Nga Albert Vataj
Tradita e skenës opertistike shqiptare, me Marie Krajën hyn në një etapë të re. Zërat e mëhershëm dhe ato të mëvonshmit, së bashku me kontributin e pashoq që ajo dha, ndërtuan atë përmendore të mburrjes tonë nacionale, atë shkas krenarie që e ka ndërkombëtarizuar zërin operistik shqiptar, në skenat më prestigjoze, duke e transformuar në një potencial të jashtëzakonshëm konkurrues.
Marie Kraja do të mbetet një gurë themeli në traditën e këngës operistike shqiptare. Një talent që ngriti në mit femrën e asokohshme. Një sprovë që triumfoi duke i atribuar famë dhe mirënjohje shpirtit të sakrificës dhe vullneteve ngadhnjimtare. Zëri dhe shpirti i saj do të kërshërijnë ëndjet e brezave, të cilët do t’i jenë mirënjohës aktit të saj krijues, virtuozitetit me të cilin ajo përfaqësoi shqiptaren në skenën e kushtimeve të mëdha operistike botërore. Opera shqiptare, ngulmi i ëndrrës së çdo sopranoje, marrin dritën më të shndritshme tek ky yll, duke u bërë vazhdues të asaj udhe të gjatë, që e madhja Marie Kraja e nisi, atëherë kur ndër më të shumtat pamundësi, çdo e mundshme ishte një mrekulli, të cilën ajo e jetësoi në emrin dhe veprën e saj.
Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës poppullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.
Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë. Ishte në moshën 6 vjeçare kur familja e saj u vendos në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj i parë ishte në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku Maria përfaqësoi Shqipërinë me interpretimin e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”. Në Shqipëri aktiviteti i saj fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert në Tiranë. Më 1938 megjithëse vazhdon një aktivitet të dendur koncertal, fillon punën si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë, pastaj pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946. Më pas me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve, Maria filloi të japë mësim atje dhe që në hapjen e Teatrit të Operas dhe Baletit ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni dhe u bë nga solistet e para të këtij Teatri.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.
Vdiq në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet me përunjësi dhe respekt. Ajo do të mbetet në të përgjithmonshmen e nevojës shqiptare si një kresht krenarie, si një shëmbëllim i përmasave botërore të talentit dhe përkushtimit.
Prapaskenat e Sigurimit të shtetit për të spastruar sopranon e madhe
(Materiali i meposhtem eshte huazuar nga shqiptarja.com)
Një grup shkresash tepër rezervat të vitit 1951 zbulojnë fillesat e përplasjes së regjimit komunist me sopranon Marie Kraja dhe një varg artistësh të tjerë themelues të artit lirik e instrumental në Shqipëri, të cilët nji nga nji do t’i zhduknin nga skena e operas dhe baletit.
Artistja virtuoze vihet në kryq për t’u spastruar nga Filarmonia, për shkak të familjarëve të saj, biografia e hollësishme e të cilëve ishte hartuar nga drejtoritë e Sigurimit të Shtetit dhe regjimi i kishte shpallur armiq e bashkëpunëtor të nazizmit.
Edhe pse Marie Kraja sipas tyre kishte qenë thjeshtë indiferente dhe nuk e kishte simpatizuar Lëvizjen Nacional Çlirimtare e më vonë indiferente ndaj regjimit komunist dhe pa veprimtari armiqësore, sirish ishte një element që duhej spastruar. Detyra për të hartuar biografitë e hollësishme për një listë të gjatë artistësh, i jepet Sigurimit të Tiranës nga kryetari i Komitetit të Arteve Foto Stamo.
Sipas shkresës së 7 korrikut të 1951, me shënimin “Rezervat” që Foto Stamo i dërgon Sigurimit, njoftohet se, së afërmi me 17 korrik do të bëhej një mbledhje ku do të raportohej për të gjithë elementët e asaj liste, e cila kryesohej nga Marie Kraja. Në shkresë Foto Stamo porositi që punonjësit e sigurimit të vijnë të përgatitur. Në listë përveç Marie Krajës rreshtohen emrat: Lek Tasi, Fatbardha Tatzati, Zef Gruda, Tonin Harapi, Haki Bejleri, Tonin Guraziu, Aleko Kareco, Mateo Guralumi, Nik Guralumi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Flora Kallajxhi, Vilhelm Konjari, etj…
Urdhri i dalë nga Komiteti Qëndror i PPSH-së ishte që një pjesë e tyre të pushoheshin sapo të shihej e mundur, një pjesë që ishin të pazëvendësueshëm, të zëvendësoheshin pas 5 ose 7 vjetësh (duke nënkuptuar zbulimin dhe edukimin e nëj artisti të ri që mund ti zëvendësonte) dhe një pjesë e këtyre artistëve më të rinj në moshë, vendosen të mbahen nën survejim e të edukohen për t’u vënë në rrugë të mbarë.
Pjesë nga dokumenti
Këtu poshtë po ju përshkruajmë elementin që mendojmë të pushohen, elementin që mendojmë të largojmë me zëvendësim dhe elementin që me punë edukative do të bëhen të vlefshëm.
Marie Ndue Kraja: Artiste lirike pushohet për mungesë garancije për këto arsye: gjatë okupacionit, gjithë familja e saj ka bashkëpunuar me armikun e kanë urryer luftën e popullit dhe kanë propaganduar kundra saj. Babaj saje ka qenë bashkëpuntor i nazistave, vëllai ka qenë spiker në stacionin nazist në Gjermani. Në fund të vitit 1944 familja arratiset.
Qendrimi i saj gjatë okupacionit ka qenë indiferent, nuk e ka simpatizuar lëvizjen NÇL. Ka punuar në Radio Tirana dhe ka dhënë koncert në Firenze, në Bari. Qëndrimi i sotçëm është indiferent nuk ka veprimtari armiqësore. Punën që i është ngarkuar e ka kryer, ka realizuar planin.