Sonte bie nata e Shën Nikollit, ipeshkëv, të cilin Kisha e përkujton më 6 dhjetor. Shën Nikolli, ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout. Është shumë popullor edhe në të gjitha kishat e traditës Ortodokse.
Gazmueshëm kjo ditë gjithë besimtarëve, krejt atyne që me zemër e me shëlbim vullnetmirë, besojnë, e veç kësaj pranojnë përmbi ta, një forcë që duke e nderu e çmojmë, dhe përulemi me respekt dhe devotshmëri në këmbët e këtij altari, jo për tu nënshtruar por për ta naltësu peshën tonë njerëzore përnga shenjtnimi. Sepse ne përditë jemi mirënjohës për gjithçka që është tash e mot e jona, paqja shqirtërore, dashuria ndërmjet shojshojt e ngadhënjimi i përgjithmonshëm në meditimin e rrugës së pasosur.
Falenderojmë dhe kungojë sot mirësinë, marrim dhe japim mes nesh atë që ky shenjt shëmbëlleu duke u bërë mbrojtës i detarëve, peshkatarëve, vozabërësve, tregtarëve, fëmijeve, djemve e vajzave, studentëve, farmacistëve, parfumeristëve.
Sonte më 5 dhjetor besimtarët katolikë kremtojnë natën e festës së Shën Nikollit.
Tradita të bukura e prekëse lidhen me kremtimin e festës së Shën Nikollit në treva shqiptare. Me këtë rast është traditë ndër katolikë të Shqipërisë të flijohet një gjel, ndër shqiptarë të Kosovës, një qengj. E sidomos është traditë që sonte, natën e së kremtes së Shën Nikollit, familjarët para se të darkojnë së bashku e me miq, të ndezin qiriun e Shën Kollit, të këndojnë këngën e lashtë “Sa punë të mëdha e mrekulli, që ka ba Shejti Shën Kollë” dhe t’i lutën Zotit së bashku përmes ndërmjetësimit të Shenjtit të mrekullive.
Shën Nikolli u dallua për fenë e gjallë në Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin dhe posaçërisht për kujdesin e ndihmën për të varfrit, siç pohojnë shumë tregime e gojëdhëna që flasin për bamirësinë e dashamirësinë e tij ndaj nevojtarëve. Prandaj shën Nikolli është për të gjithë shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin.
Kulti i nderimit të shën Nikollit ndër shqiptarë është i lashtë, qysh përpara pushtimit turk, siç dëshmojnë një sërë dokumentesh dhe vërtetojnë edhe gërmadha të Kishave të shumta kushtuar Shenjtit në tokat shqiptare. Kështu, në dokumentet e Farlatatit, shkruan në shekullin XVIII, lexojmë: “Në krahun ku ndodhet Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, pak më nga jugu, prapa kështjellës, dukej një Kishë madhështore me gurë të skalitur, shiheshin rrënime e shumë mure akoma në këmbë…..Ishte Kisha e Shën Nikollit….Turqit nuk guxonin të preknin aty asnjë send…aq i madh ishte nderimi për Shenjtin”.
Gjithnjë sipas Farlatit, andej lumit Bunë, në lagjen që quhej “Te Buen”, pak më larg nga Kisha e famshme e Shën Sergjit e Bahut, ka qenë një tjetër Kishë kushtuar Shën Nikollit, muret e së cilës ishin të mbuluara me afreske që përkujtonin mrekullitë e shenjtit…..”.
“Duke ndjekur rrjedhën e lumit Buene, te gryka e detit, ka qenë ndërtuar një Kishë e mrekullueshme e Shën Nikollit të Barit, me gurë të skalitur”, shkruhet në dokumentet e Farlatit. Ndonëse autoritetet pushtuese turke e kishin ndaluar rreptësishtë – në kremtimin liturgjik të Shenjtit merrte pjesë edhe një shumicë besimtarësh myslimanë. Devocioni për shën Nikollin ishte aq i madh, sa famullitari i vendit jetonte vetëm me lëmoshat që mblidheshin ditën e festës. Emrin e kësaj Kishe, më vonë e mori fshati, duke u quajtur “Shën N’koll”. Kështu shën Nikolli hyri edhe në toponomastikën shqiptare.
Një tjetër Kishë e Shën Nikollit ka qenë ngritur që para pushtimit turk në Shkodër, në lagjen Rus, sot e rindërtuar shumë bukur, pas rrënimit të saj të plotë bërë nga komunistët.
Po sigurisht që Kisha më e njohur e shën Nikollit në trevat shqiptare është Kisha Katedrale në Lezhë, seli e Kuvendit të famshëm të Princave shqiptarë të shekullit XV, vendvarrosje e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Kisha kushtuar nderimit të shën Nikollit kemi edhe në Kosovë, ajo e bashkësisë famullitare të fshatit Velezhë të Prizrenit, ndërtuar nga dom Nikollë Mini. Po kështu edhe në rrethinën e Ulqinit të Malit të Zi e shumë kapela tjera.
Pra, të gjithë atyre që e lusin këtë festë, për shumë mot, me ndërmjetësimin e Shën Nikollit, Zoti Atë ua dhuroftë hire e bekime Hyjnore e ua të plotësoftë dëshirat e mira.
Shën Nikolli lindi në qytetin Patara në rajonin e Liçia në Azinë e vogël (Turqia aktuale) në një familje mjaft të pasur, pastaj do të ishte zgjedhur si Ipeshkëv i Mirës, po në Liçie. Emri Nikolla vjen nga greqishtja që do të thotë fitimtar i popullit. Në të vërtetë për këtë personazh dihet shumë pak.
Tregohet që Shën Nikolli, pasi merr vesh se një burrë i pasur i rënë në varfëri që kishte tre vajza të rritura, dhe i mbërthyer nga nje dëshpërim i madh i varfërisë kishte bërë plan që të shiste trupin e tyre për prostitucion neë mënyrë që të kishin para për ushqim. Shën Nikolli, sapo mori vesh për varfërinë e këtij banori dhe për qëllimin e tij të keq, e vizitoi fshehurazi një natë dhe i hodhi një shumë parash nga dritarja. Me ato para burri beri të mundur martesën e ndershme te vajzave të tij.
Një legjendë tregon që Shën Nikolla ringjalli tre fëmijë që një kasap kishte vrarë e copëtuar për t’u shitur mishin. Për këtë episod Shën Nikolli është i nderuar si mbrojtës i fëmijëve. Teksa bënte bamirësi, Shen Nikolla gjithmonë u përpoq qe ta bënte këtë fshehurazi dhe ta fshihte nga sytë e botes autorin e veprave të tij të mira.
Shën Nikolli, i mbushur me zell për ti shërbyer Hyjit, e sulmoi heretikun Arius me fjalë dhe e goditi atë në fytyrë. Për këtë arsye, atij iu hoq emblema e ipeshkvit dhe u vendos nën kontrollin e rojeve. Por disa prej Etërve të Shenjtë patën të njëjtin vegim, panë Vetë Zotin dhe që ia ktheu Shenjtorit Ungjillin dhe emblemën e ipeshkvit. Etërit e Këshillit ranë dakord se guximi i shenjtorit ishte i pëlqyeshëm nga vetë Hyji dhe ia rikthyen shenjtorit postin që kishte më parë.
Sipas traditave dhe gojëdhënave, Zoti nëpërmjet këtij Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie.
Shën Nikolli vdiq më 6 dhjetor të vitit 343. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shek. VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij filluan të organizoheshin pelegrinazhe. Shumë shkrime ne greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantine-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në jug të Italisë.
Kur Mira ra në pushtimin e osmanëve, me 9 maj të vitin 1087 reliket e Shën Nikollit u transferuan ne qytetin italian te Barit, prej ku prehen edhe sot e kësaj dite.
Shën Nikolli është i njohur edhe jashtë botës së krishterë sepse i ka dhënë origjinë legjendës së Santa Claus (Klaus) ose siç e thërrasim ne shqiptarët Plaku i Vitit të Ri ose Babadimri, por në të vërtetë origjina e plakut që sjell dhurata në fshehtësi është Shën Nikolli.
Përgatiti: Albert Vataj