Ne shekullin e kaluar dhe ne dhjetevjetet e pare te ketij shekulli shqiptaret jane konsideruar pergjithesisht pasardhesit e ilireve dhe gjuha shqipe eshte konsideruar vazhdimi i njerit nga dialektet e vjetra ilire. Kjo teori, e mbrojtur nga nje varg historianesh e gjuhetaresh, me formulimin me siper sidomos nga Gustav Majeri (1), aty nga fillimi i ketij shekulli u zevendesua te nje pjese e mire e dijetareve me tezen e dale kryesisht nga fusha e gjuhesise, sipas se ciles shqiptaret jane sterniper trakasish te ardhur prej visesh me lindore ne brigjet e Adriatikut, dhe shqipja eshte bija e trakishtes, ose edhe nje “dialekt trak i ilirizuar”(2). Ka pasur edhe nje sinteze te te dy teorive, e perfaqesuar me Norbert Joklin, sipas se ciles shqipja eshte ngushtesisht e afer dhe me ilirishten dhe me trakishten. Kete teori e kane ndjekur mjaft dijetare.
Ne kete fushe kerkimesh sot zoteron shumekund nje skepticizem shpeshhere i teperuar dhe diku edhe nje agnosticizem. Kane dale edhe teza te reja, te perftuara per nje pjese te mire nga prirja per te gjetur medoemos rruge te reja, per te thene diçka te re, e per te vertetuar ate qe eshte dashur nga ana e tyre te vertetohet. Karakteristika kryesore e ketyre tezave ne pune te metodes eshte kjo, qe perfaqesonjesit e tyre shpesh here nisen çuditerisht nga nje tabula rasa, nuk marrin parasysh rezultatet e punes kerkimore te meparme dhe aq me pak mbajne qendrim ndaj tyre. Perveç kesaj disa nga keta dijetare shquhen per nje qendrim hiperkritik ndaj tezave te te tjereve bashkuar me nje besim te teperuar ndaj mendimeve te veta. Duhet pranuar qe si ne shume fusha te dijes, edhe ne ate te kerkimeve gjuhesore, e aty edhe ne studimin e historise se Shqiperise, ka progres dhe regrese, ka perparime e ka nje shkuarje mbrapa.
Çeshtja se çfare marredhenjesh ka midis shqipes dhe ilirishtes, a ka nje aferi (parenté) midis ketyre dy gjuheve, dhe, ne qofte se ka, a kemi aty nje raport filiacioni (birërie) apo jo, kjo çeshtje komplekse perben nje problem shkencor. Per te krahasuar dy madhesi duhet t’i njohim. Ne rasen tone konkreten ne dime vetem njeren nga keto, shqipen. Ilirishten e njohim pak a aspak; sidomos jemi krejt ne erresire ne pune te struktures se saj gramatikore, dhe mezi po arrijme ta rindertojme gjer diku ate gjuhe me anen e therrimeve qe mund te thuhet se na kane mbetur prej saj. Perveç kesaj, distanca kohesore qe nga ekzistenca e nga zhdukja e dialekteve ilire gjer te dokumentimi i pare i shqipes si gjuhe me vete eshte bukur e madhe.
Persa i perket konceptit etnografik “iliret” dhe lidhur me te edhe koncepti gjuhesor “ilirishtja” do thene se keto koncepte kane pesuar ndryshime gjate ketij brezi te fundit. Ndersa nje brez me pare ky koncept ishte zgjeruar me teperi ne pikepamje te shtrirjes gjeografike, aq sa dha shkas dhe per lindjen e termit “panilirizem”(3), si reaksion ndaj kesaj rryme u kalua ne skajin tjeter, erdhi e u zhvillua nje koncept i ri i nje skepticizmi pertej mases. Kjo ka pasur nje pasoje qe tani ka ardhur koha te shtrohet perseri ne tryeze çeshtja se ç’duhet te kuptohet me ilire dhe ilirishte. Sidomos ka zene rrenje nje atomizem i theksuar si metode pune ne lemin e studimeve ilire, mendimi se nuk ka pasur nje popull te madh e te vetem te ilireve ne Evropen antike. Prandaj shtrohet pyetja: a njesi a shumesi etnike? A nje popull ilir me fise te ndryshme, nje gjuhe ilire me dialektet e saj, apo popuj te ndryshem qe mbajne kete emer me më shume a më pak te drejte? Burimet antike nuk na japin nje pergjigje te prere ne kete pune, po nuk mund te lihet pa thene qe edhe trajtimi kritik i tyre i ka lene vend nje interpretimi shume here arbitrar e te njeanshem.
Ne kete çeshtje nuk mund te shkohet perpara pa i kushtuar vemendjen e duhur terminologjise etnografike ne boten e vjeter. Do pasur parasysh cilat kane qene kriteret e emertimit te popujve, te fiseve e te kombesive te popujt e vjeter vete, e te gjeografet, historianet, udhetaret, politikanet, ushtaraket etj. te grekeve e te romakeve. Ne kete fushe ka sot mendime shpeshhere te tryezes se dijetarit e larg realitetit historik e shoqeror. Tendenca per diferencime etnike ka shkuar ketu te disa dijetare me larg se ne gjykimin p.sh. te rrethanave trake, italike etj. Asnjeri nuk mund te thote qe me emrin “ilir” te mos jene perfshire popuj te ndryshem e me gjuhe te ndryshme. Vetem nje gje mbetet e sigurte ketu: nje shoshitje objektive e tezave qe perpiqen te vertetojne nje shumesi popujsh ne treven ilire te kohes antike, tregon se ato teza nuk arrijne ne shkallen e nje argumenti shkencor. Per te dhene vetem nje shembëll, teza qe ne zone ilire te kete pasur treva me sisteme te ndryshme ne emra personash, “provinca onomastike” me “vatra” e me “krahina rrezatimesh”, nje fushe ku jane dhene me fort gjykime me nje karakter te perkohshem edhe ku ende nuk eshte dhene fjala e fundit, kjo teze per ne mbetet problematike. Por edhe sikur te vertetohej drejtesia e saj, kjo nuk do te perbente aspak nje deshmi se kemi te bejme aty me popuj te ndryshem. Mjafton te permendim ne kete mes faktin qe ne nje njesi etnike e gjuhesore aq te percaktuar e te kufizuar si nga numri si nga koha, dhe te çfaqur ne driten e plote te historise siç eshte popullsia ostrogote ne shek. IV te eres sone, ekzistojne prane e prane sisteme emertimi te ndryshme ne pune te emrave vetjake. Nje gje e tille vihet re dhe ne territoret e gjuheve te sotme te Evopes perbrenda nje gjuhe te vetme. Nderkaq antroponima ilire nuk mund te thuhet se eshte me e shumellojshme se antroponima kelte, gjermanike etj. Perkundrazi nje veshtrim objektiv e pa parakuptime (prekoncepte) i kesaj lende ve re karakterin specifik te ketyre emrave per territorin ilir, ekzistencene disa tipareve te perbashketa, konstaton elementet e nje njesie perbrenda ndryshmeve territoriale, hyjne ato emra te tille si Andes ne Burnum (Kroaci), Andius ne Prizren, Bardius Bardyllis, Bato (Dardani, Dalmaci, Panoni etj.) me Batena Batuna etj.; Bersaniues Bersant, Bilisa Bilena, Boicus, Buzo, Busio, Dasius Dazas Dasant, Epicadus, Gentius Grabeos Graboi, Lavius, Mytilius Mutelios, Peuk – Peukestis Peucetii, Pinnes, Plateor Plaetorius, Plator, Raecius, Surus Sura, Sutta Suttis, Tata Tataia, Teuta me Teutaia, Teutana Trieteuta etj., Turus Turelius Turelia, Verzi e ndonje tjeter. Rrethana qe ne keto emra merr pjese dhe Shqiperia antike, e pertej detit dhe popullsia mesapeve e japigeve ne Italine Jugore, na duke me rendesi per te gjykuar drejt kete sistem emrash ne pikepamjne historike e gjuhesore. Deshmitare me te forte ne punen e caktimit te perkatesise etnike jane per ne emrat e viseve, sepse keto, sa kohe qe formohen me lende vendi, nuk i shtrohen ndikimit te importimit nga jashte qe pesojne emrat e personave. Edhe ketu nuk mungon lokalizimi ne territorin ilir dhe perhapja ne krahina mjaft te largeta te ketij territori. Khs. Der te tjera Aleta, Amantia Amantini, Arb – ne Arba Arbanon Arbon Arbatias, Bant Brendesion, Bul – ne Bulinoi Bulliones Bulentum, Dalm – Delm – ne Dalmion Dalmate Delmenium, Gen – ne Genusus Genysios, Lam – ne Lamatis Lametus, Mal – ne Dimallum Malontun Maleventum, Malontina, Met – ne Metulon Meturbarbis, Parth – ne Parthini Parthos, Sal – ne Salona Salluntum Sallentini, Skard – ne Skardon Skardona, Tar – ne Tara Taras Tarentum, Terg – trag – ne Tergeste Opitergium Tergolape Tragarium, ulk – ne Ulkion Ulcirus Ulcisia castra, Ulkaia hele etj. Si kudo ne arsyetimet logjike, edhe ne çeshtjen a popuj ilire apo fise (popullsi) te nje etnosi ilir, ka vlere ligja qe gjykimi jepet ne baze te krahasimit. Rrethanat ilire gjykohen me drejte kur te veshtrohen ne lidhje me menyren si veshtrohen rrethanat e popujve te tjere te Evropes antike. Dhe pyetja aty shtrohet jo vetem per kriteret pas te cilave emrtoheshin popujt e vjeter, po edhe per ato me te cilat i dallonin njerin nga tjetri. Aty mbase me shpesh se gjuha merreshin parasysh disa tipare etnografike te tjera, si vetite e karakterit, veshja e frizura, menyra e jeteses dhe e luftes, besimi e ndonje element tjeter.
Ne keto kushte edhe pyetja e shpeshte e disa dijetareve a kemi te bejme te Iliria e iliret me nje koncept etnik apo gjeografik, kjo pyetje shtrohet barabar edhe per shume te tjere popuj te Evropes se periodes antike. Keshtu kjo çeshtje ne pikepamje metodologjike humb mjaft nga rendesia qe i jepet. Te keta popuj duan pare entitete gjeografike dhe etnografike, duke mbizoteruar here njeri koncept, here tjetri ne rrethanat e ndryshme te zhvillimit historik epolitik te tyre. Ne kete menyre edhe te vënët e kufive te prere midis Ilirise si koncept etnogjeografik e si koncept politik-administrativ, pra si dy koncepte qenësisht te ndryshme, edhe kjo eshte mjaft larg nga realiteti historik, ashtu si mund te vihet re per epokat e ndryshme te historise politike. Caktimi i kufijve administrative ne nje province te madhe te nje perandorie behet zakonisht permbi bazen e njesive territoriale-etnike dhe perfshirja e ndonje krahine aloglote ne keto nuk ka cenuar ndonjehere karakterin e njesishem te ketyre. Keshtu ne caktimin e provinces Illyricium, te romaket nuk kane zoteruar kritere shume te ndryshme nga ato qe jane zbatuar ne caktimin e provincave te tjera, si Hispania, Gallia, Germania, Thracia. Ashtu ka ngjare dhe me emertime te mepastajme, si Polonia ne mesjeten e vone, Arnavutluk ne Perandorine Osmane etj.
Ne lidhje me keto do pasur parasysh se tjeter gje do kuptuar me konceptimin dhe emrin “ilirë” e me “ilirishte” te shek. VI p.e.s. e tjeter gje me “ilirë” e “ilirishte” p.sh. te epokes se perandorise romake te shek. II e III te e.s. Khs. p.sh. gjermanet e kohes se Tacitit dhe gjermanet e kohes se shtektimit te popujve. Ky eshte zhvillimi normal ne historine e popujve e te gjuheve, zhvillim qe e ndeshim te gjithe popujt e moçem te Evropes, me gjithe ndryshimet qe vihen re ne procesin e formimit te tyre. Mospermendja e ilireve ne burimet egjiptiane, hetite e mikene edhe ne epet homerike, shfaqja e dardaneve a e peoneve ne keto te fundit, dhe dalja me vone e ilireve te Herodoti e te Pseudoskilaksi, keto jane indice qe deshmojne per etapat e ndryshme te formimit te nje populli. Prapa ketyre fshihen inkursione, shtektime e shperngulje fisesh e popullsish, perzierje e shkrirje etnike, integrim me ane asimilimesh, luftime per troje e per toke buke, perpjekje per hegjemoni politike e ushtarake, ndikime kulturore, procese divergjimi e konvergjimi, shkeputjesh e bashkimesh etnike, perhapja e nje emri etnik permbi te tjeret per arsye te pozites gjeografike e te nje mbizoterimi politik-shoqeror, lindja e vetedijes se nje burimi te perbashket. Keshtu, per te dhene ndonje shembell, ne burimet qe permendin separi fiset e ilireve, nuk zihen ngoje ardianet, te cilet luajten nje rol ne historine e mepastajme; autariatet permenden ne perioda te ndryshme ne krahina te largeta njera nga tjetra, gje qe flet per nje shtegtim e nje shpernguljeje te tyre. Edhe te fqinjet jugore te ilireve ne Gadishullin Ballkanik, te greket, me pare dalin ne skene te historise popullsi ose fise te veçanta, si akeasit, danaët, jonasit, pastaj shfaqet e pergjithesohet emri i heleneve dhe ai i grekeve, graes graikoi, lat. Graeci. Ndryshime te tilla emrash nuk mund te sherbejne si argument per te menduar se kemi te bejme me popuj te ndryshem.
Problemi i raportit te shqipes ndaj ilirshtes eshte nje problem historik e gjuhesor. Prandaj dhe rruget e mjetet per t’ju afruar zgjidhjes shkencore te tij nuk mund te jene vetem gjuhesore, ato duan rrokur ne teresine komplekse te tyre. Aty ekzistojne disa kritere, te cilat duan zbatuar ne kete fushe kerkimesh. Se pari eshte kriteri gjeografik-territorial, rrethana qe populli shqiptar banon ne nje treve qe bente pjese ne vendbanimet e popullsive te ilireve jugore. Se dyti eshte fakti historik qe ne asnje nga burimet historike te mevona nuk flitet per ndonje ardhje te shqiptareve nga vise te tjera ne atdheun e tyre te sotmin: heshtje qe do te ishte e vetme dhe paradoksale, po te kemi parasysh afersine e pandermjeme te Shqiperise me boten romake e romane e greke-bizantine. Per ne eshte deshmi e nje metode shkencore te padrejte kur shumica e dijetareve te sotem problemit te burimit te popullit shqiptar e gjuhes se tij i afrohen vetem me mjete linguistike dhe lene pas dore kriteret gjeografike-historike te shtruara prej J. Tunmanit sot gati dy shekuj me pare. Ketyre vjen e u shtohet se treti kjo rrethane qe ne disa stacione prehistorike te Shqiperise vihet re nje vazhdimesi kulture, e cila me mjaft gjase deshmon per nje vazhdimesi popullsie(4), dhe ne çdo rase perforcon te dhenat territoriale e historike.
Duke kaluar tani te deshmite gjuhesore te krahasimit, aty ne shohim dy rruge per te hetuar çeshtjen e lidhjeve historike iliro-shqiptare. Njera niset nga te dhenat e shqipes, tjetra nga te dhenat e pakta e shume here te pasigurta te ilirishtes.
Rruga e pare paraqitet me e lehte, dhe shkencerisht me e mbare, meqe niset nga nje madhesi qe dihet, pra merr shkas nga e njohura per te kerkuar te panjohuren. Ketu detyra e pare na duket se eshte zoterimi praktik dhe shkencor i gjuhes shqipe. Kjo gje sjell me vete pasojen qe ata qe merren me keto probleme pa permbushur kushtin e mesiperm, nevojisht notojne ne uje te ceket, ngaqe nuk u kushtojne vemendjen e duhur ligjeve te brendshme te kesaj gjuhe.
Pamja e pergjithshme e shqipes na paraqitet e ketille, qe karakteri dhe pozita e saj gjuhesore jane te ditura tashme me tiparet e tyre relativisht te percaktuara mire, po qe per proceset dhe kushtet historike qe kane sjelle kete situate gjendemi mjaft ne te erret. Megjithate me anen e metodes se rindertimit mund te arrihet te shihen dhe ketu disa nga fijet qe lidhin te kaluaren me te tashmen.
Nga fusha e toponomastikes historike, duke u nisur me rrugen metodikisht te drejte prej rrethanave te brendshme te shqipes, ne konstatojme se emrat e atyre qyteteve, lumenjve, maleve etj. te treves nga Raguza gjer ne Çameri, nga Shtipi, Nishi, Shari e Shkupi e gjer ne brigjet e Adriatikut e te detit Jonik, te cilat dihen qe nga koha antike, me trajten qe kane sot ne gjuhen shqipe deshmojne per nje vazhdimesi, per nje kontinuitet ne kete truall. Keto emra ne pjesen me te madhe paraqesin nje zhvillim gjuhesor nga trajta e lashte ne te rene ne pajtim me ligjet fonetike te shqipes, dhe ne nje menyre qe trajta e tyre e sotmja nuk mund te shpjegohet veçse me mjetet e saj, duke mos gjetur shpjegim me ane te ndonje gjuhe tjeter te Gadishullit Ballkanik: Ragusium: Rush, Scodra: Shkoder, Astibus: Shtip, Naissus: Nish, Scradus mons: Shar, Scupi: Shkup, Drivastum: Drisht, Pirustae: Qafa e Prushit, Lissus: Lesh (si lat. Spissus: shpesh), Candavia: Kunavlja, Dyrrachion: Durres, Isamnus: Ishem, Scampinus: Shkumbini, Aulon: Vlone Vlore, Thyamis: Çam – . Kjo eshte nje nga provat me shtrenguese per autoktonine e popullit shqiptar. Perpjekjet e disa dijetareve per ta menjanuar ose minimizuar kete, jane caktuar a priori te deshtojne, sepse ketu ndeshin arsyetime pergjithesuese ne arsyetime te mbeshtetura ne fakte. Ne kete mes nuk mund te jete nje gje e rastit kjo, qe emri i albanoivet antike te Shqiperise qendro-veriore rron edhe sot, si emer nacional i vjetri i popullit e i vendit (arbën, arbër), ne truall te shqipes e ne ngulimet shqiptare te Italise e te Greqise. Ketyre vjen e u shtohet dhe rrethana, qe nga emrat e viseve te zones ilire nuk jane te pakte ata qe gjejne pergjegjesit e tyre ne leksikun e shqipes ose ne toponimine e saj, e gjithsesi vetem ne kete gjuhe. Khs. Bigeste: bige “mal me dy maja”, maje mali (?), Brindia Brundisium: bri brini, Dardania: dardhe, Delmatia: delme, Lamatis: lamë lëme, Molontum: mal, Mathis: mat “buze lumi, breg deti”, Meturbarbis: mjet, Pelagonia: pellg me e vjeter pellëg, Ragusium: Rush rrush, Sason emri i ishullit te Sazanit: thaj, te thate “toke, steré, terë”, Tara Tarentum: ter “thaj nje gje te lagur, ne ere, ne diell, ne zjarr”, Tergeste etj.: treg, Ulkinion: ulk, Vendum: vend etj.
Duke kaluar tek emrat e personave, do te themi se me gjithe ndryshimet e medha qe ka pesuar antroponimia, si kudo, edhe ne Evropen juglindore e ne Shqiperi, sidomos me perhapjen e krishterimit nuk mungojne analogjite. Eshte vene re se disa emra personash te ilireve, si Bardus, Bardyllis, Bato, Dasas, Das(s)ius, Dida, Licaus, Licca, Marica, ose jane te gjalle edhe sot ne Shqiperi, ose gjejne pergjegjëset e tyre ne gjuhen shqipe, ose spiegohen me mjetet e saj(5). Ne ato do te perfshihen tani edhe Bardibalus, emer burri gjetur me kohe ne Serbi perendimore, te cilit mendojme se nga fusha e shqipes i pergjigjet kompozite me dy sinonime balbardhë, qe ndryshon nga ai vetem ne topiken e dy elementevet perkatese te tij(6). Hyn aty dhe emri i nje gruaje Lydra gjetur ne vjetet e fundit ne Durres(7). Ky emer i cili mund te lexohet edhe Lunda, per ne, si “e paster, e dlire”, i perket etimologjikisht e morfologjikisht grupit gr. Lutron “banje” lat. Latus “i lare; i paster” gal. Lautro “banje botore”; afrohet edhe me shq. i dlire, gje qe tregon se edhe i lirë nuk rrjedh me rruge te drejtperdrejte prej lat. Liber, po duket te jete perzier me nje fjale vendi te shqipes, te afer me Lydra. Te Skerdialidas, emri i njohur i dy princeve ardiane, ndersa te pjesa e pare mund te kemi te bejme, ne pajtim te H. Krahen(8) , me ilir. skerd – = lit. skerdzius “bariu”, sllav. e vjeter kishtare creda “rradhe, tufe”, ind. e vj. çardhas “tufe, çete”, shq. çerdhe, te – laidas me fort se nje fjale te afert me gr. laidros “i leshurar, i pacipe”, kemi analogjine ilire te angl. leader, gjerm. Leiter “pris, udheheqes”, gjermanike e perbashket laidian; keshtu qe ky emer ilir del me kuptimin “pris çetash” (fjale per fjale “çeteprijes”), e jo (me Krahen) “ai qe leshon tufen”.
Nuk mund te lihet menjane ketu edhe ekzistenca e nje terminologjie detare mjaft e pasur te shqipes, si ne lidhje me floren e faunen e detit, si dhe ç’i perket lundrimit e peshkatarise. Edhe kjo deshmi qe shqipja eshte formuar lashtesisht ne brigjet detare te krahut perendimor te Ballkanit(9).
Ne kritikat qe u behen ketyre argumenteve nga disa dijetare, nuk shohim te shtrohet ndonje gje e re. Ato ne pjesen me te madhe jane nje paraqitje skemash te vjetra me nje pekt te ri, nje perseritje disi e modifikuar e tezave te ditura e me te shumtat te vjeteruara te G. Vajgandit, pa u shtuar atyre ndonje gje qenësore e pa i çuar me tej ne ndonje drejtim rezultatet e tyre.
Lidhur me toponomastiken historike, ne tezen e Ivan Popoviçit(10) se shqiptaret paskan zene vend ne Shqiperi Veriore ne kohen pas dyndjes se sllaveve ne ato ane injorohet ky fakt, qe nje pjese e mire e toponimeve shqiptare e sllave te asaj krahine qe ai sjell si argument per kete teze, ne gjuhen shqipe jane apelative. Kjo gje, e cila nuk eshte vene re gjer me sot, deshmon qe sllavet i kane marre ato nga goja e shqiptareve, e jo anasjelltas. Aty hyjne nder te tjera Fundina ne Kuç te Malit te Zi (midis Hotit e Triepshit): fundëna, shumesi i fund-it, formim topik si Bishtna, Lisma, Ndërfandna; Buenë Bunë, ne shek. XV S.Benedicti de Buena, serbokr. Bojana: shq. buenë boenë “te dalet e lumit jashte shtratit, vershim”; Lim shqip e serbokroatisht: lym (neper dialektet e Veriut edhe lim) “balte e lumit, toke qe ka sjelle lumi me vete” (N. Jokli); Dêjë edhe ne Mat: dêjë ne Vau i Dêjes, roman. Dagno, serb. e vj. danjo nga serbokroatishtja dan “dogane”; shq. dêjë “vendi ku eshte ulur bora, ku ka shkrire bora; vendi ku ujet eshte i ceket, ceke”: dêja e ujit: Dêjë edhe ne Mat: dêjë nje postverbal i dêhet bora “shkrin bora vende-vende: ulen ujrat e lumenjve”: Mati, serb. e vj. Mat, pas Payly-Wissowas prej ilir. mat – “buze lumi a deti”: shq. mat “buze lumi, breg deti”, Bulgër emer vendi ne Mirdite e ne Shestan jo “bullgar”, po = bulgër bujqër” “Quercus macedonica, lloj lisi”. Mendimi i ketij dijetari “sigurisht” me ane te sllavishtes (Svac, Drac, Vojusa, Lab-) dhe qe Ulqin, Pult, Drisht, Lesh “thjesht teorikisht” mund te kene hyre me ane te sllav. Lcin, Pilot, Drivost, Lesb, ne kete situate gjuhesore as qe diskutohet.
Ne lidhje me argumentin qe terminolojia detare e shqipes me fjale te lashta e te trasheguar qe ka, deshmon per pranine e elementin shqiptar qemoti ne viset e sotme bregdetare, eshte ngritur si kunderargument qe disa nga keto fjale si det, vä, mat, valë, shkulm, nuk i perkasin vetem detit, po edhe ujrave te brendshme; disa te tjera si grykë, anije (:anë, enë), ballë, pëlhurë, shul, lugatë, jane metafora ose rrjedhoja (derivate) fjalesh qe ne krye te heres nuk kane pasur lidhje me detin e qe ne perdorimin detar mund te kene arritur me vone e po keshtu – thuhet – qendron puna edhe me disa elemente te faunes, si likurishtë “polip”, ngjalë e ndonje tjeter(11). Pa mundur te hyjme ne hollesira ketu, per te pare nese terme te tilla vertetojne diçka apo nuk vertetojne asgje, le te keqyrim shkurt si paraqitet gjendja ne disa gjuhe te tjera, per te cilat nuk jane shprehur dyshime per nje afersi te moçme me detin. Aty shihet se fjalet e detarise edhe ne keto gjuhe burojne me te shumtat prej kuptimesh te tjera dhe se vetem ne perioden postetnike te tyren, dhe aty vetem me kohe, erdhen e hyne ne perdorimin detar. Ne greqishten fjaleve thalassa “det” dhe ochthe “buze lumi”, “breg deti”, nuk u dihet burimi; pélagos “det” do te thote ne thelb “siperfaqe, vend rrafsh”; hals “det” eshte “kripe”: pontos “det” eshte “udhe, shteg” dhe afrohet me lat. pons pontis “ure” e me sllav. put “udhe, udhetim”: kolpos “gji deti” eshte “gji” pergjithesisht; isthmos “ngushtice deti, istm” do te thote edhe “qafe” qe ne thelb duket te kete pasur kuptimin “kalim, hyrje”: kyma “vale, dallge” shenon dhe pjellen, embrionin dhe kuptimi detar i saj nuk eshte i pari, prymne “pjesa e prapme e anijes” eshte nje me prymnos “me i mbrapmi, me i poshtmi”: histos ”dyrek, shul i anijes” eshte me pare “shul i begjve, vegj: pelhure” dhe buron prej vegjetarise. Nga fusha e latinishtes aequor “det” eshte “siperfaqe e rrafshet, fushe”; sinus “gji deti” eshte “palë, preher, gji skute”: velum “velat” eshte pelhure, perde” dhe ne thelb nje fjale vegjtarie: alga “leshterik” eshte me pare diçka si “myk, te ndyte”. Ne gjuhet gjermanike gjerm. Schiff “anije” dikur ka pasur dhe kuptimin e enes, po ashtu si it. vascello frgj. vaisseau nga lat. vascellum “ene e vogel”, si dhe shq. anije e cila lidhet me anë, enë, khs. enë e mëdhaja e enët e vogla te Ulqinit(12). Edhe ne keto gjuhe terma si gr. kolpos, lat. sinus maritimus, gjerm. Meerbusen “gji deti”, kjo nje perkthimi i fjales latine, nuk jane tjeter veçse metafora. Ne te tilla rrethana na duket pak si e ngutur te thuhet se fjale si det, mat, valë, gryke, anije nuk perbejne elemente te nje leksiku detar te trasheguar te shqipes. Edhe nese disa sosh ose edhe shumica e tyre u perkasin edhe ujrave te brendshme. Logjikisht prej kesaj nuk mund te nxirret se nuk jane qemoti edhe te detit. Dhe Mendimi qe fjalet e ketij llojit vetem ne nje shkalle te mepastashme te gjuhes hyne ne perdorimin detar, operon me nje argumentum ex silentio: me deshmimin e vone te shqipes si gjuhe askush nuk mund te thote qe keto nuk kane qene perdorur qemoti si shprehje te gjuhes detare.
Huazimet latine te shqipes me karakterin e tyre arkaik tregojne se kane depertuar heret ne kete gjuhe, dhe me depertimin nga nje faze me e hershme e latinishtes deshojne per pranine e shqipes ne viset e sotme te pakten ne ate periode. Te njejten deshmi japin edhe huazimet e shqipes nga greqishtja e vjeter. Karakteri dorik i vertetueshem i shume nga keto huazime na defton se te paret e shqiptareve kane banuar ne brigjet e Adriatikut e te Jonit te pakten qe nga koha e pranise se kolonive greke dorike ne keto bregdete dhe se i kane marre keto elemente gjuhesore nga keto koloni ose nga dialektet veriperendimore te Greqise se vjeter, te cilat dihen se afroheshin me dorishten. Mendimi qe keto huazime ne shumicen e tyre nuk paravendojne nje afersi gjeografike midis dy popujve perkates, ne ate kohe, po hyjne ne viset e brendshme me ane te tregtareve doras(13) , per emrin e mokres dhe te barishteve te kuzhines nuk mund te qendroje(14). Me shtjelluar do te themi se nuk na duket te jete afer mendsh qe t’i detyrohen transportit tregtar nga bregdeti ne hinterlande te largeta fjale te tilla si fier, presh, trumzë, shkop, shkarpë, mështekën, -r, e aq me pak disa te tjera si qull, shpelle, shtylle, emra instektesh si kandërr, merimangë, e fjale detarie si blî (peshk), ankyra “spirance” (hekur, N. Jokl) e ndonje tjeter. Shumica e ketyre fjaleve, sikunder shihet, nuk jane emra artikujsh te tregetise, karakteri autokton i popullit shqiptar te pakten qe nga koha antike i vertetuar me mjete gjuhesore, banimi i tij dhe formimi i gjuhes se tij ne nje territor ku kane banuar kryesisht fise ose popullsi ilire, flet ne te mire te filiacionit ilir te tij. Argumentimi gjuhesor me i drejtperdrejti do te ishte nje krahasim i gjitheanshem i sistemit te shqipes me ate te ilirishtes, po ky krahasim siç u vu ne dukje me lart, per mungese te dhenash nga ana ilire, nuk mund te kryhet veçse ne shume pak pika, edhe keto shpeshhere me fort me gjase (probable) se te sigurta. Per te arritur ketu – e jo vetem ketu, po pergjithesisht ne krahasimin e nje gjuhe te gjalle me nje te vdekur – ne nje gjykim e nje vleresim objektiv te materialit, na duket me rendesi te mbahen disa kritere parimore ne pune te metodes: ne radhe te pare kronologjia dhe kushtet e kerkesat e saj, gjendja gjuhesore e brendshmja dhe konkordancat specifike. Perpara çdo krahasimi duan marre elementet e veçanta te sistemit te shqipes, dhe duan vendosur sipas moshes se tyre; duke shikuar cilat mund t’i perkasin periodes antike, cilat periodes mesjetare e cilat periodes se re te saj. Ne çdo pike takimi qe mund te dale midis shqipes e ilirishtes, ne fushen fonetike a morfologjike qofte a ne ate te leksikut, do shikuar me pare a ka te ngjare qe te jete ajo ne shqipen e nje lashtesie te tille qe te lejoje krahasimin; nuk duhet harruar asnjehere ne kete mes qe kjo gjuhe qe ne kohe me te para ka pesuar ndryshime mjaft te medha. Kjo pune e kronologise shtron detyren e nje rishikimi te analogjive te shtruara gjer me sot nga gjuhesia dhe te perjashtimit te atyre qe eventualisht kane te bejne me procese te mepastajme te shqipes e qe si te tille tjeter nuk jane veçse spekulacione te thjeshta. Ne lidhje te ngushte me kronologjine qendron puna e gjendjes gjuhesore te brendshme. Nuk mund te merret nje forme a nje fjale e shqipes e te barazohet ashtu pernjehere me nje te ilirishtes ne baze te nje gjasie qe bie ne sy me nje veshtrim te pare. Me pare do hetuar mos eshte ajo sekundare, histerogjene ne gjuhen shqipe, rezultate proçesesh te nje zhvillimi gjuhesor te brendshem, gje qe do ta hidhte poshte barazimin ne fjale, si pjelle arbitrare te nje çasti. Ne pune te filiacionit çojne peshe pastaj edhe konkordancat specifike, perkimet e shqipes me nje gjuhe jo greke te Ballkanit te lashte. Nuk eshte shenje e nje metode solide e shkencerisht korrekte kur merren si deshmi relevante per nje filiacion te caktuar disa barazime tripaleshe, perkime te shqipes me dy a me shume nga ato gjuhe te vjetra.
Nga struktura fonetike, reflektimi i o-se se shkurter indoevropiane me a ne shqipen (asht-i: lat, os, ossis, gr. ostéon “asht”) e ne ilirishten(15) nuk eshte nje perkthim specifik, sa kohe qe kete ndrim paraqesin dhe gjuhet gjermanike (dikur dhe sllavet), e ne Ballkanin e lashte edhe trakishtja. Megjithate fakti qe mesapishtja ka kete ndrim zanoreje, e qe me ane tjeter makedonishtja me fjalen akrunoi “male” per mendimin tone piqet me emrin e qytetit Acruvium ne grykat e Katorit dhe qendron perballe lat. ocris “arx, mons (me o) dhe gr. okris “maje mali, zgrip” prane akris “maje mali” e akra “maje”, ne kete mes mbase nuk eshte nje gje gand e rastit. Nje rishikim do edhe çeshtja e divergjences qe eshte vene re midis shqipes e ilirishtes ne punen e menyres se reflektimit te likuideve e nazaleve sonantike (silabike), konkretisht te r-se, keshte te V Borcigu ilir. or, shq. ri. Shembujt qe figurojne per kete refleks nuk jane ne gjendje te vertetojne nje reflektim te tille ne kete gjuhe. Me ane tjeter bie ne sy pajtimi ne zhvillimin fonetik te l-se silabike ne te dy gjuhet shq. ulk: ilir. Ulkinion, Ulcirus mons, Ulcisia castra ne Panoni etj., pajtim qe perball formave te tilla si gr. lykos; lat. lapus, got, wulfus; sllav. e vj. kishtare vl_k_ etj., duhet te quhet specifik. Nje vemendje te veçante kerkon theksi. H. Krahe ka shprehur mendimin qe edhe ilirishtja ka pasur mbase theksin inicial (theksin ne balle te fjales) ashtu si gjuha protogjermane, gjuhet italike dhe keltishtja(16). Me ane tjeter Jokli qe me pare ka konstatuar rregullimin mekanik te theksit te shqipes me ngulitjen ne rrokjen parafundore, qe ne kohen romake. Keto dy dukuri na duket se pajtojne ne mes tyre dhe se plotesojne njera-tjetren. Kalimi i theksit te shqipes, i shikuar historikisht, shpie per ne me tej ne kete, qe kjo gjuhe ne fjalet origjinalisht trirrokeshe, me humbjen e shpeshte te rrokjes parafundore nga nje gjendje me theks inicial, pra ka kaluar nga ritmi daktilik ( Í_ vv) ne ritmin trokaik( Ív). Ky eshte nje pajtim i shenueshem me ilirishten, dhe vijen e zhvillimit te tij e paraqesin qarte te tilla rasa prej Shqiperie si Drivastum, Drisht, Isamnus, Ishem, Durrachion: Durres, te cilat atehere shihet se duan lexuar Drivastum, Isamnus, Durrachion; ketyre nga treva mesapike, si vuri re separi P. Kretschmeri(17) , u pergjigjen Brundisium sot Brindisi, Hydruntum: Otranto, Tarentum: Taranto etj. Ne ketorrethana mendimi i A. Mayerit(18) se rregullimi mekanik i akcentit te gjuhes shqipe ka fshire ketu gjurmet e lashta, nuk mund te qendroje.
Nga fusha e konsonatizmit reflektimi i se paravenduares (supozuares) bh indoeuropiane me b ne gjuhen shqipe, perkundrejt f-se se latinishtes e ph-se se greqishtes (bie, bar, mbar: lat. fero, gr. phéro), si nje dukuri e perhapur ne mbare gjuhet e lashta jo greke te Ballkanit e te viseve perreth (mesapisht, ilirisht, makedonisht, trakisht, frigisht etj.) e ne nje shumice gjuhesh te vjetra e te reja te Evropes e te Azise, pra shkurt ne shumicen e gjuhevet indoeuropiane, nuk perben ndonje perkim specifik, shume-shume mund te çoje ne peshe si nje dukuri nder te tjerat, afersisht ashtu si o:a qe u zu ngoje me siper. Nga konsonantizmi nderkaq meriton vemendje mendimi i N. Joklit per pajtimin e veçante te shqipes me ilirishten e me trakishten ne menyren e pasqyrimit te labiovelarevet indoeuropiane me refleks te dalluara perpara zanoreve te çeleta (e,i) dhe zanoreve te mbyllta (a, o, u), pajtim qe me perjashtimin e trakishtes nga ky mes qe ben V. Cimohovski(19) , paraqitet tani si teze e re e nje konkordance specifike midis ilirishtes dhe shqipes. Divergjencat qe jane vene re midis ketyre dy gjuheve ne fushe te guturaleve, per mendimin tone kerkojne te rishikohen. Keshtu edhe po te jete qe ilirishtja ne trajtimin e palataleve te kete shkuar me gjuhet indoeuropiane perendimore ose kentum (mendimet, sikunder dihet, jane te ndara ketu), puna qe shqipja eshte nje gjuhe lindore (satema) nga kjo ane, nuk perben nje argument te prere per te perjashtuar birerine ilire te saj. Si e kemi shprehur dhe me pare(20) , kjo eshte dhe nje çeshtje kronologjike: ne kete menyre – me zhvillimin fonetik te palataleve ne gjysmokluzive (afrikate) e pastaj ne spirante – nga nje gjuhe kentum ne rrjedhe te koheve mund te perftohet nje gjuhe satem, karakteri satem i shqipes mund te jete nje dukuri e zhvilluar dhe relativisht e vone.
Struktura morfologjike eshte pjesa me e panjohur e sistemit gjuhesor te ilirshtes. Ne qofte se eshte i drejte mendimi yne qe ne Scodra e Scupi na çfaqet nyja shquese e mbrapme –a –i qe perdor shqipja ne emrat femerore e mashkullore si ara, mali(21) , atehere kemi nje takim te rendesishem te ilirishtes me shqipen ne lemin e fleksionit te emrit.
Mesapishtja bashke me disa te tjera gjuhe indoeuropiane ka pasur gjindoren e mashkulloren njehes më –i; nje gjurme te kesaj ruan edhe shqipja, ne i ati: i t’et. Me te dukshme jane disa perkime nga fusha e fjaleformimit, duke perfshire shqipen dhe ilirishten me trevat me te largeta te saj – nje rrethane qe perveç kesaj deshmon edhe per nje njesi gjuhesore ilire brenda ndryshimeve teritoriale, njesi per te cilen u fol me lart: sufiksi at (Demi) shm. Demat, emra vendesh si Dukat, Filat: ilir. –ãt- (Delmates, Daesitiates, Ulciniatae, emra vendesh si Lamatis, Aemate); shq. –shtë (Kopshtë, vëneshtë): ilir. –st- (Tergeste, Ladesta); mbase shq. –inj (kërminj, shkëmbinj): ilir. –inium (Delmanion, Ulkinion). Nga prefikset khs. ilir. li- (Liburni: Burni): shq. lë- në lëfyt: fyt, lëmazë: mazë etj.
Nisja nga madhesia e panjohur e ilirishtes per te krahasuar te dhenat e saj me disa elemente te shqipes, vetvetiu paraqitet shume me e veshtire. Kesaj i shtohet fakti qe materiali ka mbetur po ai qe ka qene. Megjithate eshte me rendesi kjo, qe nje pjese e mire e atyre deshmive te pakta qe na kane mbetur, gjejne shpjegimin e tyre me mjetet e shqipes, e vetem me mjetet e kesaj gjuhe. Hyjne aty pikerisepari disa elemente te leksikut qe nxirren nepermjet te toponomastikes, si brin-, dalm-, delm-, lam-, pelag-, tar-, terg-, trag-, ulk-, vend-. Ne perpjekjen per te hedhur poshte ç’eshte fituar ketu me nje pune disa brezash, energjia me te cilen behet kjo nuk na duket se i pergjigjet fuqise se argumentimit: Argumentet qe sillen nuk na duket se jane ne gjendje t’i rezistojne nje kritike objektive. Prandaj kjo perpjekje si e tille nuk mund te quhet nje perparim ne fushe te gjuhes e te onomastikes historike. Po kjo gje vlen edhe per ato mbeturina gjuhesore, te lashta e te sotme, qe jane gjetur ne truallin e japigeve e mesapeve ne Italine Jugore, per te cilet burimet historike e gjuhesore bashke me emrat e personave e te viseve deshmojne per nje shperngulje nga brigjet e perkundrejta te Ilirise. Hyjne aty me nje ane nder te tjera mesap. Aran, bilia, Brendisium, enotr. Rhinos “erresire”: shq. are, bile, bije, brî, rê reja m gjithe errët, per mendimin tone edhe (lat. lama “vendi i ulet, i lagshte o moçalor”: lamë, lëmë. Me ane tjeter disa fjale dialektore te sotme te asaj ane, si karparo “shtuf, cermo poroz e shume i forte, qe sherben si lende ndertimi”: karpë “shkemb, shkrep”, menna minna “gji, sisë”: mënd “i jap gji foshnjes; ve qingjin te pije te nje tjeter dele kur i ka ngordhur e ëma” e ndonje tjeter. Ne keto rrethana gjeografike e gjuhesore nuk duket te jete nje takim i rastit fakti qe neper ligjerimet e sotme te disa trevave alpine, per te cilat Straboni na deshmon pranine dikur te dy popullsive ilire, ruhen disa fjale, kryesisht te sferes baritore e te bimesise, qe gjejne pergjegjeset e tyre ne leksikun e shqipes, si ber bero “dash”: berr: loba lauba “lope”: lopë: mants, manz “dem, mëzat”: mâz mëz rum. minz; mus musso “gomar”: mushke: barga “kasolle, kashtore, kolibe prej kashte ose prej zunkthi ku mbajne barin e thate ose almiset bujqesore”: bar; savoj. melze frgj. mélèze “Larix”: mëllenjë mëllezë “Ostrya carpinifolia”. Ketyre u shtohen tani nder te tjera edhe retoroman. (Valtellina) mani “man toke, mjedhër”: man, dak. (Dioskoridi) Mantia “fermanzë”; boradèi shm. “Galanthus nivalis, it. Bucaneve” ne La Valle Agordina (Dolomitet)(22) , e cila mendojme se gjen shpjegimin e saj ne shq. borë.
Duke permbledhur do te themi se analogjite qe vihe re ne mes te shqipes dhe te mbeturinave te ilirishtes, kur kundrohen me nje menyre objektive perbrenda pamjes gjeografike – historike e gjuhesore, deshmojne me fort per nje raport filiacioni midis ketyre dy gjuheve. Ajo eshte me afer mendsh te shikohen si elemente trashegimie te shqipes sesa si huazime te kesaj gjuhe prej ilirishtes si prej nje gjuhe te ndryshme nga ajo. Eshte gjithashtu metodikisht e gabuar te flitet per nje substrat ilir ne kete gjuhe. Sikunder e kemi theksuar edhe here te tjera, koncepti i substratit eshte i lidhur me nje ndrim gjuhe. Nje ndrim i tille nuk dihet te kete ngjare ne Shqiperi, ashtu si ka ngjare p.sh. ne Rumani ne rrjedhim te romanizmit te atij vendi. Ne keto kushte, ne problemin e burimit te shqipes, detyra e argumentimit u bie me shume atyre qe mohojne karakterin ilir te saj sesa atyre qe e pohojne. Nje studim me i thelluar, me i plote e me pak i njeanshem i gjuhes shqipe ne te ardhmen, sidomos i struktures fonetike dhe i trashegimise leksikore te saj, duke i caktuar kesaj gjuhe nje vend me te qarte e me te qendrueshem ne fushen e bashkise indoevropiane, mund te sqaroje mbase me mire edhe problemin e burimit te saj. Mundesite e nje sqarimi nderkaq nuk jane te medha sa kohe qe materiali te mbetet ai qe eshte. Ato do te shtoheshin po te shtohej me ndonje zbulim materiali i krahasimit.
Iliret dhe Gjeneza e Shqiptareve (Sesion shkencor, Tirane, 3-4 mars, 1969)
1- Gröberes Grundriss der romanischen Philologie I (1888) 804
2- H. Baric, Albanorumänische Studien I (1919) 125
3- Fillimet e nje rryme te tille rrjedhin qe nga pjesa e dyte e shekullit te kaluar (XIX). Khs. Verejtjet e Gustav Majerit ne parathenien e Fjalorit etimologjik te gjuhes shqipe, 1891, f. XIII.
4- D. Mustilli, Rivista d’Albania III (1942) 37 v., St. Alb. II (1965) 56 v., S. Anamali, F. Prendi, Konf. I st. Alb. (1962) 468
5- Per keto emra M. Lambertz, ne IF, 60, 306 vv.
6- Ndryshe per Bardibalus Krahe ne “Romanica, Festschrift für Gerhard Rohlfs” (1958), 259 vv.
7- V. Toçi, „Bul. USHT, ser, shk. Shoq“, 2, 1962, f.127, Konf I st.alb. f. 466.
8- Die Sprache der Illyrier I f. 59 v.
9- Sh. Veretjet tona ne „Hyrje ne historine e gjuhes shqipe“ (Albanologji, disoense, 1947) 1960 f. 32 vv., Bul. USHT, ser.shk.shoq. XII (1958) Nr.2 f. 54 vv., XVI (1962) Nr. 1 219 vv. Nr. 4 123 e 147, Atti del VII Congresso Internaz. Di Scienze Onomastiche 161 f. 241 vv., „Revue (roumaine) de linguistique“ VII (1962) 162 v., X (1965) 104 v., „St. fil.“ XX (III) 1966 Nr. 4 147 v., „St. alb. I (1964) Nr. 1 f. 87, IV (1967) Nr. 1 f. 49 v. – W. Cimochowski, „La lingua posnaniensis“ VIII (1960) 133 vv. – A. Rosetti, Istoria limbii române II 4 (1964) vv. – L. Dodbiba, St. alb. III (1960), Nr. 2 f. 63 vv. St. fil. XXI (IV), 1967, Nr. 1 f. 35 vv., – H. Mihaescu, „Revue des études sud-est européennes“ IV (1966) 347 vv.
10- „Zeitschrift für slavische Philologie“ XXVI 301 vv.
11- C. Haebler, „Südost-Forschungen“ XXIII, 1964, 425 v., „Die sprache“ XIII 80. – E. P. Hamp, The position of Albanian në „Ancient indoeuropean Dialects“, 1966, f. 98.
12- Sh. per anije M. E. Scmidtin ne KZ 50, 235, per enet e Ulqinit, Rr Zojzin, „Bul.shk.shoq.“ 41 1955 f. 150.
13- A. Philippide, Origenea Rominilor II 775 shenimi; Haebler, „Südost-Forschungen“ XXIII 426.
14- N. Jokl, IJ XIV VII 169
15- Per ilirishten N. Jokl Reallexion der Vorgeschichte I f. 91; G. Bonfante, Bull.Soc. de Linguitique de Paris XXXVI 142
16- Indogermanische Sprachwissenschaft, 1943 f. 34
17- „Glotta“ XIV 89 v.
18- Die Sprache der alten Illyrier II 161.
19- „Bul. USHT ser. Shk. Shoq.“ 2, 1958 f. 45 v.
20- Po aty 1962, Nr. 4, f. 122, 139.
21- Po aty, 1963, Nr. 3 f. 79, 105.
22- G. B. Rossi, Flora populare agordina (Contributo allo studio del lessico della Val Cordevole): Con introduzione di G. B. Pellegrini, 1964, f. 96; „La forma di L. V. è isolata e di etimo oscuro“.