Nga Albert Vataj
Më 25 shtator 2007 do të ndalonte së rrahuri në spitalin Gemelli-Romë, zemra e At’ Zef Pllumit, nji prej gjëmimeve ma të zashme të denoncimit të ferrit komunist. Kurrkush deri aso kohe nuk e kallzoi ma kjartazi mizorinë e përbindshme të diktaturës.
Në këtë ditë shtatori nji zemër pushon së rrahuni, nji za u shue së treguemi. Ai ishte nji njeri i përkorë, dijeshumë e shpirtshëlbyer, ai ishte At’ Zef Pllumit, frati françeskan, publicisti dhe rrëfimtar pendëhollë, kumtuesi i kushtrimeve ma ngjethëse të nji prej rrathve ma zjarmtë të ferrit komunist. Një prej denoncuesve ma t’zashëm, ma t’njimendtë të dikaturës së egër komuniste, njasaj zezone qi vravi andrra e fiku andje.
Ai qi rrnoi me tregu tmerret. Ai qi kallzoi gjithë ç’kishte mund me ba pa u drasht mbi klerikët e pafaj dhe mbi shqiptarët kryengitës komunizmi shqiptar, kjo shtazë e përbindshme. Golgota e tij e mundimshme e kalvarit 26-vjeçar në burgjet komuniste janë rruga prejnga zë fill nji prej vullnesave më të vetvetishme të akuzës, e cila u jetësu me trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, i cilësuar edhe si “Arkipelagu Gulag” shqiptar.
Ai shkroi Biblën e kujtesë së shqiptarëve, ndërmëndjen, e cila do të bëhej pishtari dritëlëshues në terrin që kaplonte ndërgjegjen e drobitur dhe çorollepsjen nga ndërkrymjen e hutimi, rrokapjekthin që shoqëria shqiptare kish marrë në udhën pakrye të sendërtimit të ndërgjegjes.
Ky prelat i kishës katolike, ky shërbestar i devotshëm i fjalës së shenjtë dhe dijes së hyjshme, do të ishte i fundit i një dinastie zelltarësh të pashoq, mendjesh e kungimesh të gjithdijshme dhe vullnetmirë që mundi me ngjiz në gjinin e vet urdhni françeskan, shkolla prejnga u ngjizën themelet e vetëdijes tonë kombëtare.
Ai do të mbamendet si zani ma kushtrues i një prej dëshmitarëve më të qenësishëm që kishte mund me shpëtu prej ferrit komunist, dëshmia tolerancës dhe faljes, ngadhnjimit dhe shëmbëllimit të gjithë asaj plejade dijetarësh dhe pendash të pashoqe që qendisën shqipen me shkronja të arta dhe e hyjnizuan atë ndër më të veçmet mendime humaniste që gjalluen.
Atë tmerr që panë në atë botë të zymtë (në “Komedinë Hyjnore”), Dante Alighieri e përshkroi ashtu siç përshkruan udhetari një mjedis të shkretë, të populluar plot me personazhe orëligj. Poeti kaloi përbri hullive e gropave ku ata vuanin, degjoi rrefimet e tyre ngjethëse, për të thurur poemën e vet. Ky ishte këndveshtrimi i Dantes. Sakaq që poshte hullive dhe gropave të ferrit, ndiqnin me sy poetin. “At Zef Pllumi ka qenë një nga ata personazhe, që pati fatin e keq të binte në ato hulli, e që pati fatin e mirë të dilte që andej”, ka kumtuar Ismail Kadare në parathënien e veprës monumentale “Rrno vetem per me tregue”. Etja për të rrëfyer, për të dëshmuar, është një ndër më të fuqishmet në këto mjedise të trishtimit. Ndërkaq etja për të dëgjuar rrefimin duhet të jetë gjithashtu po aq e fuqishme. Jeta që në fillesë e shërbestarit fraçeskan Jeta e shërbestarit të urdhrit françeskan, si krejt ngarëndiet e epërme ngadhnjyese ka diçka në të kumtume, të e vona, në të tregume. Prenka, është emri i pagëzimit dhe datëlindja e saktë është 28 gusht 1924. Por si çdo tjetër anatemë që u lëshue mbi këtë prelat të kishës, edhe datëlindja pati fatin kobzi të tjetërsimit. Është 7 prill 1924, ajo datëlindje që kremtojmë sot, e cila mori formë zyrtare prej gjykatores civile, e cila sajoi këtë datë duke injoruar krejt të mëhershmet, pas daljes së tij nga burgu spariferë. At Zef Plumi lindi Malin e Rencit (Lorencit) (Shëngjin) nga një familje me origjinë nga Shkreli. Siç edhe tregon tek libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Erdhi në jetë nga e ëma, Luke Mrija në një zabel. Heret, në fëmijëri, kur familja e tij veronte në Qafë të Tëthores së Bogës, mes bjeshkëve të Shkrelit të Malcísë e atyre të Shalës së Dukagjinit, pahet me Atë Gjergj Fishtën, dhe Atë Anton Harapin që vinin për të takuar axhën e Zef Pllumit, Pashko Tomën, që shquhej si burrë i mirë ndër male. N’atë takim të fëmijërisë së hershme, axha u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat (prej një takimi të mëparshëm me Atë Bona Gjeçajn ofm). Atë Anton Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që kishte në qafë, e i thotë që ta ruante me shumë kujdes, e kur të shkonte në Kolegjën Françeskan të paraqiste atë medaljon, e cila u shndrru si ylli që do të udhëhiqte At Zef Pllumin në realizimin e andrrës për me iu përkushtu shërbesës së shenjtë. Rruga drejt meshtarisë të këtij zelltari Në atëkojnë të vitit 1929, kur Prenka ishte vetëm 5 vjeç, bëhet nxënës i Alfons Trackit, misionarit gjerman në Velipojë. Në të mëvonshmit vite, aty nga moti 1931 hyn në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare, si At’ Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitorin At’ Martin Gjoka, At” Gjon Shllaku etj., ku ndjek gjithë ciklin e arsimimit deri në vitin 1944 dhe merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij At’ Marin Sirdani merrte libra historie e numizmatike, detaj të cilin e shquan edhe tek librii vet, se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, në monedha. Në vitet 1943- 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i Padër Anton Harapit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri, Shkalla më e lartë hierarkike. Gjatë kohës që ishte dhjak, Pader Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Ku zuni fill golgota e mundimeve Zef Pllumi do të niste golgotën e tij të mundimeve kur ishte 22 vjeç. 14 dhjetor 1946, daton prangimi i parë i tij. Asokohe ai dënohet me tre vjet burg, të cilin e vujti në qelitë e Burgut të Madh të Shkodrës, dhe më pas degdiset në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit, në Maliq. Shkak për arrestimin, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë At’ Zefi, ishte prej të qenurit sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë. At’ Zef Pllumi, famullitari i Dukagjinit Vitet e ngjizjes dhe të përkushtrimit e kthejnë në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u “qetësuan”. Në vitet 1949-1951 merret me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për me çue ndihmat priftave nepër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku merr udhë më 14 shtator 1958 I vetidytë, me provincialin, At’ Augustin Ashikun. Në përvojën e tij të famulltarit ai mbledh dhe memorizon krejtçfarë mundet me ken e vyme dhe dëshmuese për trashëgiminë shpirtërore të malsorëve, asaj ngrehinë devotshmërie të besimtarëve që ngërtheheshin ndër male të egra tuj jetu me heka t’zorshme por me besim te Zoti e te i lumi Krisht. Vjen “kryqëzimi” Asht anatema më e zezë që ka ndërsy komunizmi ndaj krejtçkasë që gjendet në duart e Zotit, nën vullnesën e shenjt të kishës dhe të devotshmëve, martirë të saj. Dhe vjen dita më kobzezë që ka jetu kisha katolike, kleri në përgjithësi. Shqipëria bëhet i vetmi vend në botë që shpall laicitetin e tij absurd. Komunizmi i jep kazmën në dorë rinisë dhe hakërren uzurpimin ma të papecedentë, bastisjen dhe shkatërrimin e gjithçkasë së Zotit. Gjatë 1967-1989, për 23 vjet rresht, burgoset sdytiherë dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll dhe Tiranë, për të rifitu lirinë më 11 prill. Natën e Kshndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn’Andout në Tiranë, deri në vitin 1997. Njeh Nanë Terezën, të cilen e përcjellë për në Shkodër ku u çua mesha e parë në Katedralen e Shën Shtjefnit. Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Zelltari i dijes dhe ngadhnjimtari i dëshmimit At Zef Pllumi me 26 vite të mundimshme mbi supe dhe në shpirt, mëton në vete detyresën e krejçkasë që e hov atë në arritje të hyjshme dijetuese. Në vitn 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ridel duke vazhdu udhën e nisun spariherë nga At’ Gjergj Fishta. Janë gjithashtu këto vite, kohë e një veprimtarie krijuese për At’ Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet Françeskanët e mëdhenj. Kohë kur edhe pse i lodhur nga mundimet dhe mosha nuk mungon angazhimi në lëmin e kulturës. Ndër nismat e tij me vlerta të pamasë është gjetja e eshtrave të mbetura të Atë Gjergj Fishtës dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave. Për tu shu së jetumi më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli-Romë, Itali, dhe për të pushu në rrugëtimin e pasosun në Shkodër, më 30 shtator 2007. Mirënjohja, ballsam për plagën e lëndimit Kalvari i gjatë i mundimeve, urtësia dhe devotshmëria, përkushtimi në rrugën e shërbestarisë dhe të kumtimit të dijes, nuk do të shkonte hup, ndërsa e shkumja ishte tashma vetëm një arsye për me u tregu prej tij. Ai, sa ishte gjallë, rroket prej një vlerësimi dhe mirënjohje, e cila nis me Urdhrin “Nderi i Kombit” në vitin 2006, me të cilën Presidenti i askohshëm, Alfred Moisiu, vlerëson klerikun dhe publicistin, At’ Zef Pllumin “si përfaqësues të pasunisë kulturore e njerëzore, si nji institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohnave ma të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve. Po në atë vit, Atë Zef Pllumi merr çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” vepra monumentale dhe më e vetvetishme e denoncimit të diktaturës komuniste, akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. “Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s’i sheh”, pat thënë At Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit. Sot e përgjithmonë, At’ Zef Pllumi do të mbamendet si sullnetmiri I kushtrimit në ndërgjegjen shqiptare, në kumtimin syçil të së shkumes dhe shugurimin e faljes si më e epërmja prej gjesteve që njeriu pranon në vedi si të hyjshme.
Albert Vataj