Në çfarë analesh është lexuar ndonjëherë që shtëpitë mbetën të zbrazëta, qytetet e shkretuara, fshatrat e lëna pas dore, fushat shumë të vogla për të vdekurit, dhe një vetmi e frikshme e universale mbi gjithë Tokën? Oh… njerëzit e lumtur të së ardhmes, që s’i kanë njohur këto mjerime, dhe ndoshta do të kategorizojnë dëshminë tonë tek përrallat. (Petrarka)
Bota e njohur me një të tretën më pak të njerëzve në një hapësirë kohore 6-vjeçare, është diçka e pamendueshme. Dhe kjo ka ndodhur vetëm një herë në histori. Gjatë kasaphanës, nuk kishte vende për të varrosur të gjithë trupat; njerëzit e sëmurë do të qëndronin të braktisur në rrugë, ose shtriheshin trotuareve, duke gulçuar deri sa jepnin shpirt. Ju do të takonit një mik për drekë; në mbrëmje ai do të kishte vdekur, duke darkuar me etërit e tij në Parajsë, sikurse shprehej poeti italian Bokaçio.
Ishte viti 1347. Murtaja tashmë kishte bërë kërdinë në Lindjen e Largët. Tani, ajo kishte mbërritur në dyert e kufijve lindorë të Evropës.
MONGOLËT kishin rrethuar pikën e fortifikuar tregtare gjenoveze të Kafas, që tani quhet Feodozia, në Krime. Të shpartalluar për vete nga sëmundja misterioze, mongolët e ndërprenë sulmin. Por, para se të tërhiqeshin, bënë një sulm të fundit vdekjeprurës. Duke përdorur katapulta gjigante, ata hodhën mbi muret e qytetit trupat ende të ngrohtë të viktimave të murtajës. Më vonë, kur disa ushtarë mbrojtës gjenovezë hipën në galerat e tyre për të shpëtuar nga qyteti, tashmë i goditur me murtajë, e përhapën sëmundjen në çdo vend ku shkuan.
Brenda disa muajsh, vdekja kishte pllakosur në tërë Evropën. Me shpejtësi, ajo u përhap në Afrikën e Veriut, në Itali, në Spanjë, në Angli, në Francë, në Austri, në Hungari, në Zvicër, në Gjermani, në Skandinavi dhe në vendet balltike. Brenda dy vjetësh ose aty afër, më shumë se një e katërta e popullsisë së Evropës (rreth 25 milionë njerëz) ranë viktimë e asaj që është quajtur «katastrofa më mizore demografike që ka njohur ndonjëherë njerëzimi»-Vdekja e Zezë.*
Krijohen kushtet për katastrofën
Tragjedia e Vdekjes së Zezë përfshinte më shumë sesa vetë sëmundjen. Për ta rënduar katastrofën luajtën rol disa faktorë, njëri nga të cilët ishte zelli fetar. Doktrina e purgatorit është një nga këta faktorë. «Aty nga fundi i shekullit të 13-të, besimi në purgatorin ishte i përhapur kudo»,-thotë historiani francez Zhak lë Gof. Në fillim të shekullit të 14-të, Danteja shkroi Komedinë hyjnore-vepër që pati ndikim të madh-në të cilën i bëheshin përshkrime të gjalla ferrit dhe purgatorit. Për pasojë, u zhvillua një klimë fetare ku njerëzit ishin të prirur ta përballonin murtajën me një apati dhe një nënshtrim të habitshëm, duke e konsideruar atë si një ndëshkim nga vetë Perëndia. Siç do ta shohim, kjo gjendje mendore pesimiste faktikisht i dha shtysë përhapjes së sëmundjes. «Asgjë tjetër nuk mund të kishte siguruar më shumë material premtues, ku murtaja të mund të ushqehej»,-vërehet në librin The Black Death (Vdekja e Zezë), nga Filip Zigler.
Përveç kësaj, ekzistonte edhe problemi i prishjes së prodhimeve bujqësore në Evropë në mënyrë të përsëritur. Për pasojë, popullsia e kontinentit që po shtohej me shpejtësi vuante nga të ushqyerit e keq dhe nuk ishte e pajisur për t’i rezistuar sëmundjes.
Murtaja përhapet
Sipas mjekut personal të papa Klementit VI, Gi dë Sholiak, Evropën e kishin pushtuar dy lloje murtajash: pneumonike dhe bubonore. Ai i përshkroi në mënyrë të qartë këto sëmundje, duke shkruar: «E para zgjati dy muaj. Njerëzit kishin zjarrmi të vazhdueshme, pështynin gjak dhe vdisnin brenda tri ditësh. E dyta, zgjati gjithë periudhën që mbeti, duke pasur edhe kjo zjarrmi të vazhdueshme, por e shoqëruar me çibanë [të thatë] dhe lunga në pjesët e jashtme të trupit, kryesisht në sqetulla dhe në ijë. Nga kjo lloj murtaje, një njeri vdiste brenda pesë ditësh.» Mjekët nuk ishin të zotë ta ndalnin përparimin e murtajës.
Shumë njerëz u larguan me panik, duke lënë pas mijëra të tjerë të infektuar. Në fakt, ndër të parët që ikën ishin fisnikët e pasur dhe mjekët. Ndonëse u larguan edhe disa klerikë, shumë anëtarë të urdhrave të ndryshme fetare u fshehën në manastiret e tyre, duke shpresuar t’i shpëtonin infektimit.
Mes këtij paniku, papa e shpalli vitin 1350 një Vit të Shenjtë. Pelegrinëve që bënin udhëtimin për në Romë do t’u lejohej të hynin drejtpërdrejt në parajsë, pa iu dashur të kalonin nëpër purgator. Qindra mijë pelegrinë iu bindën kësaj thirrjeje, duke e përhapur murtajën në vendet nga të cilat kaluan gjatë udhëtimit.
Përpjekje të kota
Përpjekjet për ta kontrolluar Vdekjen e Zezë ishin të kota, sepse askush nuk e dinte në të vërtetë se si transmetohej ajo. Shumica e kuptuan se kontakti me një person të sëmurë ose edhe me rrobat e tij, ishte i rrezikshëm. Disa madje kishin frikë edhe kur i shikonte një person i sëmurë. Kurse, banorët e Firences në Itali ia hodhën fajin maceve dhe qenve për murtajën. Ata i vranë këto kafshë, duke mos e kuptuar se me këtë veprim, po i linin rrugë të lirë një krijese që faktikisht kishte rol në përhapjen e infektimit: miut.
Me shtimin e vdekjeve, disa iu drejtuan Perëndisë për ndihmë. Burra e gra i dhanë kishës gjithçka që kishin, duke shpresuar se Perëndia do t’i mbronte nga sëmundja ose, të paktën, do t’i shpërblente me jetën qiellore nëse vdisnin. Kjo bëri që në duart e kishës të grumbullohej një pasuri e stërmadhe. Kura të përhapura ishin edhe hajmalitë për fat, ikonat e Krishtit dhe nuskat. Të tjerë iu drejtuan besëtytnive, magjisë dhe pseudomjekësisë për të kërkuar kura të ndryshme. Thuhej se parfumet, uthulla dhe disa lëngje të veçanta e mbanin larg sëmundjen. Një kurë tjetër e preferuar ishte të lihej të derdhej gjak nga trupi. Madje, fakulteti dijeplotë i mjekësisë në Universitetin e Parisit ia atribuoi murtajën renditjes së planeteve! Gjithsesi, shpjegimet e rreme dhe «kurat» nuk bënë asgjë për të ndërprerë përparimin e kësaj murtaje vrasëse.
Efekte që mbeten
Pas pesë vjetësh, u duk më në fund se Vdekja e Zezë kishte arritur në përfundim. Por ajo do të përsëritej të paktën katër herë deri në fund të shekullit. Pasojat që la Vdekja e Zezë mund të krahasohen me ato të Luftës I Botërore. «Nuk ka pothuajse asnjë mospajtim mes historianëve modernë se periudha e murtajës endemike (sëmundje ngjitëse që përhapet vazhdimisht në një zonë) pati pasoja të thella si për ekonominë, ashtu edhe për shoqërinë pas vitit 1348»,-vërehet në një libër të vitit 1996, The Black Death in England (Vdekja e Zezë në Angli). Murtaja fshiu nga faqja e dheut një pjesë të madhe të popullsisë dhe kaluan shekuj përpara se disa zona të banoheshin përsëri. Me pakësimin e krahut të punës, pagesa për punën natyrisht u rrit. Pronarët e tokave, dikur të pasur, falimentuan dhe sistemi feudal-një shenjë dalluese e epokës së Mesjetës-mori fund.
Prandaj, murtaja qe një shtysë për ndryshime politike, fetare dhe shoqërore. Para murtajës, klasa e arsimuar në Angli fliste përgjithësisht gjuhën frënge. Por, vdekja e shumë mësuesve të frëngjishtes ndihmoi që në Britani, anglishtja të fitonte epërsi mbi frëngjishten. Ndryshime ndodhën edhe në sferën fetare. Siç e vëren historiania franceze, Zhaklinë Brosoje, për shkak të mungesës së kandidatëve për priftërinj, «edhe Kisha shpesh rekrutonte individë të pamësuar dhe apatikë». Brosoje deklaron se «rënia që pësuan qendrat [e kishës] për arsimimin dhe për besimin ishte një prej shkaqeve të Reformës».
Patjetër, Vdekja e Zezë la gjurmë edhe në art, ku vdekja u bë një temë e zakonshme artistike. Zhanri i famshëm i valles makabre, ku paraqiten në përgjithësi skelete dhe kufoma, u bë një alegori e njohur e pushtetit të vdekjes. Të pasigurt për të ardhmen, shumë nga ata që i mbijetuan murtajës, flakën tej çdo lloj kufizimi moral. Kështu, morali shkoi poshtë e më poshtë në mënyrë tronditëse. Sa për kishën, duke qenë se dështoi të parandalonte Vdekjen e Zezë, «njerëzit e epokës së mesjetës menduan se Kisha e tyre i kishte lënë në baltë». (The Black Death) Gjithashtu, disa historianë thonë se ndryshimet shoqërore që vijuan fill pas Vdekjes së Zezë nxitën individualizmin dhe sipërmarrjet, si edhe shtuan lëvizshmërinë shoqërore dhe ekonomike-pararendësit e kapitalizmit.
Veç kësaj, Vdekja e Zezë i nxiti qeveritë që të vendosnin sisteme kontrolli për higjienën. Pasi u fashit murtaja, Venecia mori masa për të pastruar rrugët e qytetit. Mbreti Xhon II i Francës, i mbiquajtur i Miri, në mënyrë të ngjashme urdhëroi pastrimin e rrugëve si mjet për të parandaluar kërcënimin e një epidemie. Këtë hap mbreti e mori pasi kishte mësuar për një mjek të lashtë grek, i cili e kishte shpëtuar Athinën nga një murtajë, duke fshirë e duke larë rrugët. Shumë rrugë mesjetare, të cilat ishin bërë kanale të hapura ujërash të zeza, më në fund u pastruan.
Diçka e së kaluarës?
Gjithsesi, vetëm në vitin 1894, bakteriologu francez Aleksandër Yersin izoloi bacilin përgjegjës për Vdekjen e Zezë. Ai u quajt Yersinia pestis, duke marrë emrin e këtij bakteriologu. Katër vjet më vonë, një francez tjetër, Pol-Lui Simon, zbuloi rolin që kishin pleshtat (e mbartur nga brejtësit) në transmetimin e sëmundjes. Menjëherë u përgatit një vaksinë që pati sukses të kufizuar.
A është murtaja diçka e së kaluarës? Vështirë se po. Në dimrin e vitit 1910, në Mançuri vdiqën rreth 50.000 njerëz nga murtaja. Veç kësaj, çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë regjistron mijëra raste të reja dhe numri vazhdon të rritet. Janë zbuluar, gjithashtu, lloje të reja të sëmundjes, lloje që i rezistojnë mjekimit. Në fakt, murtaja mbetet një kërcënim për njerëzimin, po nuk iu përmbajtën normave themelore të higjienës. Libri Pourquoi la peste? Le rat, la puce et le bubon (Përse murtaja? Miu, pleshti dhe buboni), botuar nga Zhaklinë Brosoje dhe Henri Mojare, nxjerr përfundimin se «në vend që të jetë një sëmundje e Evropës së vjetër të Mesjetës, . . . mjerisht murtaja është ndoshta një sëmundje e së ardhmes».
Rindërtohet ADN-në e bakteries mesjetare
Murtaja e Zezë ose vdekja e zeze, epidemia e tmerrshme që goditi Evropën në mes të viteve 1347-1351,në pesë vjet,i mori jeten pothuajse gjysmës se popullsisë se kontinentit, mund të jetë nëna e të gjitha epidemive shkatërrimtare që janë përhapur në të gjithë botën,ku çdo vit marrin mijëra viktima.
Kjo u zbulua pas një studimi, i cili u publikua në revisten ''Natyra'', ku për herë të parë u rindërtua gjenomi i Yersinia Pestis, bakter përgjegjës për pandemi shekullit të katërmbëdhjetë.
Përparimet teknologjike kanë lehtësuar rindërtimin e sekuencave te ADN-se nga mbetjet e disa viktimave të kohës: kodin gjenetik me "udhëzimet e vdekjes" te Murtajes se Zeze,qe në fakt ishte nxjerrë nga tuli e dhëmbëve të pesë skeleteve gjetura në varrezat ne Lindje te Londres,ne Smithfield,varreza qe ishin ndërtuar në mes të viteve 1348 – 1349 për të varrosur viktimat e shumta te epidemisë se parë në histori.
Falë një teknikë të re,që tash e tutje do te perdoret për të studimin e genomeve te mikroorganizmave patogjene të se kaluarës, hulumtuesit e udhëhequr nga Johannes Krause nga Universiteti i Tübingen, Gjermani kane arritur për herë të parë në rindërtimin e ADN-në se bakteries mesjetare duke rindërtuar evoluimin e saj gjatë shekujve.
"Të dhënat tregojnë se ADN-ja e këtij lloji bakterial është paraardhës i të gjitha plagëve sot në botë," thotë Hendrik Poinar, një gjenetist në McMaster University (Kanada)pjestar në mesin e autorëve të studimit. "Çdo shpërthimi ne infeksionet virusale në botën e sotme,rrjedh nga një pasardhës i murtajes mesjetare. "
Krahasimi i formave të mostrës gjenetike mesjetare,me ato te mostrave moderne gjithashtu sugjerojn, se faktorë të ndryshëm në lidhje me ADN microbiale – të tilla si mjedisi, dinamikën e transportuesit dhe ndjeshmërinë e organizmit pritës – kanë një rol të rëndësishëm në ardhjen e infeksionit Yersinia Pestis ose murtajes se zeze .