e egërsoi më zjarrmueshëm egon e tij, e nxiti në përleshje të pabarabarta, luftoi siç luftojnë ata që kanë ardhur të mbeten në historinë e artit si heronj.
Ai braktis grupin e impresionistëve, duke refuzuar të mbetej në atë që do të linte si sublime të krijimit, si një tjetër si ata. Ishte i bindur dhe i vendosur se kishte ardhur të ishte diçka tjetër, të jepte diçka më shumë në pikturë, dhe i’a arriti. I dha më tepër rëndësi strukturës, organizimit të tablosë, se sa ngjyrës. Paul Cezanne, pikturon kryesisht peizazhe të Jugut të Francës, si në Aix, Gardanne, Estaque, vende që janë të privilegjuara nga natyra, kanë gjithnjë diell. Kjo duket se i jepte më shumë ndihmesë të merret më tepër me ndërtimin e tablosë se sa me ngjyrat. Fushat, pemët, barërat, majat e maleve, e gjithçka që e shkruan me kaq kujdes këtë panoramë strukturojnë tablonë, ngrenë gurë pas guri bedenat e kështjellës së tij krijuese.
Paul Cezanne duket se qëllimisht refuzon të shfrytëzojë çastin, të bëhet masë e pështjellimeve momentale të emocioneve që ushqen e atyshmja e tashme, me shkas të pranojë vetveten t’i jepet një diçkaje që si përmbajtësore ka farën e përjetësisë. Pra ai kërkon t’i ngjajë më shumë një bujku që mbjell një farë që do të ofrojë bujari të përgjithmonshme, në këmbim të një shijuesi shterrues. Ai e pikturon botën “objektivisht” dhe jo “subjektivisht” siç bëjnë impresionistët. Sipas tij: “Ne duhet të çlirohemi nga ndijimet e ngatërruara që bartim që nga lindja” për të arritur thelbin e gjërave, “Atë që është mollë e njëmendët brenda mollës”. Siç shprehet ai, duhet të bëhesh “një Paussin i natyrës”.
Që atëherë, Paul Cezanne merrej më tepër me natyrë “morte”, të cilat, krahasuar me peizazhin, i përshtaten më mirë rreptësisë dhe konstruksionit. Sipas tij: “Natyra duhet trajtuar me cilindra, sfera dhe kone, duke i vënë të gjitha në perspektivë”. Megjithatë Paul Cezanne nuk e lë pa i shtuar këtij “realizmi” gjeometrik, një “modelim” të faqeve të ngjyrosura. Ky aplikim, kjo pikturë gjeometrike thelbësore, i hap udhë të gjatë kërkimeve formaliste të shekullit XX, Paul Cezanne parandjen këtë kur thotë: “Unë jam vetëm një piketë, por të tjerë do të vijnë pas meje”.
Ndonëse arti dhe teknika e tij u njohën vonë, pikturat që la si testament qe një inspirimi shtytës për Pablo Picasso, kryesisht kur bëhet fjalë për mënyrën sesi ai luajti me formën në pikturë. Paul Cezanne ishte një figurë gjeniale e arteve vizuale në kohëra. Një prijës i modernizmit, një personalitet uzurpues, solid dhe kompleks.
“Les Grandes Baigneuses”
Ndër punët e tij më ngazëllyese është cikli i veprave “Les Grandes Baigneuses”, apo thënë ndryshe: “Bathers”. Në shumicën e rasteve paraqesin grupe femrash, të cilat bëjnë banjo dielli, apo lahen buze liqenesh a lumenjsh. Një atmosferë ku mbizotërojnë lakuriqësia e trupave, jeshilja e pemëve, bluja e qiellit, harlisjet dominante të reve.
Vepra në përgjithësi dramatike, gati-gati të dhunshme, sikurse edhe cikli: “The Battle of Love”, por që njëheri shprehin nocionet e Paul Cezanne mbi lidhjet e njeriut me ambientin që e rrethon. Një përngjasim me temat e lashta dionisiake, dëshira për të shijuar natyrën, por edhe çdo sterkalth të nektarit të jetës. Dëshira për t’u bërë një me florën, faunën, ambientin nga ku kemi ardhur dhe të cili i përkasim…
Jetëshkimi për piktorin
Paul Cézanne u lind më 19 Janar 1839 dhe u shua më 22 tetor 1906. Ai ndërmendet si një ndër piktorët francez të periudhës së Post-Impressionist, veprimtaria krijuese e të cilit është gurthemeli i transformimeve të hovshme në artin vizual. Modernizmi në pikturë do të kishte atë si një nga paraprijësit. Me të shënjon nisja e përpjekjeve artistike të shekullit të XIX-të për një botë të re dhe radikalisht të ndryshme në qindvjeçarin pasardhës, shekulli XX. Në rrugëtimin vëzhgues të mjeshtrave të tablosë, shpesh është përsëritur, se penelata eksploruese Paul Cezanne mbetet shumë karakteristike dhe në mënyrë të qartë të njohur. Pra ai ishte i pangjshëm me dikë tjetër, pa paraardhës. Referencat krijuese ndoshta janë thjeshtë një botë e gatuar thellë në botën e tij, e cila erdhi pa u rrokur në pritaninë e ngrohtë të harbimit emocional, por për tu përqafur prej nevojës së ngutshme të ndryshesave artistike.
Paul Cezanne, sublimja e tij krijuese, e veçmja e formës shprehëse përmes teknikës, trajtimit, penelatës dhe mëtimit të subjektit, thuhet se ka ndërtuar një urë që ngrihej ngërthyese dhe komunikuese mes fundshekullit të XIX, qasjeve impresionizmit dhe shkëputjes për një dimension të ndryshtë dhe rrekje të tjetërllojtë shprehëse të shekullit XX-të, ku gufon si një bimë e mugëtirave të kahershme, kubizmi, që cekim te Matisse dhe Picasso, të cilët nuk kanë nguruar të shprehen se Paul Cezanne “është ati i të gjithë neve.”