Krijuesi vjen përmes Shpërblesës dhe Shëlbimit. Sjell adhuruesin dhe mirënjohjen. Vjen me lindjen e Shpëtimtarit për të mëkuar ndër zemrat tona dritën e besimit, për të gjallëruar me hov shpresën. Vjen për të dëshmuar se ne meritojmë të jemi të përfaqësuar përmes besimit dhe të mbrojtur nga atributi i shenjtores në tokësoren tonë të përkohshme dhe qielloren e përgjithmonshme.
Fort të dashur, miq, gjithë ju që në zemër ndjeni nevojën e një shprese, në vullnesë ju duhet një mbështetje,kudo që jeni. Bekimi, drita, dashuria e paqja e Foshnjës Hyjnore, që Lind në grazhdin e Betlehemit, që Mishërohet përjetësisht me ne njerëzit, qofshin përherë në zemrat e në jetën tuaj.
Në këtë të Kremte të Shenjtë të Lindjes së Zotit tonë Jezu Krisht, le të galdojmë dhe të gëzohemi të gjithë, pa dallim, sepse ka ardhur ndër ne Shpëtimtari Hyjnor, sepse Zoti ka vendosur banesën e vet Hyjnore në historinë tonë njerëzore.
Nuk ka vend për trishtim në festën e Krishtlindjes, që ka lindur Jeta, Jeta që e mposht frikën e vdekjes e dhuron gëzimin e premtimeve të Amshuara. Askush nuk përjashtohet nga ky gëzim, nga ky galdim: shkaku i gëzimit na bashkon të gjithëve, pse Zoti ynë, që ka e mundur mëkatin e vdekjen, duke mos gjetur asnjë njeri pa faj e pa mëkat, ka ardhur për çlirimin e të gjithëve.
Unë nuk kam tagër hyjnor as urdhëresë të perëndishme, që të vij tek të gjithë ju me fjalë të dritëruara prej mirësisë dhe dashurisë, me urime e bekime, sot në këtë kremte. Kam vullnetin e shpirtit të mirë dhe zemrës së bardhë, besimtarit të përkorë dhe katolikut të devotshëm, dhe kjo më mjafton që sot në këtë ditë Krishtlindjesh, në këtë ditë të mirësisë dhe dashurisë, të trokas në portat e rënda të dyshimit, shpirtit të trazuar prej idhnimit, zemërthyerjes e vragëve të thella. Të trokas që ata të hapin zemrën, siç qielli krahë i jep kaltërsisë, e frymëmarrje i jep kraharorit, kraharorit ku mbështes kokën për të dëgjuar një tik-tak, e nëpërmjet këtij tik-taku të dëgjoj çapitjen e hapave në rrugën drejt së mirës.
Sot keni fuqi të besoni. Keni vullnet dhe besim për të ndryshuar ditën tuaj. Shpëtimtari, kjo urdhnesë e Hyjshme erdhi tek sejcili prej jush që ka hapur zemrën. Asgjë nuk është siç duket. Botën ku ne jetojmë, e kemi ndërtuar ne sipas përfytyrimit dhe dëshirimeve tona. Është forca e besimit në vetvete, ajo energji përtëritëse, ajo mundësi transformimi.
Mbusheni me dritë rrezellitëse dhe ngjyra të hareshme tablonë e ditës suaj. Jetoni në të dhe me të, dhe do të shikoni se gjithçka do të ndryshojë.
Përpiqu duke mos ndalur për asnjë çast. Beso në vetvete, beso se je një njeri shumë i rëndësishëm për dikë dhe se jeni gjithçka që e lumturon atë. Çliroje shpirtin prej ngërthimeve e trazimeve, dyshimit e ligështisë, egoizmit e pangopjes, rrëmbimit e ndërkrymjes. Përpiqu të shohësh anën e ndritshme të gjërave. Ti ke vullnet në zemër, ke zemër për të shpresuar. Përpiqu dhe do ia dalësh të jesh mirënjohës për gjithçka dhe të falënderosh. Gëzoju asaj që ke dhe shijoje me gjithë forcën e shpirtit. As mos e ço nëpër mend, se dikush ka marrë atë që të takon ty. "Të zënë karriken, por jo fatin" thotë proverbi. Gjithkush ka zgjedhur vetë jetën që do. Në këtë botë kemi ardhur pa asgjë dhe do të shkojmë pa mundur të marrim diçka me vete.
Mendoj për Parajsën
Ju përqafoj, Alberti