Nga Albert Vataj
Ndoshta nga gjithë mirënjohjet, ajo e prindërve, etërve, gjyshërve, gjithë atij degëzimi që mëton gjenealogjinë tonë, është më e hyjshmja.
Ata janë etërit dhe gjyshërit tanë.
Ata janë trungu, pema, pragu.
Ata janë paraardhësit, lajmësit, janë përkimi përnga ne udhëtojmë, janë amaneti.
Trupi i tyre i mpakur dhe i përthyer prej rëndimit të kohës, duart e eshkura e brazdat e rrudhave që i gdhendin portretin, janë kapërcyelli.
Gjithçka e tyre është e jona.
Gjithçka e jona është akti sublim i jetës së tyre.
Në të numëruarin e ditëve, më shumë se kurrë ata kanë nevojë për një dorë të ngrohtë që i pushon në prehrin që gatuan bukën e ngjizur me kujtime.
Ata kanë nevojë për një zë t’i largojë vetminë që i gërryen.
Ata kanë nevojë, sot më shumë se kurrë për njerëz, për ngrohtësi, për dashuri.
Me vitet që i rëndojnë mbi supe e shëndetin që i përndjek, ata hiqen zvarrë duke pritur dhe përcjellë çdo ditë si të fundit. Në moshën e dytë të fëmijërisë, atyre u duhet toleruar çdo gjë, ata kanë nevojë për gjithçka.
Sot, sot në kohën e braktisjes së madhe, ata janë grupmosha që më shumë se nga asgjë përndiqen nga harrimi. Shumë prej tyre dergjen brenda katër mureve duke shpresuar se dita e vdekjes është afër. Ka ndër ta fatkeq, që më shumë se të braktisur, nënçmohen, mënjanohen tallen. Nuk ka asgjë që e paqton shpirtin e tyre të dërmuar, vetëm thirrjet përgjëruese të vdekjes.
Bijë dhe bija të rrëmbyer nga shtjellat përpirëse të jetës, vetëm ikin, duke mos e kthyer kokën pas, duke lënë sy të përlotur që i ndjekin, e zemra të plasura që dhembin.
Sot është Dita e të Moshuarve, por mbi të gjitha është dita e mirënjohjes, falenderimit për gjithçka ata bënë për ne.
Gjithçka që bëjmë për ta, është gjithçka që bijtë tanë na detyrohen.