Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez. I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare. Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve. Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.
Mbeta i shtangur nga prania jote që kur të pashë për herë të parë. Ti erdhe në studio për të parë pikturat e mia. Sa më shumë të njihja aq më mirë ndjehesha. Më pëlqente mënyra se si arrinim të bisedonim, ëmbëlsia me të cilën ti më nxisje që të flisja për veten time. Më bëje aq pyetje sa nganjëherë ndjehesha keq, por falë shpirtit tënd dhe inteligjencës tënde, arrija të të tregoja gjithçka që ti doje të dije. Mjaft njerëz më quanin tip interesant, sepse jam një njeri ndryshe. Për ato unë jam vetëm një zbavitje, e destinuar për t’u harruar shumë shpejt, sapo t’ju shfaqet dikush tjetër më kurioz se unë. Ndërsa ti arrite të nxirrje nga thellësia e shpirtit tim ndjenjat që aq rrallë unë i ndaja me dikë tjetër. Ishte aq bukur dhe është akoma.
Mbasi u bëmë miq, të kërkova që të martoheshim. Që nga ajo ditë ti fillove të më lëndoje. Dhe vazhdoje ta bëje. Unë vuaja, por sa herë takoheshim (në atë kohë takoheshim dy herë në javë), ti më thoje: «Kahlil, më duket se të kam lënduar të mërkurën e kaluar», ose të premten ose një ditë çfarëdo. «Më fal, nuk doja ta bëja.»
E më pas bëheshe krijesa më e ëmbël e botës, dhe unë mendoja : «Kjo është Meri që dua». Ndërsa ti pak para se të mbaronte takimi, nuk rezistoje dot pa nxjerrë nga goja diçka brutale. Asgjë nga ato që unë mund të thoja apo të bëja, nuk të ndalonte dot. Ti ishe agresive dhe më vrisje. Kthehesha në shtëpi dhe reflektoja:
Nëse e pranoj diellin, të nxehtit, ylberin, duhet të pranoj edhe djegjen, stuhinë e tufanin.
– Unë përpiqesha ta bëja, por e ndjeja që gjërat e rëndësishme brenda meje, po vdisnin pak nga pak. Në zemrën time gjërat tashmë kishin ndryshuar, sepse shpirti im nuk rezistonte më të lëndohej pa fund. Duhet të mbrohesha. Dhe vazhdimisht i përsërisja vetes:
– Një lidhje më intime me këtë grua është e pamundur?
Natyrisht edhe kjo strategji nuk dha asnjë rezultat. Edhe kur unë të rrëfeva se çfarë po më ndodhte. Por që nga ai moment, ti nuk më lëndove më kurrë. I shkruaja të gjitha këto për të të treguar se si i kam përjetuar unë vitet e para me ty. Gjërat më të rëndësishme nuk kanë ndryshuar kurrë: ndjenja, pasioni, gjithçka ka mbetur si atëherë, dhe do të jenë kështu përgjithmonë. Do të të dua përjetësisht, siç të desha shumë kohë para se të takoja për herë të parë. Dhe këtë unë e quaj fat. Asgjë nuk mund të na ndajë. As ti dhe as unë nuk mund ta ndryshojmë më këtë lidhje. Do të doja që ti t’a kujtoje për tërë jetën tënde se je njeriu më i rëndësishëm i botës sime. Se edhe nëse do të martoheshe shtatë herë, me shtatë burra të ndryshëm, zemra ime do të ishte gjithmonë si një herë e një kohë.
Vetëm sot arrij ta kuptoj pse martesa jonë ishte e pamundur. Ajo do të na kishte shkatërruar të dyve. Ne e jetuam jetën së bashku në një mënyrë krejt tjetër: prandaj dhe shpëtuam. Ti më ke ndihmuar që të zbuloj veten time dhe punën time. Edhe unë mendoj që kam bërë të njëjtën gjë me ty, dhe falënderoj Qiellin që jemi së bashku.
23 qershor 1909
E dashura ime Meri.
Sapo kam humbur babin tim. Ai vdiq në të njëjtën shtëpi të vjetër ku u lind gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më parë. Miqtë e tij më kanë shkruar se para se të mbyllte sytë përgjithmonë, ai më ka dhënë bekimin e tij. Jam i sigurt që babai im pushon i qetë diku afër Zotit. Por gjithsesi nuk arrij ta largoj trishtimin dhe dhimbjen që më shkakton mungesa e tij. Mbi ballin tim ndjej dorën e Vdekjes dhe mendoj për nënën time, për motrën më të re dhe për vëllain tim: nuk është më asnjëri prej tyre për të më dhuruar një buzëqeshje nën dritën e diellit. Ku janë?
A munden ato sikurse ne ta kujtojnë të kaluarën?
Pyetje kot. Unë e di shumë mirë se ato jetojnë diku në qiell, shumë më afër Zotit se sa ne. Shtatë qiejt që ndajnë njeriu nga Shenjti, nuk i mbulojnë më sytë e tyre, dhe kështu të dashurit e mi nuk luajnë më kukamshefti me të Vërtetën dhe Dritën. Sidoqoftë unë vuaj akoma dhe ndjej aq nostalgji. Ti je ngushëllimi im i vetëm, edhe pse gjendesh në anën tjetër të Botës, me pushime në Havai. Ditët e tua iu korrespondojnë netëve të Parisit. E megjithatë kur ec, ti je pranë meje, kur punoj, më flet dhe kur ha e ndjehem vetëm, ja ku e ndjej prezencën tënde. Ka momente që mendoj se mes njerëzve që duhen nuk ekzistojnë hapësira.
7 prill 1912
Sot zemra ime është e qetë dhe ankthet e zakonshme ia kanë lënë vendin paqes dhe gëzimit: kam parë Jezusin në ëndërr. Po ajo fytyrë bujare, sytë e mëdhenj që duket sikur donin të digjnin gjithçka shihnin, këmbët e plurosura, sandalet e konsumuara. Është prezenca e fortë e shpirtit të tij që dominon me paqe të gjithë ato që e përballojnë jetën me kokën lart. Oh Meri e dashur, pse nuk mundem ta ëndërroj Jezusin për natë?
Përse nuk arrij ta shoh jetën time me gjysmën e qetësisë që ai arriti të më transmetonte nëpër ëndrra?
Pse nuk arrij të gjej askënd mbi këtë Tokë që të jetë aq i thjeshtë dhe i dashur si Ai?
10 Mars 1912
Meri e dashura ime, në emër të Zotit, si mund të mendosh që po më jep më shumë dhimbje sesa gëzim – Përse mendon kështu- Askush nuk e di tamam se cili është kufiri që ndan dhimbjen nga kënaqësia. Shpesh mendoj se është e pamundur t’i ndash. Meri, ti më jep aq shumë gëzim sa nganjëherë më bën të vuaj. Dhe më provokon aq shumë dhimbje sa më bën të buzëqesh.
25 Dhjetor 1912
Nuk mund t’i planifikoj orët e mia të gjumit, të punës apo të ushtrimeve, Meri. Shpesh dëgjojmë të themi se të gjithë janë në gjendje të zgjohen, të pijnë kafe dhe të shkojnë në krevat në orën e caktuar, çdo ditë. Dhe ndjehen krenarë për këtë disiplinë. Për mua këto njerëz kufizohen duke jetuar të Njëjtën Ditë. Unë kam nevojë t’i lë që të ndodhin gjërat që duhet të ndodhin: është e nevojshme që të jemi të hapur ndaj të papriturave. Unë jam i ndryshëm çdo ditë që kalon dhe kur të shkoj tetëdhjetë vjeç, shpresoj akoma që të mund të provoj këto ndryshime të brendshme dhe të jashtme. Nëse do të arrij në atë moshë, nuk do të ulem të mendoj për gjërat që kam bërë, sepse dua ta përdor çdo sekondë të jetës që më ka mbetur. Nuk mund të planifikoj asgjë të rëndësishme, vetëm gjëra të vogla. Ai që planifikon gjëra të rëndësishme, transformon gjithçka në vogëlsira.
3 Prill 1914
Kam kaluar një periudhë të gjatë qetësie e dashura ime Meri. Punoj, flej shumë dhe po e ndjej se kaq shumë punë e gjumë ma kanë hequr dëshirën për të biseduar. Sa më shumë kalojnë vitet Meri, eremiti që fle brenda meje, zgjohet me një forcë gjithnjë e më të madhe. Jeta është vizioni drejt Pafundësisë, i gjithë mundësive dhe realizimeve që dashuria sjell. Ndërsa njerëzit duken kaq të vegjël përballë kësaj të vërtete kaq të thjeshtë. Dhe kjo është ajo që më largon prej tyre. Jeta është bujare, njeriu është meskin. Duket sikur ka një hapësirë mes jetës dhe qënies njerëzore. Dhe për ta kaluar këtë hapësirë, është e nevojshme që të kihet kurajo për ta përballuar shpirtin tonë dhe për të ndryshuar drejtim. Por a ia vlen- Këtu në New York kam takuar shumë njerëz normalë, të edukuar, xhentilë. Njerëz që fluturojnë mes Qiellit dhe Ferrit, mes Gjithçkaje dhe Asgjëje. E megjithatë duket sikur nuk e kuptojnë dhe sillen në mënyrë konvencionale, duke buzëqeshur sapo takojnë dikë.
20 qershor 1914
Do të dëshiroja që të të tregoja gjënë më të rëndësishme që kam pikturuar në jetën time Meri: një portret të nënës time, i riprodhuar vetëm nga kujtesa. Është një portret i shpirtit të saj, pa asnjë shtesë estetike apo teknike. Ajo shfaqet saktësisht në formën që unë do të dëshiroja që të shfaqej. Ah, shpirti i saj është aty me madhështinë e saj modeste. Arrij ta shoh nënën time vetëm kur mbyll sytë: në fakt piktura është vetëm një shtesë e vizionit, siç është muzika për të dëgjuarit. Kur krijoj diçka, dëshiroj që dikush të mendojë:
Ekzistojnë botë të tjera, të heshtura, vetmitare, të largëta: aty ku jeta na shfaqet me gjithë intensitetin e saj. Të shkojmë atje.-
20 Qershor 1914
Besoj se refuzimi yt për të patur një kontakt fizik me mua është i gabuar Meri. Njeriu në pasionin e tij, udhëhiqet nga tre gjëra: logjika, zemra dhe seksi. Secila nga këto gjëra na shoqëron për një periudhë të përcaktuar: logjika dhe zemra më kanë shoqëruar për shumë vite. Ndërsa tani më shfaqet dëshira seksuale. Ti më thua: – I dashur Kahlil, ta lemë të nesërmen për nesër- . Dhe atëherë unë ndjehem i vogël dhe i pafajshëm. Ti i trajton gjërat më të rëndësishme sikur të ishin një hiç. Unë të dua. Të dëshiroj më shumë se ç’më dëshiron ti mua. Sa herë që takohemi, ti mbush gjithë hapësirën rreth meje. Unë të dua dhe e di se kontakti fizik ka momentin e vet që me pas zhduket. Nuk dua që asgjë e madhe mes nesh të zhduket, sepse nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë më pas. Marrëdhënia jonë është mjaft e fortë, por nuk nuk e di se deri ku mund t’i shtyjmë kufijtë që vetë ne ai vëmë dashurisë. E prapë unë mbetem në duart e tua. Një burrë mund të rrijë në duart e dikujt vetëm kur dashuria është aq e madhe sa rezultati i kësaj burgosjeje të jetë veçse një liri totale. Unë të dua me gjithë çka ekziston tek unë. Majat e flokëve të mia, biles edhe thonjtë e mi- .gjithçka përgjërohet nga dashuria për ty Meri.
8 Korriik 1914
Ti ke dhuntinë e të kuptuarit e dashur ime Meri. Ti je si Shpirti i Madh, që i afrohet qënies njerëzore jo vetëm për të ndarë me të ditët e tua, por edhe për t’i bërë ato më të gjalla. Kur të kam njohur, mrekullia e dhuntisë tënde, ka ndryshuar tërësisht ditët dhe netët e mia. Gjithmonë kam menduar se kur dikush të kupton, ai të bën një skllav të tij, sepse ne pranojmë gjithçka vetëm që të na kuptojnë. Ndërsa ti më ke sjellë paqen dhe lirinë më të thellë që kam provuar ndonjëherë. Në dy orët e vizitës tënde, ti ke zbuluar një pikë të zezë në zemrën time: ma nxorre jashtë gjoksit, ma preke, dhe ajo u zhduk përgjithmonë, duke thyer zinxhirët që më burgosnin. Kam kaluar një periudhë qetësie dhe meditimi dhe kam zbuluar mjaft gjëra të reja brenda shpirtit tim. Do të doja t’ju jepja atyre një formë, por duart e mia nuk arrijnë të ndjekin imagjinatën time. Jam aq i kënaqur Meri që ne të dy jemi të aftë që ta lëmë këtë Botë mbas krahëve, për të kërkuar një botë tjetër, autentike, ku mund të jetohet duke qenë ato që gjithmonë kemi dëshiruar që të jemi. Zoti të bekoftë!
28 Janar 1915
Kam fjetur shumë këto tre javë. Kam menduar për një mijë gjëra që më duhet të bëj këtë vit: kam frikë e dashura ime Meri se nuk do të arrij kurrë të realizoj plotësisht ëndrrat e mia. Ndaloj gjithmonë para kohe. Arrij vetëm hijen e asaj që dëshiroj. Zakonisht më pëlqente kur merrja elozhe nga njerëzit për punën time. Ndërsa tani kjo gjë më trishton, sepse çdo kompliment më bën të mendoj për ato çfarë nuk kam bërë, dhe do të doja që të më vinin në dukje ato që nuk kam arritur akoma të bëj. E di që kjo do të të duket si e çuditshme, e atëherë- Mbrëmë përsërisja me vete: – Ndërgjegja është një bimë në zemrën e dimrit e cila nuk mendon për verën që kaloi, por për pranverën që do të vijë. Bima nuk mendon për ditët që tashmë ka kaluar, por për ato që do të vijnë. Nëse bimët janë të sigurta që pranvera do të vijë, përse ne, qëniet njerëzore nuk besojmë që një ditë do të jemi në gjendje të arrijmë dhe të fitojmë gjithçka që duam- –