Nga Albert Vataj
“Shpresa ka dy fëmijë të bukur: indinjatën dhe guximin. Përbuzja për realitetin e gjërave; guximin për t’i ndryshuar ato.” E gjithë rrugëtimi i tij angazhues dhe krijues është në thelb sentencë e kësaj maksime. Ai ishte i mendimit se:
Ndrojtja është një gjendje e çuditshme e shpirtit, një kategori, një dimension që i hapet vetmisë. Është gjithashtu një vuajtje e pandashme, sikur njëra të kishte dy epiderma, dhe lëkura e dytë e brendshme të acarohet dhe tkurret përballë jetës. Ndër strukturat njerëzore, kjo cilësi apo ky defekt është pjesë e një tërësie që përbën pavdekësinë e qenies në kohë.
Prodhimi i tij gjigant poetik, i pasur me një dendësi të rrallë metaforike, përfshin temat më të rëndësishme të jetës dhe varion nga natyra te vetmia njerëzore, nga dashuria te politika. Vitet e fundit, hetimi i tij i pandërprerë për kuptimin e jetës ka marrë përsipër. Figura e tij, në fushën poetike, mund të konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e shekullit të njëzetë për atë ritëm që ndryshon vazhdimisht dhe për përkushtimin e bollshëm politik në pjesën më të madhe të teksteve të tij që kapin ngjyrat, dritat dhe shushurimat me ndjeshmëri të rrallë. Poeti i turpshëm dhe kokëfortë, personaliteti magjepsës i të cilit mund të shihet pikërisht në atë ngurrim dhe dëshirë për izolim dhe heshtje, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë bashkëkohore me vargje të cilat, si Federico Garcìa Lorca, theksoi ai, duket se janë shkruar ‘ më tepër se me bojë, me gjak.
Neftalí Ricardo Reyes Basoalto i njohur si Pablo Neruda (12 Korrik 1904, Linares, Santiago – 23 Shtator 1973) ishte poet, diplomat dhe politikan kilean.
Me punën e tij të përkthyer në shumë gjuhë të huaja, Pablo Neruda konsiderohet një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX. Në vitin 1971 Neruda fitoi Çmimin Nobel për Letërsi, një çmim ky i kundërshtuar për shkak të aktivitetit të tij politik.
Si diplomat kaloi shumë vite në Madrid,i cili u shoqërua me Lorcën dhe me poetët e tjerë spanjoll, pastaj kaloi në lëvizjen antifashiste, për shkak të saj u bë i dëbuar nga atdheu. Në fillim shkruante kryesisht poezi të dashurisë, a më vonë kaloi në temat shoqëroro-politike dhe në poezinë e angazhuar politike e cila flet kundër marrëzirave në luftra dhe çdo herë në mbrojtje të të shtypurve.
Botoi 19 përmbledhje të poezive, nga e cila më e njohura është “Spanishtja në zemër” në të cilën jep dridhjet, apo fotografinë e vërtetë të luftës për popullin spanjoll. Jetën dhe botën i ka përjetue, para së gjithash me ndijime, por janë zgjimet, zemrimet, vetmia dhe shoqërimi janë motive të poezisë së tij.
Me stil, kaloi rrugën nga neoromantizmi nëpër nadrealizmëm deri te poezitë e pastërta luftarake dhe sociale. Bazë ishin temat e dashurisë në kohët e hershme të rinisë, më vonë shkretirë, vetëmi, mendime, luftë dhe vdekje. Temperamenti i tij vullkanik, veçanërisht i gatshëm për diçka të reagoj dhe për diçka të luftoi, e bëri atë njërin nga poetët më të plleshëm, dhe të pakrahasueshëm të kohës në të cilën jetoi.
Me përfundimin e studimeve për mësues të gjuhes frenge Neruda nuk hyjnë në profesionin e mësuesit, ashtu siç pritej, por në atë të diplomacisë. Më vitin 1927 emërohet si zv/konsul në Rangun të Birmanisë, për të vazhduar mëpastaj si konsul në Sri Lankë (ku funksionon edhe si këshilltar i Kongresit Panhindian), Xhakarta, Singapur etj. Gjatë viteve të qëndrimit në këto vende, i dëshpëruar, i përlarë nga vizionet apokaliptike, dhe i vetmuar deri në depresion shkruan kryeveprën që konsiderohet si bestselleri i lirikës së të gjitha kohërave «Rezidimi në Tokë».
Vitet e mëvonta i kalon si konsul në vendet si Argjentina dhe Spanja ku edhe shkruan veprën tjetër të rëndësishme « España el corazón» (Spanja në zemër).
Viti 1945, pas kthimit nga Spanja, Pablo Neruda angazhohet aktivisht në skenën politike të vendit: më 18 tetor 1945 zgjidhet si senator i Partisë Komunsite të Kilit, post të cilin ai e humb me publikimin e shkrimit kundër presidentit Gabriel Videla (të cilin e ndihmon gjatë elektoratit) «Yo acuso» (Unë akuzoj) dhe kërkohet me fletarrest. Falë popullaritetit të madh të Nerudës regjimi nuk e zbulon dot vendqëndrimin e tij. Një vit më vonë detyrohet të emigrojë. Stacionet: Argjentinë dhe natyrisht Moskë, pastaj në Varshave dhe Budapest, për të përfunduar pastaj në Mexiko Cyti.
Në vitin 1950 Pablo Neruda bashkë me poetin turk (poashtu emigrant) Nazim Hikmet fiton «çmimin ndërkombëtar për letërsi» të Bashkimit Sovjetik. Tre vite më vonë po nga i njejti vend shpërmblimin «Stalin». Shpërblim të cilin ai e «kthen prapë» pas vdekjes së diaktorit rus më 1956, kur Nikita Hrushov zbulon krimet staliniane. Nga kjo pikë fillon Neruda ti «rishikojë» bindjet e tija rreth komunizmit, gjë që vërehet qartë në veprat e botuara pas kësaj date. Në të njejtën kohë vendos të kthehet në atdhe. Atje ai tashmë nuk arrestohet por zgjidhet si kryetar i «Lidhjes së Shkrimtarëve» të vendit.
13 vite më vonë, Partia Komuniste e Kilit fut Nerudën si kandidat për president të vendit, nga e cila kandidaturë tërhiqet në favor të mikut të tij të ngushtë, socialistit Salvador Allende, i cili pas zgjedhjes plotëson dëshirën e Nerudës për ta dërguar si ambasador në Francë. Më 21 tetor të vitit 1971 Neruda merr çmimin Nobel për Letërsi. Një vit më vonë, i sëmurë nga kanceri, tërhiqet nga posti i ambasadorit për të përgatitur veprat e mbetura në dorrëshkrim.
Deri në grahmën e fundit Pablo Neruda nuk tërhiqet nga përzierja në politikë. Në vitin 1973 e publikon librin, shkatrrues për famën e tij, si poet me titullin «Nxitje për vrasje të Niksonit dhe lëvdata për revolucionin kilean». Më 11 shtator të po të njejtin vit, në atdheun e tij jep shpirt demokracia, duke u zëvendësuar me juntën ushtarake të Pinoçetit. Një ditë më vonë demolohet shtëpia e tij në Santiago, ndërsa me 24 shtator vdes Pablo Neruda.
Gjatë jetës së tij Pablo Neruda shkruajti më shumë se dyzet përmbledhje me poezi, përkthime dhe mijëra reportazhe e artikuj të ndryshëm. Pesë nga veprat e fundit të tij u botuan pas vdekjes së tij.
I rritur jetim. Në konflikt të përhershëm me njerkën; i formuar në kushte të mjerimit social e ekonomik dhe në një qytet ku mbizotëronin; varfëria dhe epidemitë; i ati i tij konservativ përpiqet t’ia ndalojë dhuntinë dhe pasionin për të cilin ai jeton: Letërsinë; atdheu i tij vlon nga brigadat fashiste dhe naziste; si konsul përballet drejtëpërdrejtë me jetën nën kolonitë perëndimore – a nuk janë këto predispozitat më të përsosura për ta detyruar intelektualin e atëhershëm që të pranojë si fé doktrinën komuniste?
Pablo Neruda nuk u harrua asnjëherë, as në vitet më të egra të diktaturës së Pinoçetit. Në funeralin e tij, edhe pse burgjet e stadiumet ishin përplot me të burgosur, parakaluan tre mijë guximtarë. Gati 40 vjet më pas, Partia Komuniste kërkoi zhvarrimin e trupit për t’i bërë autopsinë. Pritej të vërtetohej nëse ia mori jetën kanceri në pankreas, me të cilin bashkëjetonte prej disa kohësh apo një injeksion helmi. Një kërkesë që nuk ka se ç’t’i shtojë më shumë asaj që dihet: Meksika kishte dërguar një avion për të shpëtuar poetin, por pikërisht një ditë para nisjes së tij, papritur gjendja e tij përkeqësohet dhe shuhet brenda disa orësh. Trupa ushtarake e udhëhequr nga Pinoçeti vazhdoi të ndjekë edhe jashtë militantët e së majtës duke i vrarë në të shumtën e rasteve pa gjyqe dhe këtë e bëri për vite me radhë. Për Augusto Pinoçet, Pablo Neruda nuk ishte një problem i lehtë. Poeti adhurohej jashtë (në vitin 1971 kishte marrë çmimin ‘Nobel’ për letërsi), por ishte edhe shumë popullor brenda vendit të tij për vargjet, por edhe për udhëtimet aventuriere në rininë e tij nga Rangon në Singapor e Batavia (Xhakartë). E kishte filluar që herët karrierën diplomatike në Lindjen e Largët e pastaj u zhvendos në Europë. Me shkëputje të shkurtra, si pasojë e qeverive ultrakonservatore, kjo karrierë zgjati deri para pak vdekjes.
Pablo Neruda (që në realitet quhej Neftalí Ricardo Reyes Basoalto dhe që e kishte zgjedhur atë pseudonim që në publikimet e tij të vitit 1920, kur ishte vetëm 16 vjeç), ishte aktivizuar seriozisht në disa fushata elektorale dhe ishte zgjedhur disa herë senator. Në vitin 1938, pas fitores së parë të qeverisë së Frontit Popullor drejtuar nga don Pedro Aguirre, u nominua konsull në Paris me misionin për të shpëtuar sa të mundte republikanët spanjollë. Më 1948-n regjimi konservator i Gabriel González Videla e shkarkoi si senator. Neruda u përndoq për një vit të tërë dhe para se të arratisej në Argjentinë, në të gjithë botën e dinin të vdekur. Nga ana tjetër, në shumë vende, bezdisej vazhdimisht nga kontrolle policeske. Ishte e natyrshme që në ditën e vdekjes së tij të hidheshin dyshime për një shfarosje të poetit. Autopsia e kërkuar së fundmi, pas asaj të bërë për Salvador Allende (e cila konfirmoi se ishte vetëvrarë për të mos rënë në duart e militantëve), nuk është përfunduar ende, por pak gjë do të ndryshojë: Nuk ka dyshim që te Neruda, junta ushtarake nuk shihte poetin, por njeriun që nga Meksika mund të bëhej një pikë referimi e besueshme për rezistencën. Në çdo rast ishte një simbol i asaj që grushti i shtetit donte të shkatërronte.
Pablo Neruda (1904-1973) vdiq vetëm disa ditë pas grushtit të shtetit që rrëzoi qeverinë e Allende. Popullariteti i Nerudës ishte i padiskutueshëm, por figura e tij ishte kontradiktore. Në bindjet politike të Nerudës ka ndikuar fuqishëm klima në të cilën u formuan. Në autobiografinë e tij, “Rrëfej se kam jetuar”, thotë se: “Edhe pse teserën e mora shumë vonë në Kili, kur hyra zyrtarisht në parti, besoj se e kam pozicionuar veten si komunist gjatë Luftës Civile të Spanjës”. Lufta e Spanjës e kishte gjetur në Madrid, ku gjendej me detyrën e konsullit, pasi kishte qenë në Barcelonë. I shkarkuar më vonë nga kjo detyrë, edhe si qytetar i thjeshtë, Neruda kishte një rol të rëndësishëm në mobilizimin europian për mbrojtjen e qeverisë legjitime spanjolle. Por ndërsa denonconte me zell krimet frankiste, aq më tepër kur mes viktimave ishin miqtë e tij të shtrenjtë si Federico García Lorca apo Miguel Hernández, mungesa e përvojës politike e bënte që të mos shihte aspekt tjetër të luftës, përveçse represioneve të anarkistëve, të vërteta apo të hamendësuara nga njerëzit e Stalinit. Këtë marrëdhënie të dyfishtë të tij me stalinizmin e përcaktonte besnikëria e verbër ndaj Partisë Komuniste kiliane, besim që do ta ruante deri në vdekje. Thotë se ka pasur miq anarkist, por në kujtimet e tij, të cilat i përfundoi pak ditë para se të vdiste, vazhdon të përsërisë denigrimin stalinist mbi ta. Neruda e shprehu adhurimin për Stalinin edhe përmes rreshtave të poezive dhe pikërisht kjo kontradiktë në figurën e tij bëri që të kishte shumë diskutime në vitin 1971, kohë kur ai ishte nominuar për çmimin “Nobel”. Disa nga anëtarët e komisionit nuk i kishin harruar poezitë e Nerudës ndaj Stalinit, por përkthyesi i tij suedez, Artur Lundkvist, bëri të pamundurën që poeti kilian ta merrte këtë çmim. Pavarësisht se personazhe të njohura të letrave iu kundërvunë pikëpamjeve politike të Nerudës, ata vlerësuan gjithnjë poetin që gjendej në të. Novelisti Kolumbian Gabriel García Márquez e quajti “Poeti më i madh i shek. XX”.
SHQIPERIA
S’kam qenë ndonjëherë
ne Shqipëri,
n’atë tokë të ashpër e të dashur,
n’atë dhe malor
barinjsh.
Sot,
shpresoj
të vij mu si për kremte,
për një kremte të re, dasmë mbi tokë;
pa të vete të shoh
si shkëlqen dielli
majë krahëve plot muskuj
të vargnaleve të tua,
si më rritet,
në mes të shkëmbinjeve
si zambaku i ri dhe i njomë
kultura,
letërsia, që po nis e shtrihet,
nderi i ndaj bujkut të moqëm,
djepi i punëtorit,
përmendorja e shquar
e vëllazërimit,
si merr përpjetë
mirësia posi bima e re,
që lulëzon në vendet e lashta
e të varfra.
O Shqipëri e vogël,
e fortë, e vendosur dhe zëmjaltë,
teli i kitarës sate
-ujë dhe qelik i gjallë-
vjen e më t’i shtohet tingullit të
historisë,
këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
me një zë bjeshkësh
dhe ndërtimesh,
aromash dhe bardhësish,
këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë bjeshkëve,
zogjve dhe mollëve në lule,
erërave dhe valëve.
Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhurat q’i
sjell ti
ndërtimit të jetës mbi tokë.