Një marrëdhënie gjithnjë është e rrezikuar nëse së paku një nga partnerët nuk përpiqet që ajo të mos prek fundin. Kjo përpjekje është e çdoditshme dhe kërkon ngadhnjim vetmohuesisht. Ndoshta bashkëbisedimi duhet të ndërtojë një lloj dakordësie mes partnerëve, të cilët së bashku do mund ta nxjerrin në sipërfaqe platformën që po fundoset. Nëse mendoni se lidhja e juaj bashkëshortore ka filluar të ftohet, nisuni nga vetja dhe shikoni se si mund ta përforconi lidhjen tuaj duke ndryshuar veten tuaj. Maksima thotë: “Nëse dëshiron ta ndryshosh botën, ndryshoje veten”. Prandaj përgjigjuni vetes me sinqeritet, “po” ose “jo”. Nëse në ndonjërën nga pyetjet përgjigjeni me “jo”, pikërisht ajo pyetje që ka marr përgjigjen “jo” është ajo çka ju duhet të merrni në konsideratë për ta ndryshuar veten dhe raportin apo sjelljen tuaj ndaj partnerit, derisa të mos arrini në çastin për t’iu përgjigjur me “po” gjitha pyetjeve. Do të vëreni se me ndryshimin e qëndrimit tuaj ndaj partnerit dhe ndaj vetes tuaj, do të ndryshoj për të mirë edhe lidhja e juaj martesore.
Dhjetë pyetje për burra…
1. A e gëzoni ndonjëherë gruan tuaj me ndonjë buqetë lulesh, kartëpostale për ditëlindje apo përvjetor të martesës? A i tregoni kujdes dhe vëmendje të papritur për gjëra të imta?
2. A përpiqeni për të mos e kritikuar para të tjerëve?
3. A i jepni asaj para edhe jashtë buxhetit shtëpiak?
4. A përpiqeni të kuptoni ndryshueshmërinë e natyrës së femrës? A i ndihmoni në çastet e lodhjes dhe rraskapitjes nervore?
5. A ia përkushtoni së paku gjysmën e kohës tuaj të lirë?
6. A jeni mjaft të kujdesshëm që të mos krahasoni aftësitë e saja si kuzhiniere apo shtëpiake me aftësitë e nënës suaj apo gruas së mikut tuaj, përpos nëse krahasimet shkojnë në favor të saj?
7. A interesoheni për problemet e saja në punë, për librat që i lexon, për miqtë e saj dhe vështrimet e saja mbi jetën publike dhe familjare?
8. A mundeni që pa vërejtje xhelozie të duroni gjersa vallëzon me meshkujt tjerë dhe nga ata pranon shprehje të kujdesit të imtë?
9. A e shfrytëzoni pikërisht secilin rast që t'i thoni se sa e pashme është dhe sa e doni?
10. A i thoni "faleminderit" për shërbime të vogla që Ju bënë çdo ditë? Për pullën e qepur, çorapet e arnuara apo këmishën e pastër?
Dhjetë pyetje për gratë…
1. A përziheni në punët e burrit? A përpiqeni të mos i kritikoni bashkëpunëtorët e tij dhe të mos i kundërviheni për shkak të ndonjë vonese nga puna?
2. A përpiqeni që shtëpinë tuaj ta bëni sa më atraktive dhe interesante?
3. A e përpiloni gatojcën ashtu që burri i Juaj kurrë të mos dijë se çfarë befasie e pret në racionin e ardhshëm?
4. A e kuptoni profesionin e tij aq sa të mund të bisedoni me të mbi problemet në punë dhe t'i bëheni këshilltare?
5. A dini që me guxim t'i përballoni mangësitë materiale (të parave), duke mos e ngacmuar burrin për paaftësi dhe duke mos e krahasuar me të tjerët?
6. A përpiqeni të bëheni të sjellshëm me nënën dhe familjen e tij.
7. A e respektoni së paku deri diku shijen e burrit, në veshjen tuaj personale?
8. A lëshoni pe – mjaft, në cikërrime që kërcënojnë ta prishin harmoninë bashkëshortore?
9. A përpiqeni t'i mësoni lojërat në të cilat burri i juaj e gjen argëtimin në kohën e lirë?
10. A interesoheni për ngjarjet politike, librat dhe risitë kulturore mbi të cilat do të mund të bisedonit me të? …
Ndoshta e gjitha kjo ju duket një lojë, por po të përpiqeni ta trajtoni sa dhe si duhet këtë pyetësor, do të konstatoni se jeni jua ai që duhet të luani në këtë betejë të shëndetit të mirë të marrëdhënies suaj. Në asnjëren nga pyetjet nuk ka asgjë për t'u parë me mosbesim. Ju duhet të jeni të sinqertë kur i përgjigjeni vetes, me "PO" ose me "JO" dhe jeni po ju që duhet ta mendoni mirë se qoftë edhe një "JO" e vetme në këtë provim të dinjitetit tuaj dashuror, diçka nuk do të shkojë mirë. A është e mundur që t'i themi "PO" të gjitha pyetjeve, sigurisht që nuk është dhe aq e lehtë, por jo e pamundur. Mjafton që ju ta konsideroni marrëdhënien tuaj si diçka të shtrenjtë, për të cilën do të ishit të gatshëm të sakrifikoni gjithçka, dhe era do të vijojë të fryjë për velat tuaja. Të dy partnerët do të tërheqin dhe do të lëshojnë, në mënyrë që kolona që mban ngrehinën të shkojë në vendin e vet.