Nga Albert Vataj
Arti synon të shpjerë dritë në thellësinë e zemrës së njeriut, ti japë jetë fantazisë, ta mësojë se si vizualizohen dhe shpjegohen ëndrrat, ata që na mbushin me det dëshirimesh e na udhërrëfejnë gjithnjë në ato brigje ku hapat na i numëron malli. Po, ai mall që na bën të ndjehemi dallgë, ai mall që na përkund dhe na josh me dehjen e vet. Arti viziv ngucet të të zgjojë nga përgjumja, nga kllapia, nga plogështia dhe angështia, e të na hedh në krahët e përjetimeve të fuqishme, në krahët e atij fluturimi që di të shpalos qiej magjepsës, kthjelltësi që kaltërojnë, frymëmarrje që zbresin nga qiejt e magjepsur të hyjnores engjëjt e bardhë të mirësimit që na mbush mish e shpirt.
Arti i bukur ështe art i gjeniut. Gjenialiteti është talent që i jep artit rregulla, kumton Kanti. Shumicës prej nesh na vjen e natyrshme që ta mendojmë muzikën si terapi. Pothuajse të gjithë jemi DJ të shpirtërave tanë, të shkathët për të zgjedhur copëza muzikore që do të rrisin apo ndryshojnë për mirë humorin tonë. Megjithatë, pak prej nesh mendojmë që ta kërkojmë këtë gjë tek artet pamorë. Shumë pak prej nesh përfshijnë pikturën apo skulpturën në jetët tona emocionale. Nuk kemi lista të pamjeve tona të preferuara në telefonët tanë. Galeritë tona private nuk i mbledhim në kompjuter. Kostoja dhe prestigji i artit na bëjnë që zakonisht të sprapsemi nga hapa të tillë. Mënyra si e paraqet artin establishmenti, nuk na fton që të vihemi në kontakt me veprat.
Në galeritë dhe muzetë solemnë, ku shumica prej nesh vazhdojmë të marrim “këshilla” se si të sillemi përreth artit, shumë prej nesh gjendemi nga pak të humbur. Shohim shpjegimin dhe mësojmë aty disa data të rëndësishme, si prejardhjen, dhe ndoshta kuptimin e një alegorie. Po a është kjo vërtetë e rënësishme për mua? Për çfarë duhet të shërbejë në të vërtetë arti?
Pyetja e dytë, prej një kohe të gjatë ka qenë ose vulgare dhe e paduruar, ose thjeshtë e pap përgjigje. Kjo është e rrezikshme. Nëse arti e meriton prestigjin e madh, atëherë ai duhet të jetë në gjendje që ta “shpallë” në terma relativisht të thjeshtë qëllimin e tij. Ne besojmë se arti është një mjet terapeutik, ashtu si muzika. ai është gjithashtu mjeti përmes të cilit ne duhet të jemi në gjendje të bëjmë disa gjëra, si të rikthejmë shpresën, t’i japim dinjitet vuajtjes, të zhvillojmë dhimbsurinë, të qeshim, të pyesim, të ushqejmë një ndjesi përbashkësie me të tjerët dhe të rifitojmë një sens drejtësie dhe idealizmi politik.
Por që të arrijë të na i bëjë këto gjëra, duhet që t’i qasemi artit në mënyrën e duhur. Nuk duhet të na vijë sipas kritereve dhe parimeve të historisë së artit, sado interesante të jenë këto, por përmes një metode fiziologjike që na fton të reshtojmë thellësinë e vetes sonë me veprat e artit.
Kjo është shqetësuese për shumë njerëz të sofistikuar, që e shohin shijen për “bukurinë” si simptomë të sentimentalizmit, madje edhe të budallallëkut. Shqetësimi mund të jetë që kënaqësie prej këtij lloj arti është mashtruese: ata që pëlqejnë kopshte të bukur kanë rrezik të harrojmë gjendjen reale të jetës, që përfshin luftëra, sëmundje, gabime politikë dhe imoralitet. Audiencat kanë nevojë konstante për artin që t’u kujtojë këtë lloj materiali, do të thoshin ata të sofistikuarit, apo do të përfundojnë duke u gënjyer.
Por kjo është si ta gjesh vendndodhjen e problemit në vendin e gabuar. Për shumicën prej nesh, rreziku më i madh që hasim nuk është vetëkënaqësia. Shumë pak prej nesh kemi gjasë të harrojmë të këqiat e ekzistencës. Rreziku i vërtetë është se ne do të dështojmë në egërsinë tonë, në depresionin dhe dëshpërimin. Rreziku është që të humbasim të gjithë shpresën në projektin njerëzor.
Pikërisht këtë lloj dëshpërimi duhet të korrigjojë arti, dhe kjo e shpjegon entuziasmin shumë popullor për bukurinë. Lulet në pranverë, qiejtë blu, fëmijët që rendin në plazh… këta janë simbole pamorë të shpresës. Gëzimi është një arritje dhe shpresa është dicka që duhet kremtuar.