Bakteriet rezistente ndaj ilaçeve po shfaqen në pothuajse çdo spital. Pas dekadave të përdorimit intensivë të antibiotikëve, disa lloj bakteriesh u ndryshuan duke u bërë rezistente ndaj barnave të përdorura për t’i luftuar. Të paktën një bakterie ka krijuar rezistencë ndaj të gjitha llojeve të antibiotikëve. Shkencëtarët në Britani dhe pjesë të tjera të botës janë duke u përpjekur për të zhvilluar metoda për mbrojtjen e pacientëve nga infeksionet që janë rezistente ndaj ilaçeve.
Në një spital në Andover të Anglisë, teknikët po izolojnë një dhomë për ta pastruar me avull peroksid hidrogjeni.
Por kjo substancë e zakonshme pastrimi mund të mos jetë e efektshme ndaj të gjitha bakterieve të dëmshme, që janë gjithmonë prezente në spitale.
Rreziku vjen nga të ashtuquajturat “biofilme” koloni komplekse mikro-organizmash që përdorin metota të sofistikuara për të zhvilluar rezistencë ndaj agjentëve të zakonshëm të pastrimit.
“Këto bakterie bashkohen dhe mund të ndajnë informacion gjenetik. Kështu rezistenca mund të kalohet në mes specieve në këtë biofilm. Potencialisht këto grupe bakteriesh bëhen më të forta sa më larmishme të jenë,” thotë mikrobiologu Fergus Watson.
Studiuesit thonë se jo vetëm bakteriet por edhe viruset kanë krijuar rezistencë ndaj barnave. Shkaku kryesor është mbipërdorimi i antibiotikëve, veçanërisht i atyre me spektër të gjerë.
“Bakteriet po krijojnë rezistencë pasi po sulmohen nga këta antibiotikë dhe bakteriet që zhvillojnë mekanizmin e rezistencës mbijetojnë. Biofilmet mund të jenë aty ku ato shkëmbejnë këtë rezistencë dhe më pas e ndajnë atë me bakteriet e tjera,” thotë specialisti Fergus Watson.
Në vitin 2014, Organizata Botërore e Shëndetësisë nxorri një paralajmërim se “pa veprime urgjente të koordinuara, bota po shkon drejt një periudhe post-antibiotikëve, në të cilën infeksione të zakonshme dhe lëndime të lehta që janë trajtuar për dekada të tëra, mund të shkaktojnë vdekje.”
Në fillim të vitit, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi rastin e parë të një infeksioni që nuk luftohej me asnjë lloj antibiotiku.
Zyrtarët e shëndetësisë janë të shqetësuar se një shpërthim më i gjerë i infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve mund të shkaktoj vdekjen e deri në 80 mijë njerëzve në mbarë botën.
VOA