Nga Albert Vataj
Kundër botës, kundër gjithë njerëzimit”, me këtë devizë ngrihet krah bashkëkohësve të tij, të letërsisë franceze Michel Thomas, i njohur në art me emrin Michel Houellebecq. Më klasiku i nihilistëve, mund të portretizohet qartazi në mendjen e çdokujt me cigaren që nuk e shkul nga buza dhe pamjen hijerëndë e mendimtare. Paksa si shumë i sigurt te vetja, pak si shumë i qetë, ai i përgjigjet kritikës shkurt dhe qartë:
“E para, ata më urrejnë më shumë seç i urrej unë. Është e vërtetë që jam bërë simbol i shumë gjërave jo të pëlqyeshme. Më quajnë cinik, nihilist, mizogjen, islamofob. Dhe kjo ka bërë që disa njerëz të mos lexojnë librat e mi sepse e kanë të gatshëm mendimin në kokën e tyre, pa ditur fare për çfarë bëhet fjalë. Një shkrimtar nuk mund të lexohet vetëm me 2- 3 novela. Por, kritikët e kanë ndarë mendjen”.
Fatmirësisht, disa kritikë të tjerë, jashtë Francës, u treguan më të butë me romanin e tij “Thërrmijat elementare”, i cili u botua për të parën herë në vitin 1998. Houellebecq, pavarësisht qasjes së tij tejet të rënduar karshi problemeve madhore si seksi, dashuria e familja, i merr shumë më seriozisht këto çështje se shumë shkrimtarë të tjerë dhe kjo është për tu përgëzuar, thotë Lorin Stein, redaktori i ri i The Paris Review. Kur Houellebecq e quajti haptas Islamin fenë më naive, ai u sulmua nga një shoqëri civile, e cila e akuzoi për fjalim të urrejtshëm, por në fund e fitoi kauzën me motivin e të drejtës së fjalës, si e drejtë themelore e njeriut.
Vala e sensacionit e shkaktuar në vendlindjen e tij, pak nga pak po merrte përmasa edhe më të mëdha kur librat nisën ti përktheheshin në disa gjuhë. Një nga veprat më të spikatura “Mundësitë për një ishull”, pati jehonë të madhe kur u përkthye për publikun britanik. I njohur si francezi kontrovers, si “djali i keq” i letërsisë, ai kishte nisur të zhurmonte në qarqet artistike, si autor i guximshëm dhe pak i krisur.
Duke luajtur me zjarrin dhe pra me tema të nxehta si seksi, absurdi i ekzistencës si edhe me një gamë personazhesh komplekse që hedhin e presin problemet e tyre më të thella, ai nuk mundet të mos provokojë edhe vëmendjen e mendimin edhe të lexuesit më të pandjeshëm. Karakteret në librat e Houellebecq zhvishen nga çdo mondanitet i stisur. Realiteti i përplas aq fort në tokë, saqë çdo hije madhështie që mund tu vishet atyre, me siguri do të pasohet nga një përqeshje e hidhët e rrëfyesit apo e fatit, që shumë shpejt do ti kthejë në fatkeq apo në të barabartë me të tjerët përballë ironisë së jetës.
4 novela përgjatë një periudhe prej 10 vitesh, kanë mjaftuar për ti sjellë famë, shitje të mëdha, por edhe shumë bujë. Perceptimi disi novator për ekzistencën njerëzore ka kthyer shumë koka dhe veshë drejt tij. Për Houellebecq, seksi po kthehet në komoditet. Në një shoqëri post- moderniste si kjo që jetojmë, seksi sështë më për askënd mollë e ndaluar. Ai po i përngjan gjithmonë e më shumë pornografisë dhe aq sa është çmitizuar, shkakton më tepër neveri sesa kënaqësi. Është e thjeshtë: Sa më i lehtë të jetë seksi, aq më e vështirë është dashuria. Prandaj, njerëzit e kanë të vështirë të dashurojnë sepse seksi është aty, si ushqim i gatshëm.
Depresiv!
I etur për vëmendje!
Pornografik!
Freudian!
Përtac!
Por edhe pak seksi”¦- në fakt.
Këtë thonë lexuesit për Houellebecq. Publiku femëror përgjithësisht e urren, ndërsa meshkujt janë kuriozë. Kuriozë për të shkuarën e tij, kuriozë për të tashmen dhe për atë se çka në mendje ky njeri me penë të rrezikshme. Tashmë i kthyer në autor- kult, përkthyer në më tepër se 36 gjuhë, Houellebecq duket se e ka kaluar me sukses fazën e parë të të mosqenit aq i mirëpritur për familjen me vlera kristiane, për nëpunësin e përkushtuar apo për bashkëshorten besnike. Akademikë nga e gjithë bota vijnë për të debatuar neo-natyralizmin e tij të pazakontë, në auditorë mbushur plot me njerëz që duan të mësojnë më shumë mbi filozofinë e këtij autori. Në librin me karakter futurist The possibility of an island (Mundësitë për një ishull) ai profetizon mbi të ardhmen e njerëzimit duke shpallur shkatërrimin përfundimtar të racës njerëzore dhe kthimin e tokës në një terren të pabanueshëm.”Vështrojini kafshëzat e vogla nga njëfarë largësie, vështrojini me kujdes! Ato i shohin qartë njerëzit duke i shkuar pas dritës që sa vjen e venitet. Dëshmitarë pa asnjë barrë keqardhjeje për zhdukjen e species njerëzore, sepse e nuhasin që njerëzit janë më inteligjentë se majmunët, e për rrjedhojë edhe më të rrezikshëm”.
Por duke pasur pas krahëve një të kaluar të errët, nuk mundet të mos mendojmë se mbrapa “zërit” të rrëfyesit në novelat e Houellebecq është në fakt zëri i vetvetes që flet, sheh dhe luan personazhet po sipas perspektivës së vetes. Por, të flasësh për veten sipas H., është mision i pamundur.
“Sapo unë filloj të flas për veten, nis të gënjej në një mënyrë gati të ndërgjegjshme. Gënjej e gënjej dhe nuk mundem të bëj dot ndryshe. Dhe çështë më e bukura, harroj shpejt se sapo gënjeva”.
Një gjë është e sigurt, e kaluara ka lënë gjurmë tek H.I, braktisur prej prindërve të tij hippie është rritur nga gjyshja. Pas ndarjes me bashkëshorten, ai ra në depresion dhe vetëm poezia e alkooli mundën ta ringrinin në sipërfaqe.
A është H. shkrimtari më i rrezikshëm në botë, që duhet rrahur paq, përpara se të plasë fytyrave ndonjë skandal të radhës?
Interesi i jashtëzakonshëm mediatik shoqëruar me breshëri polemikash, sulmi por edhe urrejtje dashurie, në Francë, bëri që ai të largohej për ca kohë në Irlandë.”Mungesa e respektit për racën time, është thjesht mungesë respekti, jo fyerje, prandaj nuk dua që askush të më keqkuptojë.” thotë H. në një prej intervistave të tij për BBC.
Mbase prej të shkuarës së tij, mbase prej jetës së shthurur seksuale që ia vesh edhe personazheve të vet, impakti mbi lexuesin është i madh. Ngjarjet në librat e H. janë bezdi e madhe dhe personazhet duket sikur janë krijuar për tu urryer, por megjithatë të gjithë i lexojnë me ëndje. Akuzave për mizogjini ai i përgjigjet përsëri shumë shkurt:
“As që dua tia di mbi akuzat që më janë bërë. Duhet motivim shumë më i madh se urrejtja ndaj grave për të shkruar një libër të mirë. Kjo është shumë pak.”
Për sa i takon të qenit anti- fe e sidomos anti- islam H. është i mendimit se në disa vende me mendësi të rrënjosur, duhet ti shkruash të vërtetat për të bërë ndryshimin. Një nga këto vende është edhe Franca.
“Unë do vazhdoj të shkruaj dhe nuk kam as dëshirën më të vogël ti kërkoj falje askujt. Nuk ka përse ta bëj këtë”, thotë ai.
Intervistë me përkthyesin e librit Zgjerimi i fushës së luftës, Urim Nerguti
Seksualiteti, sipas Houellebecq, ka kopjuar liberalizmin ekonomik
A është libri i parë i M. H., “Zgjerimi i fushës së luftës”, një thyerje e fortë tradite e letërsisë franceze, por edhe europiane, pra një lloj rryme e personalizuar post-modernizmi? Nëse po, cili është elementi që e thekson më fort këtë thyerje?
Nuk besoj se mund të flasim për një thyerje të fortë tradite, sepse postmodernizmi, pavarësisht fjalës e cila mund të na dërgojë, me përfytyrim, në një kohë të vonshme, në mos të sotme, ka shembuj shumë më të hershëm, gjer dhe në gjysmën e parë të shekullit XIX. Ajo për çfarë mund të flasim më tepër, është se postmodernizmi është vërtet real në rastin e Houellebecq, me personazhet e tij që janë ca botë të shpërndara, të copëtuara e pa busull, që të vetmin bosht apo këndvështrim kanë atë të unit, të egos. Nga ku e kanë prejardhjen shumica e rrëfyesve (personazheve që rrëfejnë në roman, dhe jo autori) ironikë, cinikë, plotësisht të shkëputur nga jeta në bashkësi, e që, paradoksalisht, edhe pse të ndarë nga kjo botë, mundohen ta analizojnë. Gjithsesi, rrëfimi i tyre i mëshon më tepër anës dekadente të botës, nxjerrjes në pah të rrënimit të botës moderne, kryesisht të Perëndimit. Është për tu theksuar se Houellebecq shkruan romane me teza, ose shqip, romane ku këndvështrimi filozofik apo sociologjik i autorit ka më shumë rëndësi se vetë historia. Për shembull, në “Zgjerimi i fushës së luftës”, Houellebecq, nëpërmjet personazhit që rrëfen e që nuk ka emër (çmishërimi apo shkëputja totale nga bota), rrëfen një botë gati të pajetueshme: të gjithë janë në një luftë për kënaqësi, për pak dashuri, e kur nuk munden për këtë të fundit, për pak seks. Për ta thënë shkurt, teza e Houellebecq në këtë roman është: lufta tashmë është ngado. Mirëserdhët në xhungël.
Houellebecq ngacmon herë pas here edhe temën e seksualitetit, duke thënë se seksualiteti është një sistem hierarkie shoqërore. Ç’kërkon të na thotë ai me këtë?
Seksualiteti është një fushë e rëndësishme, në mos kryesore, në jetën e një njeriu. Ai ka të bëjë me ndërtimin tonë më intim, me egon tonë. Problemi i seksualitetit, sipas Houellebecq, në epokën tonë, është se ai ka kopjuar pikë për pikë liberalizmin ekonomik: nuk ka rëndësi gjë tjetër veç suksesit. Suksesi ekonomik, tani dhe ai seksual. Ka sukses vetëm një që është i pashëm, i fortë, e që e fiton jetën mirë. Të tjerët duhet thjesht të përpiqen, pa kurrfarë shprese për një arritje çfarëdo. Sigurisht, dikush që shkëlqen në fushën ekonomike, mund ta ketë seksin kur të dëshirojë, nëpërmjet pagesës. Mirëpo kjo është tepër e dhimbshme për paguesin se ai e di shumë mirë se pa këtë pagesë, nuk do të kishte asgjë. Bota është xhungël, edhe në fushën seksuale. Ka disa që kanë nga tridhjetë dashnore, e ka disa që janë të virgjër, si personazhi i romanit, Rafaeli. Ky i fundit është vërtet i fundit në renditjen e arritjeve seksuale. Kur sheh një afrikan duke puthur një të bardhë, ai vuan sepse nuk e kupton përse ai është në fund të tabelës së klasifikimit. Shoku i tij (rrëfyesi në roman), duke ia parë vuajtjen, e duke qenë se është në një mendjekthjelltësi të ftohtë, ironike, madje cinike, i jep disa ide se çmund të bëjë: asgjë. Përveç ta shfryjë dufin njëherë e mirë nëpërmjet vrasjes. Xhungla seksuale.
Pse, Zgjerimi i fushës së luftës?
E përmendëm dhe pak më lart, zgjerimi është thjesht një shtrirje më e gjerë e luftës së dikurshme të klasave (teoria e Marksit). Është kalimi nga thjesht një luftë klasash, në një luftë të gjithanshme, të gjithë kundër të gjithëve, ku qëllimi kryesor është paraja, kënaqësia, ekstaza. Përndryshe, ju jeni thjesht një zero, nuk vleni për askënd: sjeni i zoti as të keni një kartëvizitë të bukur (kujtoni personazhin e Patrick Bateman tek American Psycho të Bret Easton Ellis) Liberalizimi ekonomik është në fakt një sistem që nuk prek vetëm ekonominë por të gjitha fushat e tjera të jetës: parulla është «më shpejt, më lart, më larg». Nuk ka rrugë tjetër, ndryshe shoqëria ju fshin nga lista, ju sdo të keni më shokë, sdo tju ftojnë as në festa as në ditëlindje, do të harroheni për të gjithë. Prindërit, familja, janë jashtë loje, një bërthamë e tillë nuk ekziston më (rrëfyesi flet shumë pak për familjen e vet, thjesht sa për të thënë si e kanë ngjizur”¦).
A po na vjen ky shkrimtar si një njohës “par excellence” i ekzistencës dhe jetës në përgjithësi apo çfarë?
Po, në njëfarë mënyre, Houellebecq mund të quhet një vëzhgues i mprehtë i shoqërisë, me një shqisë disi të veçantë për të kapur linjat apo prirjet e përgjithshme të shoqërisë perëndimore : hedonizmi i përzier me cinizëm. Të paktën ky është universi i Houellebecq. Problemi Houellebecq është se ai vendos gishtin aty ku të dhemb. Të gjithë e dimë se jeta nuk është e përsosur, nuk është fushë me lule, se optimizmi i disave është krejt i pavendtë, e megjithatë të gjithë përpiqen tia fshehin vetes këtë, e të vazhdojnë të përpiqen si të mos kishte ndodhur asgjë. Atëherë vjen Houellebecq, duke kruar e gërvishtur ato pika të errëta që gjithkush mundohet ti lerë anash.
Kur ai thotë se njeriu mund të renditet kah të dështuarve, por edhe fitimtarëve nëse nisemi nga sisteme referimi të ndryshme; pjesë të një sistemi liberal (si për shembull: në rrafshin ekonomik dikush mund t’i përkasë palës së fitimtarëve, ndërsa në atë seksual, palës së të humburve) duket sikur i dënon përjetësisht karakteret në libër të përfaqësojnë njërën ose tjetrën palë. Pse funksionon ligji i tregut sipas tij? Pse ai beson kështu?
Po sepse ligji i tregut nuk është më thjesht i tregut, por ka përfshirë çdo qelizë të jetës. Me fjalë të tjera, gjithçka është kthyer në treg. Mjafton ti vëmë çmimin, dhe gjithçka blihet. Shoqëria perëndimore, sipas Houellebecq, është në një kërkim të dëshpëruar të kuptimit të jetës, të lumturisë. Të dëshpëruar sepse ajo vrapon pas kotësisë, pas sipërfaqësisë: të bësh turizëm në Indi apo Tajlandë, është një temë e bukur bisede me miqtë tuaj kur të ktheheni që atje. Vërtet mendoni se turisti është i interesuar që ju të dini se çfarë ka në Indi apo Tajlandë ? Jo, turistit i intereson thjesht që ju ta dini se ai ka qenë atje, se ka shpenzuar goxha para për kënaqësinë e tij, se ai e ka arritur ditën për këtë kënaqësi. Në një vend ku periudha e pushimeve të verës kthehet në një subjekt bisedash që gjashtë apo dhjetë muaj përpara, është e qartë se këtu ka një problem. Rrëfyesi në roman, është një fitimtar në luftën ekonomike, dhe një humbës në luftën seksuale. A mund ti ketë dikush të dyja?Sigurisht që po, por për këtë duhet që ai të jetë dhe i pashëm apo të ketë sharm. Përndryshe, të duhet të paguash që të kesh një listë dashnoresh që ti kanë zili të tjerët.
A ka elementë të theksuar autobiografikë ky libër dhe librat e Houellebecq në përgjithësi?
Po, ka shumë të dhëna autobiografike. Qoftë dhe vetëm nga emri. Në thuajse të gjitha romanet e Houellebecq, ka një Michel që vërtitet diku. Rrëfyesi në romanin “Zgjerimi i fushës së luftës” është një specialist informatike që punon në Ministrinë e Bujqësis딦 vetë Houellebecq ka një diplomë për agronomi. Po ky personazh është i ndarë nga e shoqja, Veronika, e pastaj ka kaluar në një spital psikiatrik. Pikërisht si Michel Houellebecq dora vetë. Por ngjashmëritë më të mëdha i gjejmë në romanin tjetër Thërrmijat elementare, ku personazhi i nënës është thuajse kopje e nënës së vërtetë të Houellebecq. Gjithashtu, personazhi i Mishel Xherzinskit, një personazh aseksual, është disi vetë Houellebecq me teorinë e tij që bota do të ishte shumë më mirë pa seksin. Por edhe Bruno, vëllai nga nëna i Xherzinskit, është disi Houellebecq me periudhat e veta të abstinencës seksuale. Shkurt, elementët autobiografikë janë të gjithanshëm në veprën e tij, por të shpërndara dhe nuk mund të themi se ka një personazh i cili është njëqind për qind Houellebecq. Në përgjithësi, personazhet e tij janë mbartës të teorive apo ideve të Houellebecq.
Çfarë vuan personazhi në të vërtetë? Boshësinë e ekzistencës”¦?
Personazhi kryesor, rrëfyesi pa emër, vuan thjesht nga një mendjekthjelltësi e skajshme. Ai e ka kuptuar si funksionon bota dhe është i lodhur nga kjo. Do të donte një botë tjetër, pa garë, pa seks, pa publicitet, pa para. Do të donte një botë ku dashuria të kishte një fjalë për të thënë. Jo se personazhi ynë nuk arrin të ndjejë, por ai e di shumë mirë që është e kotë, që luftimi në këtë betejë të gjithanshme të jetës, të gjithë kundër të gjithëve, është përfundimisht e humbur.