"…Ne vitin 1554 me njezet mars e fillova dhe e mbarova në vitin 1555, në dhjetor 5 ditë. E në se, për fat, do të kem gabuar kund më ndonjë vend, unë dua, ku të jetë gabimi, ai që të jetë më i ditur se unë, atë gabim e lus ta ndreq. Sepse nuk çuditem në paça gabuar, duke qenë kjo vepër e parë e fort e vështirë për t'u punuar në gjuhën tonë", shkruan Buzuku.
Kush ishte Gjon Buzuku
Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur "Meshari" (1555). Kjo vepër cilësohet si vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar dhe ruajtur deri sot. Gjoni ishte prift katolik për nga besimi, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit. Për autorin, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigje të plotë. Ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet, e mësojmë vetëm nga parathënia e librit dhe gjuha e tekstit. "u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzuku" Gjon Buzuku ishte prift katolik për nga angazhimi religjioz, i Malësisë së Mbishkodrës, mendohet të ketë qënë nga Kraja.
Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe). Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe). Kësaj kopjeje i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. Duke qenë se Meshari është përkthim i teksteve të njohura liturgjike dhe pjesëve të Dhiatës së vjetër dhe Dhiatës së re, ai nuk është shumë i vështirë për t’u interpretuar, me gjithë ortografinë e ndërlikuar, gjuhën arkaike, gabimet e shumta të shtypit e mungesat e fjalëve. Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, dhe janë një minierë ari e vërtetë për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Përmban lëndë të ndryshme kishtare dhe pjesët kryesore të liturgjisë katolike. Kjo përmbajtje flet për përdorim të gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur siç duket me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes edhe të gjuhëve amtare. Meshari është botuar me alfabetin latin të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë veriore. Kryesisht për tingujt e gjuhës shqipe që nuk i ka latinishtja (g, gj, th, dh, z, x, i) ka edhe pesë shkronja të posaçme, që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Autori shihet se ndjek një traditë mjaftë të konsoliduar të shkrimit të shqipes, të cilën do ta vijojnë edhe autorët pasardhës të Shqipërisë veriore. Qenia e një tradite letrare të mëparshme shfaqet edhe në gjuhën relativisht të përpunuar të veprës. Në pasthënie shprehen shkoqur ndjenjat atdhedashëse që e kanë frymëzuar, dëshira e tij për të ndritur mendjen e bashkatdhetarëve. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare me vlera letrare, të shkruara me gjuhë të qartë dhe të kuptueshme. Bie në sy puna e tij, ose e traditës së, mëparshme, për pasurimin e shqipes me fjalë të reja, në mes të cilave ka mjaft fjalë të sferave të jetës mendore. Si vepër e parë shqipe e njohur, "Meshari" ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës, në mënyrë të veçantë për historinë e shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqiptare. Është dëshmi e shqipes në shek. XVI, në një fazë kur nuk ishin zhvilluar ende një pjesë e dallimeve dialektore të mëvonshme. Me gjuhën në një masë të mirë të standardizuar e të kodifikuar, si koine letrare që u ngjit e u zhvillua me veprat e autorëve të Veriut në shekujt XVI – XVIII, vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar kulture.
Vepra është dëshmi e një tradite të mëparshme shkrimi të shqipes kishtare, traditë që rrebeshet e kohërave të vështira që kaloi Shqipëria e kanë marrë me vete. Gjuha e veprës e ka bazën në të folmen Verilindore.
Ne kohën e protestantizmit në Europë – kërkesa kryesore e kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhen amtare. I ndikuar nga idetë e kësaj lëvizje, Buzuku për t'u krijuar mundësi besimtarëve katolikë shqiptarë të merrnin drejtpërdrejt në gjuhën amtare shkrimin e shenjtë. Puna e tij nuk shërbente vetëm për dëgjimin e kuptimin e përmbajtjeve të disa ceremonive fetare, por edhe pikënisje për shkrimin e gjuhës. Me veprën e tij ai mundohet të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim.
Veprat në gjuhën shqipe gjatë shekujve të parë të pushtimit osman janë të pakta. Më e vjetra prej tyre që ka mbërrite deri në ditët tona, është "Meshari" i Gjon Buzukut (1555). Veprën e filloi më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555. Data, të cilat ndodhen të shkruara në pasthënien e vepres. Është kjo koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj, nuk del e qartë.
Me "Mesharin" e Buzukut kemi një vazhdimësi të kulturës shqiptare edhe në kushtet e vështira të pushtimit osman, kulturë që në humanistët u përfaqësua me vepra kryesisht në gjuhën latine, që ishte gjuha e kulturës e kohës dhe që u pasurua më vonë me veprat e Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit etj. në gjuhën shqipe.
Që nga botimi e deri me 1740, gadi dy shekuj, "Meshari" ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur.
Më 1740 atë e zbuloi ne Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e don Gjon Buzukut (1555) e zbuloi ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet tue jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Më 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet ne Bibliotekën Kombëtare Shqiptare ne Tirane. Me 1968, gjuhëtari i shquar shqiptar Eqerem Çabej, botoi studimin shkencor te veprës së Buzukut të shoqëruar me studimin për gjuhën dhe meritat e autorit. Ekspozimi i veprës origjinale për herë të parë në Shqipëri u arrit në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Meshari, ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Është kjo fatkeqësi apo fatmirësi, s'mund ta themi dot. Ndoshta po ta kishte kopertinën ose faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qënë ne listën e atyre librave që kanë qenë ndaluar.Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo që është e gjymtuar. Kjo ndoshta, është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në dy kopje, të fshehura e të harruara që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit. Kopja që gjendet me sa duket ka qenë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket, e kanë pasur nëpër duar.
Meshari i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, në gjuhën shqipe dhe zë fill një erë e re e vedijësimit të shqipes si gjuhë në Arbër. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t'i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij. Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër.