“Tanimë vij tek ty përplot të ardhme. Dhe prej zakonit ne nisim të jetojmë të kaluarën.”
*** Rainer Maria Rilke lindi më 4 dhjetor të vitit 1875 në Pragë, Austro-Hungari dhe vdiq më 29 dhjetor të vitit 1926 në senatoriumin Valmont afër Montreux, Zvicër kur ai sapo kishte mbushur 51 vjeç. Ishte një prej lirikëve më të rëndësishëm të gjuhës gjermane. Shkroi tregime, nji roman si dhe disa esse mbi artin dhe kulturën. Një prej veprave më të rëndësishme njihen edhe letrat e këmbyera. Kjo letërsi epostolare zë një vend në kreshtën e atyre zërave që u thirrën nga muzat më të epshme dhe fort të andshme që zgjuan te Rilke vërshimin e asaj llave që përmbyti realen apatike ku zvargej dita e shkrimtarit, poetit dhe esse-istit. Ishin letrat e dashurisë, ishin këto këndime, të cilat rendën në kërshërinë e kohërave, për të mbërrituar te çdo pritës zemërhapur si një trokitje e shumëpritur. Përvoja botërore e artit ruan në kujtesën e vet letërshkrues të shumtë, të cilët derdhën në fjalë zemre momente kaq intime dhe kaq të sinqerta, siç nuk i kemi përcjellë askund. Të gjithë e ngjyen në gjak penën e kësaj thirrje, por ai, Rainer Maria Rilke, e ngjyu edhe në zjarr, në atë të shndërrimit të ndjenjës në gufim pasioni.
*** Lou Andreas-Salomé (lindur si Louise von Salomé apo Luíza Gustavovna Salomé më 12 shkurt 1861 – 5 shkurt 1937) ishte një shkrimtare dhe psikoanaliste ruse. Interesat e saj të shumtë intelektualë e njohën me mendimtarët më në zë duke përfshirë Nietzsche-n, Freud-n, dhe Rilke-n. Ajo njihet ndryshe si “muza e artistëve evropianë të fin-de-siècle”.
Rilke dhe Salomé ishte një dashuri sfiduese që u përshkua nga letrat flakatare, nga një komunikim i ngrohtë, nga fjalë të përkëdhekura dashurisht dhe dëshirime të mbrujtura në maxhën e dy zemrave që siç shtyheshin, shtu edhe tërhiqeshin, siç përfshiheshin, ashtu dhe ndrinin në flakataret pasione që dinin ti ndiznin ato zemra.
Marrëdhënia, nisi nga një lidhje më shumë se familjare tek një dashnor i thekur, atëherë Rikle 21-vjeçar takoi një grua të martuar 36-vjeçare të quajtur Salomé, Rilkja, duke përmbytur objektin e dëshirës së tij me deklarata romantike, u përball me refuzime të njëpasnjëshme, refuzim i shprehur nga Salomé se dëshironte “që ai të zhdukej fare.” Por dashuria e Rilkes nuk u zbraps dhe ata patën një marrëdhënie pasioni e cila, gjatë tridhjetë e pesë viteve të korrespondencës së tyre, e shohim të ndryshojë formë e ata të shndërrohen nga miq në mentorë, nga protégé në dashnorë dhe në aleatë letrarë — një kaleidoskop dashurie që rrezaton përmes romantizmit, platonizmit, krijimtarisë, shpirtërores dhe intelektuales dhe gjithçka në mes e përtej.
Në një letër që daton më 13 maj, 1897, thuajse në fillim të marrëdhënies, Rilke shkruan:
“E sheh, zonjë e hijshme, përmes forcës së pakompromis të fjalëve të tua, ndjeva se vepra ime po bekohej, po miratohej. Isha ai, ëndrrat e mëdha të të cilit, me gjithë të mirat e këqiat, po bëheshin realitet; eseja juaj për poezitë e mia ishte si një ëndërr, përmbushja e një dëshire.
E ndjej gjithnjë: kur dikush është në borxh me dikë për diçka të veçantë, borxhi duhet të mbetet sekret vetëm mes të dyve.”
Më 31 maj dhe 1 qeshor, 1897, Rilkja dhe Salomé bënë një udhëtim të shkurtër në një fshat të vogël në jug të Mynihut dhe gjatë atij udhëtimi ata u bënë dashnorë. Në një letër që daton 3 qeshor, Rilkja shkruan:
“Këngë përmallimi!
Dhe ata do t’i lexojnë letrat e mia, siç kanë bërë gjithmonë, ndonjëherë zëlart e ndonjëherë fshehtësisht aq sa vetëm ti mund t’ dëgjosh… Por ato do t’jenë ndryshe gjithashtu, ndryshe nga ç’kanë qenë, këto këngë. Dhe pse jam kthyer e kam gjetur përmallim përkrah meje, pashë në sytë e saj dhe ajo tani më prin me një dorë të fortë.”
Në një letër të gjatë që daton 6 korrik, 1898:
“Tanimë vij tek ty përplot të ardhme. Dhe prej zakonit ne nisim të jetojmë të kaluarën.”
VETMIA ËSHTË SI NJË SHI
Nga deti vjen drejt mbrëmjes rend ai;
nga rrafshultat e largëta, tej në humbëti
ngjitet drejt qiellit të cilit gjithmonë i përket.
Dhe bash prej qiellit bie prap mbi qytet.
Bie shiu këtu poshtë në kohë të gjysmëterrur,
teksa të gjitha rrugicat rendin kah mëngjesi
dhe trupat, të cilët asgjë nuk kanë gjetur,
të zhgënjyer dhe të trishtë ndahen nga njëri tjetri
dhe kur gjindja, mes tyre të urrejtur
në një shtrat të vetëm shtrëngohen që të flenë
atëherë vetmia rrjedh së bashku me lumenj.