Nga Albert Vataj
Opusi i tij letrar është sekuencë tregimesh e romanesh të njohur me titullin e përgjithshëm Komedia Njerëzore, panoramë e jetës franceze në vitet pas rënies së Napoleon Bonopartit, më 1815. Balzak shquhej për trajtimin e mprehtë të realitetit dhe çështjeve të kohës. Ai konsiderohet si një nga themeluesit e realizmit në letërsinë evropiane. Eshtë i njohur për personazhet e tij shumëdimensional, të cilët parakalojnë të mbuluar nga një cohë e hollë paqartësie. Krijimtaria i tij pati një ndikuar tek shumë novelistë që pa frikë mund të thuhet se ishin dishepujt e Balzakut si Marcel Proust, Emile Zola, Charles Dickens, Anthony Trollope, Edgar Allan Poe, ECA de Queiros, Fjodor Dostojevskit, Oscar Wilde, Gustave Flaubert, Benito Pérez Galdós, Marie Corelli, Henry James, William Faulkner, Jack Kerouac, dhe Italo Calvino, dhe filozofë të tillë si Friedrich Engels dhe Karl Marksit. Shumë prej veprave të Balzakut janë ekranizuar dhe mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi dhe objekti i kritikës.
Jeta e tij e stuhishme kaloi përmes shumë përçapjesh dhe sprovash të një njeriu më shumë të krisur se sa të kurajshëm. Megjithatë ai mbetet një shkëlqim i përgjithmonshëm në qiellin e botës letrare. Ai jetoi stuhishëm, duke e mbuashur jetën e vet që nga aventurat e biznesit deri tek ato të dashurisë. Është një arketip i pazakontë i letërsisë, një profil i garrametshëm dhe një talent i jashtëzakonshëm, një punëtor vetmohues.
Episode nga jeta e romancierit të madh francez, Honore de Balzak
*** Kur ishte fëmijë prindërit deshën që Balzaku të bëhej noter. Por ai këmbëngulte të bëhej letrar.
– Letrar, – i tha i ati, – do të vdesësh për bukë! Në letërsi ose duhet të jesh mbret ose hiç fare.
– E po mirë, – u përgjigj Balzaku, – unë do të bëhem mbret.
*** Kur Balzaku ishte i ri çoi te botuesi një dorëshkrim. Ishte një roman i titulluar: “Zana e fundit”. Botuesi e lexoi veprën dhe mbeti shumë i kënaqur. Vendosi t’i ofrojë 3000 franga për të drejtën e autorit. Pastaj kërkoi adresën e Balzakut, dhe kur mori vesh që ai jetonte në një lagje të varfër të periferisë, mendoi se 2000 franga do të ishin më se të mjaftueshme. Kur arriti përpara shtëpisë së tij pa se shkrimtari jetonte në papafingo.
– Atëherë, – tha botuesi, – njëmijë franga do të jenë të pranueshme me kënaqësi prej tij.
Dhe kur hyri në shtëpizën e varfër ku banonte Balzaku i tha:
-Zoti Balzak, ja ku i kini 300 franga për romanin tuaj. Dhe Balzaku i pranoi ato.
*** Një mëngjes tek po shkonte për në punë, për t’i rënë sa më shkurt, iu desh të kalonte nëpër disa ara të mbjella. Ende pa u futur mirë në arë e kapën rojet. Ata e dërguan të kryetari i bashkisë, sepse nuk pranonte të paguante gjobën.
– Si ju quajnë?
– Honore Balzak.
-Profesioni juaj?
– Shkruaj romane.
– Si, – thirri i habitur kryetari i bashkisë, – ju jeni ai që shkruani ato romane të bukura që kanë aq sukses?
Balzaku iu bë qejfi shumë për këtë nderim të madh që i bëhej veprave të tij.
– Romani juaj i fundit, – vazhdoi kryetari i bashkisë – “Shitësja e qumështit” është mirëpritur shumë nga të gjithë, – unë e kam në shtëpinë time… dhe prandaj po e anuloj dënimin.
Balzaku për të hedhur lumin, nuk e mohoi autorësinë e romanit, që në të vërtetë ishte i një autori tjetër.
*** Ai jetonte në mënyrë të tillë me veprën e tij, saqë personazhet e romaneve, aventurat, pasionet dhe veshjet e, tyre i bëheshin pjesë e përbashkët e jetës.
Një ditë një mik e takoi dhe shfryu me dhimbje për sëmundjen e motrës së tij të dashur. Balzaku e dëgjoi, i tha dy fjalë ngushëllimi mikut dhe vazhdoi:
– Tashti le të flasim për gjëra jetësore. A e di si përfundoi puna e Nusingen- it dhe çfarë ka vendosur Rastinjaku.
*** Balzaku punonte pa ndërprerje dhe pa pushuar. Në raste të rralla, kur merrej me ndonjë dëfrim, pendohej shpejt, zemërohej me vetveten, i binte ballit me pëllëmbë dhe thërriste:
– Bobo, në këto orë që humba do të kisha shkruar tridhjetë faqe.
*** Një nxënës i nevrologut të famshëm Eskuirol mburrej se dinte të dallonte që në pamjen e parë një budalla nga një i mençur. Profesori që e kishte dëgjuar këtë mburrje, e ftoi për drekë studentin, i cili kur erdhi gjeti aty edhe dy të ftuar të tjetë. Njëri ishte serioz, korrekt dhe gjatë gjithë drekës nuk tha as edhe një fjalë. Tjetri ishte i harlisur, fliste shumë dhe në bisedat që bënte tregonte se ishte i kënaqur. Kur dy të ftuarit u larguan, Eskuiroli i tha nxënësit të tij;
– Njeri prej këtyre është budalla, të shohim në se do ta gjesh. Nxënësi tha se budalla ishte ai që fliste shumë, ndërsa i mençuri ishte ai tjetri që rrinte i heshtur.
– E po mirë, – i tha profesori, – po ju them se keni gabuar. Ai njeriu i heshtur ishte budalla, që e mbante veten zot të përjetshëm dhe nuk fliste, sepse mendonte që nuk i shkonte një zotërie të madh të fliste me njerëz të thjeshtë, kurse ai tjetri, që fliste shumë dhe me gjallëri, ishte një shkrimtar i ri, që ka nisur të bëhet i njohur, është çmuar në Paris dhe quhet Honore Balzak.
*** Balzaku kishte marrë një sekretar të cilin e zgjonte në orën një pas mezit të natës dhe i thoshte:
– Ju keni ende zakonin e keq të flini natën, kurse nata është bërë për punë. Ja ku po ju jap një kafe, që të mos ju zërë gjumi. Uluni në tryezë dhe shkruani.
Dhe i diktonte deri në shtatë të mëngjezit, kur sekretarit të lodhur për vdekje i këputej koka duke shkruar. Atëherë Balzaku i thoshte:
– E sheh se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët. Shko pra që të flesh. Do të të zgjoj rreth orës dymbëdhjetë që të fillojmë sërishmi punën.
*** Një grafist që do të ilustronte një roman të Balzakut, duke gjetur një frazë të paqartë, i tha autorit që t’ia shpjegonte.
– I dashuri im, – i tha Balzaku, – as edhe unë nuk e kuptoj fare. Po e kam futur qëllimisht, sepse medet sikur lexuesi t’i kuptojë të gjitha ato që shkruajmë ne. Ai do të kujtonte se mjeshtëria jonë është e thjeshtë dhe e mundshme për t’u bërë nga të gjithë. Kështu do të humbasim prestigjin tonë mbi të.
*** Balzaku punonte intensivisht. Gjatë kësaj kohe (punonte dhjetë orë në ditë) takoi Rosinin, i cili duke e njohur mirë jetën që bënte romancieri i shquar francez, i tha:
– Si mund t’i qëndroni kësaj jete, duke punuar kësisoj për vite të tëra. Edhe unë kam punuar në një periudhë të jetës sime, por pas pesëdhjetë ditë pune ngulmuese bëhesha gati si i vdekur.
– Oh, – u përpigj Bahaku, – unë nuk shoh mundësi tjetër për të pushuar veçse në varr. Sidoqoftë puna është mund i këndshëm.
*** Balzaku kur shkruante ndonjë roman ishte aq i rrëmbyer nga tema sa që atij i dukej se po jetonte një ngjarje të vërtetë. Një miku i tij që i shkoi një ditë për ta takuar, sapo hyri brenda e pa Balzakun që po ecte nëpër dhomë duke bërtitur:
– Oh, fatkeqësi, ajo ka vrarë veten!
U desh një bisedë sqaruese që miku të kuptonte se ishte fjala për romanin “Evgjeni Grandenë” të cilin ishte duke e shkruar.
*** Një revistë donte të botonte një novelë të tij. Balzaku vuri si kusht që revista të vinte përpara novelës një artikull biografik të shkruar prej mikut të tij Teofil Gotje. Kushti u pranua që artikulli të paguhej pesëqind franga. Balzaku shkoi t’i jepte lajmin e gëzuar Gotjesë, i cili e priti me gëzim të madh këtë porosi të paguar me bollëk. Shkroi një artikull të bukur që u botua së bashku me novelën e Balzakut. Dhe ja, pas pak ditësh mbërriti tek ai Balzaku, i cili i dha dyqind e pesëdhjetë franga.
– Po a nuk më thatë se artikulli do të paguhej pesëqind franga? – Pyeti Gotjea.
– Vërtetë – u përgjigj Balzaku, – por pastaj mendova se po të mos ekzistoja unë, ti nuk do të kishe shkruar ato lavde që ke shkruar…dhe prandaj m’u duk e drejtë ta ndajmë përgjysmë shpërblimin.
Gotje qeshi shumë nga ky argument që e mori edhe ai si të pranueshëm.
*** Një mikut të vet, që u habit me veprimtarinë e tij letrare të mrekullueshme, Balzaku i tha:
– I dashur mik, unë kërkoj të zë në letërsi vendin më të madh, në mënyrë që të mbetet sa më pak vend për budallenjtë.
*** Balzaku po ankohej një mbrëmje për mjeshtërinë e shkrimtarit, që, sipas tij, nuk shpërblehej mirë dhe nuk jepte kënaqësinë e nevojshme.
– Po lavdinë, – tha një ndër bashkëbiseduesit, – lavdinë nuk e përmendët fare.
– Lavdia? – u përgjigj Balzaku, – ta dini si katandiset lavdia e një letrari.
Një herë kur ndodhesha në Rusi isha i ftuar në një sallon. Në çastin e hyrjes një zonjë po shërbente çajin dhe kishte në dorë një tabaka me filxhanë. Porsa shërbëtori përmendi emrin tim, zonja thirri: “Zoti Balzak” dhe lëshoi për tokë gjithë filxhanët nga emocioni.
***Tregojnë se kur Balzaku ishte i ri kishte shkruar këto falë ambicioze nën portretin e Napoleonit:
– Atë që ai nuk mundi ta çonte deri në fund me shpatë, do ta çoj unë me penë.