Nga Albert Vataj
Patatja ka zënë një vend të rëndësishëm në traditën kulinarike, në atë shëndetësore, por edhe në atë kozmetike. Vlerat e saj pasurore në vitamina, karbohidrate, proteina, kripra minerale, e kanë bashkëngjitur atë me një numër të konsiderueshëm perimesh, të cilat po shfrytëzohen në maksimum të kapacitetit të tyre. Natyra, si me pataten, xhinxherin, karotën, panxharin, etj. ka demonstruar bujarinë ndaj njeriut, të cilit u’a ka ofruar atij perimet si ushqyes të shëndetshëm, por dhe si agjent në trajtimet e specifikuara, si shëndetësi, estetikë, etj.
Patatja është shumë e pasur me karbohidrate (sheqer në trajtën e amidonit) dhe me lëndë azotike (proteina), me vitamina dhe kripëra minerale, etj. Siç dihet, karbohidratet (sheqernat) janë burimi kryesor i vlerës energjetike që ka nevojë njeriu. Rreth 60-65 % e kësaj vlere ditore plotësohet vetëm nga sheqernat. Një kilogram patate jep jep rreth 840 kkal, që janë gati sa një e treta e të gjitha kalorive ditore që ka nevojë njeriu i rritur.
Vlera kalorike e patates është katër herë më e madhe se e domates, tri herë më e madhe se e karrotës dhe sa gjysma e vlerës kalorike të vezës e të mishit të gjedhit. Vlerën e përgjithshme ushqimore të patates e përcakton sasia e lartë e lëndës së thatë 20-30 %, ku përbërësi kryesor është amodoni (14-22%), pastaj proteinat (1, 4-3%), kripërat minerale (0, 8-1, 6%) dhe vitaminat e ndryshme, ku mbizotëron vitamina C (10-40 mg).
Amidoni pa dyshim është lënda bazë përbërëse e patates. Sasia dhe cilësia e amodinit përcakton jo vetëm rëndësinë e patates si produkt ushqimor, por edhe veçoritë teknologjike si lëndë e parë për përpunim industrial, për përgatitjen e mjaft produkteve të tjera ushqimore të rëndësishme. Prania e fosforit në amidon në trajtën e acidit fosforik dhe përbërjet e tij, luan rol të rëndësishëm në proceset fermentike dhe në hidrolizën e amidonit gjatë kthimit në qull të tij. Si burim i proteinave të një cilësie të lartë, patatet zënë një vend të rëndësishëm midis produkteve të tjera ushqimore me origjionë bimore.
Është vërtetuar gjithashtu se proteinat e patates asimilohen më lehtë në krahasim me ato të mishit. Përmbajtja e proteinave në kokrrat e patates rriten nga periferia në qendër. Kjo është në drejtim të kundërt me rritjen e përmbajtjes së amidonit.
Në proteinat e patates gjenden aminoacide të pazëvendësueshme (që nuk sintetizohen nga trupi i njeriut), shumë të nevojshme për funksionimin normal të organizmit, si valinë, leucinë, izoleucinë, lizinë, metioninë, treoninë, tripofan dhe fenilaninë.
Vitaminat
Patatja është edhe një burim i mirë vitaminash. Ajo shquhet sidomos për përmbajtjen e lartë të vitaminës C. Në ato vende ku patatja mbillet në sipërfaqe të gjera dhe konsumohet në sasira të mëdha, ajo shërben si burim kryesor për sigurimin e vitaminës C nga organizmi i njeriut. Ajo përmban edhe Vitaminë A; Vitaminë B1; Vitaminë B2; Vitaminë P si dhe vitaminat B5, B6, B8, dhe K në sasira shumë të vogla. Përmbajtja e vitaminës C është më e madhe një muaj para pjekjes së plotë. Patatet janë të pasura dhe me kripëra minerale, në trajtë të asimilueshme nga organizmi i njeriut, si kripëra të kaliumit, kalciumit, magneziumit, fosforit, etj. Përgjithësisht kripërat minerale tek patatja kanë reaksion alkalin. Kjo veçori ia rrit akoma më shumë vlerat patates.
Kujdes nga solanina
Nuk mund të mos përmendet këtu edhe prania e alkaloidit solaninë, substancë me veti helmuese. Sasia e saj në patatet e freskëta lëkundet nga 2-10 mg, që nuk ndikon fare në organizmin e njeriut.
Rritja e përmbajtjes së solaninës vihet re sidomos në tuberat e patates me ngjyrë të gjelbër, kur qëndrojnë në ujë për një kohë të gjatë në ambient me dritë. Ajo pjesë e sipërfaqes që ekspozohet ndaj dritës ka më tepër solaninë. Për këtë arsye është e nevojshme që gjatë vjeljes dhe ruajtjes duhet merren masa për të mënjanuar qëndrimin e gjatë në diell të patateve. Është provuar shkencërisht se solanina shkakton helmime në organizëm, nëqofëse njeriu merr të paktën 200 mg menjëherë.
Ndiqni disa nga recetat që mund ti përdorni me patatet si përbërës bazë:
1. Për zbutjen e shenjave në fytyrë dhe për një lëkurë të përsosur
Shtrydhni lëngun prej një patateje, duke e grirë në blender, dhe një lugë nga kjo masë përzieni me dy lugë lëng limoni dhe dy lugë argjile. Aplikoni këtë maskë në fytyrën tuaj dhe ëlreni që të veprojë për 10-15 minuta, pastaj shpëlajeni me ujë të ftohtë.
2. Për zbardhjen e lëkurës
Përzieni një lugë gjelle me pure patatesh dhe një lugë gjelle me lëng limoni. Aplikoni në fytyrë dhe shpëlajni pas 10-15 minutash.
3. Për të hequr njollat e errëta në lëkurë
Tek njollat në fytyrë aplikoni patatet të përgatitura në formë pureje, mbajeni për 10 minuta e më pas shpëlajeni. Praktikoni këtë maskë rreth një muaji dhe do vëreni rezultate mahnitëse.
4. Maskë kundër rrudhave
Një lugë pure patatesh përzieni me një lugë kos. Përzieni masën mirë dhe lëreni që të qëndrojë për rreth 30 minuta. Më pas aplikojeni në lëkurë. Vitamina B6 që përmban patatja ka efekt kundër plakjes së lëkurës.
5. Kundër rrathëve të errët poshtë syve
Përzieni një lugë gjelle me pure patatesh dhe mjaltë. Mbajeni këtë maskë në zonën poshtë syve ku janë të paraqitur rrathët e nxirë, për afro 10-15 minuta, pastaj shpëlajeni. Kjo lloj maske gjithashtu zbut apo qetëson sytë e irrituar.
6. Si tonifikues natyror
Përzieni një lugë gjelle me lëng patatesh dhe trangulli. Zhyteni një pecetë në këtë koktel të fituar dhe masazhoni tërë fytyrën.
7. Për flokë të buta dhe me shkëlqim
Lëvoren e një patateje zieni për 10 minuta në ujë dhe më pas shpëlajini flokët me të. Ky ujë ndihmon edhe për të parandaluar paraqitjen e hershme të flokëve të thinjur.