Shuhet Anita Take. Një zë që nuk e zbriti nga skena as mosha as stuhia e transformimeve. Një grua që shëmbëlleu të përsosurën e modelit të artit dhe të nënës. Iku në udhën pa kthim. Iku për të mos mundur të marrë me vete në këtë ikje, emocionet dhe magjiken e zërit të saj. Iku për t’u mbetur në adhurimin e nostalgjikëve dhe një fenomen frymëzues dhe reflektues për brezin e ri të këngëtarëve.
Edhe Anita Take, një tjetër emër që kulmoi në kreshtën e përfaqësimit të vlerave, vlerave me të cilat legjitimisht krenohemi, u nda nga jeta. Një zë i zëshëm i këngës dorëzoi të gjallët e vet në moshën 83-vjeçare. Atë e njohim përmes këngës dhe do të mbetet në kujtesë si një këngëtare që i dha gjithë ç'kishte, këngës dhe skenës. Pakkush si ajo vendosi të qëndronte në skenë deri në fund dhe pati një prani të vlefshme. Edhe pse si në të gjithë fushat, edhe në atë këngës, rrymat e ndryshesave dhe transformimeve zunë t'i hidhnin tej vlerat dhe traditën e shkëlqyer të këngës, ajo ngulmoi të ishte në skenë me zërin e saj të veçantë, e hijshme dhe përçuese si për nostalgjikët ashtu edhe për gjeneratat e reja.
Anita Take më shumë se 50 vite në skenë, e mbushi me zë dhe me ëmbëlsi, me pasion dhe përkushtim dhe u shpërblye me adhurues, shpërthime frenetike duartrokitjesh dhe emocionesh që e i dhanë jetë dhe do ta ruajnë në kujtesën e brezave.
Anita Take u lind në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj. Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.
Debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind këngët e shekullit”. Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga Presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”.
Anita Take do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve me karakterin e vokalit të saj tejet të veçantë, me gjallërinë dhe vitalitetin që jo vetëm sfiduan vitet e moshës, por edhe betejën me të renë.
Në një intervistë, Take është shprehur se edhe ajo ka pasur pengje: “Pengun, e kam shumë të madh. Jam fajtore pa faj, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruar, pasi s’ka pasur televizor”. Ajo ka vendosur të mos ndahet kurrë nga kënga dhe për më tepër nga skena dhe e mbajti fjalën deri më 12 dhjetor 2017, kur vendosi të rrugëtojë me vdekjen në amshim.
Në një intervistë dhënë për "Koha Jonë" dhënë gazetares Izaura Ndoj, më 2014, Anita Take rrëfen lidhjen e saj me këngën dhe kontributet në Estradën e Tiranës, emocionet dhe mbresat që i ka falur skena.
Znj. Take, çfarë ju ka falur Estrada që nga krijimi i saj?
Në Estradë unë u formova si këngëtare, mësova se çfarë është disiplina, mësova se ç’domethënë frikë, mësova ta dua këtë institucion dhe kam dhënë shumë shpirt. Sot, kur dal në rrugë gjendem në çdo moment midis njerëzve që më duan dhe më respektojnë, ndoshta jo thjeshtë për zërin dhe mijëra shfaqjeve që kam dhënë, por e kam mbajtur shumë afër publikun dhe jam ndjerë shumë mirë me të.
Jeni cilësuar si zëri lirik i skenës shqiptare, por sa ka ndikuar koha e monizmit në zhvillimin e krijimtarisë suaj?
Në diktaturë nuk kam qenë e ndaluar për asnjë orë, ndaj kam kënduar 40 vjet pa pushim. Gjithçka arrihet me punë dhe me pasion, prandaj ia kam dal të jem e pranishme në çdo aktivitet. Kam qenë e ndërgjegjshme në të gjitha situatat që ka kaluar populli im. Nëse për një periudhë relativisht dhjetëvjeçare i kam kënduar lirikave të dashurisë, unë dhe këngëtaret e tjera duhej të këndonim këngën popullore qytetare. Unë kam qenë e privilegjuar, pasi kam pasur bashkëshortin kompozitor edhe ai më ushqente me kompozime të reja, kështu që nuk e kam ndjerë mungesën e këngëve të fondit të art.
Ju keni një fond të artë në Radio -Tiranë. Si është gjendja e atyre në këto momente?
Atë e di vetë Radio Tirana. Me gjithë këto këngë dhe repertor të artë mezi kam mundur të bëj një CD me 20 këngë, të cilat ishte fati që unë ruaj akoma zërin dhe ato janë perlat më të bukura të Prodanit. Sikur të kisha mundësi ekonomike, pasi mundësia vokale nuk më mungon, do ta bëja një përmbledhje të atij fondi të artë të muzikës shqiptare.
Cila ka qenë marrëdhënia me bashkëshortin tuaj, për më tepër dhe bashkëpunëtorin tuaj më të mirë?
Marrëdhënia në fillim ka qenë si shokë pune dhe një marrëdhënie shumë të sinqertë. Pastaj kur e njohëm mirë njëri-tjetrin lindi dhe dashuria. Në atë kohë, ne kishim të bënim shumë me njëri-tjetrin, pasi shkëmbenim mendime, kritika reciproke për mbarëvajtjen e punës, punonim ditë dhe natë pa orar, ndonjëherë natën mbaronim në orën 3 dhe Agimi donte të më shoqëronte se ishte natë. Ky lloj afrimiteti na bëri ta donim dhe ta respektonim këtë dashuri që kishte lindur midis nesh.
Si e kujtoni emërimin tuaj në Estradën e Tiranës?
Në fakt, unë jam emëruar në Estradë pa u hapur akoma si institucion kulturor, si element për t’u përgatitur si një zhanër i ri. Unë në librezën e punës rastësisht këto ditë e kam parë, dhe unë paskam qenë emëruar si soliste në Filarmoninë e Shtetit, më 2 shkurt kam bërë 60 vjet si soliste e kategorisë së parë.
Po daljen tuaj të parë në skenë në Estradën e Tiranës?
Natën e parë të shfaqjes kaloi nëna një paralizë dhe isha shumë e tronditur. Tek po vija për në punë me çantën e makijazhit më pa drejtori Gaqo Avrazi dhe më pyeti se pse po qaj – i thashë po si do të këndoj, pasi kam lënë nënën të paralizuar. Ai më ra në kurriz dhe më tha – shko në shtëpi se kemi dhe këngëtarë të tjerë. Vetëm një natë nuk kam kënduar në Estradën e Tiranës dhe nuk kam munguar asnjëherë për 40 vjet.
Një karrierë e gjatë artistike me shumë emocione dhe mbresa. Cili ka qenë momenti kulminant i karrierës suaj artistike?
Pasi u rikthyen dhe njëherë këngët intime të dashurisë, atëherë kisha dalë në pension dhe isha 50 vjeçe. Në këtë moment bëra një bashkëpunim me Prodanin, ku organizuam një koncert recital, i cili ishte i pari i kësaj natyre në vendin tonë. Në këtë kohë kishte ardhur këngëtarja e njohur Marinela nga Greqia dhe në shembullin e eksperiencës që na solli ajo, por unë u tërhoqa se kam një natyrë që nuk hidhet kollaj, por pas 6 muajsh përpjekjeje biseda me tim shoq e realizuam si koncert. Ka qenë një ndër koncertet më të suksesshme dhe u dha 86 herë vetëm për Tiranën dhe ishte me autorizim. Ishte një eveniment që unë e ruaj në kujtimet e mia si më të bukurat.
Keni ndonjë peng të parealizuar gjatë krijimtarisë suaj artistike?
Pengun e kam shumë të madh. Jam fajtore pa faj, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruara, pasi s’ka pasur televizor.
Keni dëshirë t’i ktheheni sërish skenës me një koncert recital?
Edhe pse nuk jam shkëputur asnjë moment nga skena, e them me bindje se dëshira për t’u ngjitur në skenë nuk më ka munguar dhe as do të më mungojë ndonjëherë. Por, mundësia financiare është ajo që na ka penguar për të realizuar qoftë dhe njëherë ndonjë dalje para publikut. Kudo që unë shkoj më përpara këndoj se sa flas, nuk mundem unë të flas nëse nuk këndoj.
Fondi i artë i zërit tuaj është gjigant. Por, cila ka qenë kënga që publiku ju ka identifikuar?
“Vajza me trëndafil”. Por, di të them, në shtëpi kam dy piano dhe asnjëherë nuk ndahem prej muzikës.