Nga Albert Vataj
Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, At’, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes” – Maksimiliam Lamberz
Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, At’, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes” – Maksimiliam Lamberz
Ky ishte At’ Gjergj Fishta, ai ndaj të cilit komunizmi do të lëshohej si një lukuni e përbindshme e etur për gjak dhe barbarizëm. E çmund të bënte tjetër diktatura ndaj “Poetit Konmbëtar” gjuhtarit, diplomatit, veprimtarit atdhetar, arkitektit, dalëzotit dhe promovuesit të pashoq të vlerave dhe traditave tona kombëtare, veçse ta linte pa varr, t’i prishte paqen e përgjithmonshme të prehjes, t’i flakte eshtrat e tij, ta shpallte të ndaluar dhe ta linçonte kudo me çdo çmim gjithçka që kishte lidhje me atë kolos, me atë monument të vetëdijes sonë atdhetare.
Pasdiktatura, në përpjekjet për të rimëkëmbur, përtërirë dhe korigjur fatalitetin e komunizmit, u orvatën si gjithkund të çojnë në vendnin e vet, në vendin e nderit Fishtën dhe gjithë atë kolanë klerikësh dhe intelektualësh që u bënë pre e hakërrisë së hordhive barbare. Pjesë e ringjalljes së besimit dhe traditës atdhetare që mishëruan me akt e me vepër korifejt e kishës dhe kombit ishte dhe vlerësimi i çdo informacioni dhe nisme, që kishte të bënte me eshtrat e At’ Gjergj Fishtës.
Në kujtimet e shkruara pas burgut, Atë Zef Pllumi do të linte pasazhe të gjata dhe për Fishtën. Në vitin 1996 revista “Hylli i dritës” do t’i kushtonte një numër të posaçëm Atë Gjergj Fishtës, i cili hapet me shkrimin e Atë Zef Pllumit “Nji vorr për Atë Gjergj Fishtën”. “Ajo natë e 31 dhjetorit 1940 nuk kje nAtë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës.
Vonë në natën e 31 dhjetorit nji grup i vogël françeskanësh hapëm Atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin: Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye…
Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas ai ndalet në kohën kur komunizmi nisi të instalohej në vend, dhe lufta e parë që ai shpalli ishte kundër fesë.
Ja si e përshkruan ai momentin kur ushtarët hynë në kishë dhe kërkuan të dinin ku ishte varri i Fishtës, për t’u hakmarrë ndaj tij. “Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndjeçoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet. Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul. Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë , pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”, shkruan At Zef Pllumi.
Më pas frati françeskan ndalet në 6 shkurtin e vitit 1967 për të shpjeguar Atë që u quajt nga regjimi si “revolucion kulturor” në qendër të cilit ishte shfarosja e fesë. “Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”, kujton Atë Zef Pllumi. Më tej ai vazhdon duke shkruar se “Kjo natë. Simbas nji dishmitari okuar, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin.
Partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe racën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin”, shkruan At Zef Pllumi. Gazeta letrare “Drita” do të niste një fushatë kundër personalitetit të Fishtës, e cila më pas do të vijonte dhe me heqjen e emrit të tij nga tekstet shkollore. Por sipas Atë Zefit, një sistem i tërë diktatorial nuk mundi ta hidhte në koshin e harresës një personazh si Fishta.
“I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij.
Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialit, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg”, kujton At Zefi. pas rënies së regjimit komunist në 50-vjetorin e vdekjes së Fishtës një grup intelektualësh vendosin që ky përvjetor të mos kalohej në heshtje.
Ishin Aurel Plasari, Skëndër Buçpapaj, Rudolf Marku, të cilëve iu bashkua dhe aktori Ndrekë Luca. Më 28 dhjetor 1990 në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve do të ishte një moment emocionues, pikërisht në vendin ku ishte denigruar figura e tij. “Gjysmë shekulli ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë me jetëgjAtësi, duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre, e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë Atë çka i mungon”, do të shprehej Aurel Plasari. Pas kësaj ceremonie do të niste rikthimi i emrit të Fishtës në letrat shqipe, përmes aktiviteteve në Shkodër e Tiranë e shkrimeve që nisën që nga gazeta “Drita”. Ndërkohë, në vitin 1993 kishte nisur rindërtimi i Kishës Françeskane të Gjuhadolit. “Kur u emnue Provinçial Superjoj i françeskanëve të Shqipërisë, At Flavio Cavallini, fola me të për këtë punë që na priste. Dhe ma premtoi se kah mbarimi i rindërtimit të kishës, me siguri do të punohej edhe për reperimin e vorrit të përdhunuem. E mbajti premtimin. Mbas dy vjet punimesh erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri. Ajo nuk u shtrue pa u ba sondazhet për vorrin, simbas të dhanave që kishim tregue.
Më datë 13.11.1995 ditën e hënë, rreth orës 14.30 minuta, filluen gërmimet në prani të noteres V.Sulkaj. Aty kah ora 18.00 mbërritja edhe unë me At Leo Kabashin dhe kryeredaktorin e Hylli Aurel Plasari, kishim thirrë edhe drejtorin e radio Shkodrës, Z.D Luka. Me disa të tjerë që punojshim në rindërtimin e kishës ishte dhe Z. Ferdinand Topalli i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hedh në Drin. Nga gërmimi i deriatyshëm u pa kjartë se nuk ishte dhe i zakonshëm i tokës, por nji material i ardhun nga prishje ndërtesash si copa tullash, gëlqere suvatimi, etj. Atë natë u punue deri aty kah ora 21 në thellësinë rreth 2 metra u gjetën vetëm pak eshtra të vogla dhe nji unazë kurrizore.
U vërtetue plotësisht se vorrprishësit kishin gërmue jo vetëm në mes, ku gjindej rrasa e mermertë por në çdo qoshe, derisa kishin ra në eshtna. N’e nesre gërmimet vazhduen përsëri. U gjet fundi i kalbun i nji arkivoli drunit, nji copë nga petku fetar (stola), si dhe pak ornamente metalike t’arkës. Dheu aty përreth u kalue nëpër sitë e u gjetën edhe nji pakicë eshtnash , shpëtue prej dhunimit të vorrit”, kujton At Zef Pllumi, i cili do të vazhdonte të këmbëngulte deri në rivarrosjen dinjitoze të Fishtës.
Letër e hapun:
TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË MBRENDA E JASHTA ATDHEUT!
Për dijeni:
Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë,
Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan,
Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë,
Z.Jozefina Topalli, Kretar i Kuvendit Popullor, Tiranë,
Z.Prof.Dr. Sali Berisha, Kryeminister i Republikës së Shqipnisë,
Z.Prefektit të Shkodres,
Z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres,
Z.Prokurorit të Shkodres,
Z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder,
Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjetëve të Informacionit Shqiptar!
ESHTNAT E AT GJERGJ FISHTËS O.F.M. JANË NË RËMAJ !…
At Gjergj Fishta Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuaj Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!…
Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas se boll kam heshtë!…
Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve.
Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë…”
Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpirtnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,… se je i ri e njëditë…
këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës…”.
U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porcelan. Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap.
Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?”….
Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni.
Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhët të fliste me asnjë përson.
Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin.
Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në vorrezat e Rëmajit”.
Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi, jemi gjallë… tjerët jo!…
Mendoj, se nuk duhët vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokrAtët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës maparshme me At Fishtën:
TURPI DO TI MBETËT VETËM SHKODRËS DHE VETËM ASAJ!
Shenim:
•Në muajn Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjigjë.
•Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.
•Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjigjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.
Fritz RADOVANI
Melbourne, 6 Prill 2008.