Nga Albert Vataj
Në agun e 16 dhjetorit të vitit 2014, pas një kome disaditore ka ndalur zemra e shkrimtarit Skënder Drini. Shërbim i reanimator i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka mundur ta mbajë në jetë zemrën e 79-vjeçarit që u shua duke u këputur frymën bashkë me gjethet e mbrame të fundvjeshtës.
Voskopoja ku ai lindi më 1935, Shkodra ku ai jetoi me bashkëshorten dhe solli në jetë pothuaj pjesën më të madhe të kolanës së tij krijuese, mishëruan në këtë gjënezë kumtesh të zëshme ngadhnjimtarin në një të tashme harrimi.
Ndërsa ai merr rrugën e përjetësisë më ndërmendet kur e takova sfundiherë dy vite para se të fikej, në një kafe mëngjesore në Shëngjin, bashkë me mikun tim, Tonin Çobani. Nuk më shqitet ai portret, ai zë që sipas një kolegut Xhahid Bushati, ngjan si një serenatë e harruar korçare por edhe si një jare shkodrane ende e pa mësuar deri në fund…
Ai ishte tekstshkrues i veçantë dhe një prej zërave më origjinalë të letërsisë sonë. Skënder Drini aktin e tij krijues e ka të kurorëzuar në caqet e dy epokave duke mbetur gjitherë i njëjti në mëtim e ngjizje. Në periudhën e socrealizmit, krijimtaria e tij ka kulminacionet e veta, siç janë romanet “Vraje tradhtinë”, “Shqipja e kreshtave tona”, “Shembja e idhujve”, “Midis dy kohëve”, “Bajram Curri”, “Rruga e njeriut”, “Kirurgët”, “Njerëzit dhe deti” etj., vëllimet me tregime: “Tregimet e së shtunës”, “Tregimet e veriut”, “Kompania e katërt” (tregime për fëmijë, disa prej të cilave janë përdorur si librete filmash) etj. Pas viteve ’90, viteve të transformimeve të hovshme, Skënder Drini ka sjellë në jetë romanet: “Eklipsi i hënës”, “Ishulli i qetë”, “Nata është grua”, “Korbi”, “Parajsa e gjenive”, “Planeti i lodhur” etj., disa vëllime me tregime ndër të cilët spikat “Klas”, libri mjaft interesant me aforizma “Përballje” dhe dy vëllime me shkrime publicistike.
Kjo krijesë e paepur e vullnetlirë diti dhe mundi të ishte vetveta në kapërcyell të kohërave dhe të ndryshesave që e goditën thekshëm tabanin e vlerave të njimenta të letrave shqipe, duke e lënduar edhe ëndrrën dëshiruese të këtij krijuesi sqimatar. Vepra e Skënder Drinit ngërthen në vetvete larmi tematikash e motivesh, në qendër të të cilave ai sendërgjon njeriun e bashkëkohjes dhe individin e dimensioneve historike, jetësimi i të cilave domosdo duhet të kalonte përmes një kalvari të gjatë përpjekjesh dhe sprovash.
Botimet e tij zanafillore, edhe pse për jetën dhe botën e fëmijëve, zgjuan interes dhe kumtuan se në skenën e letërsisë shqiptare po gufonte një zë i veçantë, një syth mëtimesh dhe andjesh të epërme krijuese. Më pas, kjo pemë harliset në ciklin e saj vegjetativ, vijnë botimet e tjera, vëllimet me tregimet e veçanërisht romanet. Krejtkëto kapërcyen pritshmëritë duke ardhur si befasi krijuese. Lexuesit e vëmendshëm dhe kritika panë në këto vepra një stil e ngjyrim emocional të veçantë. Qëmtuan se si ndërthureshin harmonikisht tek ai shkrimtari, historiani, filozofi, analisti e politologu, një shkrimtar potent që sillte me art e kulturë realitete të ndryshme historike e bashkëkohëse, të mbështjella me një tis filozofik e frazë ekspresive që të bënte për vete.
Duke qëmtuar në tjetër dimension të korpusit të këtij personazhi mëtojmë se Skënder Drini përgjatë viteve 1992-1997 ka shërbyer diplomat në Turqi, sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Në rrafshin kultural kumtojmë tek ky ngulmëtar dijetues, poliglotin. Gjuhët që ai zotëronte ishin; italishten, frëngjishten, turqisht, anglisht, serbokroatisht dhe rusisht. Shkrimtari Skender Drini është laurat i Çmimit të Republikës. Në konkursin mbarëkombëtar të shpallur para disa vitesh nga gazeta “Drita”, Skënder Drini me tregimin “Korbi”, i cili më vonë jetësohet në roman me të njëjtin titull, fitoi çmimin e parë. Për vitin 2013 ai u votua në faqen e shoqatës së spektakleve “Buna1” në internet, si shkrimtari më i mirë i vitit. Për shumë kritik, Skender Drini ishte një gur themeli në prozën shqiptare bashkëkohëse. Moikom Zeqo e ka renditur veprën e Skëndër Drinit krahas Petro Markos, Jakov Xoxës, Dritëro Agollit apo edhe Ismail Kadaresë. Sipas tij, Skënder Drini u ka dhënë shumë interesave atdhetare të shqiptarëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës edhe më tej. Zeqo në një të përditshme ka cituar ndër të tjera se: “Ajo që më ka habitur te ky njeri, është se ky kishte një status me ekonomi të mjeruar.
Duke patur një pension të vogël vetë, edhe gruaja duke mos patur pension fare, ai nuk është ankuar asnjëherë. Por megjithatë shumë njerëz e kanë dashu dhe e kanë ndihmuar që të botojë librat. Librat nuk botoheshin pa para, miqtë dhe shokët, duke e njohur nga afër dhe duke ia njohur vlerat e tij artistike, e kanë ndihmuar që t’i botonte. Libri i fundit me tregime i Skënder Drinit është botuar nga “Zenit” dhe titullohet “Klas”, libër i cili mbyll kolanën e këtij dishepulli të letërsisë shqipe, këtij veprimtari të paepur dhe iluminist.
Dhe vjen një ditë që hapat e lehtë të këtij burri që duket se gufon prej legjendash, ndalen. Zënë të shtanget si në një shkrepje, e mbramja shëtije nëpër Shkodër. Nuk bën më përpara, barra e rëndë e halleve dhe heka e përditshme, e një burri me një grua të sëmurë prej shumë vitesh, puna dhe shërbesa e palodhua e të cilit, më shumë se asnjë zemër thyajnë atë të Karolinës, dashurisë së tij të madhe, dhimbjes së tij të trishtë. Ka humbur dje edhe Shkodra, qyteti që u rrit dhe jetoj me të, qyteti i cili i’u bë prehër e tash po i bëhet varr.