Nga Albert Vataj
Ndoshta ka disa gjëra që kemi nevoj t’ia themi vetes duke ju drejtuar dikujt, i cili/e cila edhe pse nuk është më, ka lënë gjurmë të pashlyera në jetën tonë. Dhe është kjo kujtesë e mallshme trishtimi dhe dhimbjeje që nderet brenda nesh si një jehonë e zëshmërisë së ndërgjegjes së cilës dëshiron t’i rrëfehesh, duke i hapur shpirtin botës dhe dëgjuar gjëmimin e heshtjes që rrekesh t’i mëkosh zë prej britmës tënde.
Janë disa gjëra, gjendje dhe emocioni, është një shpirtje e shushatjeve dhe kushtrimeve tona, që vetëm përmes dikujt që ka ditur të na dëgjojë kur heshtja na nënshtronte me zë të shuar e vullnete të ndryllura, ne i përçojmë tashmërisë dritshmë zëri. Kësisoj ne kemi mundur t’ia themi këto gjëra personit të duhur, dhe përmes tij apo asaj, ne të arrijmë të komunikojmë me njerëzit, të hapim zemrën dhe të ndajmë me ta ato impresione që na bëjmë të ndjehemi mirë, na bëjmë të jetojmë një vetvete që kumton jetën tonë.
Komediani i famshëm amerikan George Carlin, e ka bërë këtë, duke i’u drejtuar me një letër bashkëshortes së tij, e cila kishte ndërruar jetë kohë më parë. Kjo nuk ishte thjeshtë një letër, apo një kulmim epistolar, ajo ishte dhe mbetet një manifest dlirësi dhe sinqeriteti, një urdhnes apostolike për çdo shpirt që rreket të gjej shëlbimin në një botë kundërshtish, por gjithsesi në një të tashme që mbetet thelbësisht e jona dhe tmerrësisht kokfortë ballë ngutit për të ndryshuar.
Kjo është letra që shkroi komediani amerikan George Carlin pasi i vdiq gruaja. Një letër që thotë fakte tronditëse dhe që teksa e lexon kupton shpejt se shumë gjëra të kësaj bote nuk ia dimë vlerën, disa të tjera i mbivlerësojmë, të tjera nuk i shijojmë dhe plot të tjera janë bukuri e rreme.
Lexojeni letrën domethënëse:
Kemi ndërtesa më të larta, por kemi durim më të shkurtër.
Kemi rrugë më të gjera, por kemi këndvështrim më të ngushtë.
Bëjmë shpenzime më shumë, por pak gjëra na përkasin.
Blejmë më shumë, por ngelim më pak të kënaqur.
Kemi shtëpia më të mëdha, por familje më të vogla.
Kemi më shumë pajisje shtëpiake, por kemi më pak kohe.
Kemi më shumë arsim, por më pak arsyetim.
Kemi më shumë dije, por më pak sjellje prej të mençuri.
Kemi më shumë specialiste, por kemi gjithnjë e më shumë probleme.
Kemi shumë ilaçe por më pak shëndet.
Konsumojmë më shumë alkool dhe cigare; shpenzojmë para pa kriter; qeshim më pak; i japim me shpejtësi makinës; zemërohemi më shpejt; qëndrojmë zgjuar deri në orë të vona, zgjohemi të lodhur; lexojmë pak, shikojmë shumë TV dhe falënderojmë shumë më pak.
Kemi shtuar pasuritë materiale por kemi pakësuar vlerat morale.
Flasim shumë, dashurojmë pak; urrejmë shumë dhe shpesh.
Mësuam si të përballojmë jetesën, por nuk mësuam ta formojmë atë.
I kemi shtuar vite jetës tonë, por viteve nuk u shtuam jetë.
Mësuam të shkojmë e të vijmë në Hënë, por kemi probleme për të kaluar në anën tjetër të rrugës për t’u përshëndetur me komshinjtë e rinj.
Eksploruam Universin por nuk arritëm të hyjmë në botën tonë të brendshme.
Kemi bërë punë më të mëdha por jo punë më të mira.
Pastruam ajrin por ndotëm shpirtin.
Sunduam atomin por nuk sunduam dot paragjykimet tona.
Shkruajmë më shumë por mësojmë më pak.
Bëjmë më shumë planifikime por arrijmë më pak në përfundime.
Mësuam të vrapojmë por nuk mësuam të presim.
Prodhojmë gjithnjë e më shumë kompjuterë për të mbledhur e shumëfishuar në kopje të panumërta dijen por krijojmë me pak komunikim.
Është koha e ushqimeve që përgatiten me shpejt por që treten më ngadalë.
Është koha e burrave të mëdhenj e burrave të vegjël.
Është koha e fitimeve të mëdha dhe marrëdhënieve të ngushta.
Ditët tona janë ditët ku hyjnë dy rroga në shtëpi dhe numri i divorceve është i lartë.
Ditët tona janë ditët ku kemi shtëpi shumë të zbukuruara dhe familje të shkatërruara.
Këto ditët tona janë ditë të shpejta, udhëtime të shpejta, pelena fëmijësh një përdorimshe, vlera morale të shkatërruara, janë ditët ku dashuria ekziston vetëm për një natë, trupat janë obezë, janë ditët ku tabletat janë magjike bëjnë gjithçka, mund të na sjellin në qejf, mund të na qetësojnë madje dhe mund të na vdesin.
Jemi në një kohë ku në vitrina ka gjithçka, por në dyqane asgjë.
Jetojmë në një kohë ku, këtë letër teknologjia mund ta sjellë tek ju dhe ju brendësinë e kësaj letre mund ta shpërndani ose mund ta zhdukni me anë të butonit “Fshij”.
Jeta nuk matet me numrin e frymëmarrjeve tona, por me anë të momenteve që na lënë pa fryme!”, – përfundon letra e shkrimtarit komedia amerikan.
Kush është George Carlin
George Denis Patrick Carlin u lind në 12 maj 1937 në Nju Jork Siti të Nju Jorkut dhe u nda nga jeta më 22 qershor të vitit 2008.Një ndër komedianët më të famshëm amerikanë, Carlin ishte gjithashtu edhe satirist, kritik social, filozof, aktor dhe autor tekstesh e shkrimtar.Carlin ka fitur pesë herë çmimin Grammy Awards për lëmin e komedisë.Baba i një vajze, Kelly, George Carlin ishte martuar me Brenda Hosbrook martesë që zgjati nga viti 1961 deri më 1997 për 36 vjet rresht.Carlin u martua për herë të dytë me Sally Wade duke jetuar dhjetë vjet me të.