Nga Albert Vataj
A e keni menduar ndonjëherë se pse meshkujt ngasin zellshëm pas koleksionimit të historive të dashurisë, ose pas mbrojtjes me zjarr të një evidencë të sukseshme, e cila edhe pse është fiktive prodhon një lloj sadisfaksioni, krijon atmosferën e dominuesit.
Është pikërisht kjo që potencon joshjen e tyre. Është ky trend që ka modeluar arketipin e “mashkullit të zotin”, atë lloj specie që pozicionon veten e harmonishme në habitatin, duke u orjentuar nga forca e zakonit, nga tipizimi i karakterit të tufës, ose nga patologjia, me të cilën ai është ndëshkuar.
Ata duke u përpjekur të garojnë me vetveten e tyre të shumëfishuar, vërtiten si qeni i inatosur që nget të zërë bishtin e tij. Bota, as nuk i duket e huaj, por as dhe e vetja. Nuk pretendojnë shume gjëra, por ajo që ata synojnë, është gjithçka që atyre u duhet, dhe gjithçka që ata kanë, por që kurrë nuk janë të mjaftueshme. Jetojnë në tufë si tufa. Sapo përpiqen të jenë identitete, bëhen qesharak dhe goditen nga një rrymë e papërballueshme trysnie stresi dhe vetëpërjashtimi. Gjithsesi ata nuk i lëndon dështimi, sepse kurrë nuk janë në sfidë. Ata i vret e pamundura e gjërave që synojnë, asaj gjithçkaje boshe që është fasada dhe thelbi i vetes së tyre. Zotërimet që kanë, i lejojnë ata të kapardisen, pa mundur t’u japin të drejtë të jenë sundues, sepse gjithnjë ka një guximtar të tufës që të trysnon frika e humbjes së kreut, kërcënojnë. Gjithçka në këtë lojë dominimi mbaron pa filluar. Nuk ka nder dhe kjo nuk u lejon atyre të sillen si të sfiduar. Edhe nëse ka përballje, ajo është një lojë joshjeje synimesh dhe potencialesh zotëruese. Paraja për ta është një mjet, seksi është një qëllim, jeta është një aksident.
Në këtë vorbull sillen deri në shterrim të të mundshmes. Gjithçka tek ta shuhet. Ata ndihen të shporruar. E tashmja është gjithçka që jetojnë. Pas, asgjë, përpara, asgjë.
Filmi i tyre ka mbaruar dhe ata largohen të drobitur, duke përtypur fragmentet e shkëputura të kujtimeve që e kanë të vështirë t’i bashkojnë.
Shumë prej kësaj kategori meshkujsh nuk e kuptojnë se bataku ku ata kanë rënë është një ego e sëmurë, një molepsje që më shumë se emocion, atyre u sjell trazim dhe zbrazje. Megjithëse boshi që i ka kapluar, që vetëm i gërryen, ata rreken ta mbushin me nuanca rozë, ngjyrë të cilën mjerisht nuk e përcepton organi i tyre i të parit. Jeta e tyre është një gjendje e pezullt, pa trajtë dhe gjithnjë e ngrysur, dominuar nga një shkelqim gjithnjë i vagullt që kompensohet përmes mjetesh stimuluese, seksi i shfrenuar, paraja, alkooli, droga dhe madhështia e një krenarie që hiqet zvarrë në baltën e vulgariteteve.
Shkrimtari italian, Massimo Bisotti, i apasionuari pas psikologjisë dhe filozofisë lindore, mësohet të ketë cituar se: S’më kanë pelqyer kurrë meshkujt që numërojnë “flirtet” e tyre duke u krekosur dhe duke u shfaqur kudo. Sipas tij, janë pikerisht keto tipa të neveritshëm meshkujsh që e bëjnë seksit të humb atë rëndësinë e sekretit që ka. Janë pikërisht këto specie që orjentimin ndaj seksit si qellim, deshirës si zotërim, dashurisë si pamundësi, që e kanë transformuar sublimen e seksit, hyjninë e këtij akti në një gjest të pështirë.
Këto meshkuj nuk kanë asnjë çelës, mëton Bisotti. Ata nuk kan atë, çelësin e kutisë që mban brenda dëshirën e vërtetë, pasionin që të bën të luash mendsh, që nuk të jep kohë të mendosh asgjë tjetër në botë përveç saj, që të bën të humbësh ndjenjat kudo që ndodhesh, që kë dëshirë t’i gjuhesh brenda një pellgu me ujë të ftohtë për ta shuar në një moment të papërshtatshem.
Ata më shumë se të molepsur nga shkasi i protagonizmit përmes shalëve të femrave e pështirjeve, nuk e kuptojnë se vuajnë prej patologjisë së varësisë nga seksi, nga nevoja për të qenë gjithnjë në një pirg ku të shpalosin këndezin e tyre lafshënxirë.
Gjithsesi ata janë të lumtur në fatkeqësinë e tyre, në atë dëshirim që gjithnjë i lë zbrazur. Dashuria, pasioni, çdo nuancë e shkëlqimit të epsheve që i hyjnizon sublimja i duket e pavlerë, boshe, e neveritshme. Kjo sepse ata janë dijeni se çfarë kërkojnë, por nuk i’a kanë haberin se çfarë duan. Ajo që ata kërkojnë është pikërisht ajo krekosje, ajo paradë e pështirë flirtesh dhe zemërthyerjesh prej të cilave ata përtërihen, si vampiri pas gjakut të viktimës.