Nga Albert Vataj
Meqenëse knaqsia kushtëzohet nga përdorimi i forcave tona dhe meqë lumtunia qëndron në përtrimje t’vazhdushme t’ksaj knaqësie, ajo do të jetë gjithmonë e varun nga madhësia e fisnikërisë së forcës që i nep drejtim.
Askush nuk mund ta përjashtojë ndjeshmërinë, epërsinë qi dallon njeriun prej kafshës. Ndjeshmëria i përket forcave tona njohëse dhe përsosja e saj na ban t’gatshëm për knaqsi qi bazohen mbi njohjen, pra knaqsitë shpirtnore.
Më i lumtuni i njerëzve, më i plotpushtetshmi në nji botë qi rreket më t’vu pambarimisht në sprovë nëse e përmush ose jo meritimin, asht ai individ qi natyra e ka pajis me dhunti të epërme shpitnore.
Njeriu qi natyra e ka pajis me forcë t’madhe shpirtnore ka aftësi dhe asht gjithmon i prirun kah nevoja me ken i ushqyem me dituni dhe kumte t’epërme estetike, qi ai ka aftësinë me i gjet, me i kultivu, e me i përtri me amën e vet t’pashterrun t’andjes, adnrrës dhe vullnesës së transformuem n’qëllim, me e pranu botën siç ai e dëshiron me mish e me shpirt.
“Dhe vërtetë, ajo që është subjektive është e afërt për ne, ma tepër se ajo që është objektive, meqë vlera e kësaj t’fundit ndërmjetsohet gjithmon nga nji gja tjetër, pra asht diçka dytsore”, argumenton Shopenhaur.
Individi qi zotnon kët pasuni, nuk kërkon nga bota asgja tjetër veç nji dhuratë fort t’çmueme për të, orët e lira, ku të përsos e të jetësojë në akte kumtimi t’brenshmen qi i gurron, duke pas mundsi me e shiju si një vullnesë t’hyjshme pasunin e vet shpirtnore, e cila e lejon me ken përgjithmonë, çdo orë e çdo ditë, plotësisht vetvetja.
E kur kjo krijesë e përzgjedhun nga fati e ka t’obligume me e ngulit gjeniun e vet tankund, ku ai dishron me tan zemër, lumtunia e vetme që mundet me shiju në këtë ngulm, me prek apogjeun, asht të përsos talentin përmes aktit sublim të krijimit.
… dhe e vetmja gja qi e ban me vujt asht pengimi për me e ba realitet këtë detyre t’shenjt qi i buron prej s’brendshmi, e don me e pa teksa mundet me ken nji rreze drite qi i udhëprinë n’rrugën e lumtunisë gjithkend qi don me u ndi zot n’nji botë që nis s’brendshmi dhe i përngjet asaj.
Njeriu normal, për sa i përket knaqsive të jetës, asht i kufizuem te gjanat jasht’ tij, si prona, pozita, gruaja, fëmijët, miqt shoqnia dhe mbi këto bazon lumtunin e vet, duke u zhgënjyer ose duke humbur fare në fund. Ai asht i varun nga gjanat qi nodhen jasht tij. Kjo ban qi ai ka me ken gjithmon i cytun prej dëshirave t’shpengume. Ai e lshon vedin dorzan nji zelli dhe nji egoje të sëmur me ba gjithçka e me pas gjithçka. Duke ken i zbrazun prej s’mrenshmi ai rreket me u mbush dhe nuk kursen atë ç’ka ka; pasunia, pushtetin. Blerjet pa hesap, festat e çmendura, udhtimet përplot aventura, substancat stimuluse dhe seksi, duket se ma shumë e gërryejnë se sa e mbushin. Fati e ka shkruar që ai të jetë një cilindër, jo nji epruvetë dhe gjithçka munet me e përshku atë po pa mujt me e mbush. Kësisoj ai mbetet i zbrazun dhe e pamujtuna e ban me vuajt. A ka gjithçka e nuk ka kurrgja. Sado të përpiqet ai mundet me ken vetëm një sprovë e lumtunisë dhe kurrë një mënyr t’jetumi, nji andërr qi nuk u bleka me para dhe nuk u zotnoka me pushtet.
Jeta e tyne asht pre e kurtheve mjerane të plogështisë. Kjo ngase imagjinata dhe forca e mendimeve të tyne gjehet e drejtume vetëm nga interesa meskine. Këtë filistin fati e ka ndëshku me ken nji botë personale, nji krijes qi krejt ku shkon zhguallin e merr me vete si breshka, krejtçka ban e ka me kah prej vedit.
Meqenëse vetëm zjarri i egër i pasionit arrin ta shkund këtë masë plogështie, ata i nënshtron një mërzi e padurueshme sa herë që nji armpushim ndërpret luftën dhe apatia, plogështia, pamotivimi e vënë atë përballë vetes, asaj vetvete qi njaq shum’ e ban me vuaj.
Njeriun e pajisun me forcë t’madhe shpirtnore, fati e ka përzgjedhun me ken gjithnji i përqafuem me ngrohtësinë dhe butësinë e nji jete t’pasun n’mendime, t’mbushin me gjallni e kuptim. Ai jeton të bukurën në çdo gja, gjen dritë atje ku tjetërkujt i’a nxjerr syt terri, adhuron gjithçka e adhuruesit ngren altare n’nderim t’tij.
Bota e tij e ndritun prej nji shkëlqimi t’hyjshëm i jep krah fantazisë duke e çu atje ku askush ma parë nuk ka shku, me përjetu t’atilla gazmimi e lumtunimi qi veç ai mundet me i shpjegu e me i pagzu me emna perëndishë e hyjneshash.
Njeriu që ka gjithçka dhe ende ka frikë nga vetja e mungimeve të themelta, ndihet gjithnjë i terrorizuar prej maktheve të përndjekjes nga pamjaftueshmëria dhe pasiguria e gjërave që zotëron, nga rreziku dhe e keqja që gjeneron bota e përfitimeve, ajo botë prej së cilës ai ngulmon të marrë gjithçka. Ai ka zgjedhur të mbush jetën e vet me një botë të zbrazët, me një të tashme marramendëse, ku ka të mundur gjithçka dhe nuk zotëron asgjë, ku i jepet vullnetlirë nevojës së ngutshme të jetë gjithnjë i rrethuar nga e mundshmja e gjarave që e ngushëllojnë, gjithsesi ai ndihet fatkeq, ai asht nji qi fati e ka dënu me ken i zhveshun prej lumtunisë.
Ashtu sikurse kafsha, e cila në të gjitha rrethana, ku gjendet qëndron e kufizuar brenda rrethit të vogël që natyra pakthyeshmërisht ka përvijuar rreth qenies së saj, edhe masa e lumturisë së mundshme të njeriut është e përcaktuar “a priori” nga individualiteti i tij, ndërsa qëndrimi i natyrshëm ndaj kënaqësive të epërme, mbetet i përcaktuar një herë e përgjithmonë nga gjerësia e tij shpirtërore.