Nga Albert Vataj
Në qoftë se bota ka lindur nga një trill i Zotit, atëherë gruaja është qënia tek e cila krijuesi më i lartë ka dashur të paraqesë si më mirë anën e paparashikueshme të natyrës së saj misterioze.
Që nga kohët e lashta marrëdhëniet ndërmjet filozofëve dhe grave kanë qenë karakterizuar nga një “misalliance” (martesë e pabarabartë) e pandreqshme. Duke vështruar historinë e mendimit filozofik në këtë perspektivë të krijohet aty për aty përshtypja se filozofia gjithmonë ka qenë e do të jetë një çështje vetëm e meshkujve.
Marrëdhëniet e vështira me figurën amnore janë, me sa duket, në zanafillë të urrejtjes së grave dhe të përfytyrimit të pambrojtshëm, gati grotesk të gruas që Shopenhaur mëton.
“E marrin martesën vetëm si institute asistence. Kur im atë, i mjerë e i sëmurë përfundoi i paralizuar në karrike, do të qe braktisur fare sikur për të nuk do të ishte kujdesur me dashuri një shërbëtore plakë. Zonja e madhe, nëna ime, jepte pritje, kur ai po shuhej në vetmi, ajo dëfrentë kur ai vuante si mos më keq. Ja kjo është dashuria e grave”, do të kushtronte shpirti i drobitur i filozofit.
Për tu mbrojtur nga të ftohtit e dimrit, disa iriq shtërngohen fort pas njëri-tjetrit që të ngroheshin. Mirëpo kur e bënin këtë shpoheshin nga thëthimat e tyre, prandaj largoheshin, e njëjta gjë ndodh edhe me qëniet njerëzore.
Në njëren gjysëm të jetës së tyre burrat janë kurvar, ndërsa gjysmën tjetër atyre u vënë brirë, për rrjedhojë, gratë ndahen në të tradhëtuara dhe tradhtare.
Të kesh sukses në martesë, kishte pohuar Shopenhaur, do të thotë të fusësh dorën në një thes dhe me sy të mbyllur të shpresosh të nxjerrësh që andej ngjalën e vetme mes atij grumbulli gjarpërinjsh. Veç kësaj edhe kur shkon mirë martesa, ti përgjysmon të drejtat tuaja, e dyfishon detyrimet.
Për gratë se kam thënë ende fjalën time të fundit, besoj se gruaja kur arrin të shkëputet nga shumica, ose më mirë kur ngihet mbi të zhvillohet pa ndërprerje më shumë se burri, për të cilin mosha shënon një kufi, ndërsa gruaja rritet gjithnjë e më shumë.
Ja sepse sentence, në vend të përshrkimeve asnjanëse, kthehen më shumë një ser këshillash për ti hapur sytë seksit mashkuallor nga gracka fatale dhe konflikti rraskapitës që në mënyrë të pashmangshme fshihen në marrëdhënie me gratë.
Është në natyrën e grave që ata ta shohim çdo gjë vetëm si një mjet për të shtënë në dorë mashkullin dhe interesi i tyre për diçka tjetër është gjithmonë vetëm shtirje, një dredhi fund e krye, pra ai kthehet në ojna e majmunëri.
Prandaj natyra i ka dhënë gruas, ashtu si çdo krijese tjetër, ca armë e ca mjete që i duhen për mbrojtjen e ekzistencës së vet dhe për të gjithë periudhën kur ajo ka nevojë, edhe në këtë rast ajo ka parashikuar gjithçka me nikoqirllëkun e saj të zakontë.
Me gratë natyra ka kryer një goditje mjeshtërore: ka bashkuar në to, një kohë të caktuar të rinisë, të gjithë bukuritë dhe yshtjet për të tërhequr fort vështrimet e përhumbur të burrave, për ti shtyrë ato në tundim, ua mpin çdo mendim dhe i çon në rrënim.
Sa më shumë një gjë është fisnike dhe e përsosur, aq më me vonesë dhe më ngadal arrin pjekuria. Mashkulli me vështirësi arrin pjekurinë e arsyes dhe të forcës së intelektit para se të bëhet 28 vjeç, ndërsa gruaja që në moshën 18-vjeçare, por arsyeja e saj, pikërisht për këtë është mjaft e kufizuar. Prandaj gratë mbeten fëmijë për tërë jetën, shohin gjithmonë dhe vetëm çfarë është më afër, mbeten të lidhura me të tashmen, ngatërrojnë paraqitjen e gjërave me thelbin e tyre dhe parapëlqejnë çikërrimat ndaj çështjeve më të rëndësishme.
Bukuria e djemve me atë të vajzave është si piktura në vaj e krahasuar me atë në pastel.
Gruaja njësohet më shumë me të tashmen, prandaj di ta gëzojë atë më mirë, mjafton të jetë e durueshme; nga kjo kushtëzohet ajo qetësi karakteristike e gruas që e bën atë të përshtatshme për ti dhuruar orë të këndshme çlodhjeje burrit, të mbytur në telashe.
Gruaja e shlyen fajin e jetës jo duke vepruar, por duke vuajtur dhëmbiet e lindjes, me përkujdesjen për fëmijët, me nënshtrimin ndaj burrit, për të cilin duhet të jetë një shoqe e durueshme dhe e qetë.
Në fshehtësinë e zemrës së tyre, vajzat i quajnë punët shtëpiake ose profesionale, diçka të dorës së dytë, mbase edhe një zbavitje të thjeshtë, ata mendojnë se i vetmi profesion i tyre serioz është dashuria dhe gjithçka ka lidhje me të, që tek veshaj, flokët, zbukurimi, surprizat, dhurata, aventurat, etj.
Padyshim që gratë janë më prozaike se burrat prandaj tek gjërat nuk shohin më shumë se çfarë ndodh në to realisht, ndërsa burri, nëse pasionet e tij janë të trazuara, është i prirur t’I zmadhojë gjërat reale, ose ti shtojë element imagjinarë.
Gratë duke qenë më të dobëta janë të detyruara nga natyra të mos përdorin forcën, por dinakërinë, që këtej rrjdh dinakëria e tyre instinctive dhe prirja e papërmbajtur për të gënjyer. Si sepia, gruaja mështillet në maskim dhe noton në rehati brenda gënjeshtrës.
Është e pamundur të takosh një grua me të vërtetë të sinqertë, e cila të mos shtiret. po për të njëjten arsye, gratë zbulojnë pa vështirësi hipokrizinë e të tjerëve dhe për këtë nuk është e këshillueshme që ne të përpiqemi ta përdorim me to. Të gjithë gratë, me përjashtime të rralla, janë të prirura për të qenë dorëlëshuara. Prandaj çdo pasuri, veç rasteve kur e kanë vënë vetë, duhet të ruhet mirë nga budallallëku i tyre.
Askush nuk do të shkruante kurrë një Iliadë po të kishte pasur për nënë një bibë dhe për baba një gjumash, madje as në rastin kur ai do të studionte në shtatë universitete.
Duke dashuruar ju besoni se ushtroni kultin e bukurisë dhe se futeni në një ujdi qiellore. Mos u dehni nga fjalët, jo, ju do të zgjidhni pa e kuptuar një problem të harmonisë fiziologjike.
Është një iluzion i epshit për të gënjyer burrin, duke e bërë të besojë se do të gjejë atë që i mungon në krahët e një gruaje.
***
Artur Shopenhaueri shkencat natyrore dhe filozofinë i studoi në Gëtingen dhe në Berlin, kurse u promovua në vitin 1813 në Jenë me tezën e doktoratës Mbi rrënjën e katërfishtë të parimit të shkakut të mjaftueshëm. Në vitin 1820 u emërua docent privat në Berlin, mirëpo, i penguar për të përparuar më tej në universitet, shpërngulet në Frankfurt, ku mbetet mësues privat deri në fund të jetës.
Pandjeshmëria e njerëzve ndaj dhimbjes së botës shihet, sipas Artur Shopenhauerit, në qëndrimin e tyre ndaj kafshëve. Feja e krishterë, që pretendon se bën shumë për dashurinë ndaj të afërmit, nuk shpreh ndonjë detyrim ndaj kafshëve – me përjashtim të hinduizmit. Shopenhaueri, që ishte mjaft mospërfillës ndaj bashkëkohësve dhe sidomos grave, pranonte se nuk do të mund të jetonte pa qenin e tij; në vështrimin e tij të qartë dhe të padjallëzuar, ai njëjtësonte shpirtin e botës.
Për Artur Shopenhauerin, ajo çka lind botën është vullneti i verber që mbretëron mbi të. Kjo botë ka gjithashtu pak kuptim, përderisa jeta njerëzore sundohet nga shtytjet e vullnetit. Antropologjia dhe psikologjia moderne i detyrohen shumë kësaj doktrine rreptësisht ateiste – edhe pse, në sytë e Shopenhauerit, ana shoqërore e çdo ekzistence njerëzore nuk luan asnjë rol.Opusi i Shopenhauerit tërësisht me ngjyrë pesimiste përshkohet nga anektoda dhe tabloja spirituoze, sarkastike dhe shpeshherë të kthjellta. Kjo është qartësi, forcë dhe pasuri e përjetimit të pastimuluar të artit. Por edhe atëherë kur për shembull e ndien madhështinë e tragjedisë, kur afirmon tragjikën si shkallë më të lartë të poezisë – sepse sipas tragjedisë e njohim të keqen si të keqe të përgjithshme «pavarësisht nga qëllimet dhe dëshirat tona» (dhe për këtë arsye individët tragjikë pa fajin subjektiv janë të fajshëm) – kjo atëherë nuk është vetëm për shkak se një valorizim i tillë i këtij arti i mundëson të afirmojë tezën filozofike mbi botën si vuajtje dhe dhembje. Arti tragjik nuk është, me fjalë të tjera, vetëm «argument» i mëtejshëm për pohimin metafizik mbi botën tragjike. I mahnitur nga bukuritë artistike burimore dhe nga distancat e brendshme të tragjedisë, Shopenhaueri në të vërtetë e arsyeton më vonë shumë më tepër filozofikisht (me vetë strukturën metafizike të botës) këtë përjetim të vet thellësisht të përjetuar.Ndonëse ideologjikisht dhe politikisht konservativ, kundërshtar i çdo demokracie dhe i «plebsit», pa kurrfarë kuptimi për domethënien e lëvizjes historike («përmbajtja e historisë gjithmonë është e njëjtë»), Shopenhaueri prapë-seprapë diku-diku në mënyrë lucide, në një seri tablosh dhe vëzhgimesh nga aspekti i stilit jashtëzakonisht sugjestiv paralajmëron muzgun e kulturës qytetare të perëndimit, rrënimin tragjik të atyre ideve dhe idealeve të cilat në piedestalin e vlerave të përhershme u përpoq t’i lartësojë filozofia klasike idealiste. Mizantrop, i revoltuar për shkak të karrierës së dështuar universitare, i errët, i pikëlluar dhe pa shpresë, mizogjin dhe cinik, Shopenhaueri vetëm në refleksionet dhe aforizmat e tij të kohëpaskohshëm dhe të rastit si dhe me faqet e tij të shkruara me frymëzim mbi artin, për të cilin tregoi sensibilitet të jashtëzakonshëm, dha atë që është më e vlefshme në filozofinë e tij, e cila në tërësi, historikisht e kundruar, si voluntarizëm metafizik irracional nuk paraqet në të vërtetë kontribut të qenësishëm për zhvillimin e frymës evropiane dhe nuk është vazhdim i traditës humaniste të filozofisë gjermane. Dhe me ndikimin e dukshëm të tij gati në të gjitha filozofitë, të cilat intelektin e konsiderojnë sekondar dhe kategori njerëzore të paqenësishme, (periudha e parë e Niçes, E. v. Hartmanit, V. Rabës, e ashtuquajtura Lebenesphilosophie, irracionalistët e ndryshëm, voluntaristët dhe vitalistët), mendimi pesimist i Shopenhauerit në njëfarë pikëpamje u reflektua negativisht në sistemet shterpë filozofike dhe ideologjikisht regresive në kalimin nga shekulli nëntëmbëdhjetë në atë njëzet.