Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çaj kokën gomerëve dhe në vend të tmerrit të rrëfej këtë: ç’është liria?
Të mos e kasha nisur këtë fletë (vaftë në djall!) nuk do ta lodhja kokën time për t’u mësuar gomerëve ç’është liria. U bënë dy muaj që u nis kjo punë dhe që tani jam lodhur për shkak të gomerëve. Më mirë të shes pleh njeriu se të nisja një punë për shqiptarët.
Janë nja 50 shqiptarë që e kuptojnë ç’është liria: ata nuk shkruajtën gomarllëqe se e dinë që njeriu është i lirë të thotë atë çfarë ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomerë dhe sit e shtyp nja 12 numra, pas fjalës që dhashë, a e dini se çfarë kam për të bërë?
Të turpshmit le të mbyllin veshët: kam ndërmend të vete e të shes mut në vend që të mbaj të përkohëshmen (gazetën), më mirë të shes mut njeriu se sa të shkruaj për shqiptarët. Gomerëve pra le të përpiqem edhe një herë t’u mbush kokën me këtë: ç’është liria?
Liria është të mundet njeriu:
1) të besojë atë që i do zemra;
2) të thotë atë që i do zemra;
3) të shkruajë atë që i do zemra;
4) të bëjë atë që i do zemra, përveç asaj që bie në kundërshtim me lirinë e tjetrit.
Shqiptarët, shumica prej tyre janë shpirtrobër. Për dëfrim. Janë shqiptarë që kanë fe. Unë them: ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkruajnë që feja është e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja dhe kur më dërgojnë artikuj për të lavdëruar fetë, unë i shtyp pa besuar, sepse nuk kam të drejtë t’u pres lirinë e fjalës.
Po kur unë besoj, them, shkruaj që më vjen të vjell nga çdo fe, ata, shpirtërobërit ulërasin: s’të lejojmë të shash fetë! S’më lejoni të shaj fetë?! Po unë, shpirtërobër, pse iu lejoj t’i lavdëroni fetë?A kini, në mos filozofi, pak mend të kuptoni që fjala juaj është fjalë gomari?
Vëllezër shqiptarë!
Mjaft vuajti e mjera Shqipëri jetën e kurmit (trupit), duhet edhe ajo të nisë tani e të rrojë jetën e mendjes (La vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim të gjithë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri me tjetrin, të bisedojmë si njerëz të qytetëruar që mblidhen të luftojnë me fjalë për idetë e tyre. Mos besoni se në këtë mënyrë do të largohemi nga njëri-tjetri! Përkundrazi do të afrohemi më shumë, sepse do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura dhe do ta kuptojmë që të gjithë jemi të lidhur nga dy lidhje të arta: dëshira për të vërtetën dhe dëshira për Shqipërinë. Për të qenë e mirë e përkohëshmja, duhet të jetë si Pazar, një Pazar ku gjenden njerëz të pasur, të varfër, gra, burra, djem, të krishterë, muslimanë, të pafe, të gjithë bashkë dhe duke biseduar, merren vesh për mbarësinë e punëve të tyre.
Faik Konica, Gazeta “Albania”, 1897 !