Nga Albert Vataj
“Librat janë ushqim i djalërisë, zbavitje e pleqërisë, stoli e përparimit, mburojë dhe prehje në mundime, dritë në shtëpinë e errët, shokë ditën, natën, në ndjenja dhe në udhëtim”, kumton Ciceroni i madh.
Të lexosh do të thotë se ti ke nevojë të bisedosh me dikë, me dikë jo çfarëdo, me dikë që ka se çfarë të të tregojë, me dikë që ka se çfarë të ndaje me ju. Por jo të gjithë gjenden kësisoj ballas këtij shkasi dhe shansi për komunikim ndërbotësh dhe ndërshpirtrash.
Njerëzit në marrëdhënien që kanë me librin janë të ndarë mes atyre që ndjejnë librin si mrekulli dhe atyre që e përjetojnë si instrument torture. Kjo duket se forcon predispozitën për të ndarë jo librin në marrëdhënien me të tjerët, se sa vetë njerëzit në marrëdhënien me librin.
Egoisti dhe fodulli nuk vuan dhe aq nga padituria, se sa nga panevoja për të dëgjuar dikë tjetër veç zërit të vet, për të biseduar më tjetërkënd, veç atij që i jep kënaqësi duke e dëgjuar atë.
Ka shumë njerëz që e shohin me përçmim librin, kjo nuk vjen se atyre nuk ka se çfarë t’u ofrojë libri, por ata nuk kanë se ç’të marrin prej leximit.
Shumë persona të traumatizuar nga periudhat e terrorit të shkollës, siç mund të jenë provimet, ngritjet në mësim kur je i papërgatitur, paaftësia për të përthithur nxënien, apo makthet e mësuesve të sertë dhe mësimeve të vështira, e shohin librin si një institucion torture. Ata do të vijojnë të vuajnë prej këtij kontakti sublim dijetues si një paranojë apo fobi.
Gjithnjë për ata dija, arsimi dhe librat janë si një skuadër ekzekutimi. Ai gjithnjë druhet, gjithnjë i shmanget, gjithnjë është i kërcënuar nga ndëshkimi. Vuan, dhe kërkon që këtë përbindësh ta mund përmes vesesh, vulgaritetesh dhe aktesh shterruese. Ato janë fatkeq dhe do te vijojnë të heqin në këtë zgjedhë të rëndë për sa kohë që mbetet jashtë asaj bote kur gjallohet nga njerëz që janë të apasionuar pas dijes dhe leximit.
Leximi si trend është një lloj skllavërimi.
Nuk është gjithçka në jetë të lexosh. Por të ishte naive të mendosh se vetëm duke ngrënë do të arrish të marrësh nga jetë gjithçka, madje edhe ato që mund të ta ofrojë vetëm leximi.
Jeta nuk është vetëm libra, natyrisht. Ajo është gjithçka tjetër, duke mos harruar edhe librin, atë që është gjithçka që mund të të ofrohet si një mik besnik dhe një këshillues johileqar.
Kur të vendosim ta besojmë se bota përbëhet vetëm nga librat, atëherë ne ose i kemi keqkuptuar librat ose mospranuar botën.
Ju mund ta vrisni kohën e lirë me çfarëdo, por nëse dëshironi që kjo kohë të jetë më vitale, lexoni, dhe nëse keni vendosur të lexoni zgjidhni se çfarë.
Ka shumë libra që nuk e meritojnë kohën tuaj, ndaj vlerësojeni veten, mos e lini atë të tallet nga dikush që duke shkruar ka menduar se do t’ia arrijë të manipulojë vetëdijen tuaj estetike, duke u’a shitur nevojën e tij për protagonizëm si vlerë dhe narcizin si profet.