Çdo ves, çdo virtyt, çdo turp dhe çdo vepër heroike, çdo flijim dhe çdo epsh, çdo lule dhe çdo fryt, çdo ilaç dhe çdo helm mund të çohet në tempullin e dashurisë. Gjithçka që është njerëzore mund të përfshihet në vorbullën marramendëse të dashurisë dhe shpesh njeriu ndjen keqardhje që ka të mundshme vetëm një jetë për ta ofruar si flijim këtij Zoti.
E megjithatë kjo potencë energjie përtëritëse është fare pak e shfrytëzuar, krahasuar kjo me gjithë pasionet njerëzore. Duket se para saj njeriu, ndihet shumë i vogël dhe shumë i dobët.
Ashtu si njeriu i egër që gjunjëzohet përpara rrufesë, përgjërohet për falje, qanë ose merr dhen, edhe njeriu i civilizuar, ende sot, përpara uraganit të pazbuluar të kësaj force sovrane, trembet dhe nxjerr në pah pafuqinë dhe paditurinë e tij.
Në dalldinë e epshit dhe mes stuhisë së dëshpërimit ai e lë veten në dorë të një force, të cilën e mban si shumë më të lartë se arsyeja dhe shumë më të fuqishme në krahasim me fuqitë e tij.
Ai shkruan me druajtje në kodet e tij ligjore, ligje që dhunon çdo ditë. Ai shkruan dënime çnderuese të cilat gjyqtarët i fshijnë gjithmonë. dhe një re e dendur paditurie rrethon tempullin në të cilin ai hyn pothuajse gjithmonë si hajdut dhe del pothuajse gjithmonë si fajtor.
Legjislacioni ynë dashuror është një ndërthurje mjerane hipokrizie dhe epshi e, ngaqë nuk dimë të shikojmë në sy dashurinë, e kamuflojmë atë me veshjet e palaços dhe prostiutës.
Përpara dashurisë, jemi ende pak a shumë të gjithë të egër. Çfarë shëmtie kundrejt forcës më të madhe njerëzore.
E megjithatë edhe dashuria duhet pushtuar ashtu si të gjithë forcat e tjera të natyrës, dhe, pa humbur asnjë rrahje nga energjia e saj, asnjë lule nga kurora e saj, edhe ajo duhet mbarështuar nga shkenca, e cila drejton dhe kupton gjithçka.
Dashuria duhet të jetë forca e qytetëruar më e dëshiruar, më e shtrenjtë dhe më e fuqishme, asnjë pasion tjetër nuk mund të zërë vendin e parë.
Atje ku shfaqet ajo, asnjë tjetër nuk mund të zgjidh problemin fisnik të bashkimit të epshit më të madhe me virtytin më të lartë, të nxisë të mirë e brezave me anë të mirësisë dhe gëzimit.