Nga Albert Vataj
“Temperamenti im më shtyn drejt rregullit”, kjo është deviza e mjeshtrit klasik të barokut francez, Nicolas Poussin. Midis ndjenjës dhe arsyes, ai ngriti një përmendore të lartë të veprës, asaj galerie krijuese që vijon të mbajë edhe sot të ndezur diellin e rrezatimit, aftësinë e përgjithmonshme për të patur jo vetëm interes dhe kërshëri, por edhe adhurim.
Nicolas Poussin është përfaqësuesi i dytë i pikturës franceze të shekullit XVII. Ai ndoqi një tjetër kahje nga ajo që udhëtregoi aktin krijues të Lui Lë Nënit. Ndonëse të dy u frymëzuan nga idealet e larta humane dhe racionale të shoqërisë franceze të asokohëshme. Burimet e frymëzimit dhe ngarkesa emotive e figures që merr jetë prej këtij peneli, e veçojnë nga bashkëkohësit. Nicolas Poussin nuk ndjen tërheqje nga skenat e jetës së përditëshme, tabloja e zhanrit e cila erdhi si formë shprehëse në shekullin e XVI, apo figurinat mëtuese të Karavaxhos. Pëlqen historinë, letërsinë antike dhe mitologjike, artin italian të Rilindjes dhe prej këtyre ai rrëmoi për të zgjuar muzat krijuese, të cilat i erdhën nga pas përgjatë udhës së tij prej gjeniu.
Si shumë pararendës, bashkëkohës dhe pasardhës, edhe ai pati atdhe të dytë Italinë, ose u lidh shpirtërisht dhe fizikisht me të. Ashtu si Albert Dyrer dhe Pier Paul Rubens edhe Nicolas Poussin gjithçka në shkëlqimin e tij do ia detyronte këtij vendi të burimeve të pamatshme gjenialiteti.
Nicolas Poussin (15 Qershor 1594 – 19 Nëndor 1665), ishte piktor francez i stilit Klasik. Punët e tij rrezatojnë qartësi, logjikë e rregull, linjat favorizuar mbi ngjyrat. Piktura e Poussin shërben si alternativë ndaj stilit mbizotërues Barok të shekullit XVII. Deri në shekullin XX ndikoi më shumë se kushdo artistët e orientuar nga klasikja si, Jacques-Louis David, Jean-Auguste-Dominique Ingres dhe Paul Cézanne. Kaloi kohën më të madhe të punës në Romë, përveç një kohe të shkurtër, kur kardinali Richelieu e kthen në Francë për të qenë Piktori i Parë i Mbretit. Shumica e veprave të tij janë të mbarsura nga tematika historike, religjoze dhe mitologjike. Pjesë e kolanës së klasikut Nicolas Poussin është peisazhi. Natyra vjen përmes penelit të këtij mjeshtri si një formë delikate shprehëse estetike.
Duke e qëmtuar më në fondament dallojmë se në aspektin përmbajtësor pikasim se temat e tragjedisë dhe vdekjes janë të shumëpërdorura në punët Poussin.
Gjatë gjithë jetës së tij Poussin u ndal jo vetëm tek tendencët popullore ndaj dekoratives në artin francez të kohës së tij. Në veprat e Poussin gjalluan të fuqishme impulset e Rilindjes, të shoqëruara këto me referencë të vetëdijshmes në artin e antikitetit klasik, si standard i përsosmërisë. Qëllimi i tij ishte qartësia e shprehjes arritur nëpërmjet sublimes së penelit.
Poussin është një figurë e rëndësishme në zhvillimin e peisazhit pikturë. Në pikturat e tij të hershme peizazh zakonisht formon një sfond i këndshëm për një grup të figurave; më vonë ai ka avancuar në pikturën e peizazhit për hir të saj, edhe pse kjo veprimtari nuk ka mbërritur dhe aq përfaqësuese deri sot.
Ai vuajti nga shëndeti gjithnjë në rënie, pas 1650, dhe u trondit nga një dridhje e duarve që u përkeqësua vazhdimisht duke e lënduar jo vetëm impulset e tij krijuese por edhe vetë punën. Ai vdiq në Romë më 19 nëntor 1665, sot 350 vite më parë. U varros në kishën e San Lorenzo në Lucina.
Kujtesë dhe përshpirtje për atë kurm dhe forcë shpërthyese emocionale, e cila jetësoi çka shëmbëllime të hyjshme behën në shkëlqimimet e krijimit që shtangin kureshtinë e gjeneratave dhe magjepsin ëndjen tonë estetike.