Nga Albert Vataj
Jo pak për të mbetur ende në kujtesën dhe ëndjen e kremtuesve të mendimit filozofik dhe krishterimit. Ai lindi plot 1660 vite më parë, më 13 nëntor 354.
Agostini lindi në vitin 354 në Tagaste një qytet provincial në Provincën Numidia. Qyteti sot quhet Souk-Arrhas dhe ndodhet në Algjeri. Kur lindi iu dha emri Aurelio Agostino. Ai lindi pas konvertimit të perandorit Konstantin në fenë e krishterë. Në këtë periudhë, Afrika e Veriut do ti nënshtrohej gjithnjë e më shumë ndikimit të kulturës së krishterë greke, ndërsa ndikimi i kulturës latine do të dobësohej. Kisha e krishterë në Numidia ishte e ndarë në shumë grupe dhe rryma besimi në rivalitet me njëra-tjetrën.
Ai u shua në moshën 74-vjeçare, më 28 gusht 430.
Shën Augustini, ishte një peshkop i Hippo Regius në Afrikën Veriore. Ai ishte një teolog i lashtë i krishterë, i cili luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë perëndimore, ngulmin e zanafillë për shkrirjen e filozofisë greke me traditat fetare judeo-kristiane. Ai kishte një prirje të pazakontë intelektuale. Kaloi jetën, spariherë si eksplorues i teorive të ndryshme filozofike dhe fetare. Edhe pse konsiderohet si një nga figurat më të shquar të krishterimit perëndimor, ai nuk e ishte i konvertuar si i krishter deri në moshën 31-vjeçare. Shën Augustini u ndikua shumë nga agnosticizmi, Manichaeism, edhe pse më vonë interesat e tij u zhvendosën përnga neoplatonizmi. Pas viteve të konfuzionit dhe trazimit të epërm shpirtëror, të një lloj kaplimi prej humbjes së drejtpeshimit, ai iu dha me mish e me shpirt Biblës së Shenjtë, dhe u bind se ai mund të arrijë shpëtimin vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit. Pas pranimit të krishterimit, ai filloi zhvillimin e teorive vetjake filozofike dhe teologjike, ndikime të cilat lanë gjurmë të thellë në botëkuptimin mesjetar. Në njohjen e kontributin e tij ndaj doktrinës së krishterë, ai u dha titullin e Doktorit të Kishës. Ai është konsideruar si një shenjtor nga kisha katolike dhe kisha ortodokse lindore, dhe është shenjt mbrojtës itipografëve dhe teologëve. I tillë është ndikimi i Shën Augustini në fenë perëndimore, aq sa veprat e tij si “Rrëfimet” dhe “Qyteti i Zotit” kanë lexues të ëndshëm edhe sot.
****
Shën Augustini ishte djali i një nëpunësi të thjeshtë, i lidhur ende me besimet pagane të Perandorisë së hershme Romake dhe i një nëne thellësisht të krishterë. Nëna – Shën Monika e ardhshme – që u përpoq për një kohë të gjatë për ta konvertuar të birin në fenë e krishterë, luajti një rol shumë të rëndësishëm në jetën e Augustinit. Pas viteve të shkollës, i shpëtoi për një farë kohe ndikimit të saj dhe shkoi të studionte retorikën në Kartagjenë nga viti 370 deri më 373. Atje takoi gruan që do ta shoqëronte gjatë tërë jetës së tij, emrin e së cilës nuk e zbuloi asnjëherë. Ajo i dha një djalë, Adeodatusin (” të dhënë nga Zoti”). Augustini, i joshur sidomos nga shkrimet e Ciceronit, iu kthye filozofisë, duke e gjykuar atëherë Biblën intelektualisht të varfër në krahasime. Më pas u bashkua me bashkësinë fetare të manikenëve, me të cilët ndau për nëntë vjet konceptimin rrënjësisht dualist të botës, duke iu kushtuar paralelisht karrierës së retorikut. Kryesisht dha mësime në Tagastë, pastaj tetë vjet në Kartagjenë, më pas në Romë, duke filluar nga viti 383. Atje u lidh me manikeizmin dhe për njëfarë kohe edhe me skeptikët e Akademisë së Re.
Më 384, u emërua profesor i retorikës në Oborrin perandorak të Milanos. Në këtë qytet dëgjoi predikimet e peshkopit Ambrozio, të cilat i bënë shumë përshtypje për cilësinë e tyre sa filozofike aq edhe retorike; aty u familjarizua gjithashtu me interpretimin alegorik të Biblës. Atëherë Augustini u largua nga shkrimet e neoplatonikëve. Gjatë verës së vitit 386 ndodhi më në fund konvertimi i tij në fenë e krishterë; atëherë po mbushte moshën tridhjetetrevjeçare. Në Rrëfimet e tij tregon sesa tronditëse qe për të kjo përvojë: duke hequr dorë nga profesioni i tij, u tërhoq në Cassiciacum në veri të Italisë, për të bërë aty një jetë fetare prej asketi, të mbushur me biseda filozofike. Më 387 u pagëzua nga shenjti i ardhshëm Ambrozio. Augustini, pas vdekjes së nënës, jetoi i rrethuar nga një bashkësi e vogël miqsh në qytetin e lindjes, në Tagastë.
Në shkekullin III, profeti iranian Mani e çoi në ekstrem teorinë e njohjes, që përziente nënshtresën e vjetër të mendimit persian dhe platonizmin. Ekzistonin vetëm e Mira dhe e Keqja, Drita dhe Errësira, Shpirti dhe Mishi, dhe secili duhej të zgjidhte një përbërës të këtyre çifteve antitetikë, që përjashtojnë njëri-tjetrin. Nëse njeriu ishte vendosmërisht i mirë, mund të hiqte dorë nga bota ndjesore dhe materiale, që ishte bota e Errësirës.
Të krishterët – ndër të cilët Shën Augustini, që nuk ishte i fundit – e luftuan me tërbim manikeizmin, pasi e mbante të Keqen dhe princin e Errësirave për po aq të fuqishëm sa Zoti i së Mirës. Megjithatë, sa i takon ekzistencës, radikalizimi dhe përbuzja e doktrinës së Manit përputhej me ndjenjat e shumë të krishterëve të Antikitetit të vonshëm.
Teoria e shpëtimit të njeriut nëpërmjet nderit të vetëm të Zotit luajti një rol kryesor në veprën e Shën Augustinit. Rëndësia e nderit, domethënë e zgjedhjes nga një Zot tepër i gatshëm ndaj një individi, u bë e tillë sa vullneti i lirë luan tashmë vetëm një rol tepër të kufizuar, ai që ka zgjedhur Zoti shpëton; të tjerët – dhe kjo është pjesa më e madhe – dënohen, çfarëdo që të bëjnë. Ky konceptim i nderit, njohur më vonë me emrin “paracaktim”, përputhet me një përvojë jete që ishte ajo e shumë individëve në Antikitetin e vonshëm. Sistemi i tyre i klientelizmit bënte që vetëm ai që gjendej nën mbrojtjen e një senjori të pasur dhe të fuqishëm, një patronus-i dhe i pranuar “me dashamirësi” si pjesëtar i familjes së tij, mund të shpresonte për të kaluar një jetë të rregullt. Koncepti i nderit fitoi një rëndësi të madhe me Reformën e Luterit dke të Kalvinit.
Midis filozofëve të Antikitetit, nuk ka asnjë tjetër për të cilin të ketë aq shumë të dhëna për jetën e tij sa për mendimtarin e madh të fundit të kësaj epoke, Shën Augustinin. Dhe kjo e ka një shpjegim: ai e bëri jetën e tij shtyllën dhe pikëmbështetjen e mendimit të vet. Të jetosh – ai mendoi për këtë më shumë se çdo filozof tjetër – do të thotë të ekzistosh në kohë, si në kohën kur jeton vetë, ashtu dhe në atë të historisë. Koha gjatë së cilës jetoi Shën Augustini përputhet me dhjetëvjeçarët e fundit të një Perandorie Romake ende pothuaj të paprekur; kur ai vdiq, më 430, barbarët gjermanikë – vandalët – rrethuan qytetin ku ai ishte peshkop, Hipone (pranë Anabasë së sotme), në bregun e Afrikës së Veriut.
Ai kishte lindur shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, jo larg prej andej, në qytetin e vogël romak të Thagastës, në Numidi (sot Suk Ahras), në një familje të thjeshtë. Kishte studiuar për retorikë në Kartagjenë, qyteti më i madh romak në Afrikën e Veriut, ku shumë shpejt u bë edhe vetë mësues. I shtyrë nga ambicia, Shën Augustini u nis për në Romë, pastaj për në Milano, që në atë kohë ishte selia e perandorit të Perëndimit. Ai arriti një sukses të jashtëzakonshëm për dikë që nuk kishte prejardhje nga fisnikëria, por nuk u kënaq me kaq: siç shkruan tek autobiografia e tij vrundulluese, Rrëfovst, ai digjej nga dashuria për të vërtetën.
Ai lëkundej ende midis krishterimit, tek i cili përpiqej ta afronte nëna e tij e dashur, skepticizmit të ftohtë, që mbretëronte atëherë në Akademinë platonike, si dhe besimtarisë fanatike të manikenëve, për të cilët bota ishte ndarë rreptësisht në dy fuqi të të njëjtit rang: të Mirës dhe të Keqes.
Në të njëjtën kohë, leximi i Ciceronit i frymëzoi dashurinë për filozofinë dhe e nxiti të njihte më nga afër kërkimet e neoplatonikëve. Aty gjeti përgjigjen e problemit, mbi të cilin përballeshin të krishterët dhe manikenët: si kishte mundësi që ekzistenca e një Zoti të gjithëfuqishëm të ishte e pajtueshme me atë të së Keqes?
Atij i kishin mësuar se e Keqja nuk ekziston, ajo përfaqëson më shumë mosqenien tek e cila Zoti hapi zemrën duke krijuar botën, e cila është sidomos e papërsosur atje ku bashkekziston më shumë materie se shpirt. Augustini, me të vërejtur se krishterimi nuk ishte një fe aq naive sa e bënte një lexim i Biblës, qe i gatshëm të konvertohej dhe të pagëzohej. Te Rrëfovst, ky konvertim shfaqet si çasti kyç i jetës së tij; në arsyen e këtij konvertimi, kërkimi i gjatë i së vërtetës thuhet se kishte qenë në fakt shprehje e dashurisë së pashuar për Zotin.
Kjo dashuri është e ngjashme me mallin e një kthimi në shtëpi, sepse shpirti kujtohet në thellësi të vet se vjen nga i përjetshmi hyjnor. Shën Augustini rimerr teorinë platonike të anamnesis – shpirti kujtohet patjetër për ekzistencat e tij të mëparshme – dhe e zbaton për jetën e mëparshme të shpirtit të tij, në vetë biografinë e tij; konvertimi zbulon se në jetën e këtij njeriu, hyjnori ka qenë gjithmonë si një nder i zbritur drejt frymëzimit të ëmbël të shpirtit.
Fakti që Shën Augustini jetonte mirë, ishte një nder, sepse i jepte tërë atë kohë të lirë për të medituar; fakti që kishte studiuar filozofinë pagane, ishte përsëri një nder, përderisa e kishte afruar me krishterimin; edhe qortimet e rrepta të nënës ishin një nder, sepse kishin përgatitur konvertimin e tij.
Në ardhmërinë e këtij konvertimi, dashuria fizike dhe kënaqësitë e tjera të botës dukeshin pa vlera, pra të këqija; tashmë Shën Augustini pendohet për mëkatet. I konvertuar, ai provon sigurinë e brendshme të të qenit një prej atyre që kanë dëshiruar gjithmonë me ngulm njohjen e Zotit, siç e dëshiroi me të vërtetë aty e tutje. Në përvojën e konvertimit, “dashuria e Zotit” bëhet njësh me njohjen. Përvoja “ekzistenciale” (në gjuhën bashkëkohore) e kërkimit të tij të
****
Zotit kërkon të zotërosh një shpirt që dëshiron zanafillën e tij hyjnore. Besimi është siguri: “Beso për të njohur!” dhe “Njih për të besuar!” janë motot e ndërkëmbyeshme: feja dhe filozofia bashkohen. Në përvojën e konvertimit, që është “mirënjohja” e besimtarit, përmblidhet për një çast tërësia e historisë së frymëzimit për të vërtetën, të vendosur nga kujtimi; koha e një gjvsme jete tkurret dhe përmblidhet në vetë çastin e njohjes.
Dhe ajo që vlen për shpirtin vetmitar të marrëdhënies midis kohëzgjatjes së përkohshme dhe çastit vlen gjithashtu edhe për botën në tërësinë e saj. Prandaj Shën Augustini, te Rrëfovst, jep, pas paraqitjes së jetës së tij, interpretimin e tij filozofik të historisë biblike të Krijimit. Ashtu si jeta e individit përmblidhet te kujtimi në një çast të vetëm, historia e Krijimit ia doli në krye në një çast të vetëm përjetësisë, sepse bota nuk është gjë tjetër veçse një dorëheqje e domosdoshme kalimtare e Zotit në kohë. Plani i tërësisë së Krijimit është i gjithmonshëm, si një këngë që ekziston para se të këndohet, por ai kryhet vetëm me zbatimin e tij në kohë, për të pushuar përsëri më pas si tërësi te kujtimi; ashtu si Krijimi, ndryshimi i përkohshëm do të ketë një fund pa qenë kohë e shkuar. Kjo filozofi kozmologjike e kohës i përshtatet gjithashtu doktrinës së Trinisë hyjnore, bazat e së cilës Shën Augustini i huazon nga Plotini: për të rimarrë metaforën e këngës, Zoti At – Zoti Krijues – është këngëtari që e këndon; Biri është forma e pastër e kësaj kënge, që ekziston gjithë kohës, që përhapet në kohë; dhe Shpirti i Shenjtë është të kënduarit, që kalon si shpirti i njerëzve përmes kohës, për të realizuar këngën (Krijimin).
Te “Qyteti i Zotit”, vepra e tij më e rëndësishme, së bashku me Rrëfovst, Shën Augustini zbaton filozofinë e tij të kohës në historinë e botës. “Qyteti i Zotit”!
Domethënë Kisha është bashkësia e besimtarëve që jetojnë me nder dhe në mbështetje të njëri-tjetrit jetën e tyre tokësore, sepse kjo jetë u është dhënë – por ata nuk jetojnë për hir të dashurisë së tyre tokësore në vetvete. Qyteti i Zotit është parakoha tokësore dhe e përkohshme e bashkimit të shpirtrave me Zotin dhe te Zoti. Nga ana tjetër, gjendja e përkohshme mbetet e burgosur këtu, në tokë, prandaj është jetëshkurtër dhe kalimtare. Në kohën e krijimit të veprës “Qyteti i Zotit”, ostrogotët e kishin plaçkitur Romën, duke treguar në këtë mënyrë se Perandoria Romake ishte e caktuar të shkatërrohej, ashtu si kishte ndodhur me Perandorinë e Babilonisë. Shteti është kalimtar, mëson Augustini, por jo Kisha, e cila mbetet e përjetshme, et in soecula soeculorum.Si peshkop i Hiponit, Shën Augustini mund ta mbante veten për guvernator të një province të rëndësishme të shtetit të Zotit.
****
Më 391, me rastin e një qëndrimi në portin afrikanoverior të Hipo Regiusit, u zgjodh prift; disa vite më pas u bë peshkopi i bashkësisë vendore (Hipon). U shërbeu besimtarëve të vet për tre dhjetëvjeçarë, deri kur vdiq, më 28 gusht 430. Shën Augustini ka lënë më shumë se njëqind shkrime. Tekstet e para që na kanë mbërritur datojnë nga koha që kaloi në Cassiciacum. Përveç Rrëfimeve të tij të famshme (Confessiones, 397-398), veprat më të rëndësishme janë Vullneti i lirë (De libero arbitrb), Trinia (De trinitate, midis viteve 400 dhe 417) dhe sidomos Qyteti i Zotit (De civitate dei, 423-427). Contra Academicos: De besta vita; De ordine; Socioloquia (386); De quantitate animae(387-88); De genesi contra Manichaeos (388/390); Contesiiones. (rreth400): De civitute Dei (prej vitit 413 deri 426); Recractiones(rreth430).
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E SHËN AUGUSTINIT
* Filozofia karakteristike e kohës së Shën Augustinit u vu në qendër të vëmendjes vetëm në shekullin XX. Në të vërtetë, teoria e vazhdimësisë së përjetshme të kohës, mbështetur në shembullin e orës mekanike, ishte vënë e rivënë në diskutim, nga njëra anë nga teoria e relativitetit e Ajnshtajnit, sipas së cilës koha, hapësira, materia dhe energjia janë të ndryshueshme, të ndërvarura; nga ana tjetër, nga psikologjia, që dallonte kohën e jetuar nga koha e matshme mekanikisht.
* Ndryshimi i përcaktuar nga Shën Augustini midis shtetit (ose qytetit) të Zotit dhe shtetit tokësor pati një rëndësi vendimtare për historinë e Europës Perëndimore. Që nga ajo kohë, Kisha dhe shteti janë dalluar gjithmonë në Perëndim, në mënyrë të tillë që kultura laike mundi të zhvillohej – deri në një farë pike – pavarësisht nga Kisha dhe anasjelltas. Në Kishën e Lindjes, atje ku Perandoria Romake vazhdoi më shumë se një mijë vjet pas Shën Augustinit, ky dallim midis Kishës dhe shtetit nuk u mor kurrë me të vërtetë parasysh në komunizmin sovjetik.
* Ngjarja e konvertimit në të krishterë ka qenë për Shën Augustinin pikënisja e mendimit të tij. Jeta e regjistruar në kohë u përqendrua në këtë pikë, ku u prek nga nderi i Zotit. Kohësia e botës mund të përqendrohet gjithashtu në një çast të përjetshëm, nëse i tillë është vullneti hyjnor. Me Shën Augustinin, kalimi nga Antikiteti në Mesjetë u krye me anën e një lloj filozofie të Kohës.
* Filozofia e Augustinit nuk është prezentuar në asnjerën prej veprave të tij si sistem i mbyllur, por analizat mendore të tij shfaqen fragmentarisht dhe periodikisht me rastin e përpunimit të çështjeve të ndryshme, kryesisht të çështjeve teologjike. Orientimi filozofik themelor përqendrohet te Augustini në parimin e vetësaktësisë së brendshme, të cilin pikërisht ai e paraqiti i pari në mënyrë të qartë dhe e shtroi si rrugëdalje të filozofisë. Interesi metafizik i Augustinit drejtohet nga sfera e realitetit të jashtëm ndaj jetës së brendshme, e kështu në vend ,të nocioneve materiale, shpirtërore të përgjithshme ose fizike, në plan të parë i vë nocionet psikike si faktorë themelorë të kuptimit të botës. Pikërisht ky orientim kah përvoja e brendshme është karakteristikë qenësore e veprimtarisë së tij.
«Kundër akademikëve» që dyshojnë në të vërtetën, konfirmon Augustint – i cili dikur ishte i afërm me pikëpamjet skeptike – të vërtetën parësore, me fjalë të tjera se askush nuk mund të dyshojë se ekziston, me vetë faktin se dyshon (domethënë mendon). «Për mua më e sigurt se çdo gjë tjetër është se ekzistoj. Madje edhe nëse pohon se nuk ekzistoj dhe thua se mashtrohem, pikërisht me këtë pranon se ekzistoj; sepse nuk mund të mashtrohem nëse nuk jam».
* Augustini pasi iu drejtua krishterimit, luftoi në realitet kundër mendimit skeptik akademik, mirëpo megjithatë në shumë teza mbeti i rezervuar në mënyrë skeptike dhe agnostike: «Mos poho më pos kësaj se diçka sipas bindjes sate të duket kështu dhe kështu kurrë nuk do të mashtrohesh». (Contra Academicos).
* Çdo gjë që bën njeriu buron nga vullneti i tij i cili është absolutisht i lirë. Vlera qenësore ndërkaq e akteve të vullnetit është e varur para së gjithash nga orientimi i tyre kah perëndia. Ideja e kishës së krishterë – interesat e së cilës Augustini i mbrojti me aq afsh -bazohet sipas tij, në mendimin mbi nevojën e shpagimit të tërë gjinisë njerëzore; mirëpo vetë kjo ide përjashton pikërisht lirinë e përcaktuar të vullnetit të individit. Tërë doktrina mbi predestinacionin (paradestinimin) për shpëtimin ose zhdukjen – të cilën e mbrojti Augustini – u kundërvihet në mënyrë kontradiktore pikëpamjeve të tij mbi lirinë e vullnetit:
«Gjithmonë do të mbetet fakt i çuditshëm që i njëjti njeri – i cili filozofinë e tij e themeloi në vetësigurinë e frymës së vetëdijshme të veçantë, i cili nëpërmjet studimit të hollësishëm hyri në thellësitë e përvojës së brendshme dhe zbuloi në vullnetin arsyen e jetës së individit shpirtëror, se, pra, ky njeri konsiderohej i shtrënguar nga interesat e një studimi teologjik me konceptin e shkencës mbi shëlbimin, e cila e vëzhgon veprimin e vullnetit të veçantë si pasojë e caktuar që nuk ndryshon një rrënimi të përgjithshëm ose mëshire hyjnore».
(V. Vindelband:
«Historia e filozoisë»). Në një mënyrë Augustini është edhe iniciator i filozofisë së historisë, sepse në konstruksionin e vet të realizimit të planit të perëndisë, e kuptoi tërë historinë si tërësi – dhe çdo gjë veç e veç merr në të kuptimin vetëm në bazë të kësaj tërësie. Historia ka gjashtë periudha, kurse qëllimi i vërtetë i saj është realizimi i shtetit të perëndisë. Augustini edhe tërë filozofinë greke – ishte i afërt veçanërisht me Platonin – e interpretonte në mënyrë të krishterë, kështu që nga pragmatizmi religjioz shpesh dhe plotësisht gabimisht shpjegonte dhe shtrembëronte disa teza të filozofëve grekë.
* Për Augustinin e bukur është para së gjithash tërësia, uniteti i tërësisë. Edhe nëse ka objekte të veçanta që janë të shëmtuara, kjo aspak nuk e prish bukurinë e harmonishme unike të gjithësisë. Kozmosi si vepër e perëndisë medoemos është i bukur, ndonëse në të ka edhe gjëra të këqija dhe të shëmtuara. Për Augustinin që me orientimin e vet të tërësishëm filozofik dhe estetik është i orientuar në mënyrë platoniane dhe antiaristoteliane, perëndia nuk është vetëm krijues dhe model i së bukurës, por për më tepër prezenca e bukurisë në një fenomen të veçantë është vërtetim i sigurt se është krijuar nga perëndia.
* Duke u bërë dijetari më i lartë i provincës ku ishte lindur, pavarësisht prejardhjes së thjeshtë, ai përdori tërë pushtetet që ia jepte detyra për të luftuar dhe përndjekur paganët dhe heretikët me ndihmën e pushtetit tokësor. Siguria e besimit të tij prej të konvertuari nuk lejonte asnjë lëshim ndaj traditës pagane apo interpretime që shmangeshin nga krishterimi. Ai e quante veprim të mirë dhe të përligjur kur të krishterët shkatërronin monumentet e lashta të kulturës pagane. Shën Augustini ishte një fëmijë me dituri antike, por ai e sulmoi pa skrupull vetë kulturën prej nga kishte ardhur, së cilës i detyrohej shumë, ngaqë qe ajo që e kishte bërë filozof dhe një mësues të fjalës. Ai ndodhej kështu në kufirin midis Antikitetit dhe Mesjetës. “Prodhimi” i fundit i Antikitetit qe një formë e krishterimit që intelektualisht mbahej në lartësitë e traditës filozofike. Ndërkohë, Mesjeta nuk i kuptoi ngatërrimet filozofike të vetë dogmës së saj kishtare – para sesa të rizbulonte më në fund atë që kishte mbijetuar nga Antikiteti.
* Augustini shkroi shumë libra dhe ndonëse mbeti gjithmonë i kufizuar nga suazat e përgjithshme të pikëpamjeve teologjike të veta dhe të huaja dhe të paragjykimeve religjioze, prapëseprapë me temperamentin e vet të gjallë, me talentin e rrallë poetik, i bindur sinqerisht në konstruksionet dhe vegimet mbinatyrore, dha disa faqe të jashtëzakonshme, të shkruara drejtpërdrejt dhe në mënyrë sugjestive, të cilat hynë padyshim në radhën e literaturës më të bukur të kohës së tij.
Thënie nga Sh. Agostini
“Sepse në Ty na ke krijuar, dhe e paqetë është zemra jonë, derisa të qetësohet në Ty”.
Rrëfimet – libri I.
“A ka ndonjë gjë në mua, Zot e Perëndia ime, që mund të të rroki Ty? A të rrokin qielli dhe toka, që Ti i ke krijuar, me të cilat më ke krijuar edhe mua? Apo është e kundërta kështu, ngaqë pa Ty asgjë nuk mund të jetë, që gjithçka që është, të rrok Ty”.
Rrëfimet – libri I.
“Ku atëherë duhet unë të të thërras Ty, kur unë jam që me kohë në Ty ?”
Rrëfimet – libri I.