Ludwig van Beethoven, u pagëzua më 17 dhjetor 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars 1827 në Vjenë, Austri. Ishte kompozitor i Epokës Klasike Gjermane.
I njohur si “Shekspiri i muzikës, Ludwig van Beethoven ishte një nga kompozitorët më të mëdhenj që kanë begatuar njerëzimin me të magjishmen e harmonisë së tingujve. Ai ishte një nga pionierët e muzikës instrumentale në kulturën evropiane dhe luajti një rol vendimtar në zhvillimin e muzikës tonale. Megjithëse shurdhimia në vitet e vonshme, e kufizoi atë nga të qenit aktiv në shoqëri, ajo kurrë nuk e goditi krijimtarinë e tij, e cila depërtoi në venat e kohës për t’u shndërruar në një vërshim energjish dhe qasje përjetimi të emocioneve. Gjatë premierës së kryeveprës së tij të fundit ‘Simfonia e Nëntë’, Bethoven-it i’u desh të kthehej për të parë duartrokitjet e audiencës, pasi ai ishte bërë plotësisht i shurdhër deri atëherë. Pavarësisht humbjes së dëgjimit, ai u bë një kolos i muzikës, fama e të cilit vazhdon të rritet edhe sot. I ndikuar shumë nga Mozart dhe Haydn, ai e pasuroi stilin e tij me fuqinë e romantizmit. Ndërlikimi dhe pafundësia e veprave të tij shkuan shumë përtej moshës, i hutuan bashkëkohësit e tij dhe vazhdojnë të mistifikojnë profesionistët dhe audiencën. Operat, simfonitë dhe sonatat e tij ende këndohen dhe interpretohen në të gjithë botën.
Fëmije mrekulli i një baba pijanec
Babai i Bethovenit ishte tenor po jo shumë i mirë. Si pijanec dhe njeri i palidhur me punën ai kërkonte të nxirrte fitime nga djali i vogël. Prandaj nisi t’i mësonte muzikë qysh në moshën 4-vjeçare. Sipas të dhënave të kohës del se babai e paraqiti djalin dy vjet më vonë para publikut. “Sot më datën 26 maj 1776 në sallën e Akademisë së muzikës zoti Bethoven, tenor i Oborrit, do të ketë nderin të paraqesë dy nxënës të tij, zonjushën Averdonc kontralto e Oborrit dhe djalin tij 6 vjeçar, Ludvig. E para do të ketë mirësinë të na këndojë disa arie të bukura dhe i dyti do të japë koncerte të ndryshme në piano. “Ky ishte takimi i parë i Bethovenit me publikun, për të cilin nuk dihet se çfarë përfundimi pati.
Më në fund një mësues për një gjeni
Megjithëse me mësues diletant dhe me muzikantë shumë të diskutueshëm, Bethoveni i vogël bëri të tillë hapa përpara në studimin e muzikës sa që, më në fund u gjend një mësues i denjë për të. Ky ishte i famshmi Neefe, njeri i ashpër i cili shpejt u zbut e u mrekullua. Ky parashikoi për të një karrierë moxartiane. Që në moshën dymbëdhjetë vjeç deshi ta kishte nxënësin e tij në organo dhe vendosi po të mungonte ai, ta zëvendësonte edhe si dirigjent në orkestrën e Teatrit të Operës. Kështu në atë moshë të njomë, Ludvigu i vogël mundi të mbante vetveten dhe të ndihmonte edhe prindërit.
Bethoven dhe Mozart, kur u takuan dy titanët e muzikës klasike, një sprovë dhe një ndjesë
Bethoveni ende fëmijë shkoi në Vjenë ku Mozarti mbahej i paarritshëm. Disa miq, admirues të muzikantit të vogël të Bonit, deshën ta takonin mjeshtrin e shquar të muzikës me talentin e ri. Më në fund ia arritën qëllimit, po Moxarti që takonte vazhdimisht muzikantë të rinj, e pa me mosbesim. Bethoveni u ul në piano dhe improvizoi një pjesë.
“Mirë nuk është keq,mendoi me vete Mozarti po nuk më duket të jetë një improvizim. Me siguri që është fjala për një të ashtuquajtur improvizim për një copë të kompozuar me kushedi se sa mundim dhe e mësuar përmendësh”. Nuk e tha haptas, por e la të kuptohet.
Bethoveni i acaruar iu lut Mozartit t’i jepte ai vetë një temë. Mozarti ia plotësoi dëshirën dhe i dha temën. Bethoveni improvizoi një pjesë të mrekullueshme, luajti me guxim të admirueshëm, saqë Mozarti mbeti i shtangur dhe i thirri para të pranishmëve:
– Kini për të parë se ai do ta bëjë botën të flasë për të. Pastaj e përqafoi dhe i kërkoi të falur.
Një abat përball një Bethoveni
Në atë kohë ishte në Vjenë një muzikant i dëgjuar, abati Genilik, që populli e pëlqeu dhe ishte entuziast për pianon e tij aq të pastër, aq të shndritshme dhe aq të bukur. Një herë në shtëpinë e një miku, tha se atë mbrëmje do të shkonte të luante në piano në publik dhe do të maste forcat me një pianist të ri të panjohur. Duke dalë, i sigurt si gjithnjë, thirri:
-E, po nuk bëjmë salsiçe!
Të nesërmen miku e pyeti se si shkoi mbrëmja muzikore.
– Aha, – thirri i ligështuar abati, – do ta kujtoj deri në varr, ai djalosh ka djallin me vete. Nuk kam dëgjuar kurrë një interpretim të tillë. Improvizioi ashtu si di të bëjë vetëm Moxarti. Nxirrte nga pianofortja efekte, që ne nuk i kemi ëndërruar kurrë.
Miku u bë shumë kurioz dhë pyeti se si quhej ky pianist i ri.
– Është një i ri me trup të shkurtër, i shëmtuar, i zi, me një fytyrë kryeneçe. Quhet Bethoven.
Edhe gjenitë “dorëzohen”
Një ditë në parkun e Vjenës, Bethoveni po shëtiste lart e poshtë me Kramerin pianist i dëgjuar, duke dëgjuar koncertin për piano në do minor të Moxartit. Një çast Bethoveni u ndal, ndali edhe shokun duke i tërhequr vëmendjen për motivin që dëgjohej gjithnjë e më e bukur. Kur po afrohej fundi, Bethoveni thirri me entuziazëm:
Kramer, ne nuk do të jemi kurrë të zot të bëjmë diçka të ngjashme me këtë.
Një gjeni mjaft që të kërkosh dhe e gjen ku nuk e pret
Një organist i ri, dëshironte vetëm një gjë: të takohej me Bethovenin. Ai siguroi të hollat dhe u nis për në Vienë. Atje nisi të kërkonte, nëpër rrugët e qytetit për të gjetur shtëpinë e mjeshtrit. Në një rrugicë hasi një karro të ngarkuar më thasë me gurë,së cilës i kishte dalë rrota nga boshti. Disa qytetarë po ndihmonin karrocierin dhe po ngarkonin sërishmi thasët që kishin rrëshqitur nga karroja. Organisti nisi t’i ndihmonte. Një nga të pranishmit e mori vesh se edhe ai vinte për herë të parë në Vjenë dhe i premtoi, t’i tregonte disa nga monumentet e qytetit. Organisti i tha se i interesonte vetëm një gjë, të takohej me Bethovenin.
– Po Bethoveni jam unë! – thirri dikush që ishte aty pranë. Ishte vetë muzikanti i madh. U përqafuan të dy dhe Bethoveni e ftoi në shtëpi mikun.
Një princ që mjaftohej të shihte një gjeni teksa punonte
Midis admiruesve të Bethovenit më entuziasti dhe më i arsyeshmi ishte ndoshta princi Linhovski, i cili i bënte vizitë dy herë në javë. Ai nuk e shqetësonte fare për punën tij. Kur shërbëtori i shtëpisë, që ishte rrobaqepës, rrinte në paradhomë duke qepur dhe i thoshte se mjeshtri ishte në shtëpi, ai hynte ne majë të gishtave, ulej në një divan që ishte më i ngushtë nga të tjerët dhe qëndronte atje për gati një orë pa lëvizur nga vendi, ndërsa Bethovenit, as nuk i binte fare ndërmend për të. Ai vazhdonte në qetësi të shkruante. Princi ishte i lumtur që qëndronte atje, ndërkohë që lindte një vepër e re e Bethovenit “të tij”. Nganjëherë princit i kishte takuar që të rrinte me orë të tëra pranë rrobaqepësit, i cili punonte pa çarë kokën për praninë e princit.
Të flasësh për muzikën
Betina Bretanos, që kishte shkuar për ta takuar Bethovenin, i tha:
– Muzika është një krijim më i fortë se filozofia. Eshtë si vera që të deh. Kush arrin të kapë domethënien e muzikës sime, duhet që ta ndjejë veten të mërguar nga çdo mjerim ku të tjerët zvarriten në vuajtje!
– Kur po e shoqëronte për në shtëpi rrugës vazhdoi t’i fliste me emocion të madh dhe në mënyrë aq të çuditshme; sa që Betma harroi fare se ishin në mes të rrugës, me shumë njerëz përreth, që ndalonin e i vështronin me habi.
Kur harrimi i një mjeshtri të çon pas hekurave
Disa herë Bethoveni kthehej në qytet nga ekskursioni vetëm me këmishë, sepse i harronte rrobat në pyll. I ndodhte që kthehej edhe pa kapelë në kokë. Një herë në Nojshtab e gjetën të veshur aq keq, sa e arrestoi policia si vagabond. Askush nuk besonte se ishte muzikanti i shquar dhe i mirënjohur. Mund të mbetej në burg ndoshta për shumë kohë, po të mos shkonte për ta liruar drejtori i orkestrës.
Edhe gjenitë kanë të drejtë të “lajthiten”
Simfonia e nëntë pati sukses të madh. Kur u ndanë çmimet mjeshtrit i dhanë për të drejtën e autorit vetëm treqind lira. Që të nesërmen kritika e sulmoi Bethovenin padrejtësisht. Mjeshtri i zhgënjyer dhe i pikëlluar se nuk pati mundësi ta dëgjonte vetë veprën e tij, sepse ishte shurdhuar me kohë, u mbyll për dy javë brenda në shtëpi. Më në fund miku i tij Shlindler e nxori jashtë dhe e çoi në një restorant. Atje, kur vera nisi t’i marrë mendjen, Bethoveni bëri skandal. E shtyu jashtë mikun e tij dhe bërtiti me të madhe:
– Ju gënjeni… ju më fyeni… Unë jam Ludvig van Bethoven, kam shkruar sifmoninë e nëntë. Lermëni vetëm. Unë nuk mund të flas me njerëzit. Flas vetëm me zotin.
Kur muzika godet në shpirt
Në Vienë, në një prej mbrëmjeve të shumta muzikore, Bethoveni ekzekutoi një prej veprave të tij të mëdha.
Kur mbaroi, vështroi rreth tij dëgjuesit që ishin turbulluar, mallëngjyer dhe me sytë gjithë lot. Atëherë u tha gjithë ëmbëlsi:
– Jo! Lotët janë dobësi. Artistët duhet të jenë prej zjarri, nuk duhet të qajnë.