Nga Albert Vataj
E kush nuk e njeh dhe nuk e ka pëlqyer pikturën e tij gjithnjë rrëzëllitëse, përplot me ngjyra të hareshme dhe trajtesa joshëse të inkandeshencës që na bën të ngecim në lojën hipnotizuese. Pavarësisht se shumë janë gjetur të kapur nga kjo lojë ngasëse e ngjyrës dhe tematikës, afrisë së komunikimit dhe penëtrimit dritues, pak dinë diçka për jetën e mjeshtrit, gjeniut të këtij arti që ka pushtuar internetin. Kudo, piktura e tij është e ekspozuar, e publikuar, e promovuar, sepse ai u flet ndjenjave delikate të komunikimit përmes ngjyrës.
Leonid Afremov u lind më 12 korrik 1955 në Vitebsk, Bjellorusi. Ai është artist rus-izraelit, njihet dhe pranohet si një nga përfaqësuesit më të spikatur të impresionizmit modern. Veçantia e këtij piktori qëndron në teknikën e përdorur dhe në ngjyrat e ndezura që ai përdor për të jetësuar një gamë të pamatshme tematike. Spatulla e tij është jo vetëm një teknikë, por dhe një mundësi për ta shndërruar atë në një skalitës me ngjyra të forcës shprehëse të shpirtit të tij qëmtues dhe endës. Episodet e ndryshme nga jeta, peizazhet, panoramimet reale dhe përfytyruese kalojnë përmes këtij toni të ngjeshur dhe të hareshëm ngjyrash, si përpara një mundësie vetanake shkëlqimi të kësisojtë.
Afremov është i njohur kryesisht si një vetëpromovues i aktit krijues. Ai krijon dhe tregton punën e tij dhe e bën këtë duke shfrytëzuar mundësinë e komunikimit që i jep teknologjia dhe gjithërrokja e hapësirës përmes internetit. Është kjo e mundshme e sfidës së aktualitetit që ka shënjuar tek ai një sukses të admirueshëm, por jo pa oshilacionet, ulje-ngjitjet, disfatat ekonomike dhe katapultimet e suksesit.
Sigurisht që deri këtu, deri kur ai u kthye në një fenomen i shitjes së veprave të artit përmes eBay, atij iu desh të përpiqej, të luftonte, të rrëzohej dhe të ngrihej. Edhe pse në pikturat e tij ka vetëm ngjyra të ndezura dhe plot shkëlqim, nuk i kanë munguar në jetë çaste dhe ditë bardh e zi, vështirësi dhe përballje.
Afremov u lind në Vitebsk, Bjellorusi dhe ka jetuar atje deri në vitin 1990. Midis periudhës 1990-2002 ai ka jetuar në Izrael dhe nga viti 2002 deri në 2010 në Boca Raton, Florida. Afremov aktualisht banon në vendpushimin popullor të qytetit Playa del Carmen, Quintana Roo, Meksikë, pranë Kankunit. Ai pikturon kryesisht peizazhit, skena nga qyteti, episode personale nga jeta e njerëzve të zakonshëm, artistëve, pa lënë pas dore lulet dhe portretet. Shumica e punës së tij është konsideruar si shumë e gjallë dhe me mesazh.
Vlen të citohet se Leonid Afremov në shumësinë e punëve ai shquhet për një qëndrim, politikisht neutral. Në tablotë e tij, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë mesazh të dukshëm apo të fshehur mes koloritit dhe relievit të spatullës së tij mjeshtërore. Pikturat zakonisht pasqyrojnë kujtime të caktuara personale dhe emocionale. Ndoshta është pikërisht ky personalizim dhe intimitet që i jep ai krijimtarisë, ajo që e bën të admirueshëm dhe një triumfues në botën e madhe të betejës së menaxhimit dhe shitjes së veprave të artit.
Leonid Afremov tematikën e shtjellimit e ka të qëllimshme dhe si një tregues të mprehtë të nevojës që përthith njerëzit në këtë pjesëmarrje artdashëse. Ai është përpjekur dhe duket se ia ka dalë të ketë një ndjenjë të caktuar në vend që të tregojë një histori nëpërmjet pikturës. Ai bashkëndan botëkuptimin dhe ndjesinë e përfshirjes tek secili, duke gjetur intuitivisht atë që u pëlqen njerëzve dhe nuk duke qenë një artist nuk rreket të jetë egoist, t’u imponohet të tjerëve, por gjithsesi ai gjen mënyrat për t’i bërë për vete shijet dhe nevojat e tyre, të cilat i manifeston në një tablo që është gjithnjë festive, gjithnjë e ngrohtë, gjithnjë rrezellitëse dhe me ngjyra që na bëjnë të ndjehemi të përqafuar fuqishëm nga dritat dhe pasioni i dëshirimit që prejvjen nga zjarri dhe hareja e koloritit.
Leonid Afremov ka udhëtuar në shumë vende, duke fokusuar me aparatin, momente nga jeta dhe panoramime të vendeve që kanë lënë mbresa tek ai dhe që kanë gjetur admirues të shumtë dhe te të preferuarit e pikturës së tij.
Pothuajse çdo pikturë e tij ka një frymëzim shumë personal dhe këtë ai e shpreh në mënyrë kaq origjinale dhe kaq të veçantë. Arti i tij reflekton shumë pozitivitet dhe këtë ia arrin përmes ngjyrës dhe dritës, shkëlqimit dhe mëkimit koloristik që mëton spatulla e tij. Leonid Afremov shquhet gjithashtu si një adhurues i kafshëve shtëpiake, ku vendin e nderit e ka macja, e cila vijon ta shoqërojë si në pikturë ashtu edhe në jetë. Po të shohësh me vëmendje galerinë e bujarshme që ka ky piktor do të arrish të pikasësh me lehtësi këtë adhurim që ai ka për kafshësh, sepse macet, qentë, kuajt, tigrat, madje edhe gjirafat i gjen në tablonë që pikturon ai.
Veç vështirësive të rinisë së hershme, Leonid Afremov, i është dashur të përballojë jo vetëm ulje-ngjitjet e thikta të tregut të punëve, por edhe artritin dhe së fundi problemet me zemrën. Mjekët e kanë këshilluar që të shmangë betejën e ashpër të krijimit dhe tregtisë online dhe t’i kushtohet viteve të pleqërisë, pasi zemra e tij ka filluar t’i nxjerrë telashe serioze. Aktualisht, janë bijtë ata, që po vazhdojnë shitjen përmes internetit dhe ai punën, ndoshta jo me të njëjtin ritëm, por me të njëjtën shkëlqimim ngjyrëshumë dhe përplot dritë dhe emocion.