Ndoshta është thjeshtë një përkim, një ngjashmëri, një subjekt që rrok një profil dhe ndahet njëri me tjetrin me mijëra vite në mes. "Mendimtari" i francezit Auguste Rodine dhe "mendimtari i kohës së bronxit, gjetur nga një ekspeditë kërkimore arkeologjike në Tel-Aviv, ngjajnë por edhe ndahen njëri nga tjetri në gjithë gamën e elementeve përbërës. "Mendimtari" ka udhëtuar në kohë duke sjellë të paprekur peshën shprehëse dhe forcën depërtuese që kumton.
Një enë me figurinën unike që paraqet një njeri me kapele, i ulur me mjekër të mbështetur në dorë, i thelluar në mendime, është gjetur në Izrael, trajton në një material të tijin prestigjozia "Reuters".
Autoritetet për antikitete kanë njoftuar se ena prej 18 centimetrash është gërmuar në Jehud, në lindje të Tel-Avivit, në një varrezë, bashkë me gjësende të tjera si thika, maje shigjetash e koka sëpatash.
“Kjo enë unike qeramike është e para e këtij lloji që kemi gjetur dhe në kontekstin e lokacionit mund të na dëshmojë se aty është varrosur një personalitet fort i rëndësishëm”, ka thënë Gilad Itah, drejtor për antikitete në Izrael.
Kjo gjetje i takon kohës se bronzit të mesëm, por nuk ka të dhëna se kush e ka punuar këtë vepër e as kujt i dedikohej ashtu siç nuk ka të dhëna për personin që është varrosur në varrin ku u gjet artefakti.
Itah ka thënë se as gjinia e personit në figurinë nuk është fort e qartë, por, sipas të gjitha gjasave, ai duhet të jetë mashkull.
“Shkalla e precizitetit dhe trajtimi i detajeve gjatë realizimit të kësaj skulpture gati 4 mijë vjet të vjetër, është impresionuese”, ka thënë Itah.
Fytyra, duart dhe këmbët e personit në figurinë janë vendosur rreth vjegës së enës asisoj që të krijojnë formën e njeriut, trajton Koha.