Nga Albert Vataj
Fëmijëritë, jo gjithnjë ka patur fatin të jenë rrokur prej aftësisë prindërore për ta trajtuar këtë cak fillimor dhe fondamental të moshës, si një bazament ku do të ndërtohet ngrehina e jetës.
Fëmijëria është në ne dhe ne jemi në thelbin e tërësores së saj. Atë çfarë “ka pranuar” ajo, është gjithka që “meritojmë” ne sot. Jo të gjithë kanë patur fatin e mirë të jenë fëmijë të atyre prindërve që nuk janë kursyer t’u ushqejnë me dashuri, me vlerësim, me përkujdesje dhe andjen për shërbestari mirësimi dhe ëmbëlsie.
Në errësirë, pa një përqafim, pa një zë lëdhatues, pa një puthje, pa një përkujdes “të tepruar”, ai fëmij ka ndjerë teksa i janë ngulen thellë e më thellë dhëmbët e braktisjes, dhëmbët e vetmisë.
E dhimbshme, e trishtë, rele dhe… e pakapërcyeshme?!
Dhe vjen një ditë që… unë-ti-ai-ajo, ne të gjithë, ndoshta, kush më shumë e kush më pak, kush më thellë e kush më cekët, t’i ndjejë plagët e këtyre kafshimeve, atëherë, pikërisht atëherë kur të na thërrasë me zë qielli nevojë për afrinë dëshiruese, atë të dhënies dhe të marrjes, reciprocitetit, jetësores në themel, dashurisë.
Frika se askush s’mund të na mbrojë, dhe dyshimi i të qenit i braktisur dhe i refuzuar, janë makthet e fëmijërisë, por edhe fantazmat e moshës së pjekur.
Fëmijët, të cilëve u ka munguar dashuria rriten të bindur se kanë një faj që i dënon me përjashtim të përhershëm nga parajsa e dashurisë. Gjithsesi ata thërrasin vetëdijen për të përcaktuar saktë caqet e tyre në këtë pretendim dominimesh sentimentale.
Jeta që bëjnë, bëmat që kanë pësuar, fatin që sipas tyre gjithnjë është në anën e kundërt, natyrshëm i shtyn të besojnë se diçka nuk shkon me jetën e tyre. Ata megjithëse kanë dijeni për gjendjen në të cilën ndodhen, nuk e kanë idenë mbi shkakësinë e këtij akti ndëshkues.
Ata janë të çorientuar nga një ndjenjë e shpallur, por e ndërthurur me dhunë nga ajo frazë fatale që motivonte prindin në formën më të papranueshme të edukimit dhe përligjjen e dhunës si formë bindjeje: “Të ndëshkoj sepse të dua”, “Kush të rreh, të do”.
Kështu që në një moshë tjetër, në atë që nis të kërkosh pozicionin tënd afektiv, përballesh me mohimin e dashurisë në thelbësoren e vet. Por, ka dhe një batak tjetër ku beftas e gjen veten, në fatalitetin e përjetimit të gabimeve në jetën dashurore që i udhëpërshkon për të të dalë në përfundimet gjithnjë të hidhura.
Frazat denigruese të një shpirti të ndjeshëm dhe disfatist: “Nuk më do njeri”, “E pësova edhe kësaj radhë”, “Nuk kam fat në dashuri”, janë kurthe, janë gropa ku bien këto fatkeq, gropa të cilat rrezikojnë t’i zërë brenda nga tentativat e ethshme për të dalë.
Është e njëjtë më fatin e të pafajshmit që e dorëzojnë në duart e xhelatit.
Një fëmijëri që duke na u larguar gjithnjë e më shumë me harrim, na bën me faj. Atëherë na bie vetëm të vuajmë. Mbetemi t’i dorëzohemi plagëve dhe lëngimeve që ajo e shkuar e pagojë dhe kujtesështerrur na i ka bërë dhuratë. Nuk duhet dorëzura kurrsesi. Duhet besuar se ka dritë në fund të tunelit.
Jo çdo përpjekje sikurse edhe kjo, mbeten dëshpëruese. Nuk duhet të lodhemi së besuari se fati ka rezervuar diçka të mirë edhe për ne. Ajo që duhet bëjmë është jo të presim, se gjithçka e hyjshme mund të bjerë vetëm nga qielli. Duhet të rendim në kërkim të asaj që është e jona dhe gjithnjë fati shpërblen guximtarët dhe ata që besojnë me gjithë shpirt në atë që dëshirojnë me gjithë zemër.
Të thërrasim forcën e plotpushtetshme të zotit tonë brenda nesh, që dëshirimi ynë të mos mbetet ende i lidhur me pelenat e fatit të fëmijërisë, që ne të mos pranojmë të jemi viktima të prindërve tanë, ashtu siç pranuan ata të ishin fatkëqij të fatit të keq të prindërve të tyre.
Kurrsesi nuk duhet ta lëmë veten në mëshirë të diçkaje që gjithnjë na është refuzuar, ose kemi patuar vijimsisht arsye për ta braktisur. Dashuritë janë si lulet, ato nuk janë njëlloj, as nga ngjyra, as nga aroma, as nga hijeshia, por gjithsesi janë lule, janë të mundshmet marrosëse të ëndjes sonë për dëshirim. Kujdesi për ta na bën meritues të tyre.
Lejoni veten të jeni mëkëmbës mirësimi të atij shpirti që vuan dhe besoni si gjithçka do të ndryshojë, sikur ju të bëheshit zot në një dashurie që e tejkalon instiktiven, romantiken, dashurinë e epjeve dominuese, dashurinë e njëtrajtësimit mish e shpirt dhe të përpiqemi të mësoni se dashuria është një synim është një sfidë, është një ngulm. Pra ajo është gjithçka që ne jemi, gjithçka që ne duam, gjithçka që ne bëjmë, gjithçka për të cilën jemi gati të vetmohohemi.
Oooo, ti, zemër e thyer, shpirt i trazuar, ëndërr e vrarë, ti ke lindur të jetosh si një krijesë e bekimeve të shëlbyera prej së bukurës dhe së hyjshmes. Mos harro, dashuria është gjithçka që gëlon brenda teje, është ajo energji përtëritëse, është ajo forcë transformuese, ajo gjendje eterne sundimi, ajo plotësi që të thërret në solemnitetin pjesëmarrës, ajo veten që don të ndryshojë, ai dëshirim që beson tek meritimi i të qenit të dashuruar.
Provo ta kuptosh dashurinë si veprim, kujdes, dhembshuri, mirënjohje, respekt, imponim, besim, e mbi të gjitha aftësi komunikimi dhe sinqeritet, nga ai i fëmijës. Dhe, dhe do të shohësh se edhe krevati do të jetë një copë aq e shumëdëshiruar juaja parajse, se edhe në krahët tuaj do të përpëlitet ajo ëndje flakatare dëshirimesh dehëse, se edhe në të mundshmen tuaj prindërore do të rritet shëndetmirë ajo trashëgimi e të hyjshmes dashuri.
Amen!