Nga Albert Vataj
Sytë e qiellt që i kredh pritja, e shpojnë ajrin dhe lëndimi u frushullin me gjethet që kacarriten hapve të shkujdesur të ikjeve. Ty të muros ajo shastisje, ajo magjepsje ëndërrtare si e një Rozafe legjende, dhe në përfytyrime, Helenat homerike që shpalon, i zhbëjnë gjitha Trojat. Ti Penelopë e ëndjes së pritjes, ndoshta një hënë të mëkon një ardhje që fshehin retë dhe e tresin udhët, si fatin e parathënë të një Odiseje.
Vështrimin tënd e qëndis një cohë trishtimi, një dhimbje e përshkon rrezatimin e hyjshëm të këtij hiri që shndrit.
Ti pret.
Ne të gjithë përkundemi në prehrin e ëndshëm të pritjeve, si në një dëshirë që gjithnjë na ngas, si një pëshpërimë që gjithnjë na fut në trazim, si një hukamë që gjithnjë na zjarrmon e na mëkon në lëndim e dëshirim.
Pritja jote, ndoshta nuk i ngjan të gjithë pritjeve, por çdo pritje në ty përngjason, sepse ajo gjithnjë ka sy të ujët që shohin në horizontin që digjet etjet, sepse ajo ngaherë ka një shprehi që dhëmb, një ndjenjë që ashtu pikëllueshëm pret me padurim shiun që t’i vihet nga pas vërshimeve, strehëve vajtuese ku kullosin pritjet.
Syve të tu një pritje e ndrojtur i gufon, një ardhje e qiellit pret t’ia shkruaj ligjërimin e zërit këndues të asaj heshtje që ikja e ka gdhendur. Një ëndërr flakatare i ndez gjitha rrezet e asaj pritje që shigjetojnë sytë e tu dhe një ninull hëne i përgjum ata sy.
Ti je dhënë e gjitha pritjes dhe pritja gjithçka ka marrë nga ty, edhe ato sy, atë vështrim, atë hir, atë engjëllore që është gati t’i blatojë veten çdo ardhje.