Në datat 9 deri më 11 tetor 1949, u mblodh Konferenca e Tretë e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Lidhja qe themeluar më 25 nëntor 1945 nga Sejfulla Malëshova dhe po ai qe zgjedhur kryetar i saj. Por kjo konferencë qe ndryshe. Konferencë pa kryetar. Mblidhej për të dënuar Lame Kodrën, themeluesin e saj. Morën pjesë anëtarë të byrosë politike, ushtarakë madhorë, sigurimsa, lloj-lloj njerëzish. Vetëm shkrimtarët qenë të paktë. U ngjitën në tribunë Bedri Spahiu, Shefqet Musaraj, shkrimtari rus Arkad Pervencev… Të gjithë e fillonin dhe e mbaronin fjalimin me fjalët partia, oportunizmi, rreziku i letërsisë…
Shefqet Musaraj dhe disa shkrimtarë të oborrit, e kritikonin Sejfulla Malëshovën si opportunist. Por nuk kursyen as Faik Konicën, Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Lumo Skëndon, të cilët mbroheshin nga Sejfullau. Nuredin Boriçi, në librin e vetë “Dy poetë, në një qytet” e pasqyron qartë zhvillimin e ngjarjeve. Konferencë e zymtë, diskutime të ngrira, hije mbi kokë të shkrimtarëve. E mori fjalën dhe Malëshova. Nuk u pajtua me raportin e Musarajt. E konsideroi skematik dhe artificial. Kundërshtoi ndarjen e shkrimtarëve në përparimtarë dhe reaksionarë. Një fjalim brilant. Por e zhdukën nga dosja. Nuk duhej të mbetej si dokument, pasi provonte injorancën e partisë-shtet. Fjalën e tij e mbështetën me diskutimet e tyre Skënder Luarasi, Ymer Dëshnica etj. Por vendimi qe marrë. Lidhja nuk duhej të drejtohej prej tij sepse ishte liberal. Partia nuk mund ta duronte pasi kishte rehabilituar shkrimtarë antikomunist. Pas diskutimeve të Musarajt dhe Bedri Spahiut, njeriu i mendjes detyrohej të dëgjonte thirrjet: Të rrojë partia! Të rroj Enveri! Në varr, në varr! Kështu përfundoi konferenca e njerëzve të penës.
Më pas vazhdoi të punonte për disa vite në Institutin e Shkencës. Shkrimtari Nasho Jorgaqi, në librin “Koha e kujtimeve”, tregon se poeti qe thirrur si bashkëpunëtor shkencor për hartimin e një fjalori rusisht-shqip. Por përkthente dhe vepra letrare nga letërsia ruse. Pavarësisht se qe larguar padrejtësisht nga forumet e partisë dhe shtetit, ndihej mirë. Përkthente autorë të ndryshëm rus dhe mbushej me gëzim, herë nga vepra e tyre e herë nga suksesi në përkthim. Por qetësia do të prishej shpejt. Erdhi vitit 1956. Konferenca e Partisë së Tiranës u bë shkak për t’u dënuar shumë politikanë dhe intelektualë. Enver Hoxha e rriti forcën goditëse të diktaturës. Në Tiranë nuk duhej të kishte njerëz të lirë, intelektualë të shquar.
Në internim
Tashmë Sejfullau qe përjashtuar edhe nga partia dhe e internuan në Ballsh. Kushëriri i tij, Enver Hysaj, ishte personi i vetëm që e shoqëroi për në vendin e internimit. Ai e ndihmoi Sejfullanë për të transportuar një pjesë të librave të shumtë që kishte patur në shtëpinë e tij, në Tiranë. Sipas rregullit duhet të flinte në dhomë më vete, po për ngushticë strehimi, e rrasën tok me 5-6 djemë të rinj beqarë. Më vonë e sistemuan në një barakë. Pati shkuar atje një fshatarë dhe shihte librat. Qenë shumë. Guxoi të pyesti fshatari: Si ka mundësi të gabosh ti, që ke lexuar kaq shumë libra? Poeti buzëqeshi. E kuptoi që e kishin dërguar dhe e këshilloi të dilte jashtë.
Në Ballsh Malëshova qëndroi i internuar 4 vjet, pastaj e transferuan në Fier. Ishte viti 1960. Dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, duhej të paraqitej në Degën e Punëve të Brendshme në Fier, për të vërtetuar që ishte aty. Kureshtarët e shihnin profesorin të kalonte para sportelit, te dezhurni i Degës së Punëve të Brendshme, duke ngritur dorën lart, si t’i thoshte: Jam këtu! Ky ritual i pandryshueshëm vazhdoi derisa ndërroi jetë.
Në periudhën e zbutjes së tensionit, në kohën e Hrushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit, “Kopshti i qershive.” Ai e përktheu dramën në kohë rekord dhe e dorëzoi. Por u zhgënjye kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, por duket se urdhëri për t’ia fshirë emrin kishte ardhur nga lart.
Jetonte në një dhomë përdhese. I shkon një fshatar dhe e përshëndeti. E pyeti poeti përse kishte vajtur. Dhe ai pati thënë se donte që t’i bënte një samar për gomarin. Nuk e dha veten filozofi, por e pyeti sërish se kush e pati dërguar. Dhe fshatari i tregoi me gisht dy persona, që rrinin 50 metra më tej.
-Unë nuk bëjë samar për gomar, – i tha me qetësi poeti, – bëjë samar për ata që të kanë dërguar.
Në vitin 1964 Mehmet Shehu, me porosi të Enver Hoxhës, i bëri ftesë Fan S. Nolit të vinte në Shqipëri. Dhe përgjigja nuk vonoi. “Unë jam te Lame Kodra. Lironi Lame Kodrën dhe ai jam unë”.
Në mesin e viteve ‘60, lumi Gjanica doli nga shtrati dhe përmbyti lagjen, ku banonte Sejfullau. Ujët rrëmbeu gjithçka, dyer, tavolina, sirtar. Ngjarjen e përshkruan bukur shkrimtari i mirënjohur Nasho Jorgaqi. Poeti u ndodh aty dhe nuk donte të dinte për asgjë. Veç të shpëtonte librat. I merrte në krah dhe vraponte t’i vendoste jashtë, diku që të mos i prekte uji. Veprim që mund ta bëjnë vetëm poetët. Dhoma u shkatërrua. E çuan në një apartament. Komshinj qenë dy familje dëshmorësh, të afërmit e Petro Sotës dhe Rakip Kryeziut. Të jetë rastësi? Patjetër që jo! Por Sejfullau me sjelljen e tij qytetare kaloi shumë mirë me komshinjtë e rinj.
Nexhmi Ballka kujtonte një moment kur ishte takuar me të në Fier.
-Unë u arrestova me grupin e deputetëve dhe sapo isha liruar nga burgu, – tregonte Ballka. E pashë në rrugë Lamen dhe i thirra. Ai nuk u përgjigj. Pastaj i thirra disa herë më fortë, por sërish ai heshti. Në një moment ndali, u kthye nga unë, e më tha:
-Ç’dreqin ke që bërtet? Nuk e kupton që të dëgjoj? Nuk e sheh që jemi pranë Degës së Punëve të Brendshme apo dëshiron ta pësosh edhe ti?
-Lame! – i thashë. Lëri pasojat e mia, por si je, si ia kalon?
-E si t’ia kalojë? Si korbi, i vetëm. Në fillim më linin të pija kafe te Klubi i Gjahtarëve. Tani ma kanë ndaluar edhe atë. Vetëm shkruaj, – përfundoi ai.
Pastaj u largua duke më lenë në mes të rrugës. Kishte merak mos më ndodhte sërish gjësendi.
I dënuar nga regjimi i kohës, por dhe i braktisur nga miqtë, shokët dhe të afërmit, Sejfulla Malëshova ndërroi jetë në Fier, më 11 qershor të vitit 1971. Të nesërmen ai u varros nga e motra dhe dy punëtorë të komunales, shoqëruar nga punonjës të Sigurimit të Shtetit, që nuk iu ndanë deri në varrim.
Kishte qenë i shtruar në spitalin e Fierit, me dhimbje apandesiti, që mund të kishte kaluar në peritonit, pasi mungoi dhënia e ndihmës mjekësore. Ky dyshim kthehet në fakt, për shkak se, siç pohon miku i tij Nuredin Boriçi, numri i regjistrit 2841 dhe numri i kartelës mjekësore nr. 265 janë zhdukur, për të mbuluar krimin e ndodhur ato ditë. E nxorën nga spitali dhe nuk e shoqëroi askush për në shtëpi. Ai ecte duke u mbajtur pas murit a drurëve, duke u çapitur fare ngadalë. Mbase në ato çaste ka kujtuar vargjet e poezisë së tij (kënga e plakut) botuar në gazetën Liria, në vitin 1941:
Dhe tani jam këtu
Mbeta vetëm si kërcu
Eh, moj shtriga pleqëri
Me lëngatë e me uri.
Njerëzit e mirë kujtohen
Në vitin 1993 u hap lajmi se varrezat e vjetra do të prisheshin. Diçka do të ndërtohej mbi truallin e zënë prej tyre. Filloi të bëhej zhvarrimi i njerëzve që preheshin në të, për t’u dërguar te varrezat e reja. Por Sejfullai nuk kishte njeri për t’u interesuar. Por gjenden njerëz të mirë që kujtohen. Një grup intelektualesh u kujdesen për rivarrimin e eshtrave të tij. Por qe e vështirë, sepse nuk dihej varri. Në një shkrim të publikuar nga Çerçiz Loloçi, përmendet publicisti Nuredin Boriçi, i cili kërkonte me ngulm të mësonte varrin e poetit përmetar që prehej pa mbishkrim në dheun e hedhur mbi trupin e tij, apo më mirë të themi që, pllaka e mbishkrimit qe rrëzuar e mbuluar me dhe. Pipi Noti dha një sinjal pozitiv. Pas tij edhe mësuesi Nikolla Margilaj. Më në fund, varrmihësi Ramadan Qyraha i çoi të interesuarit pikërisht në vendin, ku gjendej trupi i intelektualit të shquar. Shkuan 7 vetë, përgjegjësi i komunales Pipi Noti, varrëmihësi Ramadan Qyraha, shoku i Sejfullaut, Nuredin Boriçi, Nikolla Margilaj dhe dy punëtorë të komunales. Filluan të hapin dheun me kujdes dhe pas pak hasën në pllakën e gurtë me mbishkrimin: Sejfulla Malëshova, vjeç 78, vdekur më 12.6.1971. I futën eshtrat në një celofon dhe nënshkruan të shtatë. U gjetën eshtrat dhe ai u rivarros përsëri në heshtje, në një vend të thjeshtë, pa kurfarë ceremonie, por nën kujdesin dhe dashurinë e pak vetëve që e donin poetin.
Njeriu i mirë vazhdon të kujtohet nga bashkëkohës dhe njohës të veprës së tij. Nuredin Boriçi na njeh me një letër që Ilo Mitkë Qafëzezi i dërgonte Dhimitër Paskos, më 23 mars të vitit 1974, të cilën na e ka sjellë Nuredin Boriçi. Letra ndodhet në muzeun e Fierit. Qafëzezi i shkruante mikut të vet, se kryesonjësi i Lidhjes së Shkrimtarëve, njëkohësisht ministër i Arsimit, “shoku Sejfulla Malëshova, jo vetëm më riktheu në vatrën e arsimit, por urdhëroj të më jepen të gjitha rrogat që prej prillit të shkuar, kur isha në spitalin e Tiranës. Poetit Mirëbërës i jam mirënjohës, po ashtu dhe juve të gjithëve, që nuk kursyet dhe nuk do të kurseni fjalën e mirë”. Duket se Qafëzesi nuk ka qenë informuar për vdekjen e tij.
Duke folur për gjendjen e Sejfullaut në vitin 1947, juristi Nafiz Bezhani, në një artikull të botuar në gazetën “Republika” të datës 7 prill 1991, shkruan: “Sejfulla Malëshovën kam patur fatin ta njoh personalisht. I paharruar ka mbetur për mua takimi që pata në maj të vitit 1947, pikërisht disa ditë pas pushimit të tij nga detyra e ministrit të Kulturës. Në duar kishte një tufë me gazeta e revista. I qetë, sikur asgjë të mos i kishte ndodhur, më thotë:
– Sa mirë që të takova. Kam një surprizë për ty. Për ku je nisur?
-Në “Dajti”, duhet të ha drekën dhe do të kthehem shpejt në zyrë.
-Po vij dhe unë.
U futëm në sallën e madhe. Dy të rinj u ulën menjëherë pranë tavolinës sonë. Njëri nga ata tha me përbuzje, dhe me zë paksa të lartë: “Kulishi i imperializmit”. Sejfullai e dëgjoi, por nuk shfaqi asnjë shqetësim. Kur u çuam për të dalë, ndaloi hapat te djaloshi dhe e pyeti:
– Shkoni në shkollë ju? Do bënit shumë mirë të vazhdoni shkollën, të krijoni logjikën tuaj, sepse për atë keni nevojë ju, por më tepër ka nevojë Atdheu.
Mu ngulitën në mendje fjalët që i tha djaloshit: “Atdheu ka nevojë për logjikë të pavarur”. Pra, për oponencë, për demokraci, pikërisht ajo që mungonte në atë kohë.
Me sa e njoha unë Sejfullain, nga kuptimi dhe interpretimi i drejtë i atyre pak materialeve që janë botuar, del se Enver Hoxha iu kundërvu, jo për “prapaskenën” e Beratit, por sepse karrigia e tij kanosej nga niveli i lartë kulturor dhe shkencor i birit të Malëshovës. E trembnin pikëpamjet me të vërtetë demokratike, në dobi të krijimit të shtetit tonë të ri.
Kundër dogmave staliniste
Në politikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Sejfullai, edhe pse kishte studiuar dhe jetuar për një kohë të gjatë në Bashkimin Sovjetik, nuk qe ndikuar fare nga dogmat staliniste, përkundrazi, ishte kundër tutelës jugosllave dhe sovjetike që përkrahte Enver Hoxha. Ai qe për një shtet shqiptar me të vërtetë të lirë, një shtet demokratik, që të ecte me dinjitet drejt përparimit. Duke dashur të demaskojë pikëpamjet e tij, Enver Hoxha shkruante se nga Sejfulla Malëshova ndiqej “politikë e gjerë liberale, kryesisht oportuniste në marrëdhëniet që duhet të kishte shteti ynë me shtetet demokratike, aleatë dhe miq besnikë të popullit tonë: Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë”.
Sipas shënimeve të Enverit, orientimi i Sejfullait ishte krijimi i marrëdhënieve të mira me perëndimin. Madje qe shprehur që, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhej t’u njiheshin marrëveshjet e nënshkruara para luftës, me qëllim që midis dy shteteve tona të lidheshin marrëdhënie diplomatike. Rëndësi të veçantë ai u jepte marrëdhënieve më Italinë, ku shihte mundësi të mëdha bashkëpunimi me interes reciprok. Me pikëpamje diametralisht të kundërta me ato të Enver Hoxhës, e shihte edhe zhvillimin e politikës së brendshme. Ai qe shprehur qartë për qëndrim të butë me kundërshtarët ideorë dhe veçanërisht me klerin. Ishte pikërisht, këmbëngulja e tij që bëri të krijoheshin ato pak shanse demokratike, që lejuan futjen e nacionalistëve në Parlament. Natyrisht, fati i atyre deputetëve dihet dhe kjo tregon edhe më mirë, sa larg kanë qenë pikëpamjet e tij me ato të Enver Hoxhës.
Rëndësi të madhe kishin orientimet e Sejfullait në fushën ekonomike. Disa ditë pas çlirimit të vendit, pikërisht më 25 dhjetor 1944, ai botoi një artikull në gazetën “Bashkimi”, ku ndër të tjera thotë: “Është detyrë e madhe, aktuale, që sektorët e ekonomisë tonë, që kanë ekzistuar deri më sot, të hyjnë në aktivitet, të ngjallen dhe të lulëzojnë, në bazë të iniciativës së plotë private”.
Këto pikëpamje e tmerronin Enver Hoxhën që mendonte krejt ndryshe dhe përgatitej të shtetëzonte çdo gjë. Konsekuent me pikëpamjet e tij, më 22 janar 1945, me rastin e përurimit të Bankës së Shtetit, Sejfullai tha: “Ajo do të bëhet faktor për të ngjallur iniciativën private në tregti dhe industri”. Ndërsa më 5 gusht 1945, në gjendje të dëshpëruar, duke përshëndetur Kongresin e Frontit Demokratik, deklaroi: “U përpoqëm të ngjallim dhe të aktivizojmë sektorët e ekonomisë mbi bazën e iniciativës private, por është bërë shumë pak, ca nga pazotësia jonë e ca nga vullneti i keq, i një pjese të mirë të tregtarëve dhe industrialistëve”.
Pikëpamjet e tij për zhvillimin me përparësi të sektorit privat, Sejfullai i shtroi edhe në Plenumin e katërt të Partisë, në nëntor të vitit 1945, duke vënë theksin veçanërisht në përkrahjen e gjithanshme që u duhej dhënë industrialistëve nga ana e shtetit. Por Enver Hoxha krijoi “kushtet e papërshtatshme” për të larë hesapet me tregtarët, industrialistët dhe përkrahësit e tyre, duke shlyer kështu edhe një borxh që kishte e ashtuquajtura “prapaskenë e Beratit”. Atë që nuk pranoi të bënte Sejfullai për Enverin, e bëri Enveri për Sejfullain.
Në atë kohë, në Shqipëri i kishin mësuar përmendësh vjershat e Sejfullait, i cili quhej “poeti nacional i shqiptarëve”. Prej vargjeve të tij u qe ngulitur në kujtesë sidomos poezia që titullohej, Si e dua Shqipërinë, shkruar në vitin 1939 dhe botuar për herë të parë në gazetën “Liria” të Amerikës, në vitin 1941. Ajo fillonte me vargjet:
S’kam çiflig, e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë,
Për një stan në Trebeshinë,
Për një gardh e për një gur,
Për kasollen mbi Selishte
Për dy ara në zallishte,
Për një lopë e një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari e si fshatar!
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mbi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron,
Nga një shkëmb e gurgullon,
Nëpër lisat gjethe-shumë,
Edhe zbret përposh në lumë…
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhëmshëruar.
Studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi, zbuloi në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme 6 vjersha të krijuara nga Sejfulla Malëshova, dy vjet para se ai të vdiste. Ai i ka bërë ato publike në “Milosao”, 7 dhjetor 2008.
Më poshtë po paraqesim një nga vjershat e poetit malëshovit, krijuar në vitin 1969. Në vitet e gjata të persekutimit, kur të gjithë mendonin se ai e kishte braktisur poezinë, Sejfullai, një prej desidentëve të parë të pasluftës, hidhte në një bllok të trashë, me kapakë të bardhë, vargjet e tij plot zemëratë, ku janë gjetur 6 prej tyre. Këto poezi na shpërfaqin një anë krejt të panjohur të poetit. Autori do të thotë se vërtetë ka humbur si politikan, por jo si poet. Në poezinë e shkruar prej tij “Njeriu me këmbajka”, pasqyrohet jeta e aristokracisë komuniste, vihet në themel figura e Enver Hoxhës rrethuar nga ndjekësit puthadorë. Dhe siç shkruan Jorgaqi, udhëheqësi paraqitet si sundimtar absolut, njëlloj si sulltani në Perandorinë Osmane, që jeton vetëm me lavdi e lajka, që ushqehet nga servilizmi dhe mbetet i lidhur fort pas pushtetit. Më poshtë po paraqesim njerën prej tyre.
Njeriu me këmbajka dhe servilët
Kur hyn në sallë njeriu me këmbajka,
Më këmbë ngrihen me temena e lajka.
Në fron rri sulltani,
Me tull’ e parukë;
Rreth tij gjithë stani
Me plot dallkaukë,
Që prapanicën tundin në kolltukë.
Zgjaten dy duar,
Përpara, rrotull, anëve
Dhe mblidhen grusht në kraharuar:
Sulltani ligjëron
Ky sytë perëndon
Sikur mendimi thellë
Nga shpirti i buron.
Dhe kur mbaron,
E ngrihet duke shkelur mbi këmbajka,
Më këmbë ngrihen prapë gjithë lajka
Servilë e dallkaukë,
Që shesin edhe shpirtin për kolltukë.
"Koha Jone"
Nuri Dragoi