Arkitektura fetare budiste u zhvillua në nënkontinentin indian në shekullin e III p.e.s.. Me arkitekturën e hershme fetare të budizmit janë të lidhura këto struktura: manastiret (viharat), vendet e adhurimit të relikeve (stupat) dhe faltoret ose hollet e lutjeve (chaityat të quajtura edhe chaitya griha), që më vonë në disa vende u quajtën tempuj. Viharat fillimisht ishin vetëm streha të përkohshme të përdorura nga murgjit endacakë gjatë stinës së shirave, por më vonë u zhvilluan për të strehuar monasticizsmin në rritje dhe zhvillim të budizmit. Një shembull ekzistues është një Nalanda (Bihari). Një tip i veçantë arkitekture fortifikuese e gjetur në mbretëritë e mëparshme dhe të sotme të Himalajeve janë dzonget. Funksioni fillestar i një stupe ishte venerimi dhe ruajtja e relikeve të Budës. Shembulli më i hershëm i mbijetuar i një stupe është ai i Sanchit (Madhya Pradeshi). Në përputhje me ndryshimet në praktikën fetare, stupat gradualisht ju bashkangjitën chaitya-grihave (holleve të lutjeve). Këto e arritën pikën e tyre kulmore në shekullin e I p.e.s., siç shihen në komplekset shpellore të Barabarit, Ajantas dhe Elloras (Maharashtra). Tempulli Mahabodhi në Bodh Gaya në Bihar është një tjetër shembull i shquar. Pagodat janë një evoluim i stupave indiane.
Arkitektura budiste u shfaq ngadalë në periudhën që pason jetën e Budës, së bashku me Arkitekturën e tempujve hindu. Tempujt hindu në këtë kohë kishin një plan të thjeshtë – një hapësirë të brendshme katrore, zona flijuese, shpesh me një ambulator rrethues të ndarë nga një radhë kolonash, me një çati konike, drejtëkëndore të pjerrët, mbrapa një verande ose zone hyrjeje, përgjithësisht të ndarë nga kolona të veçuara ose një kolonadë. Profili i jashtëm përfaqëson malin Meru, banesa e zotave dhe qendra e universit. Përmasat dhe proporcionet ishin të diktuara nga formula të shenjta matematike. Ky plan i thjeshtë u adoptua nga budistët e hershëm, ndonjëherë me shtimin e disa qelave për murgjit në periferi (veçanërisht në tempujt e hershëm shpellorë si në Ajanta të Indisë). Në thelb plani bazik mbijeton deri në ditët e sotme në tempujt budist nëpër botë. Profili u përpunua dhe u bë në formën karakteristike të malit dhe u përdor në sitet e hershme budiste dhe vazhdoi në mënyrë të ngjashme në disa kultura (si ajo kmere), që shihet akoma në shumë tempuj të sotëm hindu. Në të tjerë, si në Japoni dhe Tajlandë, ndikimet vendore dhe praktikat e ndryshme fetare çuan në arkitektura të ndryshme.
Tempujt e hershëm shpesh ishin prej druri dhe prandaj kanë mbetur vetëm pak gjurmë, megjithëse guri u përdor gjithmonë e më shumë. Tempujt shpellorë si ata në Ajanta kanë mbijetuar më mirë dhe ruajnë formën e planit, verandën dhe ndarjet e brendshme nga kjo periudhë e hershme. Pasi funksionet e tempullit-manastir u zgjeruan, forma e planit filloi të ndryshonte nga tradita hindu dhe u bë më i përpunuar, duke ofruar dhoma fjetjeje, ngrënieje dhe studimi. Një zhvillim i ri karakteristik në sitet fetare ishte stupa. Stupat fillimisht ishin më shumë skulptura se ndërtesa, thelbësisht shënuese të disa siteve të shenjta ose duke përkujtuar një njeri të shenjtë që kishte jetuar aty. Format e mëvonshme janë më të stërholluara dhe në shumë raste i referohen modelit të malit Meru. Një nga sitet më të hershme budiste akoma në ekzistencë është ai i Sanchit në Indi dhe kjo ka në qendër një stupa që thuhet se ka qenë ndërtuar nga mbreti mauryan Ashoka (273-236 p.e.s.). Struktura e thjeshtë zanafillore është e mbështjellë në një të tillë më të vonë e më të dekoruar dhe përgjatë dy shekujve i gjithë siti ishte i përpunuar. Katër pikat kardinale janë shënuar nga portikë guri të stërholluar.[2] Ashtu si me Artin budist, arkitektura ndoqi përhapjen e Budizmit përgjatë Azisë Jugore, Jug-lindore dhe Lindore ku modelet e para indiane shërbyen si një pikë reference, madje edhe pse budizmi pothuajse u zhduk nga India vetë në shekullin e X. Dekorimet e siteve budiste u bënë në mënyrë të qëndrueshme më të stërholluara përgjatë dy shekujve të fundit p.e.s., me futjen e pllakateve dhe frizave, duke përfshirë figurat njerëzore, veçanërisht nëpër stupa. Megjithatë, Buda nuk paraqitej në formën njerëzore deri në shekullin e I të e.s., në vend të të cilit përdoreshin simbole anikonike. Kjo është trajtuar më në detaje në fazën anikonike të Artit budist. Ajo ndikoi në zhvillimin e tempujve, që pastaj, në shumicën e rasteve, u bënë sfondet e imazheve të Budës. Me përhapjen e Budizmit, arkitektura budiste u degëzua në disa stile, duke pasqyruar të njëjtat prirje të artit budist. Format e ndërtesave u ndikuan gjithashtu në një farë mase nga format e ndryshme të Budizmit në vendet veriore, që praktikonin kryesisht Budizmin Mahayana dhe një jug ku mbizotëroi Budizmi Theravada.