Dick Cheney kishte folur haptazi për “kolapsin” e “doktrinës Obama”, duke e hedhur poshtë në total strategjinë në fushën e politikës së jashtme, të Presidentit në fuqi. Nisja e presidencës së Barack Obama pesë vite më herët ishte përshëndetur në Shtetet e Bashkuara me tone mesianike, si fillimi i një epoke të artë paqeje, stabiliteti, rilindjeje të të drejtave të njeriut dhe civile, rigjallërimi ekonomik dhe një pastrimi të imazhit të Shteteve të Bashkuara në botë. Në largësinë e 8 viteve nga zgjedhja e presidentit të parë afro-amerikan dhe pas 2 mandatesh presidenciale radhazi, mund të thuhet se Obama i ka zhgënjyer pothuajse të gjitha pritshmëritë për përmirësimin e situatës, sa në frontin e jashtëm, aq edhe në atë të brendshëm (pavarësisht se në planin ekonomik gjykimi mund të jetë më indulgjent), duke lënë si trashëgimi një botë shumë më pak të sigurt e të begatë, sidomos në Perëndim, se sa ajo që kish marrë në trashëgimi nga G. W. Bush. Primati amerikan në glob, i vënë gjithnjë e më shumë në diskutim nga shumë anë në nivel ndërkombëtar, i lë hapësirë pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë. Nga shumë anë janë ngritur zëra që kanë akuzuar presidencën Obama se ka qenë më e keqja nga koha e Jimmy Carterit. Për të tjerë duket kemi të bëjmë me më të keqen e të gjithave. Edhe po të duash të japësh një gjykim dashamirës lidhur me marrëveshjen bërthamore iraniane (për një kohë e gjatë e debatuar dhe së cilës i është vënë fjala fund në fillim të këtij vendi) dhe mbi rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën (ku Obama ka shkuar për vizitë, presidenti i parë amerikan në 90 vite), puna e përgjithshme e Obamës nuk ka merituar elozhe të veçanta. Presidenca e tij, e shënuar nga paqartësi dhe nga gjendja e “patës së çalë”, sidomos në mandatin e saj të dytë (përjashton parantezën e shkurtër e 2- vjeçarit 2009 – 2010), është dalluar prej rivaliteteve në brendësi të administratës, jo vetëm midis partisë demokrate dhe republikane (kjo e fundit e tronditur shumë nga fenomeni Donald Trump), por edhe midis institucioneve të vendit (ushtri dhe politikë, agjenci, ente federale, ushtri dhe anasjelltas), pse jo edhe prej axhendës konfuze politike, asnjëherë e përkufizuar qartë dhe padyshim e influencuar nga një maxhorancë e qëndrueshme në Kongres.
Kontradikta më e ashpër ka pasur të bëjë me respektin e munguar të premtimit për një hapje të re ndaj Lindjes së Afërt, Afrikës dhe Azisë, që Obama pritet t’ia lërë pasuesit të tij në një gjendje mbylljeje të fortë kundrejt Uashingtonit. Për sa i përket Afrikës në kompleksin e saj, pritshmëritë e një interesimi më të madh për fatet e kontinentit nuk janë realizuar, duke ia lënë fushën aktivizmit gjithnjë e në rritje të Pekinit. Politika e jashtme obamiane, shumë larg nga arritja e një “rendi të ri botëror”, le në trashëgimi një botë mbi të cilën Shtetet e Bashkuara ushtrojnë gjithnjë e më pak influencë, sa në planin politik, aq edhe në atë ushtarak, dhe mbi të cilën superfuqia “vetmitare” protagoniste e fazës së shkurtër unipolare duket se nuk ka më forcë. Tërheqja nga skenarët luftarakë apo ngurrimi ndaj impenjimit në terren të dëshiruara nga Obama, megjithëse të ndërmarra fillimisht për t’i dhënë fund një intervenimi agresiv dhe me qëllimin për t’ia cceduar aleatëve përgjegjësinë e menaxhimit të skenarëve strategjikë, i kanë hapësirë paqëndrueshmërisë dhe penetrimit të terrorizmit, duke favorizuar rekursin tek luftërat me bedel nga ana e aleatëve jo të besueshëm (shiko Sirinë dhe Libinë. Kritika e ngritur nga Cheney ishte e drejtuar pikërisht tek zgjedhja e çimpenjimit dhe të strategjisë obamiane e “leading from behind”, e treguar si përgjegjëse e avancimit të kërcënimit terrorist në Lindjen e Afërt, e humbjes së influencës mbi aleatët dhe për zbehjen e prestigjit të Shteteve të Bashkuara në botë.
Lindja e Afërt dhe Afrika Veriore
Dështimi i politikës së jashtme ka qenë sidomos i dukshëm në Lindje të Afërt, ku Obama ishte i prirur (diskutimi në Kajro i 2009) drejt një hapjeje të re ndaj të gjithë botës arabe, gjë që në fakt ka rezultuar në një (ç)impenjim progresiv dhe një “kaos”, që nuk ka lënë asnjë influencë të mbetur mbi atë pjesë të botës, pavarësisht angazhimit të bollshëm. Gjithsesi, nëse marrëveshja me Teheranin për shtyrjen e krijimit të arsenalit atomik, termat e së cilës e kanë lënë dukshëm të pakënaqur Izraelin, Arabinë Saudite dhe një pjesë të Kongresit, mund të konsiderohet pozitive në Irak e në Siri, ashtu si edhe në Libi, ndërhyrja amerikane dhe europiane ka pasur pasoja katastrofike, duke shkaktuar luftëra dhe shkatërrime, jo vetëm për këto vende, por edhe për të gjithë Europën, pasi ka shkaktuar një fluks të pakuntrolluar migrator, fidanishte krizash dhe rivalitetesh midis vendeve të ndryshme europiane. Veç të tjerash, një mea culpa lidhur me Libinë ka dalë kohët e fundit nga goja e vetë Obamës, i cili në Fox News ka pranuar gabime në menaxhimin e “day after”, pas ndërhyrjes. Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku e vendosur në 2011, që pasoi shpalljen nga Obama të “tërheqjes strategjike” (domethënë çimpenjimin progresiv nga skenarët e luftës), la një boshllëk të papritur në rajon, duke përcaktuar përhapjen e fondamentalizmit të armatosur. Dobësia e ushtrisë irakiane, e lënë e vetme përballë terrorizmit, ka mundësuar vendosjen e të vetëquajturit Kalifat sunit të ISIS-it (çdo gjë përveçse thjesht një “flakë kashte”) dhe kaosin që ka pasuar. Gabimet i kanë pasuar kërcënime jo konsekuente (që kanë shënuar një humbje të pastër besueshmërie për Shtetet e Bashkuara) kur Obama, pasi ka kërcënuar një ndërhyrje ushtarake në Siri, ka bërë një prapakthehu të bujshme dhe ka mirëpritur propozimin e Putinit për shtyrje, në këmbim të shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit. Rezultati final ka qenë që Shtëpia e Bardhë ka pësuar një shuplakë të rëndë mediatike, duke ia lënë skenën Rusisë së Putinit, i cili e ka transformuar Sirinë në një skenë për protagonizmin e tij, përveçse në një skenar të gjerë, në të cilin të vinte në provë makinën e vet të frikshme luftarake.
Terrorizmi
Në frontin e terrorizmit xhihadist, fenomeni është gangrenizuar patjetër. Siç është demonstruar nga ISIS-i, ai ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u bërë më i radikalizuar dhe më i rrezikshëm, përveçse për herë të parë i territorializuar. Pas 15 vitesh tentativa perëndimore të prirura zyrtarisht për ta çrrënjosur terrorizmin dhe centralet e Al Qaedas, në Afganistan rreziku është ai i një rikthimi në pushtet të talebanëve. Kurse Siria është rasti më i bujshëm i dështimit të administratës Obama në frontin e terrorizmit. Pas 5 vitesh lufte civile, jo vetëm që nuk ka ndodhur reagime change që ishte në planet e administratës Obama, por Siria është transformuar në një aktor themelor në skenarin e Lindjes së Afërt. Ngurrimi fillestar i Obamës për të “vendosur çizmet në terren” i ka mundësuar të vetëquajturit Shtetit Islamik që të përhapet midis Sirisë dhe Irakut, duke u konsoliduar deri në atë pikë, sa është bërë e nevojshme ndërhyrja e fuqive të tjera, midis të cilave Rusisë. Lidhur me këtë pikë, bilanci i Shteteve të Bashkuara në të shpallur “luftë kundër terrorizmit” nuk ka sesi të mos jetë negativ. Nga ana tjetër, një ndërhyrje tokësore e tyre do të kishte pasur si objektiv më shumë përmbysjen e Al Assadit, sesa fundin e ISIS-it. Në këtë profil, “maturia” e Obamës i ka shmangur Shteteve të Bashkuara përfshirjen në një konflikt tjetër.
Azia dhe Europa
Obama ka dështuar edhe ne frontin aziatik. Administrata e tij ka vendosur transferimin e shtyllës së politikës së jashtme amerikane nga Atlantiku në Paqësor (Pivot to Asia), duke iu drejtuar konsolidimit të aparatit amerikan në zonë (nëpërmjet United States Pacific Command) dhe përfundimit në lëmin ekonomik të një marrëveshjeje të shkëmbimit të lirë, midis vendeve kryesore bregdetare të Paqësorit (Trans Pacific Partnership) në funksion antikinez. Forcimi i containment në dëm të Kinës, i kaluar më pas nën emrin e “ribilancimit në Azi – Paqësor”, i ka ashpërsuar tensionet ushtarake dhe diplomatike në zonë. Është inkurajuar kështu aktivizmi ushtarak i Pekinit (dhe jo vetëm) në Detin e Kinës Jugore, ku nuk mungojnë provokimet e Shteteve të Bashkuara. Dështimi i kësaj strategjie në frontin aziatik është salduar ndërkohë me dështimin në anën europiane, ku kriza e Europës, sa në profilin ekonomik, aq edhe në atë politik dhe ushtarak, nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përkeqësuar. Shtrëngesa në të cilën është vënë Europa që të miratonte në dëm të vet sanksionet kundër Rusisë ka shkaktuar një frakturë të thellë midis vendeve proamerikane dhe vendeve prorurse, duke e shtyrë Rusinë që të lidhë një partneritet të qëndrueshëm me Pekinin, potencialisht në gjendje që të përmbysë primatin e Uashingtonit. Obama i ka dhënë jetë kështu një Lufte të Ftohtë të re, duke çuar në krizën më të keqe të raporteve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në 20 vitet e fundit.
Konkluzione
Goditja më e rëndë e pësuar në 8 vitet e Presidentit Obama ka qenë sigurisht deklasimi i Shteteve të Bashkuara nga “vend i domosdoshëm” në vend të detyruar që të matet, me hir apo me pahir, në një plan multilateral me vende të tjera të të njëjtit rang; jo më superfuqia e vetme globale. Primati i Shteteve të Bashkuara, të bëra tashmë një aktor midis të tjerëve në kuadrin e fuqive botërore, është zhdukur “prapa kuintave” të një rendi multipolar. Është parë kohët e fundit kur Shtetet e Bashkuara janë sfiduar haptazi nga Turqia e Erdoganit me rastin e grusht shtetit të dështuar dhe nga Filipinet e Dutertes, i cili duke shpallur prishjen e martesës me Uashingtonin, ka inauguruar një epkë të re marrëdhëniesh të përzemërta dhe paqësore me Pekinin. “Momenti unipolar”, tashmë i ezauruar, i lë hapësirë aktorëve ndërkombëtarë emergjentë, të afirmuar si protagonistë në vijim të shkolonizimit dhe të ezaurimit të dominimit kolonial europian. Nëse qëndrimi i Obamës ndaj Iranit ka mundësuar arritjen e marrëveshjes bërthamore (që duket se do të vihet në pikëpyetje nga Trump), ajo nuk e ka prishur aspak aleancën strategjike me petromonarkitë e Gjirit dhe sidomos me Riadin, me të cilin Uashingtoni ka kryer një luftë agresioni kundër Jemenit. Të njëjtat tensione me Izraelin për çështjen palestineze nuk kanë prodhuar asgjë pozitive. Nëse braktisja e TTIP-së dhe qëndrimi i Trump ndaj Europës nuk i shërbejnë unitetit transatlantik, as retorika e presidentit të sapozgjedhur ndaj NATO-s nuk duket se e ndihmon shumë këtë unitet. Që projekti për t’i çuar deri në dyert e Rusisë kufijtë e NATO-s përfaqëson këngën e mjellmave të Aleancës Atlantike? Sigurisht, neoizolacionizmi i ri i promovuar nga Trump duket se evokon atë të viteve Njëzet e Tridhjetë e shekullit të kaluar dhe shkon dorë më dorë me vokacionin internacionalist liberal që ka frymëzuar Shtetet e Bashkuara qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Problemi do të jetë të verifikohet sesa një “izolacionizëm” i tillë do të nënkuptojë një fund të ndërhyrjeve në punët e vendeve të tjera, apo nëse izolacionizmi (Ekonomik? Apo edhe ushtarak?) i predikuar nga Trumpi nuk do të jetë një rishfaqje, me modalitete të ndryshme, e protagonizmit muskulor të Shteteve të Bashkuara që njohim prej nga nuk mbahet mend. Edhe pse historia në mëson se kampionët e ndërhyrjes amerikane kanë qenë demokratët (traditë e konsoliduar nga vetë presidenca Obama), nuk është e thënë që nën presidencën republikane të Trump-it të asistohet në përkuljen në vetvete të forcës amerikane. Do të shikohet nëse ai do të propozojë një izolacionizëm të vërtetë, apo të operojë në rrugën e më të fundit prej pararendësve të tij republikanë.
Marrë nga “Geopoliticus”. Përgatiti: Armin Tirana, “Bota.al”