Nga Albert Vataj
Athina ishte themeli i një prej traditave më të hershme të qytetërimit, njëherash e organizmit dhe zhvillimit të Lojërave Olimpike. Nga antikiteti, kur ata hodhën rrënjë për të mbetur si një emblemë, ky manifestim disiplinash sportive, sprovash force dhe sfidash do të shuhej për të mbetur një memuar i skalitur në artefakte, në bazorelieve, në dëshmime që u kacafytën dhëmb për dhëmb me harrimin dhe erozionin e kohës. Gjithçka nga kjo magji mbeti për afro 15 qindëvjeçarë e groposur nën sipërfaqe, poshtë pluhurit dhe nëpër vargje poetësh, për t’u rikthyer më 15 nëntor 1859 që daton ringjallja në Athinë e Lojërave Olimpike moderne. Pas rreth 1500 vjetësh traditë e patëdytë në historinë e botës, një filantrop shqiptar vendos t’i rikthejë Athinës shkëlqimin e antikiteti, një pjesë të qenësishme të hyjnores së Greqisë së lashtë.
Fillimisht ato u quajtën Lojrat Olimpike të Zhapës, pasi u sponsorizuan e financuan nga Vangjel Zhapa, filantropist i lindur në vitin 1800 në Labovën e sipërme, fshat afër Tepelenës, (sot në qarkun i Gjirokastrës).
Vangjeli e la fshatin e lindjes që në moshën 13 vjeç dhe shkoi në Janinë. Aty gjen mbështetjen e labovitit tjetër Vangjel Meksi, kryemjek në oborrin e Ali Pashës (Vangjel Meksi (1770 – 1821) njihet si autor i një gramatike shqipe dhe përkthyesi i parë në shqip i Dhiatës së re.
Në moshën 20 vjeçare, Zhapa regjistrohet në forcat e Ali Pashë Tepelenës. Pastaj iu bashkua luftës greke për pavarësi nga perandoira osmane, duke luftuar përkrah suljotëve të Marko Boçarit. Pas revolucionit grek, aty nga viti 1831, Vangjel Zhapa largohet nga Greqia dhe vendoset në Rumani ku merret me spekullime në tregun e pasurive të patundshme. Në vitin 1850, Zhapa njihet si një ndër afaristët më të pasur në Evropën lindore. Përveç ndihmave për ringjalljen e Lojrave Olimpike, Vangjel Zhapa dhuroi shuma të mëdha në drejtim të themelimit të shkollave, bibliotekave dhe institucioneve të tjera të ngjashme arsimore në të gjithë botën e pushtuar osmane, nga Stambolli deri në Labovë. Vangjel Zhapa vdiq në vitin 1865.
Shqiptari i harruar që e la me testament amanetin “Koka të më varroset në Athinë, trupi në Shqipëri”.
Vangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë të Madhe ose siç njihet ndryshe Labova e Zhapës në rrethin e Gjirokastrës. Sipas të dhënave të ndryshme të biografëve që janë marrë me figurën e Vangjel Zhapës, bëhet e ditur se ai që në moshë fare të re shkonte si bari me bagëtitë e familjes tij. Që në atë kohë, teksa kulloste tufën e deleve në shpatet e maleve në afërsi të fshatit tij, ai shfaqte interes për bimët mjeksore të cilat i mblidhte dhe i kultivonte në shtëpinë e tij(pasi mamaje e tij Sotira Meksi merrej gjithashtu me bime mjeksore). Kur nuk ishte më shumë se 13 vjeç, ai u nda nga familja dhe u largua nga fshati e shkoi në Janinë ku u takua me kushuririn e tij nga mamaja , labovitin Vangjel Meksi i cili njihej si mjek popullor në të gjithë Vilajetin e Janinës.
Pasi qëndroi për disa vjet pranë Vangjel Meksit, duke mësuar zanatin e xherahut, (mjek popullor) dhe gjithashtu kirurgjine, ai përfitoi mjaft nga kushuriri i tij e më pas u largua duke e ushtruar vetë atë mjeshtëri. Në moshën 20 vjeçare ai mori pjesë në revolucionin grek në luftrat kundëra Turqisë duke u bashkuar me arvanitasit dhe të famëshmit suljotë të Marko Boçarit. Thuhet se për trimëri të rralla në ato luftra Vangjel Zhapës ju dhanë medalje e dekorata dhe u caktua si komandant në vijën e parë të frontit.
Pas revolucionit grek, aty nga viti 1831, ai u largua nga Greqia së bashku me disa bashkfshatarë të tij dhe emigroi për në Rumani ku vazhdoi të ushtronte zanatin e mjekut popullor. Sipas të dhënave të ndryshme biografike për Vangjel Zhapën, mësohet se në fillimet e vendosjes tij në Rumani ai mori përsipër dhe arriti të shëronte vajzën e princit Maruzit të Rumanisë nga një gangrenë që kishte pasur në këmbë. Për këtë gjë atij ju dha një shpërblim i madh në toka bujqësore, që ishte dhe pasuria e parë e tij.
Dokumente të ndryshme arkivore të shtetit Rumun, hedhin dritë dhe vërtetojnë se nga fundi i vitit 1844, Vangjel Zhapa bleu një çiflik në Broshten afër Ialonicës ku përfshiheshin toka, kullota, pyje, mullinj, magazina, hane etj. Po kështu përveç këtij çifligu, Vangjeli bleu dhe në Bukuresht një shtëpi të madhe e një hotel. Mbas gjithkësaj pasurie që ai mundi ta siguronte si pronë të tij, ai kishte pjesë dhe në shumë aksione në shoqëritë e vaporëve që lundronin mbi Danub. Të gjitha këto pasuri i dhanë Vangjelit një nam të madh aq sa thuhet se ai arriti të bëhet dhe këshilltar pranë oborrit mbretëror të Rumanisë, për problemet tregtare. Vangjel Zhapa ka vdekur mė 1865.
***
Vangjel Zhapa, ky bamirës i madh me kontribute në Greqi, Rumani, Bullgari, pak është i njohur dhe i vlerësuar në vendlindjen e tij në Shqipëri. Ndonëse ai është rilindësi i lojërave olimpike antike apo ndryshe themeluesi i Lojërave Olimpike Moderne, njëkohësisht ai është edhe një rilindës i kulturës shqiptare, pasi në testamentin e tij historik ka një numër të madh kushtesh për zhvillimin e arsimit në Labovë dhe në të gjithë krahinën e Rrëzës së Odries. Sikurse është bërë e ditur nga mediat gjatë fushatave promocionale olimpike prej kohësh statusin e themeluesit ia kanë atribuuar e trashëguar padrejtësisht vetëm një filantropi francez, ndërkohë që faktet historike flasin ndryshe. Ka qenë një dualitet kontributesh, por që për shkak të heshtjes se pamotivuar edhe nga atdheu i Zhapës, sa duket ka lënë në heshtje të plotë themeluesin dhe sponsorin e vërtetë të Lojërave Olimpike Moderne labovitin e shquar, Vangjel Zhapa.
Mirëpo siç ndodh shpesh, atë që nuk e bëjnë qeveritë dhe institucionet e bëjnë vetë njerëzit e thjeshtë. Në fshatin e tij të lindjes, pishtarin olimpik e mbajti ish-futbollisti i njohur labotit, Kristaq Ciko. Shoqëruar nga fëmijë dhe qindra banorë të zonës, flaka olimpike u përcoll në pishtarin e vendosur në oborrin e kishës së fshatit që ka emrin e nënës së tij “Papandia”, pranë së cilës ndodhet varri dhe prehen eshtrat e Vangjel Zhapës dhe bashkëpunëtorit dhe kushëririt të tij të parë, Konstandin Zhapa.
Sipas burimeve historike serioze, në vitin 1856, Vangjel Zhapa i drejton mbretit të Greqisë një propozim, për rilindjen e olimpizmit modern në djepin e vjetër të origjinës së tyre në Greqi. Sipas këtyre burimeve, Zhapa dha si dhuratë 3000 napolona flori dhe 400 aksione që posedonte në një shoqëri lundrimi në Rumani. Mbreti Othon, në gusht 1856 publikon dekretin mbretëror ku mishërohet edhe konkretizimi i nismës së bamirësit labovit, ndërkohë që në nëntor të vitit 1859, realizohet çelja e parë e manifestimeve olimpike moderne.
Vangjel Zhapa njihet si një ndër ballkanasit që në atmosferën e marrëdhënieve feudale që mbizotëronin në gadishull ai përqafoi marrëdhëniet kapitaliste dhe vuri një pasuri të madhe. Aktiviteti i tij ekonomik shtrihet në disa shtete ballkanike si në atë të Rumanisë, Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Turqisë. Me gjithë kontributin e madh në zhvillimin kulturor shqiptar, grek, rumun, bullgar dhe turk, për periudhën kur jetoi e zhvilloi aktivitetin e tij ekonomik, kulturor dhe bamirës, filantropi Zhapa nuk ka marrë asnjë vend në mesin e personaliteteve të vendit të tij të origjinës në Shqipëri. Mandej edhe shtëpia e tij në qendër të Labovës, një vepër e përkryer arkitekturore, është lënë krejt e braktisur. Kreu i Komunës së Odries, Kristaq Zharkalli, lidhur me këtë monument thotë se “Është një vepër monumentale e braktisur nga të gjitha qeveritë që janë ndërruar njëra pas tjetrës, që nga koha e qeverisë së diktaturës. “Askujt nuk i kishte shkuar nëpër mendje për ta vlerësuar këtë vepër monumentale. Meqenëse është edhe 100-vjetori i themelimit të shtetit shqiptar dhe po bëhet një farë pune për vlerësimin e figurave historike, ndoshta i pari që duhej të renditej në vlerësimin e jetës dhe të kontributit që ka dhënë për vendin e tij, është edhe Vangjel Zhapa dhe gjëja me e pakët që mund të bëhej do të ishte kontributi për restaurimin e kësaj vepre, me rëndësi historike, kulturore, muzeore dhe turistike”.
Mësojmë se vetëm ish-shkolla në mes të fshatit që ka qenë ndërtuar prej Zhapës dhe ka shërbyer si shkollë e parë shqipe para më shumë se 120 vjetëve është shpallur monument kulture. “Ndërkohë që është fakt i njohur historik që Vangjel Zhapa meriton të kujtohet për çeljen e më shumë se 120 shkollave brenda territorit shqiptar, ku mësohej krahas greqishtes edhe shqipja. Ndërkaq, emri i tij nderohet në nivel europian mes filantropëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, thotë mësuesi veteran, Aleks Zhapa, pasardhës i fisit të Vangjel Zhapës. Testamenti i njohur i V. Zhapës me një sërë amendamentesh është respektuar deri pak vite pas çlirimit, më pas gjithçka u harrua.
Interesimit të bashkëfshatarëve dhe shoqatës ende i përgjigjet me heshtje, ndërkohë që me pasurinë e tij të administruar me testament në Greqi bëhen ende investime veçanërisht në fushën e bursave, në fushën e arsimit dhe të kulturës. “Vangjel Zhapa dhe sivëllai i tij, Konstandini, kanë qenë njerëz të veçantë, kapitalistë, ekonomistë dhe biznesmenë të suksesshëm që arritën të ndërtonin vetëm me punën, mendjen dhe kapitale e tyre përrallore, vepra që i shërbyen gjithë njerëzimit. Janë bërë përpjekje për ta zbatuar testamentin e tij, por edhe këtu si kudo mungon interesimi i bazës kryesore, pra në rruge zyrtare”, thotë një tjetër pasardhës i fisit Zhapa.
Disa nga pikat e testamentit të tij përfshinin pa dyshim vëmendje dhe investime për fshatin e tij të lindjes, Labovën, thotë Koço Lani, banori më i vjetër i Labovës.
Sipas plakut të moçëm, Koço Lani, në këtë testament përfshihej: “Ngritja e shkollës, rroga e arsimtarëve, pagesa e librave të nxënësve, rroga e punonjësit fetar të kishës, mirëmbajtja e rrugëve dhe shërbimi mjekësor. Por ajo që është porosia më interesante brenda këtij testamenti ishte një pikeë që kishte të bënte me dhënien e prikës për martesë për të gjitha vajzat jetime nga nëna ose babai, prikë kjo që sipas testamentit shkonte deri në 100 napolona flori”. Interesante sipas tij ishte edhe një porosi tjetër e këtij testamenti që kishte të bënte me vete atë pas vdekjes.
”Zhapa është shqiptari i dytë i njohur në histori që trupi i prehet në dy shtete. I pari ishte Ali Pashë Tepelena, por vendimi për të u mor nga Sulltani, i cili kokën e Pashait e kërkoi në Stamboll dhe trupi u la në Janinë. Ndërsa Vangjel Zhapa, ky shqiptar i harruar, e la me testament që koka t’i varrosej në Athinë dhe trupi në vendlindje, Labovë”, përfundon rrëfimet xha Koçoja. Sidoqoftë vetëm çështja e dinjitetit të tij, për kontributin në ringjalljen e Lojërave Olimpike Antike ende vijon të mbetet pezull për shkak të indiferencave të pamotivuara nga të gjithë.