Nga Albert Vataj
Nadja e mirë!
Asht jo vetëm një përshnetje zgjimi, një ledhë fjalësh që shndrrohet në breror rrezatuese fillimdite, por edhe refreni i një kange drite qi t’ban me shndrit n’çdo rreze.
Ash tue ken ky refren i kësaj kange t’gzume, njaj motivim qi na thrret në nji ditë ngulmesh e sfidash, andjesh e t’mundshmesh qi na hovin tue na lshu në krahët e ditës qi dritë lyp, dhe energji i nep çdo turri.
E lypim njat t’amlën, Nadja e mirë!
Lypim, gjithkah ku fjala mëkon ç’ka shpirti me tan dashunim e nep.
Lypim, krejtkund aromat dehin e lulet t’ngopin plot andje e dëshirimi.
Lypim, ku zemra tue hap krahët, mundet me rrok ç’ka e mbush.
Lypim, gjithkah fjala e tamëlt lmon andjen me ndigju, siç lmon foshnja gjinin e nanës kur jetë prej jetës s’vet i nep.
Lypim, ku kthjellët pikon qielli e frymëmerr në krahët e fluturimeve.
Gjithkund e lypim këtë “Nadja e mirë!” qi nadja dhe dita fort po e dëshirojnë ardhjen tande, çapin e njatij hapi qi asht çdo ditë një hov i ri.
Gjithkund qi ti kërkon tash mundesh me e gjet, por ma s’shumti ajo asht me ty, s’brendshmi teje, asht n’gjithçka qi tue t’u ba shprehi të asht ba diell qi t’shpërthen brenda teje, e t’mush me dritë e rreze gjithkend qi fati e ka shkru me t’ken njaty afër, me t’u gjind ku ti ke ma shumë nevoj, me ken me ty ku vetmisë po i frogohesh.
Nëse dikush druhet se kjo gja asht njaq e pamujtun sa ç’asht edhe imagjinative, idileke, me gjas nuk don me kën i veshun me këtë dëshirim, i hovun prej këti motivimi.
E aj, asht mosbesus, zemërthym, i lënduem e pa kurrnji arsye zgjimi. Me fjal të tjera, ai ka vendos me jetu t’vdekunin brenda vetes çdo ditë.
Kjo jo për fajin e tij, as të fatit qi e ban gjithnji me faj, por për panevojën me jetu si i gjallë, si rreze, si vërshim, si motivim sfide.
Gjithkush ka zgjedh mënyrën e vet t’zgjimit, qi sipas meje asht zgjidhja e këtij rebusi, sekreti i tan kësaj binaje andrrimesh e t’mundmesh.
Provoje me ken me t’tjerët, siç do t’dëshiroje me ken ata me ty. Drita ka ftësinë e përthymjes si zani kur jehon.
Sa e magjishme asht ta nisësh ditën me një puthje në ballë, nënës, gruas apo motrës, nji puthje në doçkat e fëmijës. Dhe gjithë këtë me i mbështjell me ledha fjalësh përkundëse, loçka, zemra, tushe, syni, engjull, jam i lumtun që ju kam.
Provoje, ushtrohu dhe do të shohësh se gjithçka e andhme nis me zgjimin.
Kjo hukamë e ngrohtë dëshirimi e mbush me diell çdo kënd, të nji zgjimi të ngutshëm, të ikjes prej zgjedhës së andrrave dhe prehjes përtëritëse të natës.
Flak pa ngurim rrobat qi t’mbështjellin, siç çan nji zog lëvozhgën, e hidhesh në krahët e një zgjimi t’hovshëm si n’prehnin e nji përjetimi qi t’flakadan.
Shkëputësh nga kordoni umbilikal i natës, siç ban foshnja qi vjen në jetë, … e lëshohesh në përditësimin tand, jo si në një vazhdë rutinore, por si në nji zanafillë e patëdytë, si një shkas për të kumtu nji të t’mundshme të jetës që hedh çapin n’nji zgjim që mëtohet në nji frymëmarrje.
Përplot energji pozitive gufon s’brendshmi teje.
Një brerore e hyjshme e shenjtëron misionin e përtëritjes në një ditë të re, në nji ngulm për tu përfshi dhe për tu ba pjesë e së zakonshmes. Qesh, bën ndonjë shaka dhe lëbyresh prej një shndritjeje që pahet me ty me çiltërsinë e kthjelltësisë.
Çil dritaren dhe sheh se edhe përjashta është po kaq e hareshme dita, janë kësisoj shpërthyese edhe rrezet e diellit.
Ky asht fillimi i ditës teme, mundet me ken i ditës së tankujt qi fort dishron, ditë dhe t’munshmes, së cilës i jap falenderimin e përunjur të një mirënjohjeje të përkorë, qi tue më mbush plot çdo nadje me dritë, më ban me besu se gjithçka e dëshirueme mundet me u ba e jotja, mjafton qi t’i me rrëmu s’brendshmi teje, me e gjet, e më nxjerr faqe dritës, asaj drite ku shihesh edhe ti.
Zgjohu edhe ti si un, beso se mundesh me ken zot.
Gjithçka qi sjellin minutat dhe orët në vijim, jeta dhe përpjekja, sfidat dhe mundësitë, munen me kenë me të njëjtat ngjyra që hodha në paletën e panoramimit të së sotmes, të ngrohta dhe të hareshme, larushitëse dhe dritëshumë.
Ju përqafoj të gjithëve, me rrezet e këtij dielli që na flakadan në dëshirimet.
Nadja e mirë!
Amen!