Ka mbi pesë shekuj që nderet si një qiell përfytyrimesh mbi kokat që rrinë varur në tehun e adhurimit, përfshirjes në një gjendje hutimi, kaplimit prej një simfonie jehonash që kumbojnë. Ajo të magjeps, të shtang, të mrekullon, të mahnit, të shokon, të shastis… ajo të përpin në shtjellën e vet të idilit shpirtshpëngues.
Miliona sy e kanë përpirë me ëndje dhe adhurim, ëndërrime dhe dalldi përfytyrimesh kanë marrë krahë e kanë fluturuar në zenitin e këtij krijimi, këtij manifestimi force dhe delikatese shprehëse estetike. Përmasat dhe kumtimi, teknika dhe aftësia komunikuese e kanë shndërruar atë në një vepër unike të historisë së artit.
Është fjala për Kapela Sistina të Michelangelo Buonarroti.
Zanafilla e veprës më të madhe artistike të të gjitha kohërave, të asaj vepre që adhurohet, admirohet nga turmat e pafund të vizitorëve, që Vatikani mundohet t’i shmangë për të mos ta dëmtuar, nisi në pranverën e 500 vjetëve më parë, kur Papa Julius II i mbushi mendjen Michelangelo Buonarroti që të pikturonte tavanin e Kapela Sistinës. Kohë më parë, kanë dalë në dritë disa fakte të vjetra. Ndryshe nga personalitete të tjera të Rilindjes, të tilla si Shekspiri për jetën e të cilit dimë shumë pak, për jetën e Michelangelo është shkruar që në të gjallë të tij, e madje me hollësi dhe ka shumë materiale, të cilat hedhin dritë mbi aspekte të ekzistencës dhe veprës së italianit. Të tilla janë dhjetëra letra, të cilat i shkroi babait të tij e vëllezërve, si dhe dy biografi shumë të plota. Dimë me hollësi se si i kalonte ditët dhe muajt artisti i madh.
Bazuar mbi informacionet mund të parafytyrojmë shumë lehtësisht se si i kalonte orët e punës, madje edhe çfarë vishte kur pikturonte, shpejtësinë me të cilën e kryente punën dhe mënyrën se si përqendrohej. Një nga kritikët më të mëdhenj të artit të Mikelanxhelos shkruan: “Mund të shoh fijëzat e furçës së piktorit që kanë mbetur aty edhe pas përfundimit të veprës. Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje te gjenia e tij ishte shpejtësia me të cilën punonte. Por përtej gjithë të dhënave të hollësishme që kemi në lidhje me pikturimin, marrëdhëniet, njerëzit, materialet, kohëzgjatjen dhe teknologjinë e përdorur për kryeveprën e Kapeles Sistina, ka disa të vërteta që ende mbeten në një hije të padepërtueshme. Para se Michelangelo Buonarroti të ngjyente furçën në bojë dhe të niste punën për krijimin e personazheve të mrekullueshëm të Zotit, Krishtit, Adamit, Marisë dhe gjithë personazheve të tjerë, në ç’mënyrë Michelangelo Buonarroti u frymëzua, u parapërgatit për të krijuar kolosët? Nga sa dimë, ndryshe nga paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij artistë, Michelangelo nuk përdorte modele paraprake në pikturën e tij, pasi aty nuk ekzistojnë gjurmë të kësaj teknike. Ne nuk dimë absolutisht asgjë në lidhje me punën parapërgatitore të Mikelanxhelos dhe kjo, ndoshta sepse ai vetë kërkonte që ajo të mbetej një sekret. Në të gjallë, një ndër gjërat që nuk e bënte kurrë ishte t\‘u tregonte njerëzve vizatimet e tij paraprake, ato të cilat i përdorte si model për muralet e ardhshme. Sipas një biografi të tij, kjo shpjegohet me faktin se nëse dikush do t\‘i kishte parë do të mahnitej me punën dhe energjinë e madhe të derdhur në to nga Michelangelo Buonarroti, çka ky i fundit nuk donte që të merrej vesh. Në këtë pikë ai ishte shumë diskret, edhe pse, si shumë artistë të Rilindjes, ishte i punësuar nga kisha dhe persona të fuqishëm si papët nuk kishin mundësi të shihnin pikturat paraprake që shndërroheshin më pas në murale gjigante. Para se të zhvendosej nga Roma në Firence, në vitin 1518, ai i dogji të gjitha vizatimet në banesën e tij romane. Edhe miqtë më të afërt të artistit kishin vetëm një numër shumë të kufizuar vizatimesh, ndër më të parëndësishmet. Me gjithë obsesionin e Michelangelo Buonarroti për të shkatërruar, djegur e fshehur vizatimet që ai i shndërronte në murale, sot në të gjithë botën ekzistojnë rreth 800 copë. Por, nëse do t’ua vinim veshin tre shkencëtarëve gjermanë, metodat e përdorura nga rilindësi për parapërgatitjen e betejës epike të pikturimit të 300 personazheve të Kapelës Sistina mbeten një mister. Në librin e tyre “Michelangelo: Veprat e plota”, ata ngulmojnë se nga ato pak vizatime paraprake që janë gjetur, vetëm një numër i vogël i përket dorës së tij. Në fakt, një pretendim i tillë nuk është një risi. Prej vitesh ka pasur argumente dhe kundërargumente në lidhje me një gjë të tillë. Edhe më parë ka pasur kritikë arti, sipas të cilëve nga 800 vizatimet paraprake të Michelangelos, vetëm 200 ishin në mënyrë autentike të tijat. Shkencëtarët gjermanë, në librin e tyre i rikthehen pikërisht pretendimit për shifrën e mësipërme.
Sipas tyre, edhe një pjesë e vizatimeve paraprake që u përdorën për Kapelen Sistina nuk janë të Michelangelos. “E vetmja gjë që mund të themi është se pjesa më e madhe e tyre nuk janë vizatime paraprake, por kopje të bëra pas mbarimit të pikturës gjigante, kopje të cilat janë servirur si të vërteta”. Thotë njëri prej autorëve të librit. Ata, gjithsesi, pretendojnë se kanë prova për të mbështetur, në mos një të vërtetë të madhe, të paktën një temë për diskutime e studime të ardhshme dhe se deklaratat e tyre janë bërë pas vëzhgimesh të vëmendshme e të kujdesshme të skicave. Në pretendimin e tyre, këta autorë dhe ata që i mëshojnë tezës së tyre, sigurisht që kanë kundër muzetë e botës, të cilat i kanë vizatimet e Michelangelo Buonarroti ndër perlat e tyre. Ky është shkaku që sa herë që del ndonjë pretendim në lidhje me origjinalitetin e skicave të tij, ai kundërshtohet në mënyrë të menjëhershme. Këto lloj “betejash” mes kritikëve, artistëve, historianëve të artit dhe drejtuesve të muzeve të mëdha nuk janë aspak të reja dhe prekin thuajse gjithë trashëgiminë kulturore të së shkuarës. E njëjta gjë ndodh edhe me autenticitetin e veprave të Shekspirit. Edhe për këtë të fundit ka nga ata që thonë se nuk është autor i disa prej veprave të cilat i atribuohen.
Në rastin e Michelangelo dihet me siguri se ai ishte autori i Kapeles Sistina dhe fakti që mënyra e parapërgatitjes për këtë mrekulli mbetet një mister, kjo e bën veprën edhe më joshëse. Michelangelo Buonarroti ka punuar me 12 papë, por marrëdhënien më të veçantë e ka pasur me Julius II. Artisti nga Arecoja, i cili në vitin 1508 ishte 33 vjeç, ishte ndërkohë i famshëm si skulptor pas mbarimit të Davidit të famshëm në vitin 1504 dhe njihej nga të gjithë si një gjeni. Julius e thirri në Romë dhe e urdhëroi që t’i krijonte një monument gjigant varri të denjë për nga përmasat dhe për nga arritja artistike për një faraon. Papa donte që ai të përmbante 40 figura në përmasat njerëzore dhe të konsiderohej si mrekullia e tetë e botës. Ndoshta për fat ky monument nuk u mbarua kurrë, por ajo çka artisti e konsideron si “tragjedia e varrit” e përndoqi Michelangelo edhe shumë pas vdekjes së Juliusit. Në vitin 1506, pas një grindjeje me Papën, Michelangelo Buonarroti iku nga Roma në kurrizin e një kali, por Papa e ktheu pas dhe e detyroi që të derdhte në bronz një statujë për veten, e cila më pas u shkri dhe u shndërrua në top.
Dhe më pas vjen kërkesa e rëndësishme për Kapelen Sistina, e cila ishte kapela personale e Papës. Ajo ishte zbukuruar ndërkohë me vepra të mjeshtërve të shekullit të 15-të, të tillë si Botiçeli dhe Pruxhino. Tavani ishte në ngjyrë blu i mbushur me yje të artë. Kapela kishte kohë që nuk ishte në përdorim, për shkak të një çarjeje të tavanit. Tani Juliusi donte që ajo të rinovohej tërësisht dhe i dha urdhër Michelangelo Buonarroti që në tavan të pikturonte figurat e 12 apostujve. Në fillim Michelangelo Buonarroti nuk ishte shumë entuziast për idenë, sepse, sikurse u justifikua edhe te Papa, piktura nuk ishte profesioni i tij. Debatet mes tyre vazhduan dy muaj rresht. Më në fund, në maj artisti pranoi duke kërkuar në këmbim një pagesë prej 500 dukatesh, të cilat duhet t’i paguheshin menjëherë. Por ideja fillestare e 12 apostujve u shndërrua në pikturimin e 300 personazheve të tjerë. Faza e parë e punës përfundoi në vitin 1512. 24 vjet më vonë, Michelangelo u kthye të përfundonte pikturën dhe në maj të vitit 1536 ai ishte në punë për “Gjykimi i fundit” dhe “Dita e zemërimit”, dy tema të cilat zënë gjithë murin mbi altar, me pamjen e frikshme të fatit të mëkatarëve ditën e gjykimit. Puna e tij në tavanin e Kapeles, që në momentin që u përfundua, mori vlerësimet maksimale të të gjithë dhe adhurimet e gjithë vizitorëve të të gjitha kohërave në vijim. Burimi i frymëzimit të Michelangelo Buonarroti ishte besimi, sikurse e ka përmendur vetë në një poezi, se “Vetëm te bukuritë me të cilat ne përballemi në Tokë mund të gjejmë një pjesë të vogël të asaj çka është në të vërtetë Parajsa”. Për t’iu rikthyer fakteve të mësipërme në lidhje me vërtetësinë e vizatimeve të tij, apo me obsesionin për t’i zhdukur e fshehur ato nga sytë e botës, mund të themi vetëm se ndoshta kjo ka të bëjë me frikën e Michelangelo Buonarroti se mos përmes tyre do të shfaqeshin gabimet e një dore, e cila, edhe pse e frymëzuar nga hyjnorja, përsëri mbetej njerëzore, pra gabonte. Megjithatë, ka ende shumë mister dhe ky mister ndoshta i bën veprat edhe më të mëdha.
Përgatiti: Albert Vataj