Nga Albert Vataj
At Gjergj Fishta ndërmendet në gjithëkohje një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Nuk është tepruar edhe kur është krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler. Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare, Fishta për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli dhe bashkëkohësit e tij fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë.
Edhe pse At Gjergj Fishta i orientuar me tërë qenien e vet kah kultura dhe tradita pozitive evropiane, në krijimtarinë e tij i mbeti besnik zërit të kombit e Atdheut, duke bërë përpjekje për ta mbrojtur nga të gjithë, sepse edhe ishte sulmuar nga të gjithë, nga Turqia që po hiqte shpirt, nga Greqia e cila falë luftës së Ali Pashë Tepelenës, me ndihmën e Evropës kishte shpallur pavarësinë, nga Serbia e cila po dyndej me zjarr e barbari drejt tokave shqiptare, madje edhe nga Bullgaria, Mali i Zi, por edhe Italia përtej detit. Duke parë dhe duke përjetuar thellë në shpirt këtë katrahurë që ishte derdhur mbi shqiptarët, doemos se ai do të protestonte dhe protestën e tij do t i hidhte në ballë Evropës, Moskovit, Stambollit. Duke qenë njohës i thellë i rrethanave politike, diplomatike e shoqërore, Fishta ishte i vetëdijshëm se shtetet e Evropës po e sakrifikonin Shqipërinë, me qëllim për të kënaqur orekset e shteteve sllave dhe me qëllim për ta dënuar një komb të tërë, asokohe kombin me numrin më të madh të banorëve në Ballkan, i cili në përpjekjen e tij për mbijetesë kishte pranuar islamin, por kurrë pushtimin dhe robërinë turke.
Andaj ai kishte derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës.
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Këto vargje diskrete të zemërimit dhe pezmit, Fishta i kishte deklamuar si shqiptar, si pjesëtar i një kombi që po viktimizohej dhe po sakrifikohej për interesat e sllavëve dhe grekëve të Ballkanit. Zemërimi i Fishtës kishte arritur kulmin kur në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, Eduard Grei Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Madhe dhe Kryetar i Konferencës se Ambasadoreve të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte pranuar se paqja e lidhur mes Fuqive të Mëdha do të peshonte mbi kurriz të Shqipërisë, dhe përderisa ishte fjala për paqe, do të sakrifikohej Shqipëria, meqë ishte shtet më i dobët dhe pa asnjë aleat të botë.
Gjergj Fishta më së miri e kishte kuptuar hilenë e Evropës, e cila thirrej në qytetërimin e saj të lashtë, në drejtësi e barazi, në të drejta kombëtare për vetëvendosje. Ai i qorri maskën Evropës, e cila për të kënaqur orekset e këlyshëve të Rusisë cariste, ishte pajtuar që të viktimizoheshin shqiptarët e Shqipëria. Pezmi i Fishtës ende gjallon, jo vetëm në vargjet e tij por gjallon te zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve liridashës. Po është klasa politike shqiptare, në Tiranë, Prishtinë e Shkup, e cila na përkujton edhe disa “sallahana” të kohës së Fishtës, të cilët edhe një qind vjet pas copëtimit të trojeve të Atdheut mbeten po ata, gjakpirës, rriçna e ushejza të pangopur.
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Pezmi i Fishtës ishte drejtuar në të gjitha anët, sepse edhe trojet shqiptare ishin sulmuar nga të gjitha anët. Për më keq edhe më keq shumë nga politikanët, bajraktarët e fisnorët shqiptarë të asaj kohe kishin përfituar mbi kurrizin e Shqipërisë, e cila kishte mbetur në mëshirë të kohës dhe përderisa të huajt ia copëtonin tokat dhe ia masakronin banorët autoktonë, kishte edhe mjaftë shqiptarë trutharë e tradhtarë që kishin qitur në treg tokat e Atdheut, si Esad Pashë Toptani, Ahmet Zogolli, Cenë Kryeziu (cernogllaviqi) e të tjerë. Fishta vajtonte dhe fshikullonte fatin e zi të shqiptarit i cili ishte degdisur nga të gjitha anët, atij nuk i kishte mbetur as gjë në dorë, meqë ishte sulmuar nga jashtë e nga brenda…
Shka bajnë tash shqyptarët?….
Han fiq e kastraveca
E pijn’mastikë e qesin petlla n’ujë;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrin tue kqyrun udhёs ushtarët e huej
Pale’a kanё ksulen qyp a se kapelë,
A ka uficiali kalin at apo pelë.
Askush më mirë se Fishta nuk i kishte identifikuar, akuzuar dhe diskredituar shkaktarët e vërtetë të humbjes së madhe të shqiptarëve dhe Shqipërisë, andaj duke qenë me mish i shpirt i interesuar për ta nxjerrë Shqipërinë në dritë, ai doemos se kishte një uzdajë në mos te Evropa, atëherë te ndonjë shtet i fuqishëm i saj, sikur ishte Italia fashiste. Dhe, në atë mendësi politike, Fishta nuk ishte i vetëm. Duke parë se bota kishte ndërruar shumë pas pasojave që sollën luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë botërore, pas Konferencës së Londrës dhe të Versajës, pas ngadhënjimit të Revolucionit të Tetorit në Rusi, Fishta doemos se kishte përkrahur mbështetjen e Shqipërisë te një fuqi e kohës, edhe pse ai nuk pati ndikim politik, as diplomatik, sepse Fishta kurrë nuk ka qenë zogist, edhe pse e kishte pushuar luftën kundër tij ashtu sikur bënë edhe Faik Konica e shumë emra të tjerë të njohur të kohës. ( Ahmet Qeriqi)
Disa poezi nga opusi krijues i Gjergj Fishtës
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Gomari i Babatasit
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,
“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.
Nuk din Shkjau me mbajtë miqsí!
Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman, Zot, kur duel Serdari,
Se ç’ kje ndezë Vranina zhari!
Aman, Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera!
Por kur rán Shkjét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue – e tue shkumue,
Shkaperderdhet nper zallina,
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,
N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t’ a kenë rrethue;
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t’ amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,
Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n’ dorë tagânat,
E u kullon gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s’ u lot thêmra.
Por ç’ dobí: dielli tue lé
Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! –
I rán ndore Shkjaut t’ terbuem
Tridhjetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!…
O ata t’ lumt, qi dhane jeten,
O ata t’ lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mbret e vend të t’ Parve,
Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t’ Parët u pa’n punue!
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t’ kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë,
E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë,
Dér sá t’ shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’ kângë e n’ valle por u kndojshin.
Shqipnija
Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’ i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’ fali i Amshueshëm,
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.
28 Nanduer 1913
Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q’iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n’shpi t’vet me lanë
E kujt pose Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam’ prap me vedvedi gjindet
E shk’asht ma zi, prej vedit edhe s’bindet…
Flamuri kombtar nuk ka ç’ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan krye shqiptari për komb t’vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë…
A thue mos fola keq?… Po lypi t’falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n’zemër t’fryt m’e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s’don vendin,
A prej së tjerëve s’don me ia lshue rendin
A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota…
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M’visar t’Atdheut me t’huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun’ prej t’huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t’i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?…
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M’kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n’krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t’urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t’bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T’huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s’e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin…
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S’e la mrendë e detit vala,
S’e la ferri, toka e qilli,
N’ Shqypni majet porsi njala.
I Dbuemi
Lamtumirë!-vendet e mija,
Qe,po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti,ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Kah njai diell,qi asht tue flakue
Andaj fill un tash do t’veta…
Lamtumirë!atdhe i bekue!
Lamtumirë!Për sa tjet jeta!
Nesër nade kur mbi ne
Rrezja diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhe
Mue prej teje ka me m’da!
E por n’pvetsha ret’ mizore,
e por n’pvetsha zogjt e detit;
Se për ty,moj tokë arbnore,
S’ka me m’folë ma mue t’shkretit…
Tjera fushë e tjera zalle
Kam me pa,e tjera dete:
Kam me ndie,po,tjera valle,
Tjera gjuhë,n’tjera qytete;
Vendin tem,por s’kam me pa,
Ku kam le e jam burrnue;
Syt e mi edhe kamë me kja,
Pa u gjetë kush qi me i ngushllue.
Pa kend temin,posë nji zotit,
Tue shkretue për dhe të huej,
Kanë me m’shkue mue ditt e motit
Sha e perbuzun prej gjithkuej.
Kam me pas shkretin’per voter,
E për shrojë të ndeztë ranë;
Kam me pasë,ulkojnë moter,
Kam me pasë,ehu !tigren nanë…
Nana e mbetne për se gjallit
Ka me m’kja,kush edi,ndo’i dite,
Dersa motka,dekun mallit,
Kot ndo’i herë mue ka me m’pritë
Ka me i njehë, po , krushqit,e mjera,
Me i pru nanës n’shpi nji re:
Por i vllaj,kushdi,m’atë hera
Ka me u kalbun për nën dhe!
E njai dhe-ehu!kob prej qiellit!-
S’ka me kenë,jo dheu i t’parvet
Ku ma bukur qiella kthihet,
Ku ma ambël n’gjuhë t’shqyptarvet
Para Hyjt naltohet lutja,
E ku besa asht e shejtueme
E ku zemrat s’dijn shka asht tuta,
E ku bjeshkët janë të madhnueshme.
Oh!ju bjeshkët e Shqyptaris’!
E ku rriten djelm si zana!
Un ju kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:
Dersa t’muj me ligjirue,
Ju gjithmon kam me u permendë!
E ato halë e qipariza
Kam me i pasë nder mend gjitmonë,
E ato stane e njato mriza:
E ato berre e ato kumbonë…
Por,oh vaj!Malet e mija,
qe,po zhduken dalë-kadalë:
Gjimon deti,ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.
Lamtumirë,pra,bjeshkë e malë!
E ju shkrepa edhe ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale,
E ju prroje e ju gurra!
Lamtumirë,ju mriza e stana!
Lamtumirë, kumbona e berr’e!
Lamtumirë,ju fusha t’gjana,
Ju livadhe,ene ju djerre.
Lamtumirë ti shpija e t’parvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhanÇè shtektarvet
Miqt e babes edhe ku i prita
Lamtumirë,carani m’votër.
Lamtumirë ju armët e shkreta!
Lamtumirë!ti nanë e moter!
Lamtumirë,për sa t’jet jeta!…
O shtektar,m’nji nji vorr të ri.