Nga Albert Vataj
Ai është i madhështor. Shkëlqen nën hijen e përbindshme të gërmadhave. Merr frymë ashtu duke shtërzyer e gulçuar si një krijesë me agoni të përjetshme. Rreket të tregojë përmes rrënojave hiret e shkëlqimta të atij qytetërimi, të asaj kulture, të asaj asokohjes në harrim. Gurët, muret, katedralet gjusëm të rrënuara marrin shkas të dëshmojnë, të tregojnë se nën peshën e së shkuarës, ata qëndrojnë hijerëndë, të trishtë, klithës dhe kaq paqësor, kaq të afërt me syrin e ëndshëm e shputat e buta kureshtare të vizitorëve të shumtë që vijnë këtu për të sjellë jetë, për të rrëmuar në pluhur dhe për të nxjerrë prej andje një zë që flet, një përfytyrim që merr krahë idili e vizualizon një qytet të denjë për çdo qytetërim të andshëm për çdo dëshirim që flakërin mes fantazisë dhe përsosjes së pasionit.
Ai është qyteti i rrafshuar dhe qytetërimi në agoni, ai është Ani, një qytet me banorë që prejardheshin nga popullsi thrako-ilire.
Rreth 30 km larg nga qyteti Kars, në lindje të Turqisë, ndodhet sot i rrënuar Ani, ish-kryeqytet i Armenisë, emri i vjetër i të cilës ishte Hajastan.
Armenia është një vend që bën pjesë gjeografikisht në rajonin e Kaukazit dhe është e populluar nga armenët, të cilët janë me origjinë thrako-ilire. Sipas kërkimeve arkeologjike, jeta në An ka qenë e pranishme qysh në epokat e bronzit dhe të hekurit.
Kultura armene është një nga kulturat më të vjetra të botës dhe kombi armen është kombi i parë që pranoi krishterimin si fe shtetërore qysh në vitin 301 pas Krishtit. Për këtë popull me një identitet tepër të fuqishëm, Lord Bajroni është shprehur se është një nga popujt më interesantë të globit.
Populli armen ka gjuhë të shkruar qysh më 405-n, vit në të cilin shenjtori Mesrop Mashtot përktheu Biblën, të parin libër të shkruar në grabar (gjuha armenisht).
Vendi ishte i pushtuar nga arabët në vitin 750 dhe quhej Emirati i Armenisë, por më 885 dhe kah fundi i vitit 900, dinastia armene e Bagratidëve, i dha pavarësinë vendit dhe si kryeqytet, dinastia Bagratide, caktoi Anin.
Në këto vite, Ani ishte një qytet tepër i populluar dhe ia kalonte për nga numri i popullsisë qyteteve të tilla europiane si Londra, Parisi, Roma.
Në këtë kohë, Armenia ka qenë e ndarë në shumë mbretëri e principata. Përveç dinastisë Bagratide që sundonte pjesën verilindore të vendit me kryeqytet Anin të cilin bagratunët (Mbreti Ashot III, e bleu nga Kamsarakanët) një mbretëri tjetër e fuqishme, dinastia Artzruni, ishte e organizuar përreth liqenit të Vanit. Duke qenë në udhëkryq të rrugës së mëndafshit, Ani ka pasur shumë më tepër ditë të këqija se të mira ashtu si vetë populli armen.
Në këtë kohë Ani ka qenë një qytet me rëndësi të madhe për vetë faktin se ndodhej i vendosur në një kryqëzim që kontrollonte rrugët tregtare ndërmjet Bizantit, Persisë, Sirisë dhe Azisë Qendrore.
Më 1045, Armenia u pushtua nga Bizanti dhe më 1064 fisi turk i selxhukëve e pushtoi dhe e shkatërroi këtë vend. Si pasojë e këtij shkatërrimi, shumë armenë u larguan nga vendi i tyre duke u shpërndarë në diasporë, në vende më të qeta si në Moldavi, Transilvani, Hungari, Ukrainë, Poloni, Qipro.
Gjatë shek.14, ky vend u bë mollë sherri ndërmjet perandorive perse dhe turke.
Data e themelimit të Anit, nuk dihet me saktësi, por dihet se më 961, ishte kryeqytet i Mbretit armen, Ashot III.
Në shek. V, këtu ndodhej kështjella e familjes Kamsarakan. Por, shkëlqimin më të madh Ani e pati gjatë vitit 1000 kur ky qytet ishte nën sundimin e dinastisë Bagratune, të cilët janë me origjinë thrako-ilire. Por, mendohet se mund të kenë qenë edhe me origjinë izraelite. I pari i dinastisë Bagratune që sundoi Armeninë dhe që pati kryeqytet Anin, ishte Mbreti Smbat I (viti 314). Gjatë sundimit të tij, në An u bënë ndërtime të shumta prandaj kronikanët thonë se në këtë periudhë Ani u përfshi nga “ethja e ndërtimeve”. Qyteti përshkohej nga rrugë të shtruara me kalldrëm dhe me kanalizime. U ndërtuan pallate, magazina, tregje, hotele, banjo publike ndërsa popullsia arriti në 200.000 banorë, një popullsi kjo kozmopolite që popullonte një qytet tepër të pasur. Historianët thonë se Ani kishte “1000 e një kisha”, pjesën më të madhe të të cilave e ndërtoi Mbreti Gagik I, i cili mbretëroi gjatë viteve 989-1020.
Ky Mbret i përkiste dinastisë Bagratune.
Më 1067-n qytetin e pushtuan turqit selxhukë nën udhëheqjen e Alp Arsllan.
Nga 1072-1110 e pushtoi familja kurde Shedadide, e cila përfaqësohej nga Fazil Manutçe, nëna e të cilit rridhte nga dinastia Bagratide.
Katedralja e Madhe e Anit, një kryevepër e arkitekturës armene dhe botërore qëndron në këmbë edhe sot e kësaj dite. Ndërtimi i saj filloi më 989 nga Mbreti armen, Smbat I, dhe u përfundua nga Mbreti Gagiku I më 1001. Arkitekt i saj ishte Tiridati, armeni i cili kishte projektuar edhe Aja Sofinë në Konstandinopul. Kjo vepër madhështore është dëmtuar nga dy tërmete të fuqishme: ai i vitit 1319 dhe ai i vitit 1988.
Kronikanët armenë e përmendin Anin për herë të parë në vitin 500 si një kala e fortë ndërtuar majë një kodre.
Pas vdekjes së Mbretit Gagik I më 1020, dy djemtë e tij u grindën se kush prej tyre do të pasonte mbretërimin e tij.
Djali më i madh i Hovhannes-it, Sembati, mori nën kontroll Anin, ndërsa vëllai i tij më i vogël Ashot-i kontrollonte pjesën tjetër të mbretërisë Bagratide.
Qyteti i Anit, nën kontrollin e bizantinëve
Më 1041 vdiq mbreti Hovhannes, ndërkohë që bizantinët me në krye perandorin Mikel IV, kërkonin të merrnin në dorë qytetin. Mbreti armen, Hovhannes nuk la fëmijë, kështu që populli vendosi djalin e Ashotit si sundimtar, Gagikun II.
Më 1042, nën udhëheqjen e Gagikut II, armenët thyen sulmin e bizantinëve. Kronikanët armenë shkruajnë se bizantinët humbën rreth 20.000 njerëz.
Ata e ftuan Gagikun II për të nënshkruar marrëveshjen e paqes në Kostandinopojë ku ai u kap dhe u burgos. Bizantinët e sulmuan prapë Anin dhe prapë u mundën derisa vetë populli i qytetit, duke parë se ishin pa udhëheqës dhe të rrethuar nga armiq, ia dorëzuan vetë qytetin më 1045. Si kompensim, Mbretit Gagik II iu dha një pallat në Kostandinopojë, si dhe qytetin e Çezaresë (Kayseri i sotshëm).
Pasi turqit selxhukë pushtuan toka të perandorisë bizantine, Mbreti Gagik u vra në kështjellën Cybista në veri të Cilicisë (Armenia e Vogël).
Shteti armen i Cilicisë (i cili sot përkon me jugun e Turqisë) ishte një shtet i formuar më 1080 nga refugjatë armenë, të cilët lanë vendin e tyre si pasojë e pushtimit selxhuk. Themelues i këtij shteti është dinastia armene Rubeniane, degë e dinastisë Bagratide.
Mbretëria armene e Cilicisë ishte aleate e ngushtë e kryqëzatave europiane.
Më 1064 turqit selxhukë nën komandën e Sulltanit Alp Arslan, sulmuan Anin dhe pas 25 ditësh rrethim, e pushtuan dhe therën të gjithë popullsinë e qytetit. Këtë masakër të pashembullt në histori e përmend historiani arab, Sibt ibn al-Ghawzi i cili ka qenë vetë dëshmitar.
Ai shkruan: “Ushtria u fut në qytet, e dogji dhe e ktheu në gërmadhë duke marrë si robër 50.000 shpirtra. Të vdekurit ishin aq të shumtë saqë kufomat bllokuan rrugët dhe për të kaluar, duhej ecur sipër tyre. Isha i detyruar të futesha në qytet për të parë shkatërrimin me sytë e mi. U përpoqa të gjej një rrugë që të mos kaloja mbi kufoma, por kjo ishte e pamundur”.
Ani, nën pushtimin gjeorgjian
Më 1072, turqit selxhukë ia shitën qytetin e Anit dinastisë kurde të Shadadidëve. Më 1200, Anin e pushtoi Tamara, Mbretëresha gjeorgjiane e cila ia kaloi qytetin familjes Mkhargrxheli me territorin që kishte pasur pak a shumë mbretëria bagratide.
Kjo familje vazhdoi të sundojë Anin, por tani si vasale e mongolëve.
Në 1330 familja Mkhargrxheli humbi kontrollin e qytetit i cili ra nën sundimin e dinastive turke përfshirë këtu klanin Kara Koyounlu (ose Klani i Deles së Zezë) të cilët gjithashtu e patën Anin kryeqytet.
Rënia dhe shkatërrimi
Emigrimi në masë i popullsisë së Anit filloi me pushtimet mongole kjo për faktin se në mesin e shek.14, ky qytet nuk përbënte më rrugë kalimi, sepse këto u shmangën më në jug. Për pasojë, pushoi edhe veprimtaria e tij tregtare dhe filloi rrënimi.
Më 1380, Ani u pushtua nga Timurlengu, por me vdekjen e tij, kontrollin e rimori Kara Kojunllu që e transferoi kryeqytetin nga Ani në Jerevan. Këtu lëvizi më 1441 edhe Katholikosati armen (Qendra e Kishës Ortodokse Armene) ndërkohë që pjesa e mbetur e popullsisë e braktisi qytetin përfundimisht. Por ekziston edhe mendimi se Ani u braktis nga popullsia e tij nga tërmeti i vitit 1319.
Më 1579-n ky qytet u bë pjesë e Perandorisë Otomane.
Pavarësisht se sot nga shkëlqimi i kahershëm i këtij qyteti kanë mbetur vetëm togje gurësh dhe rrënoja nëpër të cilat kullosin lopët, nuk është e vështirë të dallohet madhështia e një qytetërimi të vdekur.
Katedralja e Gagikut e ndërtuar 1009 vjet më parë, të mahnit me bukurinë dhe elegancën e saj, pavarësisht se duket tepër e dëmtuar nga tërmetet.