Njerëzit me gishtin e madh më të vogël, janë të shkëlqyeshëm në “multitasking”, gishti i dytë më i gjatë zbulon liderin, të tretët lidhen me energji dhe vullnet, ndërsa i katërti më i gjatë me njeriun familjar stabil.
Leximi i shputave të këmbës është pjesë e traditës kineze dhe indiane tashmë 5 000 vjet. Rrjedh nga besimi që këmbët janë si pasqyrë e pjesës tjetër të trupit. Gungëzat, kallot ose dhimbjet në shputa në fakt paralajmërojnë për probleme në pjesët tjera të trupit.
Kështu për shembull harqet e shputës janë të lidhura me boshtin kurrizor, ndërsa dhimbja në fakt tregon në problemet me boshtin kurrizor.
Sipas këtij besimi, mendja dhe trupi janë të lidhura në mënyrë të pandashme, ndërsa sëmundjet fizike janë në fakt produkt i personalitetit. Kështu njerëzit të cilët kanë shputa të lëshuara në fakt janë përpjekur për së tepërmi për të qenë të fortë, për ç’arsye kjo është manifestuar si problem në këmbë.
“Këmbët tregojnë gjithçka për ne, prej problemeve me sistemin e tretjes e deri te gjendja e lidhjes sonë të dashurisë. Ato mund të tregojnë nëse jeni më të egër dhe të prirë për të rrezikuar, apo vdisni për stabilitet dhe harmoni në jetë”, thekson refleksologjia, Jane Sheehan.
Gishti i madh i këmbës
Nëse gishti juaj është shumë më i gjatë se gishtat tjerë, jeni shumë të zgjuar dhe jashtëzakonisht kreativ. Jeni përplot ide, ndërsa problemet i zgjidhni në mënyra të pazakonshme. Kurrë nuk ndaleni dhe gjërat i shikoni nga perspektiva të ndryshme. Por, ndonjëherë keni probleme me koncentrim dhe veproni para se të mendoni mirë për projektet, thekson Sheehan.
Gishti i madh më i vogël i karakterizon njerëzit të cilët janë të shkëlqyeshëm në kryerjen e shumë gjërave përnjëherë. Janë jashtëzakonisht efikas, dhe përdorin sharmin për t’i bërë të tjerët që të duan idenë e tyre.
Gishti i dytë
Nëse gishti i dytë i këmbës është më i gjatë, ju jeni lider i mirë. Jeni shumë dinamik dhe të gjindshëm, ndërsa ndonjëherë aq shumë insistoni në mënyrën tuaj të punës saqë njerëzit ju përjetojnë si të vështirë dhe të gjithëdijshëm, pohon Sheehan. Sipas folklorit indian, nënat nuk i kanë lejuar bijtë e tyre të martohen me vajzat që kanë gishtin e dytë të këmbës pak më të gjatë, sepse vajzat e tilla pëlqejnë të urdhërojnë për së tepërmi. Njerëzit me gishtin e dytë më të vogël janë të lumtur me gjendjen ekzistuese dhe nuk do të mundohen të ndryshojnë ndonjë gjë.
Gishti i tretë
Kinezët gishtin e tretë e lidhin me energjinë, instinktet dhe vullnetin. Nëse gishti është relativisht i gjatë, kjo do të thotë që njeriu është jashtëzakonisht energjik dhe i gjindshëm, veçanërisht në vendin e punës. Sa më i gjatë që është ky gisht i këmbës, ka më shumë mundësi që do të arrini në karrierë, pohon Sheehan. Këta njerëz janë perfeksionistë, por ndonjëherë aq shumë bllokohen në punë, saqë harrojnë familjen, miqtë dhe argëtimin. Njerëzit me gisht më të shkurtër dinë të shijojnë në jetë. Pëlqejnë të relaksohen dhe nuk shqetësohen lehtë.
Gishti i katërt
Gishti i katërt i gjatë dhe i drejtë do të thotë që jeni person për të cilin familja ka rëndësi thelbësore në jetë. Pakënaqësinë me personat e dashur e tregon gishti i katërt i lakuar. Ju shumë mirë dini t’i dëgjoni të tjerët dhe jeni kujdestar i shkëlqyeshëm, por ju prekin shumë fatkeqësitë që ndodhin në familje. Përveç kësaj, ju prekin edhe problemet e të tjerëve, bën të ditur Sheehan.
Kinezët thonë që jeni shpirt i butë dhe i ndjeshëm,ndërsa në shëndetin tuaj mund të ndikojë çfarëdo problemi në familje. Duheni të relaksoheni dhe të mësoni që të mos e mundoni veten me probleme të huaja. Gishti i shkurtër do të thotë që familja dhe lidhjet për ju nuk janë aq të rëndësishme, sepse jeni të fokusuar në diçka tjetër, pohon Sheehan.
Gishti i vogël
Nëse gishtin e vogël të këmbës e keni më të shkurtër, atëherë jeni fëmijëror, çdo gjë ju mërzitet shpejt, ikni nga përgjegjësitë dhe vazhdimisht kërkoni argëtim, zbulon Sheehan. Dhe nëse mund ta lëvizni me gishtin e vogël të këmbës ndaras nga gishti i katërt, jeni impulsiv, të prirë për aventura dhe sharmant. Nëse nuk mundeni, do të thotë që pëlqeni rutinën, parashikueshmërinë dhe besnikërinë.
Femrave që kërkojnë argëtim dhe net të trenta u nevojitet mashkulli i cili mund të lëvizë gishtin e vogël, por nëse kërkojnë bashkëshort atëherë ata që nuk mund të lëvizin gishtin e vogël janë ideal për këtë rol, thekson Sheehan.
Përshtypja e përgjithshme
Nëse secili gisht është pak më i gjatë se i pari duke krijuar një linjë të rregullt, kjo tregon personat metodikë, precizë dhe shumë praktikë. Ata janë të interesuar për detaje dhe gjithmonë e mbarojnë atë që kanë nisur. Janë miq dhe punëtorë të shkëlqyeshëm.
Forma e shputës së këmbës
Njerëzit me shputë të gjerë kanë shpirt jo të qetë dhe gjithmonë janë në kërkim të argëtimit. Janë më të lumtur derisa bëjnë diçka. Kinezët njerëzit e tillë i konsiderojnë stabil me të dy këmbët në tokë. Nëse keni shputa të gjata dhe të ngushta, atëherë me siguri pëlqeni që t’ju përkëdhelin, ndërsa dikush tjetër të kryejë punën tuaj, pohon Sheehan. Keni ndjenjë për të bukurën dhe pëlqeni që t’ju rrethojnë gjërat e bukura. Për kinezët shputat e tilla janë personifikim i princeshës, e cila mezi prek tokën me këmbë.
Tipat e shputave
Njerëzit me harkun e lartë të shputave janë të pavarur dhe pëlqejnë ta kalojnë kohën e lirë vetëm. Sipas traditës kineze, njerëzit e tillë më së shpeshti janë të karakterizuar si të ngurtë. Nëse keni hark të rrafshuar respektivisht shputa të lëshuara, ju jeni argëtues dhe të tjerët dëshirojnë të jenë në shoqërinë tuaj, thekson Sheehan.