Kumtim rreth vëllimit me poezi të Anjeza Diellit.
Poetikja e një gruaje fshihet thellë në formësimin e saj shpirtëror, në gjenealogjinë e krijimit. Gjithçka që i rrethvjen kësaj qenie është një shkas poetik. Në gjithëçfarë ajo pjesëmerr, komunikon përmes një kodi kumtimi poetik, një gjuhe ende të padëshiruar plotësisht, gjuhës së një shqise që gratë e zotërojnë si spektër të sundimit të botës së magjepsur. Të gjitha, të gjitha gratë frymëmarrin, ndjejnë, dashurojnë, urrejnë me një forcë kaq të brishtë dhe kaq përshkuese, thërrasin në gjithë zërin e zënitit të tyre poezinë, atë që u mëson alfabetin e ëndërrtarisë jetësore. Gjithçka e tyre është poezi. Dhe vetë jeta që bëjnë përshkohet nga një fill inkandeshent poetike. Por ka prej tyre që sinjifikojnë poezinë në çdo thërrmijë drite të tokësores së tyre, njëra nga ata është Anjeza Dielli. Poezia tek ajo është shpërbërja e dritës së dielltë në spektrin e ngjyrave. Poezia përmes saj vjen si një panoramim i reflektimit të shpirtit në gjithçka që shihet dhe përjetohet duke u shndërruar në përfytyrim.
Fije të holla jehonash e pëshpërimash e endin pëlhurën e saj joshëse, kushtruese. Ajo është nënë, është shenjtore, është grua që vjen t'i sjell botës ç'ka më të shtrenjtë, dashurinë e saj, vullnetin e mahnitjes përmes kumtimit. Këtë sublimim ajo e gostit në trajtën më të harmonishme që natyra pranon me gjithë rregullat e saja të rrepta, me poezi.
Anjeza Dielli troket drojshëm në portën e rëndë të traditës së poezisë. Zëra i përgjigjen, vullnete e ftojnë, predispozita i gjenden dhe bujarisht i japin çfarë i duhet një hopi për t'u lëshuar në fluturim. Dhe ajo, guxon të vijë, jo krejt pa frikë dhe ngurrim, por sfidat janë për të kurajshmit dhe asaj kjo duket se nuk i ka munguar. Vjen me librin e katërt, i dyti në shqip. Vjen pa shumë bujë dhe vetëmburrje. Heshturazi shtrohet në sofrën e zërave gjëmues të vjershërimit shqip. Dhe zëri i saj është kaq i natyrshëm, dhe qielli që i jepet është krahëhapur.
"77" është numri i shkreptimave të vetvetishme ndjesore që mbushin me dritë dhe shkëlqimin gjithkah mbërrin zemra e një gruaje, gjithçka percepton zëri dhe shqisa e shpirtërores tek Anjeza Dielli.
"77" mbetet numri i poezive, të cilat qëllimisht autorja ka preferuar t’i servirë pa titull. Duket se pagëzimi i secilit prej këtyre momenteve rrëmbyese, këtyre poezive përshkuese, e ndan, e veçon llamburitja e një delikatese shprehëse. Yjet për sa kohë që vijojnë të na magjepsin me pulsimin e tyre shndritës, ata si të tillë e rrokin nevojën tonë për të qenë të mbështjellë nga ky mantel i qëndisur dritimesh. Edhe "77" qaset të na vijë në këtë solemnitet shprehës, pa titull, pa rregulla, pa asnjë ligjësi tjetër veç asaj të mëtimit të shpirtit. Dielli, beh thellësisht poetike, qenësisht vetvetja.
Eteri i saj inkandeshent vërshon duke na shfaqur gjithë trajtat komunikuese të një forcë afrie. Çuçuritje në vesh, përcikje lehtas në hutim, shkundje prej degës së vetmisë, janë gjurmët që ndjek ai mall në bregun që tendos largësitë. Vjen për të mbetur aty poezia e saj, metafora e larushuar ngjyrash dhe e sendërgjuar shumëformash.
Pena e Anjeza Diellit i jepet një vullneti ligjërimi shndritës, me shkas për të mëkuar dritë, për të bashkëndarë me të tjerët diellin, atë flakatarin jetëdhënës që gurron brenda saj një e përgjithmonshme zjarri dhe dëshirimi.
Ajo, pa droje lëviz në qielloren e brendisë dhe ashtu e shkujdesur, si një fëmijë që derdhur në një aurorë engjëllore, shkokrron rreze prej shpërthimit të saj të dritës.
Na i mëkon çastet, me kaq adhurim dhe përkujdesje, me kaq përkorje dhe vetëmohim, ashtu siç kujdeset dhe ushqen fëmijët e saj, e na përqafon me avujt e ngrohtë të përjetimeve që fluturojnë brenda e saj si pëllumba të bardhë.
Fjalë pas fjale, metaforash ledhatare, shkulmimeve, turravrap i lëshohet ardhjes në çdo ëndje këndimi zë e shpirt në çdo dëshirim, paqtimi në çdo lëndim.
Vjen ashtu prej rrezesh, prej ngrohtësie, prej dritimi për të na përpirë në ëndrrën magjike të saj. Rendim në këtë lëndinë ku llamburitin yje, ashtu të shkujdesur, të dlirë e përplot hare, i blatohemi dëshirimit të këtij çasti.
Disa nga pezitë e Anjeza Diellit
***
Sipas kësaj e gjithë të tjerash,
dyshimet e ujta janë gjithmonë të tejdukshme.
Vogëlushja.
që u fundos për pak në to,
u bë grua.
Dridhjet e ujit
përskuqën organet e saj,
gjoksi iu rrit papritur.
Lumi,
i dashuri i saj i përhershëm,
mbështolli piskamat e brishta të së voglës.
Nga aty nisi tjetër udhëtim.
Drejt detit .
***
Mendoj se rritem lehtë,
se rritem shpejt.
Nuk kam arritur ta njoh trupin tim.
Të udhëtoj me të,
në të.
E padurueshme distanca e kordave
kohë-vendndodhje.
Tani
do të doja të isha yll!
***
Gjethi tërhiqet
e bashkë me të pranvera.
Xixëllonjat e dekompozuara në diell
kyçur i kam
në sirtarët e mbushur me bar mole.
***
Do ta kuptoj ecjen tënde
si melodinë e ujit që zien brenda meje.
Do të lëkundem
në dridhjen e dritës së yjeve.
Tashmë
që u lirova nga të qenët gjethe e artë, e ngjitur në pemë.
Ty ta dëgjuan frymëmarrjen
në një tjetër qiell blu.
Hapat, në një tjetër shëtitore.
Diku aty të gjeta dhe unë.
Duart e tua më udhëtuan,
kur lashë pas kujtimet e djepit
dhe ninullat që më mbanin peng.
***
Nata oshtin
me orgazmat e saj.
Më pas
vërshojnë dallgët,
shpërndahen zërat,
zgjohen ecejaket e të dashuruarve.
***
I vjen në mendje
një rrëshqitje e trazuar,
që shndërron parametrat e diellit.
I kujton veten,
të tretur
në përdëllime të një tjetër epoke.
Më pas
hapa fëmije,
që humbasin gjurmët tutje…
drejt hënës së kuqe
që ndryshon trajektoren e planetit.
***
E njoh atë dridhje të litarit,
që mban peshën e trupit riosh.
Është si trupi yt
kur prek timin.
Si zë dallëndysheje
që provon për herë të parë
të këndojë.
***
Rrëqethjet e kujtimeve
ravijëzojnë heshtjen,
fjalët mbeten meteorë.
Të tremb ajo fëmijëria naive
nuk të lë të përkëdhelësh
lëkurën e saj të lëmuar
edhe pse i dëshiron kaq shumë
buzët e trëndafilta.
Të deh kurmi i saj!
Gjaku yt riciklohet
sa herë mendon prekjen.
Rilind!
Ajo,
përcakton ritmin e frymëmarrjes,
nën barkut të saj
ecejaket një mjegull
që shpërbëhet me prekjen tënde.
E para dhe e fundit dashuri!
E shkruar ishte
të rilindë
me një buqetë anemonash në duar
e luledielli në gjoks.
***
Vite pa mbarim,
të panumërta
veshur si petk hamshorësh
kuajsh kryeneçë.
Në rrumbullakosjen e tyre,
ledhatime duarsh të dëlira
hapin rrugë të tjera.
Duar të etura
për lëkurën qumështore
nga ku pret ringjalljen e eshtrave
që kërcasin mundimshëm me ecjen.
Klepsidër e kthyer mbrapsht…
Duart përcaktojnë kufirin kohor
të puthitjes së shkëmbinjve të magjepsur.